E merkure, 24.04.2024, 12:22 PM (GMT+1)

Mendime

Florim Zeqa: Roli prijës i intelektualit në shoqëri!

E premte, 22.05.2020, 12:14 PM


Roli prijës i intelektualit në shoqëri!

Shkruan: Florim Zeqa

Për të folur rreth rolit të intelektualit në shoqëri duhet kohë dhe hapësirë, kërkohet çasje serioze dhe pragmatike, për shkak se roli i intelektualit në një shoqëri është shumë i madh, e në veçanti në shoqërinë tonë është shumëdimensional dhe i pakompensueshëm.

E madhe është mungesa fizike, e dëmshme dhe e patolerueshme heshtja dhe indiferenca politike e intelektualit në rrethanat e tranzicionit politik e sidomos në rrethanat e një procesi pas zgjedhor, gjegjësisht të ngërçit politik që sot po kalon Kosova.

Zgjimi i intelektualëve nga agonia e thellë

Vite më parë në një shkrim timin më titull; "Intelektualët e heshtur të një populli të fjetur", u mundova të zgjoj ndërgjegjën e disa prej intelektualëve të heshtur e të përgjumosur, qe në të kaluarën jo shumë të largët bartnin poste të larta, ishin; kryetar, nënkryetar, ministra, kuvendar, kryetar komunash, anëtar kryesie,...etj, e që sot janë strukur në strofullen e tyre dhe bëjnë "sehirë" thuajse nuk po ndodhë asgjë në Kosovë!

Atë që nuk arrita më një mijë fjalë në një arikull gazete, e  arrita më dy fjalë më një postim të shkurtër të në rrjetin social Facebook.

Ashtu siq ishte i aspektit pozitiv komenti im, i të njëjtit nivel nuk ishte edhe reagimi i intelektualit të fjetur,...siq thotë populli "atij që i djegë miza nën kapelë lajmërohet i pari", duke thyer heshtjen e gjatë më një koment në stilin e tij të zakonshëm sa filozofik, po aq demagogjik...

Mënjëherë pas reagmit të intelektualit, më lajmërohen  qytetar të shumtë,...të cilët  pas fjalëve përshendetëse, më drejtoheshin më fjalët; "zoti Zeqa ju falenderoj që arritet t'i nxirrni nga goja një fjali kaq të gjatë intelektualit  tonë të fjetur, ka kohë që na mungon intelektuali, nuk e dinim ku ndodhet intelektuali,...e shumë fjalë tjera që përmbajtje kishin kthimin e intelektualit në shtëpinë që e rriti dhe ngriti në nivelet më të larta".

Nganjëherë edhe kështu duhet gjetur mënyren për t'ua thyer heshtjen intelektualëve të fjetur, ishte përgjigja ime!

Një njeri që i thotë vetes intelektual e atdhetar, e që sot rrin indiferent ndaj zhvillimeve politike në vendin e tij,...le t'i thotë çfarë të dojë vetes, por në realitet nuk mund të jetë intelektual në kuptimin e fjalës.

Jam munduar ta gjejë arsyen e heshtjes së disa intelektualëve të kalibrit përballë rrënimit të vlerave në subjektet tona politike dhe shoqërinë në përgjithësi.

A është frika nga përballja me grupet e interesit apo ambiciet e larta për pushtet, ketë nuk e kam të qartë dhe as që kam të drejtë ta prejudikoj,...por do të jetë e ardhmja ajo që do t'i nxjerrë në shesh te gjitha "fshehtësitë" e indiferencës intelektuale!

Roli prijetarë i intelektualit

Merreni me mend çfarë do të ndodhte sikur të tërhiqeshim të gjithë nga shkrimet dhe reagimet siq janë tërhequr një pjesë e intelektualëve të "kalibrit",...në ketë vend nuk do të bëhej më fjalë as për prosperitet, as për ndryshime pozitive, as për zgjedhje demokratike, as për zhvillim ekonomik dhe as për mirëqenje qytetare,...do të fashiteshim deri në tjetërsim kombëtar e njerëzor nga qeverisja e antivlerave.

Ndoshta disa intelektual të kalibrit të "lartë" janë duke menduar  sikurse disa arsimtar më përvoj të viteve  të '90-ta, kur e lanë arsimin shqip për të ikur drejt vendeve evro-perëndimore, kur thoshin, po citoj; "tani ka mjaftë të pashkolluar  që punojnë pa paga, ne do të kthehemi kur të bëhet mirë"...e ndoshta për intelektualët e fjetur, mirë do të bëhet kur në Kosovë nuk do të ketë më banda kriminale që do t'ua rrezikonin jetën për pushtet,...ndoshta neve që jemi aktiv dhe të pandalshëm në përballjen më dukuritë negative dhe mbeturinat e sistemeve totalitare na konsiderojnë të krisur apo naiv!?

S'ke si e argumenton ndryshe deklarimin e një intelektuali të kalibrit, por citoj; "Jam anëtarë i thjeshtë dhe do t'i qëndroj besnik partisë", pa e bërë as përpjekjen minimale për ndryshimin e gjëndjes në subjektin që pretendon që është pjesë e tij.

Në asnjë rrethanë dhe me asgjë intelektuali i kalibrit të lartë nuk mund ta arsyetoj heshtjen dhe indiferencën ndaj zhvillimeve politike në vendin e tij me deklarimet; jam anëtarë i thjeshtë, jam qytetar i thjeshtë, i barabartë, etj...pasi kjo bie në kundërshtim më nivelin e tij intelektual!

Intelektualët që i nënshtrohen tutelës së pushtetit janë pseudointelektual

Intelektualët e shkëputur nga interesat e popullit punojnë vetëm për interesat e pushtetarëve, e më së paku ose hiq për interesat e qytetarëve. Intelektualët në shërbim të pushtetarëve të gjitha energjitë e tyre i shpenzojnë për revanshizëm ndaj intelektualëve aktiv dhe të pavarur duke i mbajtur në thumb të kritikës, si "përçarës dhe rrënues të sistemit".

Përderisa të gjithë intelektualët e shteteve të Balllkanit dinë të bashkohen dhe pajtohen në kohë krizash nacionale, duke lënë mënjanë mospajtimet dhe zënkat personale,...tek ne akoma zhvillohet një revanshizëm primitiv i përcjellur me urrejtje patologjike, me tendencë shkatërrimtare për shtetin e Kosovës, i cili po kalon orët më të liga që nga përfundimi i luftës e këndej.

Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se fusha e politikës është e mbuluar me pseudopatriot dhe pseudointelektual të graduar me diploma dhe tituj shkencor me plagjiaturë në shkollat e "natës", të instaluar në universitetet publike dhe private, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë intelektual të profilit ideologjik dhe partiak, por jo edhe intelektual të mirëfilltë të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar, siq i kishim në të kaluarën jo shumë të largët.

Intelektualët e vërtetë, opozitë e antivlerave

Intelektualët e vërtetë duhet të marrin rolin e opozitarizmit ndaj antivlerave, ndaj shërbëtorëve të pushteteve të korruptuara.

Intelektualët e vërtetë nuk guxojnë të heshtin përballë sfidave të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por duhet gjetur rrugë dhe mënyra të reja të organizimit jasht koncepteve dhe ideologjive partiake, për të krijuar një organizim të mirëfillt të shoqërisë sonë konformë rrethanave të reja kohore në funksion të unifikimit dhe bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një front të përbashkët, për të mbrojtur Republikën e Kosovës nga ndarja si dhe mbrojtjen e shoqërisë nga degjenerimi i antivlerave dhe kulturave të huaja të instaluara në hapësirat ku jetojnë shqiptarët.

Intelektualët e mirëfilltë edhe përkundër këmbimit të ideve dhe mospajtimeve për tema të caktuara, asnjëherë nuk thyhen mes tyre, përkundrazi prodhojnë një gamë të gjërë mendimesh dhe ideshë në funksion të shtetit dhe të mirës së qytetarëve.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora