| E hene, 25.05.2020, 10:40 AM |
Bujanoc: Marrëveshja e arritur në Tiranë u konkretizua në Beograd
Nga
Nexhmedin Saqipi
Lista
shqiptare për zgjedhjet parlamentare, të 21 qershorit në Serbi, me titull
"Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e Bashkuar", e cila kohë
më parë ishte arritur në Tiranë me ndihmën e ministrit Cakaj, u konkretizua në
Ambasadën e Shqipërisë të akredituar në Beograd.
Kjo
nuk është hera e parë që bëjnë përfaqësuesit politikë shqiptarë në Luginë të
Preshevë, të cilët për punë të mëdha siç janë zgjedhjet parlamentare serbe,
duhet të akordohen në Prishtinë, Tiranë pa përjashtuar Beogradin, nga i cili i
marrin privilegjet dhe instruksionet se si të punohet, kuptohet në frymën e
ligjit dhe kushtetutës.
Jo
vetëm kaq, Beogradi, i do përfaqësuesit shqiptarë të Luginës, të jenë bashkë në
zgjedhjet parlamentare, ngase e di se ata nuk mund të marrin më shumë se dy
deputetë, për të bërë mrekullira në një Kuvend me 260 deputetë, kurse i do të
përçarë në zgjedhjet lokale, duke i hasmëruar deri në ekstremitet, për t'i
sunduar dhe nënshtruar më lehtë.
Askund
në botë përveç në Luginë të Preshevës, ndodh kjo, në nivel lokal shqiptarët janë
pikë e pesë, kurse në iniciativa rajonale bëhen bashkë, kjo i bie se këtë e
bëjnë për reklamë, për t'i fshehur marrëzirat që i bëjnë në betejat e turpshme
për pushtet shqiptare të administruara nga Serbia.
Por,
në këto zgjedhjet e fundit, prapë të gjitha subjektet nuk janë bashkë, nga pesë
partitë e firmosura të marrëveshjes, mungojnë edhe disa tjera, madje duke e
anashkaluar Medvegjën, të cilët bota shqiptare e ka harruar prej kohësh.
Lidhur
me këto dukuri u shpreh, koordinatori i Shoqërisë Civile, Nexhmedin Saqipi, i
cili para disa ditësh mori një iniciativë qytetare për t'i bërë bashkë
subjektet politike në nivel lokal, për të vazhduar pastaj në nivele më të
larta, mirëpo siç tha, ai, një nismë e tillë hasi në veshë të shurdhër.
"Lugina
e Preshevës, ka kaluar nëpër disa palë zgjedhjesh lokale dhe parlamentare në
Serbi. Nuk mbaj mend se këto zgjedhje, veçmas ato parlamentare, të kenë kaluar
pa probleme të natyrës politike. Kush e di sa herë përfaqësuesit politikë kanë
shëtitur nëpër qendrat shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, për tu bërë unik e
në fund janë kthyer në Beograd për ta marrë dorën e pajtimit. Ky unitet sa për
sy e faqe shpesh ka krijuar koalicione falso për qeverisje lokale, të cilat
asnjëherë nuk kanë shkuar deri në fund të mandat, duke i prishur kuvendet
komunale për interesa partiake, klanore e lokaliste. Nismën tonë për t'i bërë
bashkë subjektet politike në Bujanoc e heshtën dhe e injoruan përfaqësuesit e
atyre që shkuan në Beograd. Mirëpo, në mesin e shumë partive shqiptare në
Luginë, gjenden edhe parti që mendojnë si shoqëria civile, se pa u bë bashkë në
nivel lokal, nuk mund të jesh unik në nivel rajonal", theksoi,
koordinatori Nexhmedin Saqipi.
Vlen
të ceket se Lista "Alternativa Demokratike Shqiptare - Lugina e
Bashkuar", do të ketë 12 kandidatë të mundshëm për deputetë edhe atë nga
radhët e subjekteve: PVD, APN, PD, LPD dhe GQ-LRPDSH, të cilat do të marrin
pjesë aktive në grumbullimin e nënshkrimeve për zgjedhjet parlamentare të
Serbisë, njofton Jetapress.