E premte, 29.03.2024, 12:26 PM (GMT)

Mendime

Prend Buzhala: Nga ekstremizmi politik e deri te dialogu (II)

E hene, 25.05.2020, 11:41 AM


NGA EKSTREMIZMI POLITIK E DERI TE DIALOGU E MENDJA E HAPUR; II

(Kundrime anash) 2

Nga Prend BUZHALA

Pushteti shpall armiq imagjinarë, dhe Njeriu i Margjinalizuar shpallet fajtor, e ndien veten fajtor e të padëshirueshëm për shoqërinë. Kësisoj, përmes eksponentëve të veçantë (të një regjimi a force politike), për t'i mbuluar paaftësitë e dështimet e veta, shpiken armiqtë e një religjioni kundër tjetrit, armiqtë e kombit, mundësisht ata të jenë krejt fqinjët, të cilët janë shkaktari i fatkeqësive tona nacionale e sociale edhe për këto 30 vjet a 20 vjet. Kështu, mbasi jemi "të rrezikuar" nga të gjitha anët, atëherë duhet krijuar Kultin e Të Fortit, siç janë SHBA-të (një miqësi e drejtë me të shndërrohet në kult patologjik, prej frikësimit të vazhdueshëm irracional apo edhe real).

1. Krijimi i Kultit të Shpëtimtarit Politik

Nga ana tjetër, shënjestra e sulmit drejtohet kundër "të padëshiruarve, të sëmurëve, të devijuarve, të pamoralshmëve në radhët e shoqërisë" që absolutisht nuk përbëjnë asnjë fatkeqësi për kombin a shoqërinë. Armiku pra, nuk është pushteti, por "i sëmuri", "imorali", njeriu i vogël, i parëndësishëm, besimtari i thjeshtë.

Kështu shfaqet "frika nga liria "(Sartri), e njeriu i frikësuar ndien nevojë që të ketë mbështetjen e tij: fetari te Njeriu i Tij nga orienti apo nga Institucioni fetar, "i përcaktuari për demokraci" nga oksidenti" apo nga "Njeriu Demokrat" etj etj.

Kryesorja, Njeriu i Rrezikuar, kur i mungon ndërgjegjja vepruese politike adekuate, domosdo duhet ta shpikë Mbrojtësin e tij, Shpëtimtarin e tij, Mbështetësin e tij. Kur i nevojitet, ky mbështetës kërkohet herë në Stamboll e herë në shtetet tjera orientale, dhe kur mungon, së andejmi kjo mbështetje, atëherë duhet kërkuar te SHBA (mundësisht, për t'i ikur identitetit real evropian të shqiptarëve, sepse ashtu e kanë përgatitur ideologjitë ekstreme politike, me anë të frikësimit; ose, "pala tjetër", te europerëndiorët si ledh mbrojtës nga orienti etj etj). Prandaj ndodh nënshtrimi total ndaj Autoritetit (politik, fetar, ndërkombëtar). Këtu ndodh edhe një deformim i palejueshëm i një miqësie proverbiale amerikane-shqiptare: që mikut Të Fortë t’ia atribuosh ato vlera (frikësimi) kundër kundërshtarëve tu politikë e që del si shpifje e egër për përfitime të ulëta politike!

Tashmë anëtari i thjeshtë (i partisë apo i një komuniteti) shndërrohet në Njeriun e Bindur ndaj Autoritetit: do t'i bindet pa kushte, bie fjala, Autoritetit Ndërkombëtar kundër "armikut të brendshëm", sepse ai tashmë e ka krijuar vetëdijen dhe perceptimin se bota vepron sipas logjikës vartësi-autoritet. Ky është një ekstremizëm i sojit të veçantë ndër ne, posaçërisht në dekadat e fundit: armiku i përjetshëm i shqiptarëve, "Evropa kurvë" dhe "imperializmi amerikan", shndërrohen në "miqtë më të mëdhenj"; mbase, për t'u çliruar nga mëkati i përparshëm i ideologjive totalitare; por rënia në ekstremin tjetër, po ashtu prodhon ekstremizëm irracional politik, të dëmshëm, që godet brenda vetvetes, aty ju nuk duhet( siç ishin etiketimet "proamerikan" e për "antiamerikanizëm").

2. Nga hyjnizimi i verbër e deri te çnshenjtërimi i këtij hyjnizimi politik

S'ka më pavarësi të personalitetit të njeriut, ai shkrihet në ndërvarësi ndaj Të Fortit, ndaj të cilit duhet të bindemi verbërisht në gjithçka e për gjithçka! I Forti i Gjithëpushtetshëm botëror, gati sa nuk shpallet Hyjni në vend të Perëndisë! Paçka se edhe ata janë njerëz prej mishi e gjaku, siç na e dha porosinë pandemia: ajo godet të fortët e të dobëtit!

Por, a është e sinqertë kjo bindje e verbër ndaj Autoritetit (i njerëzve të vegjël ndaj partisë së tij, apo i një kombi të vogël ndaj Të Gjithëpushtetshmit)?!

Jo, nuk është e sinqertë, për faktin që aty nuk mbretëron ndërgjegjja e vullnetshme, por frika, ankthi: Aty, pas perdes së nënshtrimit, strehohet urrejtja e shtypur. Në momentin e çshenjtërimit të këtij hyjnizimi, shpërthen e del haptas kjo urrejtje e tulatur.

Partia ekstreme e Udhëheqësi ekstrem, përfaqëson Të Përsosurën, Epërsinë, Qëllimin e Lartë. Përbuzja drejtohet ndaj Të tjerëve, ndaj Të pazgjedhurve, ndaj atyre që nuk hyjnë në vathin e Të Zgjedhurve (shenjtërimi i deputetit, që sjell shpëtim apo që premton lumturi e shpëtim). Të Tjerët, Të pazgjedhurit, janë të përbuzur. T Zgjedhurit janë racë e epërme, kurse Të pazgjedhurit janë inferiorët, të paaftët që duhet shtypur a që duhet të shërbejnë Të zgjedhurit.

A është forcë etike e njerëzore sjellja e tillë?

Jo, është tregues i ligështisë së brendshme, etike e shpirtërore. Duke e shpallur vetveten I Zgjedhuri i Përhershëm në Parlament apo Pushtet, ai krijon ndjesinë e epërsisë, arrogancës, mendjengushtësisë, e që në fakt nuk e ndien veten të sigurt. Ndaj Autoritietit të Gjithëpushtetshëm Ndërkombëtar) ai shfaq servilizëm të skajshëm, inferioritet pasiurie, ndaj të vetëve arrogancë të pafund, narcizëm vetjak.

3. Nga dera e mbyllur e mundësve e deri te mendja e hapur

Njerëzit bashkëbisedojnë. E në mungesë të Fjalës së Gjallë, të drejtpërdrejtë, zhvillohet edhe shkrimi. Shkrimi si bashkëbisedim.

Secili shkrim është dialog më vete.

Ashtu sikundër thotë Amin Maluf, sociolog libanez, gazetar e reporter lufte, ekstremisti politik apo fetar, e redukton gjithçka në një përkatësi kryesore, tejet të reduktuar, për të vlen vetëm përkatësia e tij (etnike, klasore, racore ose fetare), duke e shpallur veten krenar për këtë përkatësi monolite, të tjerat dhe të tjerët nuk vlejnë, e ky është "identitet fisnor, i cili është burim i fanatizmit, ksenofobisë, intolerancës dhe grindjeve, një identitet vrastar.”

Bota që ata e shohin, perceptohet si botë bardh e zi: dogmatizmi i tyre është besim i verbër, ky besim nuk lejon kundërshtime, nuk i nënshtrohet kritikës. Duke shikuar botën bardh e zi, atëherë nuk janë në gjendje që t’i shohin edhe ngjyrat tjera, qofshin ato politike apo dhe të fushave të tjera të j jetës. Bardh e zi do të thotë që bota, kombi, politika apo shoqëria ndahet në armiq e miq, në tradhtarë e në patriotë, në njerëz të dobët e në njerëz të fortë. S’ka më dallime, nuk vlejnë larushia pluraliste politike. Në emër të një politike partiake, edhe vëllai shpallet e perceptohet ndryshe, po qe se nuk k takon taborit tënd politik. Në SHBS e në Evropë janë të njohura raste, kur vëllezërit apo babë e bir u takonin taborëve politike të ndryshme, por vëllazërinë dhe përkatësinë familjare e kanë ruajtur si gjënë më të shenjtë.

Kurse ekstremistët politikë a të sferave të tjera të jetës, kanë mendje të mbyllur, mbasi mendjet e mëdha e kërkojnë të jenë të hapura. Mendja e mbyllur, dogmatike, mbyll edhe perspektivat shoqërore e nacionale, personale e njerëzore. Së këndejmi, demokracia e mirëfilltë, arsimi i hapur universitar, debati e dialogu qytetar, janë ilaçi më i mirë për t’i thyer muret e kësaj mbylljeje, këtë tirani të marrëzisë mendore. Është ajo mizori që shpie në qorrsokak, që mbyll çdo shteg të ecjes përpara. Dhe kjo tashmë ishte provuar, kur pëlcitën muret e ndalesave të tilla ultradogmatike të totalitarizmave politikë (komunizmit e fashizmit).

Dogmatiku i tillë (partiak, ideologjik a fetar), ekstremisti i tillë politik, i përdhos edhe vlerat e mirëfillta: përdhos miqësinë e vërtetë, vlerat familjare e nacionale, vlerat kulturore e njerëzore.

Përdhosen edhe besimi në vlerat reale të qenies njerëzore, sepse dogmatiku i tillë mendjengushtë mbyt besimin, guximin apo trimërinë e shpirtit. Ai shpall vetëm një shteg dhe e redukton gjithçka te vetëm një mundësi, kurse mendja e hapur hap shumë shtigje dhe krijon shumë mundësi.

Mendjet e hapura mbajnë qëndrim kritik e dyshues në përqasje e tyre, në kërkimet e tyre, nxit e frymëzon ndriçimin e trurit njerëzor, ndriçimin e shoqërisë e të kombit të vet, kurse ekstremisti politik e mendjengushtë nxit vetëm injorancën, shuarjen, zhbërjen, fatkeqësinë dhe izolimin total.

Mendjet e mbyllura shfaqen në të gjithë krahët politikë e që janë burim i autoritarizmit.

Përpos dialogut, mendja hapur është ajo që njerëzit i bashkon për t’i sqaruar gjërat, realitetet shoqërore, politike e nacionale dhe për të vendosur për to. Nëse partitë politike, me ekstremizmin e vet të dëmshëm, i mjegullojnë gjërat, mendja e hapur i kthjellon. Ndodh mu ashtu kur dritaren e mbuluar nga avulli apo papastërtia, detyrohemi për ta pastrua dhe për ta parë të qartë botën jashtë: më saktësisht, për ta lejuar të hyjë drita brenda hapësirës ku qëndrojmë. Do të thotë: duke i shembur muret ndaluese të këtij ekstremizmi, ne e marrim dritën që depërton në mendjen tonë . Mospajtimi me mendimin e tjetrit është një shteg drite që hap mundësi tjera, por assesi secilin mendim të tjetrit nuk është e thënë ta hedhim poshtë. Kjo do të ishte fitore e madhe jo vetëm e demokracisë, por përgjithësisht e qytetarisë sonë.: të mposhtet kjo injorancë e ekstremizmit jo vetëm politik.

Shembulli më i mirë i shembjes së mbretërve hyjnorë, i autoriteteve totalitare që çfarëdo regjimi qofshin, janë shoqëritë europerëdnimore dhe këtë model e përqafuan edhe vendet tjera evropiane nën komunizëm, cili u shemb si kështjellë prej letre, pa pasur nevojë për ndërhyrje. Kjo do të thotë se liria dhe demokracia janë vepra tëa tij kombi e shteti e nuk janë një “demokraci e bartur” apo e imponuar nga kushdooqftë. Është produkt e burim i fuqive të pashtershme qytetare për liri, demokraci e pavarësi.

(Prend N. Buzhala, 24 maj 2020)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora