Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Agron Tufa: Rreshter Barjami

| E shtune, 30.05.2020, 08:35 AM |


RRESHTER BARJAMI

Nga Agron Tufa

Të shtënat erdhën poshtë kalasë-burg të Porto Palermos. Mandej vikamat:

- Ndihmë ore, ndihmë! Po mbytet rreshter Barjami!

Lamë lojën në tarracë dhe gjithë fëmijët u turrëm teposhtë te shkëmbinjtë mbi det. Pamë një njollë të

zezë që llapashitej mes valëve, pastaj fill, dikë që erdhi pas shpinës tonë dhe u hodh fluturim nga shkëmbinjtë. Si një delfin.

- Është dajë Bexheti! Dajë Bexheti! - klitha unë i

ngazëllyer, gjithë krenari. - O dajaaaa!

Po daja u krodh dhe s’u duk për një copë herë, mandej u shfaq larg, tek çante ujërat me krahët atle?tikë. Teksa i afrohej njeriut që përpëlitej, ai i thirri:

- Mbahu dhe pak... arrita...!

E bash atëherë trupi i rreshterit humbi në ujë.

Humbi nën ujë dhe daja. Nuk pipëtinte frymë e gjallë, përveç zhuzhimës së gjinkallave të zhegut.

- “O dajaaa-a”, - rënkova nën zë i trembur.

Pastaj u shfaqën befas mbi ujë të dyja figurat.

Qartë. Dallova lëvizjet e duarve të dajës që e shtrëngoi rreshterin pas vetes dhe dy currila ujë nga goja e tij që feksën nën diell.

Kthimi në breg qe i gjatë e mundimshëm. Të gjithë,

të internuar e policë, kishin zbritur në rërën e bregut kur daja e tërhoqi zvarrë trupin e rreshterit në zall.

Aty i mëshoi fort në gjoks dy-tri herë dhe sërish, nga goja e rreshter Barjamit shpërthyen currila uji.

Trupi i rreshterit u bë i gjallë. U ngrit ndenjur, duke u kollitur fort, e duke ndaluar me gjestin e dorës së

majtë gatishmërinë për t’i ndihmuar. Pas një copë here të mirë u ngrit. Me sytë e skuqur e të kërcyer dukej se kërkonte dikë, të cilin, sapo e pa, iu turr i ndërkryer me grushta, shqelma e fjalë të pista:

- More këlysh kurve! More bastard... të dhjefsha racën! U bë turiri yt të më shpëtoj mua! Kriminel!

Reaksionar! - ulëriste dhe godiste. Ulëriste, godiste, shkumëzonte.

Daja i priti grushtat e shqelmat pa u mbrojtur. Po kur një grusht i tij i çau buzën, ai u zbraps, më mori përdore dhe u nisëm të ngjiteshim. Prapa dëgjoheshin shfrimet e tërbuara të rreshter Barjamit, që sokëllinte,

pështynte e shante:

- Të më kishe lënë të mbytesha, o zgjebe! O këlysh reaksionari!

Daja fshinte gjakun me trinë të dorës dhe nuk e ktheu më kokën prapa, gjithë duke turfulluar përmes një gazi të krisur:

- Paj boll mirë ma bane... Boll mirë, qé besa...! I duhej kaptinës sime dhe ky mësim...!

"Kur këndonin gjelat e tretë", Onufri, 2019