Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Edison Ypi: Shkrim e Këndim

| E diele, 24.05.2020, 09:12 AM |


Shkrim e Këndim

Nga Edison Ypi

"Shkrim e Këndim", pra fjalë dhe këngë, tekst dhe muzikë, arsyetim dhe ndjenjë, përmbajtje dhe formë, ekziston vetëm në Gjuhën Shqipe, në asnjë gjuhë tjetër. Gjuhët e tjera kanë Shkrim e Lexim.

E vetmja gjuhë në botë që "shkruhet" dhe "nuk lexohet" por "këndohet", është Gjuha Shqipe.

Të dish "Shkrim e Këndim", pra të kesh aftësinë t'ja dëgjosh shkrimit zërin, audion, muzikën, ësht' zotësi, ësht' Fat, ësht' talent.

Të dish Shkrim e Këndim nuk mund të jesh i palumtur, i pafat, i pashëndetshëm.

Nëse di "Shkrim e Këndim", di gjithçka, ke gjithçka, bën gjithçka, asgjë nuk të është e largët, asgjë nuk të është e pamundur.

Të dish vetëm shkrim ose vetëm këndim, është dramatikisht e mangët.

Të dish ti bësh të dyja, të shkruash dhe të këndosh, qiellin e ke kap.

S'ka rëndësi kush shkruan e kush këndon, çfarë shkruan e çfarë këndon. Rëndësi ka që ajo që shkruhet të ketë brenda muzikë, të jetë e këndueshme, të këndohet, jo domosdoshmërisht me zë.

Diçka që shkruhet por nuk këndohet, në Shqip nuk vlen. Për një arësye që autorët mediokër nuk e kuptojnë dot dhe kurrë nuk kanë për ta kuptuar; Sepse nuk udhëton. Shkrimi që nuk udhëton, pra shkrimi që nuk këndon, nuk është shkrim, është shurrë që mbetet aty ku derdhet për shkak të paaftësisë rekreative të prostatës autoriale.

Këndim pa Shkrim ka. Zogu në degë, dallga që rreh bregun, përroi që rrjedh tatëpjetë etj. janë Këndim pa Shkrim. E tillë është edhe Letërsia gojore, legjendat, epet, që përcillen nga brezi në brez duke u ndryshuar e lëmuar pa u shkruajtur. Këndimi pa shkrim, sado sugjestiv dhe marramendës, sado i latuar nëpër shekuj, nuk mahnit më. I ka kaluar koha. E ka mposhtur rrebeshi i informacionit global.

Ajo që ende shkruhet e këndohet dhe do shkruhet e këndohet përjetësisht, është vetëm Gjuha Shqipe.

Mëso "Shkrim e Këndim" Shqip, dhe vdis.

Shkrim e Këndim, pra fjalë që lexohen dhe njëkohësisht këndohen, jo aq të bukur sa Shqipja, natyra ka edhe ca të tjera;

Shkruan toka, këndon hëna.

Këndon bubullima, Shkruan rrufeja.

Shkruan shiu, këndon era.

Këndon Pranvera, shkruan dimri.

Shkruan toka, këndon qielli.

Këndon Poezia, Shkruan Proza.

Shkruan pena, këndon mendja.

Këndon filani, shkruan fisteku.

Shkruan i patalentuari, këndon askushi.

Këndon njerzia, shkruan Lasgushi.

Bota lexon. Shqiptari këndon.

Bota kanë "Libra Leximi". Shqiptarët kanë "Libra Këndimi". Ndryshim kolosal.

"Shkrim e Këndim". Marramendje e paçmuar që na e kanë zili. Si quhet vallë Rilindasi që këtë mrekulli të pashoqe e shpiku ? Ku e ka varrin t'ja bëjmë prej floriri ?