E shtune, 20.04.2024, 03:07 PM (GMT+1)

Kulturë

Adnan Abrashi: Fati ynë krijohet nga vetë ne (III)

E merkure, 05.11.2008, 12:23 PM


Adnan Abrashi
FATI YNË KRIJOHET NGA VETË NE (III)

Nga Adnan Abrashi

 

Kuptimi i EGO-s në ne.

Që ta kemi më të kuptueshme ego-në në ne, me këtë rast, na duhet që edhe një herë si përkujtim, t’i kthehemi triadës tanimë të njohur të ndërtimit tonë qenësor: trup-mëndje-shpirt. Kuptohet, kjo ndarje teorike ka për qëllim vetëm ofrimin didaktik të të kuptuarit të materies konkrete, sepse, realisht, të gjitha këto forma ekzistojnë së bashku dhe funksionojnë si një tërësi të pandashme. Andaj, në këtë raport, misioni i trupit fizik është të jetë i vrojtuari, shpirtit metafizik, të jetë vrojtuesi, ndërsa mendja funksionale nënkupton procesin e të vrojtuarit.
Mu sikurse kontakti shpirtëror me realitetin psikik, ndërmjetësohet përmes procesit mental i cili na shpaloset si njohje apo vetëdijesim, po ashtu edhe kontakti i drejtpërdrejtë i vetëdijes me nënvetëdijen tonë, ndërmjetësohet nga EGO-ja si ndërlidhëse, apo, ndryshe, më mirë të themi si filtër, censor, roje porte, etj.
Që ta kemi më të kuptueshme këtë raport, ta marrim edhe një shembull abstrakt matematikor. Të gjithë ne e dimë se një edhe një bëjnë dy, por nëse përdorim një logjik më të stërholluar në këtë përsiatje, do të vërejmë se një dhe një duhet të bëjnë tre e jo dy.
Është kështu, sepse ndërmjet njëshit të parë tek, dhe njëshit të dytë të tek, ekziston edhe një hapësirë e cila i ndanë ato në mes. Nëse këtu si pjesëmarrëse do të llogaritet edhe hapësira ndarëse në mesë, në këtë matematikë, në vend të shumës së përfituar dy, duhet të kemi rezultatin tre. Njësoj, si metaforë e ngjashme është edhe ego-ja jonë, e cila si veprim funksional, qëndron në mes të vetëdijes dhe pavetëdijes sonë.
Në esencë, ajo, që në krijim, është një funksion i natyrshëm dhe ekzistimi i saj ka rol të formësimit të individualitetit tonë si qenësi në realitetin material. Ego-ja, pra, na mundëson që të jemi të vetëdijshëm për “UNË JAM”, prandaj, shpesh konsiderohet si PERSONALITET. Në fakt, ajo edhe prezanton personalitetin ton si shprehje e individualitet specifik dhe është e ndërtuar nga të gjitha veprimet që ne i kryejmë, duke ndikuar që rrethi të na dalloj si identitet në vete. Më konkretisht, ego-ja është damkosja e jonë si vetvetja para të tjerëve.

A thua, pse na shërben ego-ja dhe si është krijuar ajo?

Që në lindje, ego-ja, në mënyrë të natyrshme gjenetikisht është e instaluar si prezencë funksional në ne. Roli esencial i saj është, në rend të parë, ruajtja ekzistenciale e vetëqenësisë tonë. Në të përmes kodeve gjenetike si instinkte, janë të gravuara nevojat tona ekzistenciale, si bie fjala, ato fiziologjike - për trashëgimi dhe ruajtje të racës, (nevoja për seks), fizike - për vetëmbrojtje (sulmi-kundërsulmi), psikologjike (shoqërim me të tjerët...), biologjik (ushqim, pije...), etj..
Trysnia tejet e fortë e këtyre instinkteve në vetëdijen tonë, krijon eksperienca të caktuara psikologjike, të cilat, gjatë jetës si përsëritje, shndërrohen në shprehi të pa vetëdijshme të veprimit automatik.
Nëse, ne, gjatë formimit tonë jetësor si personalitet, me vëmendje nuk jemi të përqendruar më shumë në unë-in tonë, atëherë, ego-ja merr funksionin e vetë të dominimit dhe komandimit me ne. Duke na udhëhequr pa u penguar nga uni, ajo gjithnjë forcohet, dhe, nga një kompleks i trysnive të natyrshme instiktive, gradualisht fillon të na shfaqet si pangopësi me të arriturat tona të gjertanishme. Gjithnjë fillon të kërkoj shumë dhe më shumë deri në pakufi, duke na shndërruar në një ndjenjë të shpeshtuar të pakënaqësisë psikologjike ndaj të gjitha të arriturave tona jetësore.
Në realizimin e qëllimeve të veta, ego-ja disponon edhe me mekanizma të vetë të fuqishëm të veprimit dhe ndikimit. Nga këto mekanizma, si më kryesoret janë: shkaktimi në ne dyshimit dhe frikës. Pastaj, pakënaqësisë me të mirat materiale që kemi; lakmia të kesh edhe më tepër, xhelozia pse dikush është më i mirë dhe ka më shumë se ti, etj.
Nëse, me këtë sqarim, bëjmë një digresion dhe marrim shembuj të ndryshëm nga biografia e profetëve religjioz, do të vërejmë se, ata, para se të formësohen si hyjnorë dhe të përzgjedhurit e Zotit , së pari është dashur t’i nënshtrohen spastrimi fizik, mental dhe shpirtëror nga dominimet e forcës së ego-s mbi ta. Fillimisht, çdonjëri prej tyre, ka abstenuar deri 40 ditë nga ushqimi. Në këtë gjendje të agjërimit, ata me sukses i kanë përballuar të gjitha sfidat psikologjike të presionit të ego-s mbi ta, duke e nënshtruar atë para unë-it të tyre të pastër hyjnor. Ushtrimi i papenguar i këtij komunikimi, dhe zbehja e ashpërsisë së dominimit të ego-s si censor, filtër, apo roje porte në mes, ju ka ndihmuar që pa pengesa të vullnetshme të kenë qasje në nivelet më të larta të shtresave shpirtërore hyjnore. Me këtë arritje, ata përmes predikimit të urtë, kanë tentuar që këtë eksperiencë t’ia përcjellin edhe bashkëkohësve tjerë që i ndiqnin me besnikëri.
Pra, sinonimi i engjëllit dhe djallit, është pikërisht prezenca dhe dominimi i ego-s në ne (si djall), nga njëra anë, dhe unë-it të pastër hyjnor që shprehet përmes intuitës (si engjëll), nga ana tjetër.
Si përfundim, edhe një konkretizim për sqarim. “Ego”është termin i përbashkët për të gjitha aspektet negative të personalitetit tonë. Ajo, në fakt, është tog i energjive dhe ndikimeve negative në ne dhe në momentin kur unë-i ynë nuk është prezent. Duke u formuar si shprehi, ajo gjithnjë dominon, dhe lejon energjive tjera negative me të cilat tërhiqet reciprokisht që edhe ata të familjarizohen në psiken (mentalen) tonë. Me kohë, të gjitha këto ndikime, krijojnë në ne mënyra të gabuara të të menduarit, si dhe sisteme të gabuara të besuarit. Sa herë që diçka si: mendim, synim, apo dëshirë e jona mentale nuk përputhet me standardet e kallpeve të saja cilësore, ajo menjëherë angazhon në veprim sistemin e vetë të fuqishëm mbrojtës, sikurse është frika dhe dyshimi. Pra, ego-ja jeton me ndihmën e figurës së idealizuar për veten që e ka krijuar, duke e ushqyer permanent këtë bindje të rrejshme me pangopësinë dhe ndjesinë e tendencës së fuqishme në ne, e cila, në drejtim të kënaqjes së kërkesave të saja të shfrenuara, është përherë e gatshëm për veprim.
Këtë tendencë të veprimit të ego-s ne e interpretojmë si dëshirë dhe nevojë e jona dhe identifikohemi tërësisht me të. E, në fakt, ne jemi ne, e jo ego-ja në ne.

EGO-ja si pengesë dhe UNË-i ynë i pastër gjatë realizimit të dëshirave dhe synimeve tona jetësore.

Ashtu sikur thamë edhe më sipër, ego-ja qëndron si filtër apo roje e portës në mes të koshiencës si veprim dhe proces në ne, nga njëra anë, dhe komunikimit tonë me unë-in e pastër dhe hyjnor, nga ana tjetër.
Kur një dëshirë apo synim i yni, gjatë rrugës së kalimit në nënvetëdije, me sukses e përballon pengesën e filtrimit të ego-s si censorë, atëherë, të jemi të bindur se, nuk ekziston kurrfarë dëshire e jona në jetë, e cila nuk mundet të realizohet në praktikë.
Mosrealizimi që shpesh na ndoll i dëshirave tona në praktikë,qëndron pikërisht në pa depërtueshmërinë e tyre përtej filtrit të ego-s, gjer tek inteligjenca e paskajshme e unë-it tonë të pastër dhe hyjnor. Prandaj, çdo mendim i yni i nënshtruar kriterit të ego-s: përmes frikës dhe dyshimit, përmes lakmisë se tepruar dhe xhelozisë, përmes oreksit për lloj-lloj ushqimi me sasi të tepruar, jetës së shfrenuar dhe të pangopshme seksuale...etj., na bënë që si rezultat veprues të kemi fat të keq në praktikë, apo mossukses në realizimin e shumë dëshira tona të mirëfillta në jetë.
Vetëm, ta përkujtojmë shkurt atë funksion të natyrshëm të unë-it tonë të pastër, i cili qëndron përherë vigjilent dhe në gatishmëri të plotë për ta përmbush çdo kërkesë apo dëshirë që me sukses ka depërtuar deri në hapësirat e fushëveprimit të tij.
Meqë, në këto hapësira vjen në shprehje koha, atëherë, edhe materializimi i tyre në praktikë paraqitet me vonesë dhe varet kryekëput nga fuqia mentale e energjisë së angazhuar në formë të dëshirës apo synimit të caktuar.
Niveli i intensitetit të fuqisë së përqendruar veprues të kësaj energjie në cak, quhet vullneti, i cili me forcën e vetë të madhe depërtuese, i thyen edhe “gardianët” më besnik të ego-s. Mekanizmat e veprimit të vullnetit janë bindja dhe besimi në suksesin e qëllimit dhe dëshirës, të cilët, në asnjë mënyrë nuk i nënshtrohen frikës dhe dyshimit që eventualisht do t’i aplikoj ego-ja në çfarëdo rasti konkret.
Andaj, të gjitha ngjarjet të papritura dhe të pakontrolluara që na ndodhin në jetë, sado që të jenë të këndshme apo të pakëndshme për ne, e që, zakonisht, ato i perceptojmë si fate të këqija apo të mira, në fakt, nuk janë asgjë tjetër, veçse arritja e momentit përkatës kohor të remizimit të mendimeve tona të mëparshme mentale në praktikë.
Ato realitete si ngjarje, në çfarëdo natyre qofshin të shprehura në praktikë (mirë-keq), në momentin e krijimit mental të tyre, kanë qenë të pasuruara me energji depërtuese të vullnetit dhe besimit të fuqishëm, andaj, ego-ja si filtër apo censor, nuk ka mundur t’i pengoj që të depërtojnë gjer tek unë-i ynë i pastër. .
Vazhdon ..
(Tema e ardhshme: “Cila është rruga më e drejtë që ta kemi fatit në duart tona)

Adnan Abrashi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora