E shtune, 20.04.2024, 11:12 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Korbat

E diele, 31.05.2020, 11:29 AM


KORBAT

Nga Agron Tufa

Vërtitet një tufë e madhe korbash. Mbi vorret e Rrmajit... Asht mëngjes i irrun e i lagësht maji i vjetit 1945. Korbat ngrihen me “krra-krra” të potershme,

shkapeten n’ajri e mandej ulen prapë. Si me komandë. Në të njajtin vend.

- Hajde Lec, - më thotë Gaci, - shkojmë me pa, ça po ban vaki njatjé.

Jam i vogël. Ndjej frikë. Po Gaci më tërhjek me përdhunë.

- Ish, ish! – i tremb Gaci korbat, si me kenë pula.

Ata janë t’pabindun. Mezi zhvendosen pak metra me krrokama therëse, të pakënaquna. Pamja që na zbulohet para sysh më shtang. Prej nji kodër-dheu të

freskët ngrihet torsi i nji burri me mustaqe, me zgavra të daluna, golle, prej të cilave ende kullojnë rruvaja

të holla gjaku. Burri lëviz me tahmin vetëm dorën e djathtë, ashu si bajnë t’verbuemit. Tjetrën e ka të kallun në dhé. Na sheh drejt, me zgavrat e ngrana. Ngjishem mbas Gacit. Zbrapsemi të dy. Kadalë.

- Kenka oficer i ushtrisë Komtare të Mbretnisë,

- më thotë Gaci në vesh, tue më kallëzue me gisht xhaketën e uniformës së zbulueme prej dheut, deri në xhepat e epërm.

E ndalëm frymën në zyrën e Kryetarit të Këshillit të lagjes. Na priti i veshun partizançe.

- Asht bash njaj oficeri, qi pushkatume pardje, - u thotë dy të tjerëve në zyrë, gjithashtu të veshun partizançe.

- Shkojmë, - u tha dhe dolën jashtë të tre.

I hipën xhipit ushtarak, ndërsa unë e Gaci ia premë shkurt për te vorret e Rrmajit.Kur u shfaq pamja, ata kishin mbërri para nesh. Korbat qenë ngritë hava. Krrokama e tyne inatçore

përhapej gjithkah. Madej fill buçitën tre krisma revoleje.

- Dreqin...! – shau napër dhambë Gaci. – Na nuk i thirrëm me..., - i ra kofshës me shuplakë ai.

Dëgjohej gjithë e ma e dobët, gjithë e ma largët krrokama e korbave n’largim...

"Kur këndonin gjelat e tretë", Onufri, 2019

Referenca: nga videorrëfimi i ish- të burgosurit politik Kolec Marash Traboini



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora