Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shyqyri Fejzo: Epopeja e pronës

| E diele, 31.05.2020, 10:51 AM |


Shyqyri Fejzo

Prona

Epopeja e pronës

Fajin e pati ai i pari fare

Që pa turp e pa pazare

Tha se:“Kjo është e imja“

Më mirë ta hante qimja

Që atëhere lindi kjo prona

Nuk kishte më „është jona“

Pastaj  aty kufijtë u vunë

Nuk e ke ti se  e kam unë

Më pas pati ndarje të thella

Kufij në toka e në parcella

E imja si etje e ujit të kripur

Erdhi  gjithnjë duke u rritur

Një rast vetëm njeh historia

Pronë të barabartë shoqëria

E thotë lashtësia spartane

Dhe pse ishte fort mjerane

Për rendin e ri u fol shumë

Të jep liri dhe të jep punë

Për të njerzia kanë merak

Dhe pse është rend dinak

Në thelb premtime pa anë

Me dinakëri nxori paranë

Rendi i ri drejton me mend

Paranë bëri super të shenjt

Kapitalizmit njerzit ju gëzuan

Fare vonë dhe ata e kuptuan

Se ishin  gënjyer keq me llafe

Paraja ju qep litar pas qafe

U bë paqë  e iku dhuna

Për para u shit dhe puna

Njerëzit të gënjyer mire

Hopa skllevër me  dëshirë

Prona paska rrënjët në det

Në mendjet thellë ajo mbet

Për pronë vuan çdo gjallesë

Ajo është  baza për jetesë

Për këtë bëjmë fjalë dhe ne

Në këtë të thjeshtë epope

Se çfarë ndodhi pak e dini

Hidhini një sy durim në kini

Binte daullja e tymeleku

Në katërqind kriste dyfeku

Asnjë bagëti pa ardh mos mbesi

Sot që herët mblidhet kongresi

Delegatë i mbushur sheshi

Të buzëqeshur deri te veshi

Qe e lopë hidhen bisht lart

Njëthundrakët ecin tërë art

Cjepë, deshë e lanë tufën

Kishin përfunduar  luftën

Dhi e cjepë në hije e zabele

Afër mërzejnë të urtat dele

Gjithë puplorët të bashkuar

Duke qeshur dhe kënduar

Ja demokracia në anët tona

Në kongres diskutohet prona

Janë të mençurit e bagëtisë

Delegatë e zgjedh të blegtorisë

Mblidhen njëherë në kongres

Se u erdhka e madhja shpres

Hap kongresin një cajp përçor

Shtrin dy thundrat me një dorë

„Parti s’kishim  por sot e kemi

Ajka,kokat e shkencës ne jemi

Ne gremisëm makinën e vjetër

Mbi të sot do ndërtojmë një tjetër

Vendi ynë ka shumë gropa, vrima

Të vëmë sot rrotat përmbi shina

Në këtë tokë e mbi  këtë dhe

Lokomotiva e re do të  jemi ne

Si ne në vend nuk ka një të dytë

Mbi ne sot të gjith i kanë sytë

Betohen gishtat e kësaj dore

Përditë do hani bar kasolle

Të kini me bollëk kripë Vlore

Të shuani etjen me ujë bore

Unë sot nuk po i them të tëra

Duhet të mësohemi me ca gjëra

Guximi e nderi të dalë démodé

Vjedhjen „marrje“ do quajmë ne

Hiqeni fare fjalën besnik

Duam të shkathët elastik

Zgjedhimi foljeve do ndarë

Folja „kam“ në vetë të pare

Thonë pronën të gjithë e kanë

Me ligj asnjë pronar nuk janë

Në këtë gjendje or xhan vëllaj

Prona shkatërrohet fare kollaj

Mos lëmë asgjë nga e vjetra

Mbi të do lulëzojë kjo tjetra

Sot që dita e mirë ka ardhë

Rrnoft e qoftë çeku bardhë

Me tufat tuaja shpejt shkoni

Ku është mirë e dëshëroni

Futjani me forca e varda

Nga Tropoja te Saranda

Ku të ketë kullotë të mirë

Ta zaptoni pa mëshirë

Nga malet deri në bregdet

Sallma hani si e dini vet

Hop kapodemushi me një bri

Moj shoqeni e  moj motrani

Qimja,  sedef e pa ndotur

Në bjeshkë mirë  i kullotur

S’ merrni vesh fare nga politika

Ma thotë teoria dhe praktika

Prona,ore prona është themeli

Pa pronën mbetëm gjysmagjeli

Troç,sot mos dalim të gënjyer

Dorën në mjaltë kush ka ngjyer

Ta themi dhe ta kuptojmë mirë

Kurrë s‘ do e lëmë pa e lëpirë”

“Mirëse erdhen ditë të bardha

Çfar do bëjmë me ato gërmadha

Pa na e thuaj këtu ta dëgjojmë

Ato as na dalin por as teprojnë?”

Erdhi kjo pyetje krejt pa pritur

„ Mashalla ç’ sheleg i ditur”

Oratori që kruhej  me siklet

“ Tha: “do ja jap përgjigjen vet”

“Materialet do ngrenë themelet

Shisni stallat,pulat dhitë delet

Tani që gjithëçka bëmë zap

Makineri e hekura çoni skrap”

Merr fjalën një kafshëz tjetër

Me syfjetur si zonja dhelpër

“Kur pronën do të shkatërrojmë

Po njerzia me se do të rrojë?”

Përgjigjen jep flakë për flakë

Një dem larush rrumbullak

Pa marrë leje në presidium

Me gjithë brirë, në podium

“S’më njihni zotrinj e zonja

Kam thith ajer nga Kolonja

Këtu sot unë kam ardhë

Tu sqaroj çekun e bardhë”

S’merrni vesh nga ekonomia

Sot kështu ka ardhur terezia

Tani e shihni, u ulëm shesh

Pronën do ta bëjmë përshesh

Përshesh nga veriu në jugë

Merrni në brez nga dy lugë

Them të vraponi sa më parë

Të gjithë të bëhemi pronarë”

“Po me xhephane ushtarake”

E merr fjalën aty prag darke

Cjapi që kishte qënë oficer

„E vështirë delikate për nder

Ju them, mendjen bëni okë

Armët janë që të hanë kokë

S’dihet ndodh herët a vonë

Mund të hanë e kokën tonë“

„Më mirë hesht, rri aty ku je

Ata fqinj e miq që kemi ne

Depot do i fshijnë me fshesë

Asgjë brenda nuk do mbesë

Nuk mendoj si thotë ai kërriçi

Armë dhe naftë do Milosheviçi

Sa hap gojën e për armë del llafi

Fërkon duart në Libi vetë Kadafi

„Po pyjet e minierat?“pyet një kalë

Unë i njoh andej shumë kam dalë”

“Sa i metë që je more kali Mero

Kush s’ i blen ato për një euro”

Delegati që të thante në teori

Ishte një goxha macok mustaqeli

Njerëzisë ti mbyllim gojën kur thonë

Ku shkoi dhe avulloi pasuria jonë

Miq delegatë mua reforma më del

Të bëjmë goxha model pa model

Këtë ta themi këtu hapur fare

Kjo është reforma allashqiptare

Do hamë do pimë dhe mendojme

Ka të tjerë që për ne punojnë

Dita e madhe për ne ka ardhë

Rroftë e qoftë çeku i bardhë

Hapi mirë veshët o dem mësues

Ne do bëjmë shkatërrim krijues

A dëgjove mendimin e maçokut

Do të bëjmë terapinë e shokut

Me kapitalizmin e matrapazllëkut

Do ja hedhim paq fukarallëkut

Hesapet mirë është ti bëni vet

Nga kjo punë në xhep ç‘na mbet

Ty murro të besuam sot paranë

Na e dridh mirë e bukur sherjanë

Me ne qyrek e me të tjerët shatë

Jep kredi tetë dhe merr shtatë

Nginji në para për atë tokë e qiell

Tu japësh çadrën kur është diell

Financat i njeh shumë mirë vetë ti

Merrua çadrën kur nis të bjerë shi

Si do ja bëjmë me çmimet ne

Ishte dje një sapun një koqe ve

Sa të ketë mbi ne atmosferë

Çmimi le të shkojë në stratosferë

Kujtoni të gjithë sa jemi sot këtu

Ne nuk rrojmë dot pa ngrënë hu

E dini kur i ngritëm çmimet e tagjisë

Asnjë protestë s’erdh prej bagëtisë

Pastaj flet një ka goxha i lashtë

“Ne bëmë punë ata shtjer kashtë

Unë e dua uzinë apo një fabrikë

Të gëzoj sot vajzën me pak prikë”

E merr fjalën një cjap me brirë

„Më duket se është e pa arrirë

Që për një natë e për një dit

Privatja në këmbë  na u ngrit“

„Qepe gojën kështu të them unë

Kasapët sot janë krejt pa punë

Xhan i vëllait është shkurt hesapi

Ty të ka marrë malli për te kasapi“

Nga kjo shaka u drodh kongresi

Që nga fillimi, nga fundi e mesi

Po mbante erë që s’ta ka ënda

Pordhë, bajga e kakërdhi brenda

Gomari kish, emrin për diskutim

Me një të pallur lajmëroi pushim

Le të bëjmë kongresin për punë

Dhe jo për sharje dhe për dhunë

Kongresi më pas fillon së mbari

Ngrihet  merr prap fjalën gomari

Kemi vuajtur,  dhe ç’kemi hjekur

Unë kam qënë shumë i përndjekur

Të qeshura me zhurmë të madhe

Shkaktoi fjala  e tij e ëmbël  taze

“Ti asaj bote o mik ja pate hedhur

Bëre pallë duke ju a përdredhur

Shumë pak e ngarkove atë samar

Të nderonin si  zevendës kryetar

Këtu sot mos u hiq viktimë me zor

Se nuk të pamë njëherë në zbor”

“Me që gjithëçka do të jetë jona

Unë nuk heq dorë nga prona

Problemit në i shkojmë thellë

Për gjembat e dua një parcellë

Kam ca projekte të shumta unë

Ish kryetarin do ta marr në punë

Nuk  ma prishi qejfin asnjëherë

Dhe nderi shpërblehet me nder”

Do flas dhe unë këtu ku jemi

Kot thonë paratë si ha as qeni

Bleni me to petulla e shikoni

Si ndryshon tek qentë zakoni

Kërkesa kam mjaft dhe unë

Kam qënë i varfër, dua punë

Qejfin  asnjë nuk dua t’ma prishi

Kur turrem për një fabrikë mishi

Ke gjëra pa qarta zotni

Hije të errta  në biografi

Këtu përpra folë dhe dil

Si ke qënë për ne servil

E di çfarë thotë e thëna

Qingji i urtë i pi dy nëna

Të urtë me ty jemi dhe ne

Merr pronën e na shërbe

Dashi e merr fjalën më vonë

Do ju flas se kush quhet pronë

Ajo shfrytëzon njerëz të tjerë

Duhet të sjellë dhe mbivlerë

Sot ku nuk njeh qeni të zonë

Ajo or miq nuk është pronë

Janë shkencë këto që thash

Ndaj merreni avash-avash

Ulu, ulu o zoti profesor dashi

Në kokë të ka mbet tallashi

Do ndajmë tani tokë e gjënë

Teorinë ta bëjmë më vonë

E kam thënë të fandaksur janë

Për pronën çmendën dynjanë

E ç’ i duam të tyret mendime

Le ti gënjejmë me dy thërrime

Tigri kur ju mësoi zananë

Gjithë kafshëve sa janë

Nga fundi e ruajti një sekret

Armë besnike të vetes vet

Këtë fabul besoj e kuptoni

Thesarin e ushtrisë harroni

Të tjera kërkoni sa të doni

Me ushtrinë merret lalagjoni

Ministër nuk do vë një qorr

Dua një që s’ka bërë zbor

Veshja teshat keq le ti rrinë

Veç të kuptojë mirë melodinë

Tha kështu dhe e vendosi

Cjap përçori aty  e vulosi

Më vonë do shohim historinë

Ta hartojnë ata që s’dinë

Me njerzit  një fjalë të flasin

Këto punë ngadalë ngjasin

Do pasuroheni, u thoni

Se ç’bëmë ne, ju mos shikoni

Kopsitni kartat e pasurisë

  njerzit tanë të drejtësisë

Se ata i kemi të mençur boll

Tek Plepat mbaruan shkollë

U mbushëm tridhjet vjet

Bilancin do bëjmë sivjet

Ku jemi sot me pronat

A u bënë të gjitha tonat

Për rrugë të gjatë jam nisur

Dua që pronat ti kem bitisur

Përpara Atij do raportoj

Për pronën do e dërmoj

Kur  ta shoh sa unë nga boja

Sa një trup burri nga Tropoja

Kur më takoj e pyeti mua

Nuk i lashë baltë në thua

Ishe gjeni i madh dhe i urtë

Vendin le në dorë të sigurtë

Kapsllëkun të hoqa unë

Me disa të bukura punë

Ju turrëm njerëzve, masave

Me atë tuajn luftën e klasave

Pronën shoqërore të zotrisë sate

Tani e kthyem në pronë private

Ta djallosa vijën e masave

Çapraçita luftën e kllasave

Dritën e Partisë na e le plot

Sot njeri-tjetrin s’njohim dot

Shiko “ja kush e zgjidh pronën”

Pate në zemër vetëm jehonën

Një minutë s’do të le rehat

Për pronën e dua një debat

Ashpër ndërgjegjen e gjykuam

I prishëm veprat që ndërtuam

Njerëzve u thamë ky është krim

Ndaj i shkatërruam si ndëshkim

I them tokën e bëmë fërtele

Shpërndamë dhi lopë dhe dele

Bregdetin bëmë rripa-rripa

S’ka mbet pëllëmbë pa vipa

Shitëm naftën e minierat

Botës po i blejmë plehrat

Premë pyjet, i bëmë rrafsh

Sa mirë jemi ore më qafsh

Eksportet përditë po i shtojmë

Eksportohen të rinj,mijra vetë

Nga Europa do të importojmë

Pensionistët,e moshën e tretë

Ngrihet një dash nga fundi

Gishtin frikshëm fort e tundi

Ish goxha dash, dash larush

Si sot se kish parë askush

Ne që pëllasin për pushtet

Them s‘e kemi me të vërtet

Ekonomia e gjitha e tretur

Pikë dhjami s’ i ka mbetur

Të na gjente ne  ai tërmeti

Mjerë vatani e mjerë mileti

Të na zinte  kjo pandemija

Mjerë, mjerë dhe Shqipëria

Të njohim, të njohim shumë

Thuaj shyqyr që ishe ne gjumë

Sa trim je,  ne të gjithë e dimë

Shite lëkurën pa e vrarë arinë

“Ti s’ke faj more bri kurorë

Unë ta vara atë këmborë

Ta dija si dilje që në fillim

Do të çoja në një fluturim”

„Po shkove në orët e vona

Merr me vete pantallona

Të duhen për tu ndërruar

Se në brekë do jesh shurruar”

Ah! Ta dini ujë jam bërë

Në ëndërr një natë e tërë

Unë të flisja, ma mballosi

Unë argument, më bukosi

„Kemi një fjalë, na e dëgjo

Kur të shkosh mos e tako

Dixhitali s‘nxjerr gënjeshtra

Ai poshtë po ha dhe eshtra“

Në ëndërr mu bë se më mbyti

Sa eshtra ka skeleti, më pyeti

Ndaj ju ore miq kini të drejtë

Po sikur kjo të jetë e vërtetë

Kjo do jetë tragjedi e jona

Po u bë kjo, na rroftë prona

Sulmin kurrë ai nuk e ndali

Ja ç’më thotë mue dixhitali

Atje mbi tokë vetë të isha

Me doktorët dy fjalë kisha

Nga Tropoja e tek Dropulli

Ju donte doktorë populli

Ju o të zestë e mjeranë

Erdhët u bëtë politikanë

Njeriu me fjalë nuk shërohet

Vec kur me ilace mjekohet

Të isha lart u vija në radhë

Të vishnit bluzën e bardhë

Dhe në gjithë Shqipërinë

Të luftonit me pandeminë”

Në miting do shtërngoj dhëmbët

Do ju tund mirë kokën e këmbët

Pak prej tyre sot nuk merakosen

Se marrin vesh nga se kanosen

Disave nga ju u rroftë vrapi

E bëmë vendin lesh arapi

Ne të tjerët me të pallur

Kemi punuar nuk jemi tallur

Sterrë më duket ky mitingu

Djall ky SPAK-u e vetingu

Si shijuam mirë pronat e reja

Na, tani plasi dhe epopeja

Pak njerëz të aftë,shumë kopukë

Njëmbëdhjet pleq dymbëdhjet çibukë

Në vendin tonë të varfër e të mjerë

Në kokën e qerosit të gjithë berberë