Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Prend Buzhala: Homazh për Sefedin Xhafollin

| E hene, 01.06.2020, 11:59 AM |


HOMAZH PËR SEFEDIN XHAFOLLIN (1950 - 2020)

Nga Prend Buzhala

Shkoi në përjetësi shkrimtari për fëmijë Sefedin Xhafolli. Letërsia shqipe për fëmijë mbeti edhe pa një poet të mirëfilltë të letrave shqipe. Poezia e tij, e pëlqyeshme, me ritme të begatshme e të këndshme, me rimarium po ashtu të pasur e jashtëzakonisht joshës; pëlqehej shumë nga lexuesit e të gjitha shtresave. Edhe motivet dhe tematika ishin ndër më të befasishmet; syri, mendja e imagjinata e poetit, depërtonin edhe aty duke hedhur dritë metaforash e ritmesh, thëniesh e sugjestionesh artistike- mu aty ku kishte mjegullirë e errësirë, fshehtësi e mister. Kurse qëndrimi kritik, i shqiptuar shpesh nëpër vargje të tilla, hapte shtigje vizionesh të befta, shpaloste horizonte të çlirimit edukues, social, nacional e përgjithsësiht të një shpirti humanist, duke qldnruar gjithnjë në anën e të mirës.

1.

Sefedin XHAFOLLI (1950- 2020) u lind në Drenovc të Prishtinës. Aty mori edhe arsimin fillor. Mandej vazhdoi të mesmen pedagogjike dhe universitetin për gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë. Ka punuar gazetar në Radio-Prishtina. Ka botuar për fëmijë:

- Jarani i pites (vjersha) – RILINDJA, P.1984

- Dardha ka bisht (vjersha) – RILINDJA, P.1986

- Perëndinë e ke n’Prishtinë (poezi) – ZERO PRINT, P. 2015 (f. 67)

2.

Meqë ishte aktiv me krijimet e tij dhe në rrjetin social, herë mbas here kisha dhe komentime të lirikës së tij. Ja disa të tilla (e vitit 2015).

Sefedin Xhafolli

24 korrik 2015 ·

TË FALA NGA MUZEU!

************************

Që atë ditë

kur shkova n'Vjenë-

m'kujtoi vetja-

Skënderbenë!

...lashë valigjet

ngjesha shpatën:

ta ndryshoj

pak situatën!

...sigurisht pat'

jehonë shumë:

tash me shpatën

jam n' muze,

fllad e kemi-

në bodrum!...

Koment:

Realiteti i legjendarizuar, përmbyset, i kthehet ironisë së thellë: ndryshimi mbetet një iluzion! Krenaria mbetet vetëm në muze!

Porse subjekti (a folësi lirik) që ligjëron në veten e parë, duket sikur i vetëpërmbys ato, pas një zhurme të madhe (jehonë)...

Poezia pëlqehet edhe për ritmin e rimën e këndshme, të lexueshme...

Përgëzime!

3.

Sefedin Xhafolli

12 Nëntor 2018 ·

SHPIRTI I PRISHTINËS

...ta pashë

veshur robërinë

varfërinë

zinë

Prishtinë

...ta pashë

pushkën

sa mirë e ngjeshe

ta pashë Lirinë

ëmbël buzëqeshe

me qeleshe

kuqezi

u veshe

...të shoh

sot

të dua të fortë

imja aortë

që më zhveshë

që më shet për një vizë një pasaportë*)

...u plaka me ty

me riga

lagur

dy palë sy

unë

dhe

TI

---------------

*)Vetëm më 2017,mbi 40 mijë kosovarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës!

Koment:

Ritëm i bukur poetik, që edhe zinë e madhe, e shndërron mjeshtërisht e shpritërisht në hare të rimës...