E premte, 29.03.2024, 08:17 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Ca fjalë për librin tim të parë

E shtune, 23.05.2020, 10:13 AM


CA FJALË PËR LIBRIN TIM TË PARË

Nga Blerim Rrecaj

Ideja për të përmbledhur në një libër skica të shkruara dhe të publikuara nëpër disa mediume të ndryshme vinte e largohej, rivinte e mërgonte, me një fjalë më vërtitej e më tundonte hera-herës. Ia nisja punës e e lëja…

Po pse kisha shkruar kështu herë-herë duke u veçuar qoftë në dhomë, në ndonjë lokal, në një qoshk kafeneje, a në verandat e tyre, qoftë me një vrull frymëzimi, gëzimi a pikëllimi, qoftë me mospërmbajtje a nguti, i ndikuar nga leximi i të tjerëve e nga ambient rrethues, qoftë nga diç e pashpjegueshme që lëvizte përmbrenda, disi e prirë nga spontaniteti dhe shoqëruar nga intuita e kushedi dhe se çfarë tjetër. Një mjegull pakënaqësie, ca tone kokëfortësie tek unë dhe tek të tjerët sikur kanë nxitur duelet e betejat qoftë për të sqaruar mosmarrëveshjet, qoftë për ta bindur njëri-tjetrin se në anën e kujt qëndron e dreja dhe e vërteta, apo ato qëndrojnë në mes dhe për të të marrë për krahësh a për të të dhënë krahë duhet përgatitje, dije, durim, veprim. Dhe përballje. Edhe kur kemi ardhur në shtëpi dhe kemi lëshuar një ofshamë mbi qilim, si e thotë Nerimane Kamberi te poezia “Pluhur”. Për të na u kujtuar tash edhe poezia: “Shpejt dhe ngadalë” e Gëtes dhe njëri nga vargjet: “Mos u nxito! Mos u vono! Mejto!”, që të arrijmë te baraspesha që na bën krenar në këtë jetë. E gjetja e ndonjë adrese për të dërguar e publikuar shkrime që diku me të drejtë i pata emërtuar si “përshkëllima” të një të papërmbajtshmi, ma patën hapur oreksin për të shkruar edhe më nëpër fleta të bardha letre e edhe fleta të bardha wordi në kompjuter. Dhe pastaj këto shkrime janë përhapur nga ca zyra ku kam bashkë-punuar në periudha jo të gjata kohore por edhe nga adresa elektronike që ka mjaftuar vetëm një “klik” për t’ua dërguar. (Dhe janë nja 10 sosh ku skicat e mia kanë qëndruar, duke mos-përjashtuar dhe tjera web faqe që kanë marrë të njejtat shkrime e kanë shfaqur, disa tash prej tyre janë mbyllur e jashtë funksionit, megjithatë ja lista për të cilën folëm më lart: “Albapress”, “Mekulipress”, Gazeta e portali “Tung.ch”, “Tribuna Shqiptare”, “Zemra Shqiptare”, “Kosovatimes”, “Pashtriku. org”, “Albaniapress”, “Prizrenpress”, “Infodirekt”, “Portalionline”).

Çast me rëndësi për marrjen e vendimit për përgatitjen e këtij libri ka qenë fillimi i vitit 2018 dhe shkëmbimi që kemi bërë me shkrime me shokun tim të “pasluftës” , (njohja me të në Shkollën e Lartë për Gazetari “Faik Konica”, pas Kthimit të Madh, udhëhequr nga Ramiz Kelmendi) Bekim Muhaxherin. Ai duke më dërguar poezi, unë duke i dërguar skica. E gjatë ndejave e bisedave që kemi pasur më ka sugjeruar se këto skica është mirë të përmblidhen e botohen si shenja dokumentare të kohës sonë. Pas përpjekjeve dhe pajtimeve, vendosëm të marrim vendim që të publikojmë librat tanë të parë, e me pak drojë e pak guxim të shfaqemi para lexuesve.

Libri im ndahet në tre pjesë. Pjesa e parë mund të cilësohet si pjesë kronologjike e një ditari i nisur nga mestetori i vitit 2018 për të vazhduar deri në fundverën e 2019-ës.

Pjesa e dytë përmban një buqetë me vargje, si një lloj ndërmjetëseje mes dy brigjeve të rreshtave me prozë.

Pjesa e tretë po ashtu me skica të shkruara në kohëra e vende të ndryshme, tap-rrap, qoftë duke hedhur fjalë e rreshta me laps, a qoftë duke hedhur fjalë e shkronja me tastierë…

Autori



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora