Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fitër Bajrami: Myftiu Saqipi, priti një delegacion të lartë institucional

| E hene, 25.05.2020, 05:16 PM |


Bujanoc: Myftiu Saqipi, priti solemnisht për përgëzime me rastin e festës së Fitër Bajramit, një delegacion të lartë institucional lokal dhe qendror

Sot, me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, priti zyrtarisht për përgëzime në rezidencën e tij, një delegacion të lartë institucional në krye me prefektin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, pastaj kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa, deputeti popullor në Parlamentin e Serbisë, Fatmir Hasani, kryetari i Degës së Partisë për Veprim Demokratik, dr. Burhan Halili, kandidati i mundshëm për kryetar komune në Bujanoc, Driton Rexhepi dhe anëtari i kryesisë së PVD-së Gafurr Fazliu.

Gjatë pritjes së ngrohtë miqësore Myftiu Saqipi, i njoftoi të pranishmit me veprimtaritë e këtij institucioni të lartë fetar lidhur me organizimin e festës së Fitër Bajramit dhe zhvillimet e tjera gjatë muajit të shenjtë të agjërimit, duke falënderuar krerët institucionalë për lejen e organizimit të faljes së Namazit të Fitër Bajramit dhe ceremonive të tjera fetare sipas rrethanave të parapara në kohë pandemie dhe betejës së përbashkët kundër virusit Korona dhe Covid - 19.

Gjithashtu, i pari i Komunës së Bujanocit z. Kamberi dhe bashkëpunëtorët e tij, e falënderuan Myftiun Saqipi për bashkëpunim në realizimin e kërkesave të qytetarëve, sidomos në kohën e pandemisë, përmes solidaritetit dhe veprimeve të tjera në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve, konform rekomandimeve të institucioneve të larta të shëndetësisë.

Në fund, Myftiu Saqipi i dhuroi delegacionit nga një Kur'an, në shenjë respekti dhe bashkëpunimi, gjithnjë duke shprehur gatishmëri që në të ardhmen takimet e tilla të jenë më të shpeshta, jo vetëm për festa fetare, njofton Jetapress.