E enjte, 25.04.2024, 09:58 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: ''Palaço në Prishtinë''

E premte, 22.05.2020, 02:55 PM


“PALAÇO NË PRISHTINË” – POEMË SATIRIKE PËR FËMIJË QË NXJERR BOJËN MASHTRUESVE

Shkruan: Mr. SKËNDER R. HOXHA

Dymbëdhjetë poezitë apo të themi dhymbëdhjetë njësitë poetike të poemës satirike për fëmijë “Palaço në Prishtinë” e Hasan Hasanit: “Palaço në kryeqytet”, “Palaço Don Zhuan”, Palaço shkrimtar, Palaço lakuriq, Palaço superstar, Palaço në fshat, Palaço intrigant, Palaço këngëtar, Palaço me celular, Palaço piktor, Palaço në ekspeditë, Zhdukja e Palaços, paraqesin profile nga më të ndryshmet të një figure sa qesharake aq edhe mashtruese, rrenacake e të çoroditur, të quajtur Palaço, por që as palaço i vërtetë nuk ishte. Kur t’i vargisim e t’i shohim në një vend këta tituj, shohim se këto emërtime e portretizojnë një figurë të keqe siç ishte Palaço i vetëquajtur.

Fillimisht, kur dëgjojnë në Prishtinë se po vinte një Palaço, duke menduar në një Palaço të vërtetë, u gëzuan të gjithë:

Ra alarmi në çdo shtëpi

Edhe fshatrat u njoftuan,

Një Palaço erdh n’Prishtinë

I madh e i vogël u gëzuan.”, (f. 7).

Dhe kur përshkruhet pamja e tij: “Mjekrën e kish si të edhit/ Flokët pa krehur tre vjet,/ Në sheshin Nëna Tereze/ Gorillën e emitonte vetë./, (f. 8). Ndërkaq që edhe fëmijët dhe prindërit që kishin dalë ta shohin, kishin filluar ta përqeshnin sepse nuk u dukej ai Palaçoja që e kishin imagjinuar. Madje ai: “Ky Palaço shkreti/ Veten e quan Don Zhuan”, (f. 11), po ai shkonte edhe më larg: “Unë jam shkrimtar i zoti/ Më të mirë se unë nuk ka,”, (f. 15). Ai ku hynte nëpër lokale, lavdëronte veten, e quante veten “superstar”, e kur shkon me autobus në fshatin Plepishtë, në burrat e parë që rastis, në mënyrë ta paskrupullt prezantohet: “Unë jam një supërstar,/ Jam një këngëtar,/ Piktor dhe kompozitor/ Besa edhe shkrimtar!”, (f. 30). Pastaj Palaçoja vazhdon me intriga e lavde të pavërteta, duke gënjyer e mashtruar, nga qyteti në qytet dhe kur arrin në Prizren,atje prezantohet edhe si këngëtar:

Për fëmijët në Prizren

Kishte një befasi,

“Unë jam një këngëtar

S’kam shoq në histori!””, (f. 39). Aty ishte lavdëruar si këngëtar, sa që: “ Unë këndoj më mirë/ Se Shkurta e Shyhreti,/ Iliri edhe Shaqa/ Visari dhe Ismeti...”. Nga kureshtja e madhe, fëmijët dëshirojnë ta dëgjojnë ndonjë këngë nga Palaçoja dhe i thonë: “Hajt xhaxhi Palaço/ Na këndo një këngë,/ Me atë zë të ëmbël/ Këtë e kemi brengë”. Por, ai, ja se si gjendet në atë situatë në mesin e fëmijëve, i gënjen ata: “Kësaj here nuk mundem/ U kënaq herën tjetër,/ Dhuratat që po marr/ S’i harron miku i vjetër”. ... Dhe më në fund:

Kështu ky far Palaçoja

Gënjeu fëmijët n’Prizren,

Asnjë këngë s’ua këdoi

Iku si sorrë n/Shkëlzen.”, (f. 41). Ai shtirej edhe sikur fliste me të dashurat në celular, pastaj se ishte piktor, bile thoshte se:

Për mua s’paraqet gjë

Van Gogu as Ticiani,

Kush është Ibrahim Kodra

Para këtij Tristani!?”, (f. 49).

Poeti jep tablo nga një aventurë tjetër që i kishte shkrepur në mend Palaços, kur ai merr te arixhiu një ari me qira, nja dy tre shokë me tupan zurlë e me def dhe dalin për t’i zbavitur njerëzit me këtë lloj cirku: “Përveç ariut murrosh/ Veshur me cinglimingla, morën një tupan me zurle/ dhe një def me zhingla.”, ( f. 54).    Dhe kështu: “Kështu nëpër fshatra/ N’Llapin legjendar,/ I kënaqën fëmijët/ me qen dhe me zagarë.”, (f. 55). Pas disa ditësh, edhe pse u kishin premtuar femijeve të disa fshatrave dhe të kryeqytetit se do të ktheheshin prapë, kjo “Ekspeditë” kthehen në kryeqytet: ”Zhlyer dhe përlloçur/ Bërë pis deri në fyt,/ Seç u kthye nga Llapi/ E famshmja ekspedit’.”, (f. 57), dhe nga aty Palaçoja ishte zhdukur, e këtë lajm poeti e shpreh në vargje: “ Tash një javë s’u pa n’qytet/ Po, u zhduk si shurra e pulës,/ Mbetën fëmijët me gisht n’gojë/ Kapërthyer n’lozë t’fasules.

Prandaj, kjo poemë satirike ka për synim vërien në lojë të atyrë veprimeve të Palaços, si eksplikim, për të ironizuar e satirizuar sjelljet, veset, veprimet e këqija e të dëmshme, vese këto që i kishin vërejtur edhe fëmijët, të cilët, më në fund thonë:

Jo, jo, n’libra ne e kemi

Një Palaço vërtet t’dashur,

As s’gënjen me huqe t’veta

Jetën tonë na bën të pasur!”, ( f. 62), strofë me të cilën mbyllet kjo poemë.

Kjo poemë, nga pjesa në pjesë, zgjon këshërinë e lexuesve të vegjël për të parë se çfarë do të bëjë Palaço e çfarë do të ndodhë me të?

Në këto 12 pjesë të kësaj poeme satirike, duke e bërë mirë organizimin e materies poetike, poeti jo vetëm që arrin t’i argëtojë fëmijët, po edhe të tjerët, të mjediseve të ndryshme (qytete e fshatra), por nxjerr në sipërfaqe edhe po aq karaktere të një maskarai që përpiqet të luajë rolin e Palaços! Ndaj, nga përshtypjet që krijohen gjatë vlerësimit dhe interpretimit tim, mendoj se Hasani ka arrirë objektivat e pretenduara. Po ashtu, retorika e kësaj satire është në funksion të mentalitetit të kësaj figure, por është edhe si një paralele tjetër tipologjike në poezinë për fëmijë të Hasan Hasanit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora