E shtune, 20.04.2024, 05:40 AM (GMT+1)

Vërtetësi

Agron Tufa: Portrete kriminelësh e kopukësh të pandëshkuar

E marte, 26.05.2020, 12:45 PM


PORTRETE KRIMINELËSH E KOPUKËSH TË PANDËSHKUAR

Nga Agron Tufa

Sot Lekë Imeraj është një person i respektuar. Së paku, së jashtmi. E quan veten "shkrimtar" (aq sa ka të drejtë ta quaj veten kushdo që bërllokun e shkronjave e hedh dhe e boton me paret e veta), por këtë alibi ia ka ushqyer edhe e ashtuvetëquajtuna "Shoqata e shkrimtarëve" të Shkodrës, anëtar i së cilës pretendon se është. Nuk e di në ekzistojnë (pas rënies së LSHA të Shqipërisë) degë të një trungu të vdekur, por e zëmë se ekziston. Asgjë të keqe nuk ka. Atëherë a ia ka idenë kjo shoqatë se kush është anëtari i saj, Lekë Imeraj, i cili promovon librat e vet (ndër to dhe mbi "diktaturën") me emrin e kësaj shoqate? Kuptohet që biblioteka publike e Shkodrës "Marin Barleti" ku bëhen promovimet e librave të tij, ashtu dhe studiot televizive që transmetojnë intervistat e çupërlinave me këtë farë personaliteti - asgjë nuk dinë e s'kanë si të dinë për Lekë Imerin e para viteve 1991. Me një gërmë shtesë në fund të mbiemrit ai tashmë është një "personalitet tjetër", shkrimtari, psikologu, azilant politik në Gjermani dhe aspak jo më Oficeri i Drejtimit i Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale në MPB (1983-1991), një bishë e pangopur, e tejzellshme në sherbim të terrorit më egër të diktaturës. Është protagonisti i zi i shtypjes së Revoltës së 22 majit 1984 nga të burgosurit politikë, në krye të forcave speciale nga MPB. Është bash njai, sipas dhjetra të mbijetuarve, që merr megafonin në dorë dhe nga lartësia e Vendrojës u jep ultimatum të rebeluarve të dorëzohen për 5 minuta. Pastaj e flak megafonin, që rrokulliset nëpër gurë. Fill pas kësa "bunace" 5 minutëshe fillon sulmi i bishave të Lekë Imerit në kamp tok me togën e policisë së Edmond Cajës. Dihen rezultatet e asaj masakre: Sandër Sokoli vdes në tortura, Konstandin Gjerdeni merr plumb në shpatull, dhjetra të rrahur për vdekje (Ahmet e Skënder Tufa, Haxhi Baçinozi, Bedri Blloshmi, Bajram Vuthaj, Dush Martini, etj) dhe në fund, dy të pushkatuar me gjyq: Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli. Kjo qe vepra e "shkrimtarit" Lekë Imeri në bashkëpunim me kriminelin Edmond Caja në burgun e Qafë Barit me 22 maj 1984. Për ironi, kjo dyshe e zezë e MPB Imeri-Caja sot gjenden me azil politik në Gjermani.

Në një replikë të para dy viteve Lekë Imeri replikon "ashpër" me ish të burgosurin e QB Lek Mirakaj, duke bërë presion në stilin e "psikologut" dhe i kërkon atij "t'i lypë ndjesë" publike për shpifje (Zot ruana fiqirin!).

Unë personalisht, duke besuar se shpreh dëshirën e mijëra njerëzve për drejtësi, propozoj, që kur në Shqipëri të kthehet sërish shteti demokratik, kur të bjerë neodiktatura, atëherë këta kriminelë duhet, që në marrëveshje me shtetet ku janë strukur dhe në bazë të kallëzimeve penale, të ekstradohen në Shqipëri, apo kudo tjetër, në Hagë, nëse doni, që të japin llogari para drejtësisë, njëlloj siç është bërë jo pak herë me eksponentë të lartë e të thjeshtë të nazizmit.

Ndërsa për ta restauruar të plotë portretin e "shkrimtarit" Lekë Imeraj, ndiqni se përmes cilës "kudhër" është kalitur kjo kudër:

Lekë Imeri nga Lekbibaj Tropojë. Me Arsim 2-vjeçar pedagogjik. Oficer kufiri dhe policie

Karriera kryesore:

1976-1979 instruktor në Repartin 305 Sarandë

1979-1982 zëvendëskomandant i Repartit 305 Sarandë

1982-1983 komandant i Repartit 315 Lezhë

1983-1991 oficer drejtimi i Drejtorisë Zbatim Vendime Penale në MPB

1991-1992 drejtori Burgut të Tiranës



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora