E premte, 29.03.2024, 01:52 PM (GMT)

Editorial

Prend Buzhala: Ndodhi dëmtimi i memorialit dhe ne mësuam të vërtetën

E premte, 29.05.2020, 07:45 PM


NDODHI DËMTIMI I MEMORIALIT TË PILOTËVE TË RËNË AMERIKANË DHE NE E MËSUAM TË VËRTETËN

Nga Prend BUZHALA

Dy pilotë amerikanë kanë rënë dëshmorë për lirinë e Kosovës më 5 maj 1999. Aza ishin oficeri David A. Gibbs, 38 vjeç, i lindur në Massillon të shtetit Ohio dhe oficeri Kevin L. Reichert, 28 vjeç, i lindur në Chetek, të shtetit Wisconsin. Data 5 maj, sikundër dihet, nga regjimi komunist ishte shpallur si Ditë e Dëshmorëve, të cilën ditë e nderon edhe Shqipëria postkomuniste. Këtë ditë e ka të veten e dhe Kosova, të shpallur si Ditë e Dëshmorëve të UÇK-së e më gjerë (se përse qenka zgjedhur kjo Ditë, nuk po hyj andej). Meqë në Prizren këta dy pilotë të rënë amerikanë e kanë edhe memorialin e vet; asnjëherë në televizionet tona nuk e kam parë asnjë emision, asnjë nderim shtetëror, asnjë tekst përkujtues nëpër profilet e të parëve tanë të shtetit apo të super-pro-amerikanëve të thekur! Se për nderime te ky memorial as të mos flasim. Nuk ka qenë asnjëherë lajm i rëndësishëm.

1.

Ra ky mort e u pamë, thotë populli, por kështu thotë edhe titulli i një vepre të Kadaresë kushtuar luftës në Kosovë. Fjala është për dëmtimin e memorialit të tyre në Prizren. Mediat heshtën, por pasi një artist prizrenas, Arbnor Morina, shpalli një status tekst për gjendjen e memorialit, pati media që i dhanë trajtë lajmi. Te e fundit, teksti në fb është edhe një formë e lajmit, kurse të tjerët, mediat, "u aktivizuan" ndryshe. Mbase, për ndërgjegjësim tonin! Por shënimi i plotë i këtij artisti (a piktori), është ky: "Memoriali i shkatërruar i David A. Gibbs dhe Kevin L. Roichert, dy ushtarë amerikanë te cilët më 5 maj 1999 dhanë jetën në Prizren për këtë vend do të rregullohet nga ushtaret tanë Ridvan Tahiri Riki dhe Hamit Alemdar me shokë!”

Sigurisht që jo pak qytetarë nga Prizreni dinë për këtë monument, pos një shumice absolute e Kosovës nuk dinë. Personalisht, ruaj shkrime të hershme gazete (të ndonjë autori) për këto rënie...

Mësuam se ata dy amerikanë të rënë kanë memorial. Madje, televizionet tona, deri më tash, na kanë ligjëruar se si asnjë amerikan nuk ka vdekur për luftën në Kosovë!!! Këso ligjërimesh "proamerikane" kanë pasur edhe politikanët tanë.

Ra kjo ngjarje jo e këndshme dhe pamë, dëgjuam e mësuam se edhe dy pilotë të rinj amerikanë kanë rënë për lirinë e Kosovës.

Ra ky mort!

E pamë vetveten në pasqyrë.

Heshtja e tillë flet vetvetiu: si qortim, si brejtje ndërgjegjeje, apo si çka tjetër?

3.

Porse Amerika është zemërgjerë. Ajo ishte zemërgjerë dhe jo "e zemëruar" me ne, edhe kur doli një i ri shqiptar në Gjermani dhe i pati vrarë tre ushtarë amerikanë në një aeroport gjerman, në emër "të fesë së shenjtë".

Rënia e këtyre pilotëve më 1999, më 5 maj, jo vetëm që është tejet simbolike, si datë e rënies, por edhe tejet domethënëse.

Më duhet ta pranoj: e ndiej veten të skuqur: si nuk e kam ditur që në Prizren ata kanë një memorial? Dija për rëniet, por jo për memorialin!!! Mediat na kanë ligjëruar se si atje në Prizren politikanët tanë shkojnë për t'i nderuar e përkujtuar të rënët e Çanak Kalasë në Turqi më 1915 ( 25 mijë shqiptarë ranë në Turqi, kur këtu në Kosovë nuk kishte më Turqi dhe kur Kosova po pushtohej e po shfarosej nga serbët).

Madje, ka pasur dhe politikanë të lartë që kanë shkuar në Turqi t'i nderojnë ata të rënë te memoriali turk, për ta marrë si yrnek se si ndërtohen memorialët, por nuk u kujtuan se si u dashka ngritur një memorial për të rënët amerikanë, meqë kryetari i komunsës së Prizrenit tha se puna e dobët e qeverisjeve të përparshme ka bërë që materiali i këtij monumenti të prishet nga era e jo nga faktori njeri!

Për ta larë fytyrën tonë nga pak të nxirë nga e keqja, piktori prizrenas e bën lajm të mirë: shkuan te memoriali i dëmtuar disa veteranë të UÇK për ta riparuar. I nderuari di të nderojë, dhe ky veprim i veteranëve është veprim i mençur, reagim i shpejtë, jashtë institucioneve tona "kushtetuese", "demokratike" e "të pavarura", meqë deri më tash ai memorial paska qenë “i padëmtuar”!!!

Për ta kryer një vepër të mirë, nuk ka nevojë për do ligje a kushtetutë. E mira nuk njeh ligj, sepse nuk ka ligj që është kundër saj... ashtu sikundër as e keqja nuk e pranon ligjin si ndëshkim...

Na kanë ndodhur jo vetëm këto ditë veprime shkatërrimesh të hapëta e të fshehta kundër vlerave tona trashëgimore e memoriale (Frank Shkreli, kur reagoi ndër të parët për këto raste, thotë se ndodhën tri sosh: shembja e Teatrit në Tiranë, zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup e tani kjo ngjarje totalisht e heshtur në Prizren).

Ra kjo ngjarje, si një ngjarje morti, për të na ndërgjegjësuar.

Duket sikur vetëm kur ndodh një keqe, ne mësojmë. Nuk mësojmë nga shembujt e lartë, por nga ata të këqijtë: për ta dalluar cila qenka e mira dhe e keqja.

Ose: le ta shohim anën e ndritshme: ra gjesti i mirë i atyre veteranëve për ta riparuar...

Kosova as poltika, në këso rastesh, nuk kujtohet “të zemërohet”. Ruana Zot!

4.

Në fund: më ka ra shpesh të reagoj e shkruaj për ngjarje të ngjashme: dëmtime përmendoresh a zhdukje të tyre, për shkatërrime të objekteve memorialë të kulturës. Përpjekja ishte që të reagohej aty për aty. Kot do të më thonë të tjerët: po reagon vonë, kur ngjarjet janë përsëritur. Për fat (për fat të padëshirueshëm, po them, se nuk i dua këto shkatërrime), shkrimet personale ekzistojnë, si dëshmi! Janë një seri shkrimesh vetëm për këto dy dekada, plus ato të paraluftës, kur veprime tepër të egra ndërmerrte regjimi serb. Bëjnë një libër ato shkrime. Një libër i padëshirueshëm i shkatërrimeve...

(Prend N. Buzhala, 29 maj 2020)



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora