Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Enver Bytyçi: Serbia si model i Edi Ramës për shkatërrimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve!

| E merkure, 20.05.2020, 11:59 AM |


Serbia si model i Edi Ramës për shkatërrimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve!

Nga Enver Bytyçi

Teatri Kombëtar i Shqipërisë u rrënua. Natën, me forca policore, me dhunë mbi artistët, me policë me maska e automatikë në dorë, pa numra, pa emra, me fadromën e pushtetit, në mënyrë inatçore dhe frymë e psikologji të njëjtë si ajo që ndjehej në kohën e Milosheviçit në Kosovë. Policët e mëngjesit dhe paradites së 17 majit te Teatri shfaqën të njëtën urrejtje si edhe policët serbë në Kosovën e pranverës së vitit 1999. “Le të vdesin artistët brenda teatrit”, kërcënuan dhe nisën shembjen pa paralajmërim, pa u shqetësuar aspak se brenda godinës ishin me dhjetëra artistë në mbrojtje të godinës dhe kësaj trashëgimie të papërsëritshme në kushtet e Shqipërisë. Burime të sigurta më kanë informuar dje se në strukturat e policisë janë rekrutuar 3000 SS të Forumit Rinor Socialist, të cilët udhëzohen në zyrat e Partisë që të mos kenë asnjë mëshirë kundër çdo shqiptari që kërcënon pushtetin e Edi Ramës. Ata ishin pjesa e maskuar dhe të pajisur me automatikë. Ata kërcënuan artistët me jetë!

Shembja e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë pati në thelb hakmarrjen, pse ajo ndërtesë ishte ndërtuar prej Italisë Fashiste. Partizanët barbarë të 17 Majit 2020 pasi i shpallën luftë prej 22 vitesh godinës “fashiste”, e shembën atë me pabesi e në pandemi. Njësoj siç serbët shembën në vitin 1999 e më parë objektet e trashëgimisë kulturore e historike të shqiptarëve në Kosovë, përfshirë kompleksin e Lidhjes së Prizrenit!

Jo vetëm kaq, në rrënoja pushteti pa emër i Tiranës zhduku krejt trashëgiminë e historinë e këtij teatri. Nuk priti dritën e diellit që të pastronte objektet dhe eksponatet që kanë shkruar histori. Në ato rrënoja u zhduk historia në skenë e Naim Frashërit, Sandër Prosit, Kadri Roshit, Violeta Manushit, Roza Anagnostit, madje dhe e firmatarëve aq të propaganduar të Edit dhe Erionit si Robert Ndrenikës, Piro Manit e të tjerëve. Kjo të kujton zhdukjen e 300 mijë artefakteve dhe librave fetarë e liturgjikë, të cilat diktatura i varrosi në rrënojat e kishave dhe xhamive, sidomos në Shkodër! Por të kujton dhe zhdukjen dhe ndjegien e bibliotekës më të vjetër në Ballkan të Gjakovës në vitin 1999 nga ushtria dhe policia serbe.

Edi Rama dhe Erion Velija kryen një akt që do të shënohet si ngjarja më tragjike në historinë e kulturës dhe artit skenik shqiptar. Ndaj shqiptarët duhet ta marrin një vendim të prerë dhe të pakthyeshëm: - Në atë vend ku sot gjenden rrënojat e teatrit të vjetër 82 vjeçar të ndërtojnë të restauruar teatrin e ri, me të njëjtën arkitekturë dhe 17 maji të shpallet dita e lirisë dhe kurajës së artistëve! Ashtu siç ndodhi pas luftës me Kompleksin e Lidhjes Shqiptare në Prizrenin e lashtë! Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar në Tiranë duhet të shndërrohet si objekt i kujtesës historike të ditës së zezë të së dielës së 17 majit 2020. Në një anë të këtij kompleksi do doja të ndërtohet një banjo publike, në muret e saj të skaliten fotografitë e Edi Ramës dhe Erion Velisë. Kjo duhet bërë me qëllim që askush, kurrë më, të mos guxojë të nëpërkëmbë dinjitetin kombëtar e moral të shqiptarëve!

Teatri Kombëtar i Shqipërisë u rrënua nga ai që i dha çelësin e kryeqytetit këngëtarit të Milosheviçit, Goran Bregoviç. Ky teatër u rrënua nga ai që në Beograd mburret dhe ndjehet krenar me veprën e antishqiptarit serb, Ivo Andriç. Autor i ditëzisë së 17 majit ishte ai që në vjeshtën e 2016-ës i thurte lavde regjisorit të filmave të preferuar të Milosheviçit, Emir Kosturicës! Ky autor shkatërrues i identitetit dhe trashëgimisë së shqiptarëve e ka emrin Edi Rama: Ai është vetë-deklaruar si probatin i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq! Dhe me bekimin e Serbisë është shpallurprej dy dekadash si si rrënues dhe shkatërrues i unitetit kombëtar, i trashëgimisë historike e kulturore të shqiptarëve dhe rrënues e shkatërrues gjithashtu i lidhjeve pan-shqiptare në Ballkan, si dhe shtetësisë dhe territorit të Kosovës. Ky është dhe mbetet ai që thirret me emrin Edi Kristaq Rama! Velija është konia e tij!

Por akti barbar i Ramës dhe Velisë nuk i ngjan akteve barbare serbe vetëm në përmbajtje. Ata kanë kopjuar edhe formën në modelin serb. Shikoni si hiqen pasi kryejnë aktin e shkatërrimit: Thonë “hajde tash të bashkëpunojmë”, duke fyer qëndresën 27 mujore të atyre burrave e grave artistë që rezistuan ditë e natë në mbrojtje të Teatrit! Sa herë arrijnë ta rrënojnë identitetin shqiptar, ata tërhiqen përkohësisht dhe bëhen “paqësor”! Sapo ti të jesh joshur nga oferta e tyre, të hidhen në grykë, të lëshojnë gazin lotsjellës, madje aplikojnë pikë për pikë doktrinën serbe të linçimit të kundërshtarëve.

Vetëm një fakt: Dje, më 18 maj u organizua përsëri protestë te teatri. Unë pashë me sytë e mi se si një grup kapuçezinj të rinjsh i dolën përpara kreut të opozitës dhe thërrisnin “Ik, Ik, Ik”! Hodhën dhe kapsollë. Ata ishin aty dhe rrinin të heshtur derisa erdhi kryetari i Partisë Demokratike. U duk qartë se kishin vetëm një mision: Ta njollosnin figurën, rolin dhe kontributin e opozitës në mbrojtje të Teatrit! E gjitha ishte organizuar nga Erion Velija përmes beniaminit të tij, një profesori me mbiemrin Qorri. Njerëzit e stalinistit Qorri ishin paguar që ta “denigronin” Lulzim Bashën! Ndërsa sot vetë Erioni e pranoi këtë kurth të tijin kur deklaroi në ekrane televizionesh se “I patë dje, ata u rrahën me njëri-tjetrin te teatri”! Edi Rama dhe Erion Velija janë të pafytyrë! Pleqtë dhe plakat thoshin, kur dikush nuk korrigjohej: “I ka ikë marrja, nuk i ka mbet më fytyrë”! Prandaj mos prisni që ata të reflektojnë. Ata duhen rrëzuar me çdo mjet!

Kjo lojë më kujtoi platformën e Vojisllav Shejshelit kundër Rugovës dhe lidershipit në Kosovë, platformë e botuar në mediat e Beogradit në vitin 1995. Sipas Shejshel, udhëheqësit e Kosovës duhej të diskreditoheshin gjatë vizitave që ata bënin në vendet e Perendimit. Madje rekomandonte që të infektoheshin me AIS dhe kur të vinin në kthim në Prishtinë t’u bëheshin analizat dhe të diskreditoheshin në sytë e shqiptarëve.

Ky model po përdoret kundër të gjithë liderëve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo, të cilët nuk pajtohen me Edi Ramën. Eshtë model i rekomanduar nga strukturat serbe të pushtetit dhe akademisë, ku bën pjesë dhe memorandumi antishqiptar i atij që Rama adhuron, Ivo Andriç. Mjeshtër i kësaj formule në zbatim është konja e tij, Erion Velija. Ai ka mësuar që këlysh të manipulojë me metodat serbe të linçimit të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Griselda e kreut të Bashkisë së Kavaës, Elvi Roshi, u mbars nga Velija përmes e-maileve që u shkuan të gjitha kancelarive perendimore dhe u masakrua nga “regjimi” i Berishës. Kur e vërteta doli në shesh, pra kur doli se Griselda nuk ishte shtatzënë dhe nuk ishte dhunuar nga “regjimi”, fjala kishte marrë dhenë.

Duheshin muaj e ndoshta vite për ta bind botën se kjo ishte një gënjeshtër e sajuar nga ai që sot është kryetar i Bashkisë së Tiranës! E njëjta gjë është me teatrin dhe gjithë lojën teatrale të Ramës dhe Velisë!