| E shtune, 30.05.2020, 01:20 PM |
Veliu nuk është pasqyrë vetëm e Ramës: Produkt i sistemit pervers të Rilindjes!
Nga
Enver Bytyçi
Ardi
Veliu nuk është pasqyrë e Edi Ramës, as e Sandër Lleshit. Ai është produkt i
një sistemi që si filozofi ka denigrimin e familjes shqiptare, të dinjitetit
dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë, të personalitetit të çdo kujt që nuk
është me Rilindjen. Eshtë pasojë e perversitetit politik e moral të regjimit të
sotëm në Shqipëri. Ky sistem funksionon si një mekanizëm i plotë jo vetëm në
kupolën e shtetit, të policisë, prokurorisë, gjykatave, administratës publike,
por edhe të medieve të kapura prej shtetit.
E
jo vetëm kaq ky sistem pëlqehet jo pak nga qytetarët tanë, të cilët mbartin një
kulturë politike e të përgjithshme nga sistemi totalitar. Problemi nuk është
vetëm Ardi Veliu, problemi është Edi Rama, i cili çdo post të destinuar për
ushtrim dhune ua beson njerëzve të hurit e të litarit. Kështu ndodhi me
prefektët, të përzgjedhur nga hierarkia e lartë ushtarake e diktaturës. Kështu
ndodh me ish-oficerët e sigurimit të shtetit, të komanduar dhe emëruar në poste
të larta në polici dhe struktura të tjera ligj-zbatuese. Kështu ndodh edhe në
shumicën e medieve shqiptare, ku shteti ka instaluar një kontrollor nga soji i
Ardi Veliut!
Drejtori
i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar në paraqitjen e tij në komisionin
e Sigurisë të Kuvendit u shfaq jo thjesht duke dëshmuar “shfaqjet e huaja” të
një djali 15 vjeçar dhe jo vetëm që të justifikonte dhunën barbare të policisë
së tij kundër atij 15 vjeçari. Ai shfaqi në atë takim mentalitetin dhe
filozofinë e trashëgimisë nga prindi te fëmija të sjelljeve të këqija dhe
“shfaqjeve të huaja”! D.m.th lufta e policisë dhe shtetit të rilindjes kundër
qytetarëve shqiptarë bazohet në filozofinë e genit biologjik, njësoj si në
diktaturat e majta komuniste!
Prandaj
kryepolici shqiptar nuk denigroi dhe nuk ka fyer vetëm nënën e djalit 15
vjeçar, duke shpifur për një pamje të paqenë. Ai ka shkuar shumë më thellë. Ka
manifestuar konceptin diktatorial dhe filozofinë e luftës me genin e
shqiptarëve, të cilët guxojnë të lëvizin me biçikletë në kohë pandemie. Aq e
dukshme është kjo qasje filozofike e praktike, saqë e vërejmë lehtë në
përpjekjet e qeverisë së rilindjes për ta shpopulluar Shqipërinë prej
shqiptarëve!
Kryepolici
nuk e kishte problemin me mbrojtjen e vartësve të tij, të cilët edhe në
diktaturë mund të merrnin ndëshkime ndoshta më të rënda. Problemin e kishte me
guximin e të riut për sfiduar shtetin e dhunshëm, që izoloi gjithë shoqërinë
shqiptare në mënyrë barbare e të pakuptimtë. Problemi i Ardi Veliut nuk ishin e
nuk janë dhuna policore, sepse atë ai e tejkaluar në dhjetëra raste me kundër
trumave masive. Nuk e ka e nuk mund ta ketë as me fenomenin. E gjithë brenga e
tij është ajo çfarë mendon kryeministri i vendit: Pse qytetarët shqiptarë
guxojnë ta kundërshtojnë diktaturën. Pra çeshtja lidhet me ruajtjen me çdo kusht
e me çdo mjet të pushtetit. Denigrimi moral bazuar në filozofinë e trashëgimisë
“të së keqes”, vlen si mjet i kësaj lufte speciale të qeverisë së rilindjes,
njësoj si në qeveritë e diktaturave.
Ajo
video që kryepolici shqiptar paraqiti në institucionin përgjegjës për mbrojtjen
e demokracisë e të dinjitetit njerëzor ishte mjeti më pervers i mundshëm për të
na thënë se “shtetin shqiptar e mbron një qeveri dhe polici e moralshme”, që
“lufton kundër shfaqjeve të huaja liberale”, si në kohën e komunizmit. E ndërkohë
shqiptarët përballen me një qeveri e kryeministër që fyen dhe denigron çdo
njeri që i del përpara, përfshirë politikanë, gazetarë, shkrimtarë, artistë,
mjekë, profesorë, shkencëtarë, këdo, pa përjashtim.
Dhe
si përfundim, zgjidhja nuk gjendet te Ardi Veliu, jep apo nuk jep ai
dorëheqjen, zgjidhja e vetme është e duhet të jetë largimi sa më parë i
qeverisë Rama, e cila prodhon filozofinë e mjerimit dhe shkatërrimit të
identitetit dhe personalitetit të qytetarëve shqiptarë, madje bazuar në
doktrinën e trashëgimisë.