E premte, 29.03.2024, 09:58 AM (GMT)

Kulturë

Ndue Lazri: Kulla e Dedë Vorfit

E diele, 31.05.2020, 06:14 PM


KULLA E DEDË VORFIT

Shkas nga humbja e një bashkëfshatari të mirë

-Përshkrim-

NGA NDUE  LAZRI

Kanë kaluar mbi 60 vjet, por akoma e mbaj në mendje portretin e atij burri të urtë.Dedë Vorfi ishte një burrë me shtat mesatar, vishej gjithnjë me veshje kombëtare, xhamadanin e bardhë qëndisur me gajtana të zez e kësulën e bardhë rrafshatake mbi kohë.Mbante një shkop druri me dorezën prej fildishi.Në fytyrë binte në sy një nishan i dukshëm.Meqenëse livadhet i kishim afër e afër, ai vinte tek livadhi që kishin pronë të familjes në mes të të cilit ishte një lis i madh që lëshonte një hije të bollshme.Ulej aty, mbështeste shkopin tek trungu i lisit, nxirrte kutinë metalike dhe bënte një duhan.Ishte i pakët në fjalë, por me ne fëmijët shumë i dashur. Shkonin shumë mirë me gjyshërit e mi dhe shpesh uleshin bashkërisht nën hijen e atij lisi e pinin duhan, herë – herë edhe ndonjë gotë raki, që e sillte gjyshja ime, meqenëse shtëpinë e kishim aty pranë livadhit, kurse shtëpia e tyre ishte më larg, në kodër, në atë kodër që të gjithë e quanim me emrin Suka e Brozajve, meqenëse aty jetonin familjet me mbiemrin Brozi.

Edhe sot habitem se si ishin përzierë pronat ashtu.Livadhi i madh ishte i ndarë midis 4 familjeve, madje një pjesë e tij i përkiste kishës. E megjithatë midis pjesëve të familjeve të ndryshme nuk kishte një kufi të prerë,sepse të gjithë e respektonim pronën e njëri-tjetrit. Madje kur kositeshin livadhet, burrat e familjeve bashkoheshin dhe i kositnin bashkërisht, një ditë tek njëri e një ditë tek tjetri e nuk ndodhte të kishte grindje për një kosë barë më pak apo më shumë.Edhe zabeli i Dedë Vorfit ishte ngjitur me shtëpinë tonë e hijet e lisave mëngjeseve binin deri në oborrin tonë.Por nuk ndodhte ndonjëherë që të prisnim ndonjë lis për dru kur bënte dimër, meqenëse zabeli i shtëpisë sonë ishte më larg. Edhe pse Dedë Vorfi i kishte thënë gjyshit: Kur bën akull, mos shkoni deri tek zabeli juaj se rruga është e rrezikshme. Ja ku i keni drutë. Nuk bëhet nami për dy lisa.

I përmenda këto dy detaje të vogla për të treguar atë mirëkuptim e harmoni që ekzistonte në fshat, jo vetëm midis dy familjeve në fjalë, por me gjithë lagjen e qendrës të fshatit Gëziq në Mirditë. Në dasma e ceremoni mortore nuk kishte kurrë nevojë për ftesa apo të çonin fjalë, por merrnin pjesë të gjithë banorët, që nga pleqtë e deri tek fëmijët e vegjël. Rruga për në shkollë na binte përmes shtëpive të fshatit. Shpesh herë nënat e familjeve të ndryshme na ndalnin në rrugë kur ktheheshim nga shkolla e na zgjasnin një copë bukë se e dinin që ishim të uritur, ndonjë mollë apo ftua e çfarë t'u gjendej. Ishim të gjithë si një familje e madhe.

Por le të kthehemi sërish tek ai plak i mençur me emrin Dedë Vorfi.Në Sukën e Brozajve kulla dykatëshe e Dedë Vorfit ishte e para. E mbajmë mend edhe ngritjen e asaj kulle. U ngritën pak a shumë në një kohë kulla e Brozajve, kulla e Dedë Vorfit dhe kulla jonë në faqe të sukës përballë, që quhet sot e kësaj dite Suka e Gështenjës. Ishin vitet '60-'61 të shekullit të kaluar.

Duhet të kem qenë tepër i vogël, mbase 3-4 vjeç, kur nëna na çonte tek shtëpia e Dedë Vorfit në rastet kur kishim ndonjë problem shëndetësor. Aty ishte një plakë, që neve na dukej si e dalë nga përrallat, Prena e Vorf Gjokës. Ndoshta na dukej ashtu nga që ajo kishte aftësi të shëronte njerëzit me barna popullore. Por mua më ngulitej më shumë kjo ide kur e shikoja të punonte në disa makineri të drunjta me vegjë e me tllarë, ku ajo thurte pëlhura apo punonte shajakë. Më dukeshin aq të koklavitura ato punë sa ajo më dukej si magjistare, ndonëse herë-herë punë të tilla i bënte edhe gjyshja ime.

Dedë Vorfi iku shpejt nga jeta. Erdhën vitet e kolektivizimit, kooperativa u krijua me një dramacitet të paparë, me një ngjarje tragjike që nuk na është shuar asnjëherë nga kujtesa. Pasi e detyruan të futej në kooperativë, bashkëfshatari ynë Gjin Vorfi (babai i këngëtarit të famshëm të ansamblit “Mirdita”, Fran Vorfi), gjatë natës u vetëvar në lisin që kishte në oborr të shtëpisë.Më duket sikur e shikoj edhe tani trupin e tij që e tundte era në oborr, pasi autoritetet e lanë të varur deri vonë, duke tmerruar njerëzit që e shikonin, sidomos ne fëmijëve.

Dedë Vorfi kishte tre djem, Gjinin, Nduen e Frrokun, si dhe dy vajza, Martinen e Rutën. Frroku, më i vogli ndër djemtë dhe dy vajzat ishin moshatarë me motrat e mia, që ishin më të mëdha se unë.

Gjini iku shpejt nga fshati dhe u vendos në Rrëshen me familjen e tij.Ai ishte teknik pyjesh. Shumë i aftë në profesion, bridhte pyjeve të Mirditës me uniformën e blertë të teknikut të pyjeve, kujdesej për ruajtjen e mirëmbajtjen e tyre, na jepte shpesh punë edhe ne fëmijëve gjatë periudhës së pushimeve verore për pastrimin e pyjeve, aq sa kishim krijuar një park të vërtetë që pëfshinte zonën e Gëziqit, Ndërfanës e Ndërfushës. Ishte një burrë shumë popullor, me një ngjashmëri të çuditshme fizike me Stalinin, sidomos nga mustaqet dhe të gjithë e quanin Stalini i Gëziqit.Por ai ishte tepër i dashur e babaxhan e si natyrë nuk kishte asgjë të përbashkët me diktatorin sovjetik. Më kujtohet që kur studioja për gazetari,pata shkruar për të në gazetën “Bashkimi” një shkrim me titull “Dashamirësi i pyjeve”.

Vëllai tjetër, Ndue Dedë Vorfi, për shumë vite kryetar i këshillit popullor të fshatit, ishte njeri i drejtë dhe e donin të gjithë.

Frroku ishte më i vogli ndër vëllezërit.Në rini ishte çoban i dalluar dhe i binte fyellit.Ishte shumë i dashur me ne më të vegjëlit.Gjithnjë i pari për t'iu gjendur familjeve në rast nevoje. Mbaj mend që kur mori zjarr kasollja jonë e bagëtive, ai arriti i pari me vrap me një bucelë me ujë që të ndihmonte në shuarjen e zjarrit dhe në shpëtimin e bagëtive nga djegia. Pasi kreu shërbimin ushtarak, u bë shofer. Për ne fëmijët ishte një kënaqësi e veçantë,sepse shpesh hipnim në makinën e tij. Po nëse për ne të vegjëlit ishte një zbavitje e çastit, për prindërit e ata që kishin punë larg fshatit,ai ishte një ndihmë e madhe, pasi me skodën e tij në njëfarë mënyre bënte edhe punën e autobuzit, duke mos lënë kurrë njeri në tokë. Frroku punonte në Reps e në Spaç e transportonte mineral. Shumë korekt në punë, ai dallohej nga viti në vit, aq sa më vonë iu dha besimi të punonte me kamionë që transportonin mallra jashtë Shqipërisë në shtete të ndryshme të Europës. Ai ish-çobani i dhive arriti të bëhej një nga shoferët më të mirë të vendit dhe u shqua për korektesën e figurën e tij në të gjitha udhëtimet jashtë vendit për shumë e shumë vite me radhë.

Mbrëmë, nga një shkrim i gazetarit mirditor Gjergj Marku, mësova për ndarjen e tij nga jeta.Nuk e di, për një çast m'u duk sikur shikoja fëmijërinë e rininë time të ikte.E mendja më shkoi atje tek kulla e Dedë Vorfit në Gëziq. Tani që tre vëllezërit nuk jetojnë më, që shumë nga fëmijët e tyre janë shpërndarë nëpër botë,në Itali, Greqi e deri në Amerikë, kush ka mbetur tek ajo kullë e vjetër?

Koha ecën, vitet rrjedhin e ato kulla, gjithnjë e më shumë të vetmuara, mbeten si bastione të heshtura, që ruajnë histori e jetë familjesh, që nuk u shkruan kurrë.

Pushofsh në paqe, bashkëfshatari im i mirë, Frrok Deda. Ti e ke shkruar vetë historinë tënde e ajo transmetohet tek të gjithë ata që të njohën e që ti iu gjende pranë gjatë viteve te jetës.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora