E marte, 14.07.2020, 09:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Agron Tufa: Pianofortja e Çitës

E enjte, 28.05.2020, 09:33 AM


PIANOFORTJA E ÇITËS

Nga Agron Tufa

Nuk jam sall pianofortja e 28-të e qytetit të Shkodrës, por diç shumë ma tepër. Jam pianofortja e Çitës!

Ju, me siguri, nuk e dini ç’do me thanë kjo. Dikur zija një qoshk në një dyqan muzikor të Vjenës, midis shoqesh të heshtuna. Kur, qe, një ditë erdhën e më zgjuen. Ishin mollëzat e gishtave të stërvitun të një muzikanteje me emnin Marie. Ajo ndërroi disa akorde, knoi me za t’ulët do motive t’përmallshme klasike e qytetare, mandej, në fund, iu kthye një burri me republikë:

- Kjo asht ajo që kërkojmë, zotni Luvigji! Dhe asht e përsosun!

Më ambalazhuen. Burri kryu pagesën dhe më ngarkuen në një kaloshinë.

Dita kur më shkarkuen në oborrin e një shtëpie trekatëshe shkodrane, të rrethueme me lulevile të thame, ka kenë 24 shëndreu i vjetit 1937. Prej qiellit binin flokëbore të mdha, të denduna. Vigjilje Kërshnellash. Zotni Luvigji u priu para hamejve dhe u ndal në njenën prej dhomave të katit të tretë të vilës, me një dritore të madhe, gjysmë të hapun, me perde t’mënjanueme. Dritorja shihte kah lindja. Hamejtë më venduen diku, ndërmjet dritores dhe oxhakut të ndezun. Si u kënaqën me pamjen teme në odë, erdhi një shërbëtore me një tufë të madhe lulesh bojëgjake. I futi brenda një vazoje të gjatë me motive antike, mandej vazon e vuni nalt, mbi mue.

- Tash ban mirë me dalë jashtë, - tha baba Luvigji. – Çita druej se njitash kthehet prej korit të kishës.

Nuk vonoi. Ndigjova kambë që ngjiteshin shkallëve. Hapa të butë. Ata shuheshin në shajakun jeshil që vishte shkallaret. Çita 10 vjeçe hyni në dhomë. U përball me dhuratën e saj të ditëlindjes. I hardhohej si dallgë floku i zi, deri në kërcinj. Shtangu. U avit

prajshëm. Lexoi një pusullë mes vazos me lule. Ngriti kapakun, si në ëndërr, dhe rrëshqiti mollëzat nëpër tastierë. Një trumbë tingujsh si trumcakë të tromaksun u përhapën hareshëm në dhomë. Brenda futej aroma karakteristike e borës që binte. E njoha nga tastet që presin bemolin Çitën e vogël virtuoze! Ajo klithi e galdueme, u marros, ndërsa poshtë, në oborr, shpërthyen në duartrokitje. Baba Luvigji fshinte sytë i mallëngjyem.

Gjithë dalldinë, gjithë andrrat, sekretet, fshamjet e gufimet e zemrës së trazueme Çita i derdhi në klaviaturën teme. Ia ambëlcoja me tingujt e butë, të errët, të qelqtë shpirtin e kreshpëruem në rritën e saj ndër mote. Ah, lotët e Çitës... Lotët e Çitës mbi tastierë...!

Por erdhën kohna barbare... Na ndanë. Familjen e Çitës e nxuerrën përjashta. Me shkelma. Me ulërima. Sharje. E hipën në kamion. E thërrisnin Çitën jashtë, por ajo, pavarësisht thirrjeve, u ngjit në dhomë, mbështeti ballin në parzmin tem prej llaku të zi. U shkreh në dënesa pa za, një grimëherë, tue iu dridhë supet. Mandej më puthi dhe doli me vrap.

Ngriva. Erdhën mandej, nesret, do kamionë të tjerë, të mëdhenj, jugosllavë. Ata morën gjithçka me vlerë prej vilës së zotni Luvigjit dhe, së mbrami, edhe mue. M’tërhoqën zvarrë, si me pasë kenë lopë. Më hodhën në kamion dhe qé, se si po i ngrys tash ditët e mia në një shtëpi katundi në Mal të Zi.

Tash i përkas një ushtaraku vramuz; më bie me një gisht për me marrë, pa sukses, kangë partizanash, të një gjuhe të panjohun...

"Kur këndonin gjelat e tretë", Onufri, 2019



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Entela Binjaku: Denonconi dhunen kunder gruas


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora