Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikë Gashaj: Nikolla Pashiqi dhe shqiptarët

| E premte, 22.05.2020, 02:40 PM |


NIKOLLA PASHIQI DHE SHQIPTARËT

Nga Nikë Gashaj

Duke vazhduar pa ndërprerje politikën e qeverisë serbe qysh nga viti 1912, qarqet sunduese të Jugosllavisë borgjeze gjatë tërë periudhës së sundimit paten si qëllim strategjik eliminimin total të shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën shpërnguljen e tyre në vise të tjera të Jugosllavisë me qëllim të shkatërrimit të homogjenizimit të jetës së tyre në territoret përkatëse. Gjithashtu, qëllimi strategjik u përqëndrua në procesin e denacionalizimit dhe të asimilimit të nacionalitetit shqiptarë  në Jugosllavi. Programin e këtillë të luftës kundër shqiptarëve qarqet sunduese e realizuan me metoda dhe forma të shumta, ndër të cilat po përmendim këto:

a) Qarqe më ekstreme dhe më reaksionare shoviniste të Jugosllavisë borgjeze synuan eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë edhe nëpërmjet të gjenocidit fizik. Ky qëllim u realizua nëpërmjet të masakrimit masiv të shqiptarëve më 1912 dhe prej 1918 deri më 1924, si dhe nëpërmjet të vrasjes e të likuidimit individual të njerëzëve deri në vitin 1941. Gjithashtu, pas sulmit të forcave fashiste kundër Jugosllavisë më 1941 u keqpërdor ushtria për masakrimin e shqiptarëve në disa vise të Kosovës. Përndryshe, gjatë tërë kohës së sundimit të Sërbisë monarkiste dhe të Jugosllavisë borgjeze këto forca ekstreme zbatuan terror dhe keqëpërdorime permanente ndaj popullsisë shqiptare me qëllim të zhdukjes së tyre fizike.

b) Pjesët më liberale të qarqeve sunduese në Jugosllavinë borgjeze shpresuan se shqiptarët do t’i eliminojnë nga trualli i Jugosllavisë nëpërmjet të denacionalizimit dhe të asimilimit ty tyre. Në këtë drejtim optimisti më i madh ishte Nikolla Pashiqi i cili më 1918 deklaroi se në priudhën e 25  vjetëve të ardhshme shqiptarët do të eliminoheshin. Mëndim të ngjashëm shprehu edhe prefekti në Prishtinë, i cili shpresoi se “arnautët me kalimin në fenë ortodokse do të braktisin kombësinë e vet, sepse e dinë se  paraardhësit e tyre ishin ortodoksë”. Mirëpo,  për arësye të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në rezistencën ndaj politikës së asimilimit, për arsye të vështirësive të mëdha në eliminimin e gjuhës shqipe, që kishte pak pika të përbashkëta me gjuhën serbokroate, dhe për arsye të kundërvënies së vendosur të masave shqiptare procesit të denacionalizmit, ky qëllim për asimilimin e popullsisë shqiptare nuk mund të realizohej gjatë tërë periudhës së Jugosllavisë borgjeze.

c) Duke parë se eliminimi i shqiptarëve me ndihmën e gjenocidit fizik dhe të asimilimit nuk dha rezultate të dëshiruara, qeveria jugosllave inicoi debatin “shkencor” në Klubin kulturor të Serbisë më 1936, i cili duhej të gjente rrugë dhe mënyra të reja për eliminimin e kombësisë shqiptare nga trualli i Jugosllavisë, ose të paktën për eliminimin e homogjenizimit të saj në territoret përkatëse të të ashtuquajturës Serbi Jugore. Në këtë debat u dalluan posaçërisht Gjoka Perina, Orestije Kërstiq, Borivoje Bunjevac, Vasa Çubrilloviq e të tjerë.

Në këto diskutime u përqëndrua në atë se nëpërmjet të asimilimit dhe të kolonizimit të deriatëhershëm të viseve ku jetonin shqiptarët nuk mund të eliminojej homogjenizimi i shqiptarëve në territoret gjegjëse të të ashtuquejturës Serbi Jugore dhe se kjo do të mund të arrihej vetëm me shpërnguljen masive e të dhunshme të shqiptarëve në botën e jashtme, në rend të pare në Turqi. Shpërngulja e këtillë, sipas pohimeve të këtyre autorëve, kishte rëndësi të madhe kombëtare, strategjike dhe politike për shtetin jogosllav.

Mbasi konstatoi se me politkën e deriatëhershme shtetërore nuk u pakësua, por u shtua homogjenizmi i shqiptarëve në territoret përkatëse, Gjoka Perina tha: “Këta arnautë, si elementë i huaj, përbëjnë sot një rrezik kombëtar dhe politik. Janë të shumtë, të fuqishëm e kompaktë, kanë zënë pozitë qendrore dhe na kanë ndërprerë kontinuitetin si dhe lidhjet shumë të rëndësishme të komunikacionit, që duhet të kalojnë nëpër ato vise”. Sipas tij, do të ishte më së miri sikur shqiptarët të shpërnguleshin në masë në botën e jashtme ose, nëse kjo është e pamundshme, atëherë me tranferimin e popullsisë në viset ku jetojnë shqiptarët dhe me shpërnguljen masive të shqiptarëve në vise të tjera të Jugosllavisë, të paktën të arrihet shkatërrimi i homogjenizimit të shqiptarëve në territoret përkatëse. Mirëpo, alernativa mbi shpërnguljen masive të popullsisë në Jugosllavi nuk u pranua në kushtet e përgatitjeve për Luftën II Botërore dhe për arsye se një gjëje të këtillë do t’i kundërviheshin të gjitha forcat demokratike në vend.

Alternativa më e pranueshme për eliminimin e shumicës së popullsisë shqiptare nga territoret përkatëse ishte ajo e Vasa Çubrilloviqit, i cili për këtë diskutim përgatiti studimin më voluminoz, në të cilin u shkoqitën konkretisht të gjitha metodat dhe instrumentet që do të duhej të shfrytëzoheshin për eliminimin e shqiptarëve nga trualli i Jugosllavisë, përkatësisht për shpërnguljen masive të shqiptarëve në botën e jashtme – në Shqipëri, e sidomos në Turqi.

Duke bërë fjalë për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, Çubrilloviqi thotë:”Duhet përdorur të gjitha mjetet diplomatike që Tirana të bindet për të pranuar një pjesë të të shpërngulurve tanë”. Në këtë drejtim, sipas tij, duhej bërë presion mbi qeverinë shqiptare dhe “nëpërmjet të kanaleve të fshehta të angazhohen materialisht njerëz të dalluar”(Hajredin Hoxha). Mirëpo, siç theksonte Çubrilloviqi. Gjasat për shpërnguljen më masive të shqiptarëve në Shqipëri nuk ishin reale edhe për shkak të rezistencës së Italisë ndaj kësaj shpërnguljeje. Përndryshe, qeveria jugosllave nuk ishte shumë e impresionuar për shpërnguljen e shqiptarëve në Shqipëri, sepse këtë nuk e konsideronte zgjidhje të përhershme për eliminimin e shqiptarëve prej trojeve të tyre nga se përvoja tregoi se ata, për arsye të afërsisë, ktheheshin përsëri në trojet e veta sapo u jipej rasti historik.

Për këtë arsye Vasa Çubrilloviq konsideroi se alternative më reale për eliminimin e shqiptarëve nga Jugosllavia ishte shpërngulja e tyre masive e dhunshme në Turqi. Duke bërë fjalë për këtë, ai thotë:”Turqia është e gatshme që në fillim të pranojë afro 200 mijë të mërguar tanë, por kushtëzon që, çka për ne është gjëja më e pranueshme, këta të jenë arnautë. Dëshirën e turqve duhet pranuar sa më parë me plot vullnet dhe të realizohet sa më shpejtë konventa mbi shpërnguljen”. Duhet theksuar se Turqia insistonte në shpërnguljen e shqiptarëve e jo të turqve nga trualli i Jugosllavisë, për shkak të synimeve dhe të pretendimeve të saj shekullore mbi këtë pjesë të Ballkanit.

Orientimi kah shpërngulja masive e shqiptarëve në Turqi, sipas Çubrilloviqit, do të mund të nxiste opinionin publik, e sidomos qeverinë italiane dhe atë shqiptare që t’i kundërveheshin kësaj. Për këtë arsye disi duhej “bindur Shqipërinë të shikojë e qetë këtë gjë. Mjeshtria e veprimit ndaj Tiranës, si dhe paratë e përdorura me vend do të mund të ishin vendimtare” për realizimin e këtij qëllimi.

Qeveria jugosllave, duke vazhduar kontaktet dhe bisedat me Turqinë rreth çështjes së shpërnguljes së popullsisë nga Jugosllavia, të cilat filluan qysh në vitin 1924 e vazhduan intensivisht më 1935, arriti nënshkrimin ndërmjet dy qeverive të marrëveshjes mbi shpërnguljen e të ashtuqueturave emigrantë në Turqi. Me atë marrëveshje ishte paraparë shpërngulja e 250 mijë emigrantave, përkatësisht shqiptarëve në Turqi. Mirëpo, me marrëveshje të fshehtë ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë u vendos që në Turqi të shpërngulen afro 400 mijë banorë të Jugosllavisë.

Në Jugosllavi u morën masa që shqiptarët të shpërnguleshin me dhunë në Turqi. Ndër të tjera, në ligjin civil u përfshi klauzula se banorëve myslimanë mund t’u lëshoheshin lejet për shpërngulje në botën e jashtme brenda 24 orësh.

Në kuadrin e presionit të përgjithshëm mbi masat shqiptare për shpërngulje të dhunshme në Turqi më 1937 u ndërmorën aksione të reja për marrjen masive të tokës së punueshme shqiptarëve me qëllim të kolonizimit të ri ose të shitjes të kësaj toke serbëve vendas. Në studimin e përmendur të Çubrilloviqit shkoqitën me precizitet metodat e llojllojshme të presionit mbi masat shqiptare, duke filluar prej marrjes masive të tokës së punueshme deri te zbatimi i presionit e të terrorit më brutal dhe gjenocidi fizik. Për këtë qëllim ai rekomandoi ndaj myslimanëve shqiptarë, si dhe keqpërdorimin, maltretimin dhe fyerjen e tyre permanente në çdo pikëpamje.

Zbatimit efikas të politikës së shpërnguljes masive dhe të dhunshme të shqiptarëve në Turqi iu kundërvunë vendosmërisht masat popullore të kombësisë shqiptare. Ndërkaq, në fillim të Luftës II Botërore, e sidomos pas okupimit të Shqipërisë më 1939,  në mbarë Jugosllavi u krijua psikoza e luftës, prandaj qeveria jugosllave nuk mund të zbatojë marrëveshjen e arritur me Turqinë rreth shpërnguljes masive të shqiptarëve  dhe për shkak të rezistencës së shqiptarëve ndaj kësaj shpërngulje.

Në anë tjetër, qeveria turke nën ndikimin  e Gjermanisë dhe të Italisë, nën presionin e inteligjencës shqiptare në ambasadën turke në Beograd dhe me veprimtarinë e forcave demokratike në vetë Turqinë, vështirësoi e mandje edhe e sabotoi procesin e realizimit të marrëveshjes së përmendur mbi shpërnguljet nga Jugosllavia në Turqi.

(Autori është politolog)