E marte, 14.07.2020, 09:43 AM (GMT+1)

Kulturë

Dea Halimi: Jehona e lumturisë së fëmijëve

E hene, 01.06.2020, 12:31 AM


Në vigjilje të 1 Qershorit

Jehona e lumturisë së fëmijëve

Nga Dea Halimi

Ecja rrugës për në bibliotekë, në mendime për  1 Qershoret e kaluar. Ç`do vit në këtë ditë sheshi i kryeqytetit gjëmonte nga zërat e hareshëm të fëmijëve. Këtë vit ishte ndryshe… është kohë pandemie – tash e sa kohë jemi mbyllur brenda në shtëpitë tona, mësimi zhvillohet nëpërmjet TV dhe internetit në platforma të ndryshme. Kjo kohë në të cilën jemi na bëri pothuajse të pamundur të ndjekim aktivitetet e përvitshme të cilat shfaqeshin në qendër të kryeqytetit, në sheshin e mbushur nga mija fëmijë të buzëqeshur, të lumtur e të gëzuar, e gjithë kjo për nder të ditës së fëmijëve, 1 Qershorit.

Këtë datë e bënin të veçantë momentet, çastet, rrugët e pafundme të jetës  dhe të lumturisë të cilat i mban në zemër secili fëmijë. Arrita te shkallët e Bibliotekës “Hasan Prishtina” doja të arrija te Këndi Amerikan. Shtyva derën e bibliotekës dhe menjëherë u nisa për te raftet me libra ku pëlqeja të kaloja shumicën e kohës. Po kërkoja diçka që të më ndihmonte të shkruaja ndonjë shkrim për këtë ditë të cilën e pritja me padurim. Kam shumë kujtime, për herë të parë kur morra pjesë në manifestimin të cilin e organizonte Komuna e Prishtinës, isha vetëm katër vjeç, atëherë dhe recitova një poezi, më të dashurën për mua, një poezi për nënën:

Peri i zemrës

E ndiej zemrën tënde nga troket

Thellë në zemrën time, kaq vjet...

Mami, ti je peri i zemrës sime

Që më mban në jetë

11.08.2011

Këto ishin ndër vargjet e para të ndërthurura me dashurinë e një fëmije e cila vetëm sa ishte nisur në rrugën e krijimit të qëllimit të saj artistik.  Dhe sot ende më jehon zëri i udhëheqëses e cila pasi m`i lavdëroi vargjet më tha:

- Ke ndonjë poezi dhe për babin?

-Po, - i thash, ajo ma ofroi  prapë mikrofonin dhe unë fillova ta deklamoj poezinë për babin.

Dea dhe babi

Babi ia zgjat dorën Deas

Dea ia zgjat  dorën babit

Shëtisin buzë liqenit në përralla.

Dea e puth babin

Babi e puth Dean

Dashuria buron nga zemra

Udha e jetës ik mes ylberi

10.01.2011

Fëmijët në këndin e kuq i përcollën me interesim vargjet e mia dhe më shpërblyen me duartrokitje të gjata. Gjithë këto mendime më bënë të pyesja veten se çfarë në vërtetë është 1 Qershori?

Sigurisht përveç që fëmijët e të gjitha moshave kërkojnë që në këtë ditë të jenë të lumtur dhe ta festojnë së bashku me prindër me dashurin që i ndërlidh mes veti. Kjo ditë është kthyer jo vetëm në një ditë festive, por edhe në një ditë sensibilizimi, për t`i thënë jo dhunës dhe abuzimit ndaj fëmijëve. Është dita kur vetë fëmijët hapin mushkëritë për të thëne të drejtat e tyre, por në ndryshim nga të rriturit, protesta e tyre të bëhet me lojëra dhe festa. Kush do të kishte menduar të thoshte se kjo ishte një histori e fshehur pas kësaj date. Në fakt kjo histori e 1 qershorit e ka origjinën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Kina. Dita e fëmijëve u vendos me datën 1 qershor, sepse në këtë datë është mbajtur Konferenca Botërore e Mirëqenies së Fëmijëve në Gjenevë, në vitin 1925. Në të njëjtën ditë, rastisi që konsulli i përgjithshëm kinez në San Francisko mblodhi së bashku një numër të konsiderueshëm fëmijësh jetim kinezë të celebronin në festivalin e “Anijes së Dragoit”. Dy vjet më pas Festa e 1 Qershorit filloi të festohet në të gjithë botën, pra edhe në mjedisin tonë.

Eci sheshit të ndritur të kryeqytetit me gjithë këtë histori me vete. Kthehem në shtëpi. Këtë herë sheshi është i zbrazët,  mungojnë fëmijët, mungojnë këndet me ngjyra ylberi ku zhvilloheshin aktivitetet të ndryshme kulturore dhe artistike. Sot ishte kështu kjo gjendje në kryeqytet, por shpresoj se nesër do të jetë ndryshe, të jetë gjallëri pa të cilën fëmijët kurrsesi nuk rritën.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora