E marte, 14.07.2020, 10:17 AM (GMT+1)

Editorial

Ndue Dedaj: Kisha e Vaut të Dejës si akuzë për dje dhe për sot

E merkure, 27.05.2020, 12:59 PM


KISHA E VAUT TË DEJËS SI AKUZË PËR DJE DHE PËR SOT

NGA NDUE DEDAJ

Në ditët e shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, kujtesa “nxitoi” te të tjera shembje të mëdha, që kanë lënë gropa në histori, ku profesor Aurel Plasari jo rastësisht evokoi kishën e Shën Mërisë të Vaut të Dejës, e shekullit XIII, hedhur në erë me dinamit në vitin 1969, dhe se në altarin e saj thuhet se qe kurorëzuar martesa e Gjergj Kastriotit me Donikën. Ndërtuesit e socializmit nuk e patën problem t’i vinin dinamitin e regjimit një ndërtese të rrallë me arkitekturë të stilit gotik-romanik, që tash e kemi si imazh vetëm në monedhën njëmijëlekshe. Ai dinamit, për t’i bërë vend Muzeut Historik Kombëtar, pse jo, dhe shtatores së bronztë të Enverit, shembi godinën numër një të kryeqytetit, Bashkinë e Tiranës (Komiteti Ekzekuti). Me apo pa dinamit, sot nuk janë më ato që ishin një varg godinash të rëndësishme të kryeqytetit, si kinematë e njohura etj. Herët e vonë, pushtetarët e radhës i kanë njohur vetes të drejtën që të ndërtojnë të renë mbi “gërmadhat” e së vjetrës, paçka se në ligjin përkatës, lidhur me pasuritë kulturore, thuhet se “dëmtimi” si nocion juridik është tërësia e veprimeve, të qëllimshme ose jo, që cenojnë këto pasuri. Qeveritarë të gjithpushteshëm e të mbiligjshëm, që shembin në kundërshtim me ligjet që vetë kanë miratuar në Kuvend, jo për t’i zbatuar, por për të qenë në rregull me konventat europiane të trashëgimisë kulturore.

Kur është fjala për të kaluarën, ka sigurisht vlerën e vet “gjyqi” që i bëhet historisë, pasi si rregull nga kjo nxirren mësime, por tek ne kjo duket se nuk ndodh. Mosmarrveshja dy apo njëzetvjeçare e qeverisë me komunitetin e artistëve të skenës për Teatrin Kombëtar është dëshmi e “triumfit” të pushtetit mbi publikun. Sillet me të drejtë në vëmendje Kisha e Vaut të Dejës, të cilën nuk e kthejmë dot më, ndërkohë që nuk bëjmë asgjë për kisha të tjera të ngjashme, kala apo qyteza ilire e mesjetare, që po i shemb “dinamiti” i harresës në sytë tanë. Për kishën e Vaut të Dejës pati tek e fundit një padi në prokurori nga drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, i mirënjohuri Gani Strazimiri, siç është publikuar këto ditë dokumentacioni përkatës nga “Memorie.al”. Po sot? As padi për indiferencën shtetërore ndaj trashëgimisë, as promemorie kombëtare për ta shpëtuar këtë pasuri muzeale në natyrë, as projekte për restaurimin e objekteve nga rrënimi zhbimës.

Në vitin 2012, kur u sollën eshtrat e Dom Nikollë Kaçorrit nga Vjena, kisha e Shën Luçisë në Durrës - katedralja e qytetit - ishte e “djerrur” mes muresh të rënë dhe ferrash. Por ishte një projekt ambicioz i famullitarit Dom Gjergj Meta, që jo vetëm nxori në dritë hiret e kishës monumentale, që ishte deformuar nga përshtatja për teatër kukullash gjatë regjimit të kaluar, por çliroi dhe mjedisin përreth nga “informaliteti” urban, duke i dhënë shkëlqimin që kishte pasur atij objekti të rëndësishëm, lidhur më emra të shquar prelatësh, si ai i Imzot Vinçens Prenushit. U restaurua dhe shtëpia e Ipeshkvit, tashmë e kthyer në qendër kulturore-fetare. Me të ardhur në Mirditë, si ipeshkëv i dioqezës së Rrëshenit, Imzot Meta ndërmori projektin e restaurimit të Abacisë së Mirditës në Orosh, duke nxjerrë fillimisht nga rrënojat themelet e ish-qelës, si dhe të një kulle të vjetër ngjitur me të, që përdorej nga princi i krahinës për takime me krerët e maleve, të huajtë etj. Nuk dimë sa qeveria do të përfshihet në këtë projekt (siç ka qenë një premtim i Kryeministrit), teksa ajo ka mbështetur me të drejtë rindërtimin e kishës ortodokse monument kulture të Shën Thanasit në Dhërmi, sipas studimit dhe rilevimit të bërë më parë nga studiuesit Aleksandër Meksi e Pirro Thoma. Ka pasur dhe një nismë të çmuar të banorëve të Prullit dhe Spitenit në Lezhë, kryesuar nga emigrantët, të cilët kanë rindërtuar me paratë e tyre kishën e vjetër të Shënllezhdrit të Bokjanit, nga më të rëndësishmet e këtij kulti në atë rajon.

Këto janë, si të thuash, lajmet më reja nga ky front i trashëgimisë kulturore-historike, kurse dhjetë vite më parë famullitari historian Dom Nikë Ukgjini, e ktheu kishën e Kuklit të Ndre Mjedës në një muze dhe qendër kulturore të dorës së parë. Ky misionar i trashëgimisë nuk u ndal aty, por së fundi ktheu në identitet dhe kishën e vjetër të Shna Premtes së Balldrenit dhe ka gati projektin për rehabilitimin e kishës së Shna Premtes së Pllanës, një tjetër monument kishtar që po shkatërrohet me gjithë afreske. Pasi ka ngritur zërin disa herë në Ministrinë e Kulturës për shtëpinë e Abat Doçit në Shkodër, që ka qenë selia e Shoqërisë “Bashkimi”, në një intervistë të kohëve të fundit, Dom Nika tregon dhe disa objekte të tjera të rëndësishme, në rajonin e Shkodrës, të cilat duhet të restaurohen e mirëmbahen dhe të jenë të vizitueshme, si Kisha e Shirqit, apo ato në kala të Drishtit, Shurdhahut, Komanit, një pasuri e madhe muzeore, që do të sillnin dhe përfitime ekonomike prej turizmit. E prapë, këto janë vetëm një pjesë e kësaj trashëgimie të çmuar, pasi inventari i rrezikuar është shumë herë më i madh dhe në krejt hapësirën shqiptare.

Ka vite që është ngritur zëri për ish - Kuvendin Françeskan të Rubikut, që po i bien përditë muret përtokë dhe asgjë nuk është bërë nga Provinca Françeskane e as Ministria e Kulturës. Nëse godina e Tetarit Kombëtar në zemër të kryeqytetit nuk e kishte statusin e monumentit të kulturës, kjo kishë e shekujve të parë të mijëvjeçarit të dytë e ka prej gjysmë shekulli “matrikullën “ e shtetit. Por duket se ky status është thjeshtë një tabelëz formale, se po të vlente sadopak, ky objekt, pjesë e ansamblit kishtar, nuk do të ishte lënë të shkonte në këtë gjendje, ashtu siç nuk do të ishte lejuar prishja e Kishës së Vaut të Dejës “monument kulture”. Ndër objektet që meritojnë të vihet dorë është dhe kisha e Shna Premtes së Kurbinit, në Gallatë, për vetë rëndësinë historike që ka pasur si kryekishë, ku ka qenë hapur dhe një nga shkollat e para shqipe në fillimet e shekullit XVII e ku çdo vit organizohen tubime festive.

Ligji përcakton se politikat shtetërore në fushën e trashëgimisë kulturore formulohen nga qeveria dhe zbatohen nga Ministria e Kulturës, në ndërveprim me institucionet e tjera të qeverisjes qendrore e vendore, si dhe me shoqërinë civile. Problemi shtrohet se sa efikas është ky ndërveprim (apo ai është vetëm për në letër?) dhe, në këtë kontekst, sa përgjegjëse e ndiejnë veten 61 bashkitë e vendit në administrimin e kësaj pasurie, duke inicuar e zbatuar projekte me donatorë, fondacione, biznese, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet e kultit e ato të specializuara të trashëgimisë. Është e njohur ndjeshmëria e organeve vendore ndaj tenderave publikë të shkollave, rrugëve, shesheve, kanalizimeve, investimeve në hidrocentrale etj., por nuk mund të thuhet e njëjta gjë dhe për interesimin e tyre për sitet arkeologjike, kalatë, kishat dhe objekte e tjera të trashëgimisë kulturore në territorin e tyre. Shkaqet mund të jenë disa. Nuk kanë hapësirën e duhur ligjore? E quajnë punë vetëm të Ministrisë së Kulturës? Apo ende organet vendore nuk ndihen përgjegjëse dhe për trashëgiminë?

Dihet që ka një fond kombëtar të thesareve të trashëgimisë kulturore, shpirtërore dhe materiale, për të cilin kujdeset më mënyrë të posaçme Ministria e Kulturës etj., por ka dhe një visar lokal të kësaj trashëgimie, që është aq i vlefshëm si për kujtesën muzeale të trevave të ndryshme, si për turizmin në zhvillim.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora