E enjte, 25.04.2024, 02:46 AM (GMT+1)

Mendime

Xhemal Ahmeti: Vasalët imoral të Gorës dhe Mazgitit

E merkure, 27.05.2020, 09:28 AM


Vasalët imoral të Gorës dhe Mazgitit

A hyri Kosova në fazën e imunizimit me teokracinë në ardhje? Nëse jo masat, disa nga partitë po. Përdorin ato fetë si mjet adekuat për mashtrim – për sa më shumë vota – apo vërtet besojnë se liria dhe mirëqenia e Kosovës arrihet vetëm udhëve të Zotit? Cilit zot?

Shkruan Xhemal Ahmeti

Të parat që ministri i shëndetësisë Arben Vitia shpalli të hapura në kohë pandemie janë xhamitë. Përdorimi i floskës dekorative «edhe kishat», i doli vetëm si alibi retorike. Kur kihet parasysh përqindja – ende e mbetur – katolike në vend, del e qartë se numri i tyre nuk mjafton as për multiplikimin minimal të infektimit e lere më për diçka tjetër.

Kryetari i partisë PDK, Kadri Veseli, ia hoqi një objekti fetar minimal nja 4-5 shekuj nga biografia për të pohuar se ndikimi arab në kulturën shqiptare është edhe më i dokumentueshëm se gjitha tjerët para e pas tij. Fundi-fundit nga ato 69 kështjellat që i numëron Prokopi i Cezaresë larteposhtë Dardanisë nuk ka mbetur asnjë, ndërkaq xhamia në fjalë – po! Asnjë kështjellë dardane nuk mbeti mbi tokë ngase shumica u shndërruan më vonë në kulla ushtarake osmane e për fund edhe në kisha sllave. Si rrjedhojë, kështu logjika veseliane, le të jemi pra falënderues që së paku ka mbijetuar Xhamia e Millka’Gorës së Dragashit për të dëshmuar se pas ilirëve, dardanëve vija më konsistente identitare shqiptare është ajo orientalja, arabja, respektivisht islamikja.

Le të ishte, po të qëndronte kështu: edhe arabët, si tjerët, janë popull fisnik, i dashur me histori e kulturë të tyren. Por ja që nuk është aspak i vërtetë ky pohim i timonierit ende nëpër gropa të partisë në fjalë. Është absurd. Është falsifikim tragjikomik që për esencë veprimi nuk ka «të vërtetat» historike, por mashtrimin ordiner të atyre që si ashtu me leximin nuk i kanë punët mirë. Është mall për ata që u mjaftojnë «shenjat apokaliptike» – si pandemitë, tërmetet, orteqet, eklipset dhe bukuritë e fatkeqësitë tjera natyrore, të cilat i konsiderojnë si shuplaka të drejta të perëndive për shkak të gomorrizimit të shoqërive – për të thënë se kuptuan botën fétë, jetën, politikën. Njëjtë si liderët e tyre – poqëse i pranojmë si të sinqertë.

II.

Fetarizimi i politikave ditore në favor të këtij apo atij blloku religjioz apo kulturor nuk nuk është më dukuri me të cilën habitet kush. Madje mund të themi se masat tashmë kanë kapërcyer fazën e imunizimit me këtë stil politikbërjeje dhe e konsiderojnë atë si dinamikë normale të realpolitikës shqiptare, e marrin si të qenë, si fat. Njëri nga vektorët e rëndësishëm të opinionit publik sekular brenda kulturosferës shqipfolëse, profesori i filozofisë politike dhe religjioneve Blerim Latifi madje tha se [nëse e kuptuam drejtë] se instrumentalizimi i fésë për politikë është diçka krejt normale, porse kërkohet shkathtësia e liderit, partisë për ta kanalizuar atë si duhet. Edhe pse ky qëndrim i tij duket sikur deshi ta shpëtojë Kadri Veselin nga rrëshqitja eklatante me xhaminë e Gorës, ai është historikisht dhe shkencërisht i drejtë: përvetësimi i sa më shumë shtresave, grupeve të interesit, klaneve, besimeve, ideologjive është synimi i çdo partie politike.

Konceptet si «Teologjia politike» dhe «Politika religjioze» njihen e dihen botërisht. Të parin model e njohim që nga «De civitate dei» i Augustinit të lindur e vdekur në Algjeri e që sot njihet me vargun e modifikuar postakuinik «Politica [ex philosophia] ancilla theologiae». Modeli në fjalë nënkuptohet si doktrinë që synon sundimin hegjemonial të fesë mbi një shoqëri. Sot të këtilla – në një trajtë të zbehtë – konsiderohen edhe ato mekanizma religjioze, të cilat asistojnë në legjitimimin e strukturave të caktuara sunduese në luftën e tyre për të fituar apo mbajtur pushtetin.

Ndërkaq me «Politikë religjioze» [Eric Voegelin] nënkuptojmë transcendimin dhe sakralizimin e qëllimtë të nocioneve të “kësobtoshme” (si Kombi, Gjaku, Atdheu, Populli …) të personave (si lideri, babai, heroi), të institucioneve (si shteti, kultura, etnia) në favor të legjitimimit të strukturave sunduese ose duke i ndihmuar në planin e tyre të hegjemonizimit të shoqërisë me ideologjinë e tyre (Gramsci).

III.

Sipas cilit nga këto koncepte mund të përshkruhet më së bukuri teokratizimi i politikës dhe partive shqiptare të viteve të fundit?

Po të falsifikonte Kadri Veseli ndryshe, ta zëmë, të thoshte: «Për shkak të zemërgjerësisë së Lekë Luginës, një grup saracenësh emigrantë që dallgët e jetës i kishin përplasur tokave shqiptare patën mundësinë ta ndërtojnë këtë xhami në vitin 1200, që të kenë ku t’i falen Allahut të tyre», do të keqpërdorte objektin fetar për ta madhëruar kulturën e shumicës [sipas deklarimit: shqiptare], e cila qysh atëherë paska qenë e hapur, e madhe dhe konform standardeve të të drejtave të sotme. Por jo, ai tha se arabët kanë shkelur në këto toka para osmanëve dhe ata kanë ndikuar traditën tonë islamike. Me të cilën krenohet [e drejtë e tij] individi i lindur diku pranë varrit të Sulltan Muratit të Parë, të vrarë nga ballkanikët vendorë në vitin 1389 [sipas legjendave sllave e shqiptare], ku edhe thuhet ta ketë ende një grup eshtrash.

Risia e këtij eventi, ashtu siç e përshkroi për mrekulli Editori i gazetës «Metro» Valon A. Syla nuk qëndron tek imitimi që Veseli i bëri Albin Kurtit, Zijadin Selës, Edi Ramës – pa i përmendur edhe shefat e sekteve tjerë fetaropolitikë të shumtë – por tek ndërrimi strategjik i Ankarasë me Riadin, Teheranin dhe Dohanin. U harxhuan fondet e Diyanetit? Apo PDK si salafistët, për të dalluar nga konkurrenca, donë islamin që nga burimi e jo atë të modifikuarin nga selxhukët postpersik?

IV.

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia suspendoi shtetin sekular dje. Ai nuk foli për institucionet e të fundit; atij që rregullon jetën publike; atij që menaxhon me kushtetutën dhe ligjet për të gjithë, por nxori religjionin, e priorizoi atë si sferën kryesore, jetëpërcaktuese të vendit [si në Riad, Teheran dhe Doha] mbi gjitha tjerat dhe tha se të parat duhet të hapen xhamitë. Vendosi mbi gjithçka një bashkësi civile, private që ende funksionon jashtë ligjit të vendit. Për çka? Cili ishte motivi i tij: ngase i konsideron xhamitë si shkollat reale të frymës së shoqërisë dhe pa hap ato do të përlajë edhe më rreptë pandemia? Jo. Motivet e Vitisë janë të njëjta me ato të Kadrisë. Njëri falsifikon historinë tjetri përdhunon kushtetutën, shtetin – për vota apo si teokratë, kjo është çështja!.

Vërtet qenka ky element përcaktues se kush sundon e do të sundojë në Kosovë? Nëse po atëherë le t’i kuptojmë drejtë PVV, PDK dhe tjerët: ata bëjnë teologji politike ngase vetëm ashtu besojnë të mbijetojnë, ndërkaq ne tjerët le të nisim ta parafytyrojmë Kosovën si Katarin dhe Arabinë saudite.

V.

Shihet qartë se dy shembujt e trajtuar këtu nuk sakralizojnë momente, evente e kujtesa në favor të ndonjë nacionalizmi shtetëror apo kombëtar, por bëjnë teologji politike. Veprojnë sipas konditave të religjionit, që ky të hegjemonizojë sferat publike deri në pranimin e tij si normalitet përcaktues. Cilit? Të dyja palët në favor të islamit politik. Sepse ato nuk thithin energjitë e religjioneve (vetëm për vota po) në favor të programeve të tyre, por vetëtjetërsohen kulturalisht, politikisht në interes të rrëfimit të grupit të absorbuar, duke u sjellë sipas ritmit të tyre [kur thirr ezani ndal fjalimin e kotë të kësaj bote].

Nga erdhi gjithë kjo: që nëpërmjet falsifikimit të historisë, kujtesës të synohet instalimi i teokracisë fillimisht tek partitë pastaj edhe si doktrinë shteti? Mostrat e kësaj doktrine – në kulturosferën shqiptare – i gjen të thelluara në mentalitetet shqiptare post- e «komuniste»: Historiografitë e ngritura mbi metodën e falsifikimit riprodhojnë domosdo veten në shumë forma. Nëse ata që zbulonin fise pellazgo – ilire subkontinentit indian kishin të drejtë ta bëjnë atë punë pse mos të kenë të drejtë edhe këta tjerët t’i zbulojnë rrënjët shqiptare gadishullit arabik apo si pasardhës të nomadëve shamanë që pushtuan gadishullin ballkanik, pasi zbritën nga përreth Karpateve të Kaukazit?

Rrëfimet e llojit nuk shkaktojnë shumë dëme shoqërive të arsimuara, ngase konsumohen si zbavitje të karakterit science – fiction. Nuk i merr kush si serioze ato dhe janë të mirëpritura si fabrikë shakash për tavolina të pas-punës.

Në shoqëritë të nivelit siç rangon Piza vendet shqiptare mirëpo rrëfimet e llojit dalin të jenë aortë dramash, depresionesh, çorientimesh, polemikash, degjenerimi moral e kulturor. Ndodh kjo për shkak se numri i analfabetëve (qoftë edhe si funksional) qenka shumica absolute e Demosit kosovar (dhe atij shqiptar)? Jo vetëm. Analfabetëve duhet tu prijë megjithatë dikush.

E këtë e bëjnë partitë politike dhe shteti me ndihmën e madhe të xhamive. Gjersa për të parët thuhet se janë viktima, të dytët i konsiderojnë instrumentalizues të qëllimtë, të cilët nëpërmjet modusit të vasalit imoral manipuluakan me masat, nëpërmjet rrëfimeve në modë për të fituar vota? Vërtet është kështu? Çka nëse Kadri Veseli, Albin Kurti, Arben Vitia, Zijadin Sela rrëfimet dhe veprimet e llojit i bëjnë me patos, me pasione, ngase besojnë në to dhe – pas dështimit të monizmave tjerë – i shohin si modelet më efektive për të instaluar hegjemoninë e tyre totalitare dhe për të sunduar pa telashe? Edhe me Allah edhe me pushtet si Erdogani dhe plotë tjerë? Çka nëse kjo është ëndërr e tyre reale?

VI.

Cili spekulim qëndron: e bëjnë për vota apo e bëjnë nga pasioni, ideologjia? Në thelb kjo as që ka rëndësi. Të dyja këto variante i bashkon imoraliteti.

Nëse besojmë se jo vetëm kushtetuta por siç thonë shumica absolute e kosovarëve nuk janë për teokraci por për demokraci pluraliste sekulare ku feja është pjesë e jo alma mater e shoqërisë atëherë kemi të bëjmë me parti imorale, falsifikatore që për vota shesin jo vetëm moralin e një shoqërie por edhe eshtrat e atij varrit në Mazgit mbi të cilin lotonin deri dje.

Janë imorale nëse me moral nënkuptojmë mënyrat faktike të veprimit që bazohen në konventat, parimet, rregullat, virtytet, normat dhe ligjet e një shoqërie: nga ana e shtetit janë ligjet që nuk favorizojnë kapjen e shtetit nga fetë, ato ndajnë këtë nga shteti, por jo duke e favorizuar. Nga ana e religjioneve janë institucionet e tyre që thonë se ndalojnë mashtrimin, falsifikimin, manipulimin, korruptimin për interesa grykësie, pushteti e sundimi mbi tjerët. Dyfishtë imoral. Ky ka qenë edhe historikisht fati i çdo vasali [Hysamedin Ferraj e quan pozitiv për elementin haxhiqamilesk brenda politikës shqiptare nën sundimin osman], ngase thelbi i veprimit të tyre është imoral: lufton për realizimin e të huajve [strategjive të tyre] për interesa materiale apo personale në kurriz të lirisë, identitetit dhe idealeve së shumicës së cilës i «përkon».

Marrë nga gazetaexpress.com



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora