E enjte, 28.03.2024, 06:56 PM (GMT)

Udhëpërshkrim » Gorica

Pëllumb Gorica: Mes qiellit blu dhe një reje

E shtune, 23.05.2020, 07:07 PM


MES QIELLIT BLU DHE NJË REJE


NGA PËLLUMB GORICA

NJË LULE PETALÇELUR

Përmbi gjelbërimin me lule petaleçelur

Aroma e harlisur çapitet në tokë

Nga grumbuj lulesh prej pemësh mbjellur

Njëra kokën nxjerr e s’fshihet dot.

Si lule e bukur agimit fle

Çdo lule tjetër e adhuron

Nga degë e gjethe si nuse ndër ne

Me endje dëshirash që belbëzojnë.

Petaleqeshur i drithëron lulet në gjeth

Dhe nuk frikësohet jo nga askush

Të rritet si pritej ndaj vështrimin hedh

Të mbledh, të zgjedhë buzë mes jush.

Nëpër degë rrëmbimthi zë e çan

Gjelbërimi çaplohet dhe të buzëqesh

Pranverës së ardhur kodrës anemban

Përshkon lajthitje dashurie në shesh.

Nuk priti shkrepjen diellore mali i pare

Nuk priti as frutat t’i dalin në dritë

Prej degëve pa pritur u rrëzua mbi bar

Për një të puthur në kohë të ligshtë.

TI LARGOHESH PREJ MEJE

Si një ëndërr e këputur

Ti largohesh prej meje

Më kot zgjas duart të të kap

Mes qiellit blu dhe një reje.

Në fillin tënd të magjishëm

Kam lënë gjuhën e zogjve

Të më përktheje vetëm ti

Pëshpërimat e zanave.

Ti po ikën prej meje

Në këtë kohë të vështirë

Ca gjurmë të kaltra puthjesh

Tek unë ende kanë ngrirë.

I fsheh prej meje dhe sytë

Mbuluar me pak mërzi

Të lutem kthehu një ditë

Se s’jetoj dot pa magji…

FJALËT

Fjalët janë të pafundme në një fletë të bardhë

Ëmbëlsia surreale e zhurmës në shpirt

Gjeste të pakuptimta si fryma mbi xham

Gjykime të fshehura prej së vërtetës larg.

Fjalët janë ngushëllimi më i madh që njihet

Thellësi e dhimbjes së heshtur në det pasioni

Ikona të kalemendura, ku davariten mendimet

Shkëlqim i hershëm sa as mund ta besoni.

Fjalët janë udhë në trokun e hapave

Zëra pikture qiellit të pluhurosur me re

Rendje tej humbëtirave me pulitjen e buzëve

Tempuj të pasosur gdhendur atje ku vdesim ne.

PIKTURË UDHËTIMI

Larg e qetë dhe pa mëkate gri

Me shpirtin nga engjëjt – djaj shkundur

Gjelbërimi, mbretëri e pushtetit të ri

Më zgjoi në shpirt një stinë të humbur...

Rruga zgjidhjen në dorë më la

Me mjeshtërinë, që veç ajo e di

Mëngjesi i kaltër, vëngër më pa

Pranvera në krahët e saj më shëtiti.

Drithërohet ajri nga zogjtë dhe qielli

Me re që kanë hedhur vellon e argjendë

Më kapi nga larg një rreze e bukur dielli

M`i mori peng mendimet e ndjesitë.

Tablosë së natyrës dorën e fundit i jap

Se dëshira bujshëm aty rendej

Unë çuditërisht besnik i saj jam

Dhe emocionin e preka të dehej.

NËNQESHJA E DHIMBJES

Shpesh më mbulon një tis i thellë heshtjeje

Tek vështroj një mospërfillje fare të kotë

Dua këtë mospërfillje ta kaloj me buzëqeshje

Mundohem, por nuk ia dal dot…

Mjegullash humbas në hulumtime

Me kumte kodesh që s’i zbërthej dot

Nuk arrij të buzëqesh, kur kam dhimbje

Veç, nëse ti hiqesh, si Don Kishot!

Ja tek vë re, se rrugët ngushtohen

S’ke si bën, do të përballem me ty

Muret që na ndajnë, sikur rrëzohen

Dhe ilaçi për dhimbjen më bëhesh ti.

E lashë nënqeshjen, tërr s’ma bën syri

Dhe mospërfilljen e shkelëm me këmbë

Ah çasti i bukur! Eh, çfarë deliri!

Pse më duket sikur ndodhi mbrëmë?!

ZHGËNJIMI U BË THINJË

Më kishin folur pafund për ikjet

Dhe ndodhi që ti ike këtë pranverë

E kuptova se ikjet janë të dhimbshme

Dhe unë u bëra për ty helm e vrer.

Se ti ishe e gjitha brenda meje

Unë, tanimë, s’e përballoj largësinë

Ta dish, gjithkund, jam pranë teje

Ngaqë nuk të shoh, sikur ndiej zhgënjim.

I vesha dhimbjes një rrobë të forte

Se jam plagosur, brinjë më brinjë

Më dhemb kjo ikje tani sa një botë

Si një zhgënjim që mbiu mbi thinjë.

SHPIRT I VRARË

Me zhurmat në jetë qe mësuar

Dhe gotat i rrëkëllente me fund

Si në shtëpi në klub i shtruar

Me dertet e shpirtit që do t’i mund.

Me veten flet sikur bën gjyq

Përse kaq helm kjo jetë për të

Vetëm unë si Krisht në kryq?!

Tek gotat rrëkëllen një nga një.

Dikur ankthi gri deshi që ta vriste

Arsye hiç… si iracional

Hahej me veten, ndërsa gotat rrufiste

Kjo botë e shpifur të vejë në djall.

Ca pika lotë të nxehtë i shkanë

Ca fjalë me brengë tha nën zë

Tek pi, me shpirt zë e ofshan

Sikur vetminë ta mbys me të.

Sa shumë mjeranë mban kjo botë!

Unë, sikur thotë, jam një nga ata

Dhe pija zë i bie mbi kokë

Sa zë gulçon me oh e ah!

REVOLTA E LUMENJVE

Lumenjtë ushtijnë kur dalin nga shtrati

Një forcë e madhe i shtyn të shpërthejnë

Kur zgjasin britmën u shtrihet shtati

Në shtratin e tyre përsëri flejnë.

Në brigje e zbrazin tërbim urrejtjen

Si krah i shtrirë që nuk merr urdhëra

Ndofta rrëshqasin të harrojnë vetveten

Por është e vështirë edhe revolta.

E nëse lumenjtë kanë sy burues

I ndjekin ujërat kur shkëputen

Veç mos të turbullojnë ty frymëzues

Se s’ka më mirë se shtrati ku futen…



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora