E enjte, 28.03.2024, 01:04 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Dy burgje

E hene, 01.06.2020, 02:57 PM


Dy burgje

Nga Edison Ypi

Nostalgjira të trishta që nuk është mirë tu afrohesh se çmendesh. Të tilla më janë dukur gjatë viteve letrat që ja kam nisur vëllait në Spaç dhe ai i solli kur u lirua.

Kanë mbetur disa dhjetra. Të tjerat kanë humbur.

Nuk u jam kthyer atyre letrave për të parë çfarë kam zhgarravitur many tears ago.

Ato mote, nëna ime Hasia dhe unë, jetonim si Zonja Nurihan dhe Mark Zavalina. Prisnim e përcillnim mysafirë me halle të ngjajshme. Prej tyre kishte dhe thjesht kuriozë. Ndoshta edhe spiunë. Dëgjonim radiot e huaja. Lexonim libra. Mes tyre edhe të ndaluar. Qarkullonim habere. Bënim muhabete. Pinim çaj mali. Tymosnim cigare Partizani. Ndër të paktët që nuk na braktisën, ishte njëri që nuk i linte gjë mangut Ekrem Fortuzit.

Pothuaj të gjitha letrat i shkruajta unë. Me stilolaps. Në emër të nënës. Ashtu ishim marrë vesh për më tepër siguri. I nisja me, "I dashur Biri im", ose "I dashur Arti" dhe i përfundoja me "Të përqafon Mamaja_____" pra, siç duket në foto, me bishtin e a-së së fundit të zgjatur për ti bërë të kuptonte Eduardit atë që ai e dinte, se bashkë me nënën e tij e përqafonin edhe shkruajtësi i letrës, pra unë, motrat, kunetërit, dhe të tjerë. Zakonisht në fund, ndonjëherë edhe në krye, në të gjitha letrat vija rregullisht datën. Nuk di pse në atë kohë me kronologjinë isha shumë më rigoroz se sot. Ndoshta sepse kronologjia ishte ajo që më tepër se gjithçka fqinjëronte me pritshmërinë, përkohshmërinë, provizoritetin e diktatorit dhe diktaturës.

Para ca ditësh, tek kërkoja diçka tek ca rraqe, më dolën parasysh ato letra. Për herë të parë, zgjata dorën mora njërin nga ato zarfa. Atë që më zuri dora. E hapa. Letra mban datën 15 dhjetor 1982. E lexova.

Si gjithë letrat që kam nisur në Spaç, edhe ajo letër bën fjalë kryesisht për libra, fjalorë, rroba, ilaçe, ushqime. Por më bëri përshtypje ky paragraf;

"Mos na shkruaj letra me vdekje. Ne e kuptojmë vështirësinë e burgut, madje jo vetëm duke e marrë me ment, se fundja kjo vështirësi nuk varet nga madhësia e tij".

Nuk e mbaj ment për cilën vdekje e kishte fjalën Eduardi. Ndoshta do ta gjej në ndonjë letër tjetër. Ama ky kunj me kaq spec, kjo batutë kaq e rrezikëshme, kjo çfryrje kaq e zararshme me vdekje, kollajllëk për të marrë me ment vështirësitë e dy burgjeve, burgut të madh ku ishim mbyllur ne dhe burgut të vogël ku vuante Ai, më futën në atmosferën e rrezikëshme por edhe të këndëshme në pikpamje nostalgjike të asaj mënyre komunikimi. Ju vërsula letrave të tjera. Lexova nja tre a katër prej tyre. Gjeta ndër to kunja edhe më të forta se paragrafi i mësipërm. Madje shumë më të forta. U kujtova se te të gjitha ato letra kam ngulur kunja të tilla. Do ti bëj të njohura ato letra e ato kunja nga koha kur partia dhe kurvi, problemet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve i kishin zgjidhur aq thjeshtë. Me dy burgje. Një burg të madh që ishte Shqipëria e rrethuar me tela me gjëmba dhe një burg të vogël ku nga çasti në çast mund të hynte i gjithë burgu i madh. Me këtë rast, duke qartësuar njëkohësisht edhe paradoksin filozofik mbetur pezull ndër shekuj, atë të futjes të së tërës brenda pjesës, i kishin dhënë një ndihmesë edhe mendimit filozofik materialist botëror.

Mirpo dilte pyetja; Përderisa problemet ishin zgjidhur, qetësia kishte rënë, kufiri ruhej, Sigurimi vigjëlonte, hafijet spiunonin, gazeta Drita dilte rregullisht. Revista Nëntori po ashtu, puna vullnetare vazhdonte, traktorat çanin arat, plani tejkalohej, pse futa kunja nëpër letra ?

Nuk i futa kunjat për të realizuar qëllime të dëshirueshme por të pamundura si; për të rrëzuar diktaturën e proletariatit, penguar kongreset, apo sabotuar planet 5 vjeçare.

Me shpresë dhe besim se edhe bashkëvuajtësit tanë do bënin të njëjtën gjë, kunjat nëpër letra i ngulëm që unë dhe nëna ime në burgun e madh, dhe vëllai në burgun e vogël, të ndjeheshim gjallë.

Sa kohë ato kunja në ato letra përveç ne të treve, ndoshta edhe ndonjë të katërti në Spaç që kontrollonte letrat por nuk kuptonte metaforat, nuk do t'i lexonte askush tjetër, asgjë tjetër nuk mund të arrihej me ato kunja nëpër ato letra.

Ndonjë nga vigjilentët e sotëm, aq të ngjajshëm me spiunat e djeshëm në zbatimin me rigorozitet të metodave sigurimiste për tua nxirë jetën bashkëvuajtësve, mund të thotë se po mburrem, se jam mendjemadh. Mos u lodh kot o spiun i ndyrë. E pranoj vet. Kam qënë dhe jam një frikacak mendjemadh. Me një kusht; Derisa nga mijrat e vëllezërve që kanë pasur vëlla në burg, të dali 1 prej tyre të provojë se ka qënë aq i guximshëm sa vëllait në Spaç t'i ketë nisur letra me kunja si ajo me dy burgje dhe vështirësi të njëjta.

Deri atëhere mos më shurdhoni me mburravecllëqe komuniste për trimërira inekzistente.

Në gjurmët e të parëve të m'i rilindas atdhedashës idealistë që çbënë veten për të bërë Shqipërinë, Flamurin e trimit të çartun nuk do ta lëshoj nga dora, dhe nga pena.



(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora