E premte, 29.03.2024, 09:56 AM (GMT)

Kulturë

Mevlud Buci: Një thesar i etnologjisë së brezave

E diele, 24.05.2020, 01:57 PM


LIBRI “MATJA NË GUR E NË DRU” NJË THESAR I ETNOLOGJISË SË BREZAVE

Mendime rreth librit etnologjik “Matja në gur e në dru” të skulptorit dhe gjurmuesit, Artan Kurti

Nga Mevlud BUCI, studiues e publicist

Përse u emocionova shpirtërisht, kur autori ma dhuroi librin etnologjik “Matja në gur e në dru”?

Janë mbushur pesëdhjetë vite qëkurse i ati i autorit i librit, studiuesi i palodhur e gjurmëlënës, Dilaver Kurti i Matit, më aktivizoi, më nxiti, më dha krah e më vlerësoi në vallen e studimeve për kulturën popullore, për traditat e më gjerë. Ky bir i Matit e nip i Dibrës ishte studiues i përkushtuar në fushën e etnologjisë, muzeologjisë, të traditave atdhetare e më gjerë.

Pra, i biri, Artani, kishte realizuar këtë libër të rrallë, të çmuar, të ndritshëm për sot e brezat që do të vijnë. Me të drejtë i thonë: “Bëm baba të të ngjaj!” Emocion e krenari legjitime për mua e cilindo.

* * *

Artan Dilaver Kurti, intelektual matjan, veprimtar e organizator aktivitetesh të trashëgimisë etnokulturore, skulptor e master shkencor në fushën e etnologjisë e folklorit. Nga viti 2007, për dhjetë vite, drejtoi botimin e revistës historike-kulturore-letrare “Emathia”. Në vitet 2011-2019 drejtoi Qendrën Kulturore të Fëmijëve Mat, ku krahas veprimtarive të larmishme artistike-kulturore-sportive inicioi dhe veprimtari me lidhje përçimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të fëmijët matjanë. Gjurmues, organizator, botues dhe kurdoherë studiues i pasionuar. Pra, është shembulli i intelektualit të talentuar, të cilit i flasin puna, veprimtaritë dhe mbi të gjitha nderimi e vlerësimi për etnologjinë e brezave.

* * *

Në faqen e parë të studimit etnologjik “Matja në gur e në dru” është fiksuar një mesazh-testament fisnikërie e diturie, një mesazh jete që gjithnjë rrezaton mirësi, traditë, vlera të çmuara, mesazh dritëshpirti i autorit: “Kujtimit të babait tim, Dilaver Kurti, i cili gjithë jetën ia kushtoi gjurmimit dhe studimit të trashëgimisë iliro-arbërore të krahinës së Matit, duke më edukuar edhe mua me dëshirën për të vazhduar rrugën e tij në fushën e trashëgimisë shpirtërore e materiale të popullit të kësaj krahine” (fq. 3)

Qysh në fillim jepet me qartësi vlera e këtij libri, puna serioze e fisnike e Artan Kurtit, pasimi i traditës së shquar familjare. Për këtë Prof. Dr. Afërdita Onuzi shkruan: “...Ndonëse Artani me këtë punim, por edhe më punë të tjera, ka krijuar personalitetin e tij, ai po ndjek me sukses edhe një traditë familjare në fushën e studimit të trashëgimisë kulturore të krahinës së Matit. Është fjala për atë traditë të mirë që krijoi studiuesi Dilaver Kurti, i ati i Artanit, si në fushën e arkeologjisë ashtu edhe të etnografisë”. (fq. 5) Ia vlen të theksohen edhe personat e tjerë që e ndihmuan Artanin në finalizimin e këtij botimi: konsulentin Rakip Lasku, redaktoren gjuhësore Mimoza D. Kurti, botuesin e ILAR (“Mirënjohje z. Ilir Lleshi për ndihmën e dhënë në botimin e këtij libri nga botimet ILAR”), nipin i autorit, humani Marjus Gjoka, që mundësoi, siç thotë autori: “...që puna ime disavjeçare të shohë dritën e botimit”.

Libri “Matja në gur e në dru”, në 320 faqet e tij, pasqyron traditat e etnologjisë matjane, shpërfaqur me vërtetësi, argumente, realizëm dhe mjeshëtri. Ai dhuron një thesar të kulturës popullore, punë, mjeshtëri, figura e tradita të vyera, të cilat i rrezatojnë kohës dhe brezave.

Pas hyrjes së thjeshtë e mbresëlënëse të autorit, vijon shkrimi banesa popullore në krahinën e Matit. Autori krahas saktësisë së përshkrimeve, referencave, fjalëve e shprehjeve të urtësisë, ka realizuar dhe përfshirë me mjeshtëri ilustrime fotografike të kullave, të cilat i ngjajnë kështjellave, kulla të gurta të Oxhakut të Allamanit në fshatin Kurdarì, e Sahit Kryekurtit në fshatin Macukull, Ahmet Koçit në fshatin Gurrë të Vogël, kulla katërkatëshe e vëllazërisë Pasha në fshatin Gjòçaj, grupi i banesave karakteristike të vëllazërisë Hoxha në fshatin Shkallë të Xibrit e shumë të tjera të cituara në funksion të përdorimit. Autori Kurti shpjegon dhe argumenton emërtimin e banesës të tipit kullë, përshkruan e argumenton vlera historike e arkitekturën e kullave matjane, kulla të trevës së barutit e të qëndresës shumëshekullore.

Në këtë libër shpjegohen me qartësi ndikimi i faktorëve gjeografikë dhe historikë në ndërtimin e banesës, roli i faktorëve ekonomikë dhe shoqërorë, oborret dhe mjediset përreth banesës, rrethimi i oborrit me avlli, mjedise ndihmëse. Pasqyrohet, midis të tjerave mjeshtëri Sabedin Kola dhe maketi i punishtes së barutit (fq. 46), por dhe dhjetra mjeshtëra e ustallarë matjanë e nga krahinat fqinje, që me punën e tyre lanë gjurmë të pashlyera të artit popullor dhe ndërtimtarisë. Në mjediset përreth banesës përshkruhen vendet e ruajtjes së prodhimeve bujqësore, llojet e kasharëve, arkitektura e jashtme e banesës dhe dekorimi i saj, e ilustruar me foto të kullës trekatëshe të Dyle Kryekurtit në fshatin Macukull të ndërtuar me gurë të bardhë të latuar. (fq. 53) Duke përshkruar punimet në pjesën e jashtme të banesës trajtohen zbukurimet me gurë të skalitur në portat e avllisë dhe të banesës, sheshenat, ndërtimi dhe dekorimi i tyre nga ana e jashtme. Të gjitha këto janë vërtet dëshmi të studimeve serioze të një pune pasionante e me dashuri për etnologjinë. Paraqitja e kullave karakteristike e Sulë Likursit në fshatin Gurrë e Madhe (Monument Kulture, fq. 67), kulla katërkatëshe (me katër poda) me çikmà e Elmaz Dezhgiut në fshatin Guri i Bardhë (Monument Kulture, fq. 68) e plot të tjera dëshmojnë zellin, korrektësinë dhe seriozitetin gjurmues të studiuesit Artan Dilaver Kurti. Autori studion me përkushtim edhe pjesët e arkitekturës së banesës popullore të krahinës së Matit, si dollapët e murit, dritaret e banesës, qoshet e mureve të saj të punuara me gur të latuar, ambientet higjieno-sanitare, varëse të ndryshme të fasadës së banesës, çatitë, oxhakët mbi çati, çezmat dhe puset. Ai përshkruan me detaje dekoracionet e përdorura në pjesët e jashtme të banesës e në portën e avllisë, ku janë trajtuar motive gjeometrike, floreale, kozmogonike e fetare, motivi i dorës, motive antropomorfe, motive zoomorfe, ku përfshihen motivi i shqiponjës, motivi i deshëve, i qenit, kalit, pëllumbit, zogut, gjelit, gjarpërit, motive që paraqesin lloje armësh, motivi i sahatit (orës), takëmet me simbolikë mikpritjen të trajtuara në gdhendjet e portave të banesave, mbishkrime fetare, pronësie, informuese historike, me simbolikë patriotike e politike, motive që paraqesin veglat e mjeshtërve ndërtues e plot të tjera. Këto përshkrime shoqëruar me ilustrime të shumta dëshmojnë se ky studiues ka gërmuar, skeduar e analizuar përvojën e trashëgimisë së gdhendjeve dekorative në gur e në dru në banesat me shtrirje të gjithë skajet e trevës së Matit, nga Ulza në Macukull e deri në Gurë të Bardhë.

Guri e druri janë dy simbole bashkudhëtare të jetës së brezave në gëzime e hidhërime, në pasimin e traditës, mençurisë e të mjeshtrisë nga brezi në brez. Vëzhgimi e studimi i përfituar për mjedisin jetësor në banesën popullore të krahinës së Matit, dyert e jashtme e të brendshme, shkallët e brendshme të banesës së vëllazërisë Barçi në fshatin Lis, vëllazërive Valteri në fshatin Vinjollë, Muceku në fshatin Macukull, Mata në fshatin Shëlli, Ruçi në fshatin Zenisht, shkallët e Liman Cekës në fshatin Shëlli etj, janë vërtet dëshmi e thesare të brezave, pasqyrë e shpirtit krijues dhe mençurisë popullore të brezave.

Me interes të veçantë në këtë libër është çdo shkrim e foto, çdo diçiturë, por veçanërisht të le mbresa studimi “Oda e zjarrit” ose “Shtëpia e bukës” dhe pajisjet e përdorura, si enët prej druri dhe teknikat e punimit të tyre, ku shpërfaqen intuita, talenti krijues dhe gjurmët e traditave të shquara të mjeshtërave popullorë, puna dhe talenti, gjurmët dhe vlerat e çmuara të cilat u rrezatojnë kohërave, brezave e, pse jo, shekujve të tërë.

Përshkrimi i dekoracioneve të përdorura në ballet e oxhakëve, si motivi i shqiponjës e plot të tjerë, tregojnë se autori me shpirtin krijues e gërmues, me pasionin e një “gjeologu” të etnologjisë, ka gërmuar e pasqyruar vlera të çmuara e na ka dhuruar, vërtet, thesare kulture etnografie, jetë-pasqyrë e dëshmi për brezat sot e nesër.

Përshkrimi e argumentimi mbi tavanet me dekoracione artistike, të punuar me dru e të suvatuar, pasqyrimet e mjeshtërave popullorë, përshkrimi i sixhadeve, teknika e prodhimit dhe dekoracionet e tyre, llojet e qendisjeve etj, tregojnë pasionin prej studiuesi e artisti punëndritur e këmbëngulës, human e realist, intelektual i sedrës dhe realizimit mjeshtëror.

Treguesit e emrave, literatura e shfrytëzuar, albumi fotografik me ngjyra, ku jepen vërtet figura, vlera e kulla, gjurmë të etnologjisë, tregojnë se libri “Matja në gur e në dru” është një dritare e provave studimore-shkencore, një libër thesar i etnologjisë së brezave.

Unë, si studiues e adhurues i veprës së paharruarit Dilaver Kurti, si mirënjohës në përjetësi për ç’ka kanë bërë babë e bir, e përshëndes me dashamirësi e çiltërsi të nderuarën Prof. Dr. Afërdita Onuzi, për atë që ajo thotë në hyrje të librit “Matja në gur e në dru” unë i ritheksoj me krenari fjalët e saj: “Jam e sigurtë që kushdo që do ta lëxojë këtë libër, do të thotë: “Falemnderit, Artan!”. (fq.5) Edhe unë them: “Faleminderit, Artan, intelektual e pasionant i studimit të etnologjisë! Bir i studiuesit, korife të Matit e të kombit, Dilaver Kurti.”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora