Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Salajdin Salihi: Përditshmëri e ngufatur dhe idilë e humbur

| E shtune, 23.05.2020, 11:26 AM |


PËRDITSHMËRI E NGUFATUR DHE IDILË E HUMBUR

Blerim Rrecaj, Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh, Prishtinë, 2020

Nga Salajdin SALIHI

Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh është libër mikst: me skica,poezi dhe shkrime.

Pjesa e parë përfshin njëfarë ditari letrar, një meditim në vetmi. Pjesa e dytë përfshin poezi intime, refleksive dhe sociale. Pjesa e tretë është përmbledhje shkrimesh mbi dukuritë dhe shqetësimet e përditshmërisë sonë.

Blerim Rrecaj, ky pjesëtar i brezit që ka etje e uri «për më shumë liri e dashuri», arrin ta shprehë ndjeshmërinë e brezit të tij. Ai shkruan me diskurs prej letrari duke u frymëzuar nga përditshmëria. Ai shkruan me gjuhë të këndshme figurative, të qartë dhe të kursyer, duke u fokusuar në detaje që i japin kuptim jetës. Ai shkruan për shqetësimin dhe tjetërsimin e njeriut në një botë çudirash teknologjike, që e kanë ndryshuar kiminë e intelektit tonë. Të joshur prej një bote virtuale, që vazhdimisht bombardohet me informacione të shumta, e humbim botën reale, duke ngjarë me Don Kishotin para kthjellimit.

Ai shkruan për një botë psherëtimash, me vajza të bukura që vriten prej telenovelave. Ai shkruan për botën e ngufatur nga rutina. Ai shkruan për botën e reklamave dhe sensacioneve, me probleme të trashëguara, që na e ngadalësojnë hapin gjatë rrugëtimit tonë. Ai shkruan për botën e falsitetit, makutërisë, botën me «bollëk boshllëqesh», «n’presion e n’tension», ku punët «mbesin përgjysmë».

Shpesh i rikthehet botës së idilës, botës së paqme e të fisme. Mbase vjen dita kur njeriu do të provojë të çlirohet nga makthi I teknologjisë dhe të jetë më pranë natyrës, kësaj poezie misterioze, siç e quan Montenji.

Ky ëndërrimtar në shërbim të artit dhe të një bote më të bukur e më të fisme, i pakënaqur nga përditshmëria, kthehet në ishullin më mbresëlënës, atë të fëmijërisë. Është kthim në kohë, kthim në ishullin e prehjes, qetësisë, idilës, paqes, shpresës. «Nga jeta e tashme hidhemi në strehën e kujtimeve të fëmijërisë, për t’iu shmangur paksa të reshurave të përditshmërisë», shkruan Rrecaj.

Përshkrimet e tij më shumë janë ekspresioniste sesa impresioniste. Ai shkruan me fjali të shkurtra (një fjali një mendim), duke e ruajtur koherencën e asaj që rrëfen. Ai e kërkon rregullin - harmoninë - kozmosin në një “panoramë kaotike”, që tronditet nga lajmet e kronikës së zezë.

Duke lexuar këtë libër vërejmë se autori ka kulturë solide jo vetëm të shkrimit, por edhe të leximit. Ai shpesh u referohet mendimtarëve dhe poetëve të ndryshëm. Artistin nuk e bën vetëm talenti, por edhe kultura e madhe. Libri «Gjurmë kujtimesh e ngjyra stinësh» të krijon kënaqësi estetike. Besoj se këtë kënaqësi do ta ndjejnë edhe lexuesit tjerë të këtij libri mikst.