E premte, 29.03.2024, 01:26 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Zeusi i plakur (II)

E marte, 19.05.2020, 12:37 PM


ZEUSI I PLAKUR

…ose historia e një libri poetik, në vend të një prezantimi…

(Duke lexuar e vlerësuar vëllimin e pare poetik të Sabit Rrustemit, KU I LA LISAT ERA,  “Rilindja”, Prishtinë,  1990 )

Nga Timo MERKURI

Pjesa e II

Kushdo që e njeh sadopak mitologjinë e di  historinë e Zeusit, fëmija që nëna e shpëtoi nga ati fëmijëvrasës (Kroni) dhe e shpuri në ishullin e Kretës, ku e rriti me qumështin e dhisë amalthea. Qysh nga ky moment Zeusi shfaqet në historinë mitologjike si triumfues nëpër beteja (me atin e tij dhe  titanët) apo si një djalosh çapkën që hynte në krevatin e vajzave të bukura, duke e mbushur dheun me bij e bija. Me së shumti njihet si një mbajtës i rregullit mes perëndive  në Olimp apo “fshirës” i zullumeve të tyre në tokë, duke këshilluar me fjalë apo qëlluar me rrufe. Por gjithsesi asnjëherë nuk e kemi hasur Zeusin të plakur dhe këtë e kemi pranuar si konceptin që  “perënditë nuk plaken[1]”.

Prandaj u befasova kur mësova se Sabit Rrustemi bash në “mbretërinë e Olimpit jugosllav”, në “stinën” e rrufeve zeusiane ka guxuar të flasë për plakjen e Zeusit si për një plak teveqel, të qorruar nga sytë e shurdhuar nga veshët, të matufosur gjer në skaj…Duke përbiruar botën/Nëpër vrimë gjilpëre/Drita të harroi…/As afër as larg nuk sheh/Sy-verbër sy-shtrembër… As afër as larg nuk ndien/Vesh i shurdhër…

Ndoshta është i pari poet nga Kosova që guxon ta sfidojë Zeusin pikërisht në kohën që ai pëpiqet t’i mbushë mendjen botës se është në kulmin e fuqive të tij si perëndi, ndonëse e sheh se është në prag të greminësPaudhësitë të shpunë/Nga s’kthen më…Me gishtat që dridhen / S’futet peri në vrimë gjilpëre …prandaj …Si i çmendur/Shikon kohët që vijnë/ Në vete çirresh e grihesh/ Pa zhurmë….Ndoshta është i pari  poet që guxon t’i bëjë gjyqin politik poetikisht një “perëndie” zullumqare…Zjarrin e ruan gjetkë/Me zili i sheh promethetë/Memec i shekullitdhe që në zjarrin që ka ndezur e ka përfundiminVetveten sëpari djeg….

Tronditëse vijnë vargjet e tjera…Po plakesh/Tash asgjë nuk të kujtohet/…/Kot bëhesh servile/ Fëmijë reprise/…Prej ballit kodër/Vëngër vështron/Presat e vdekjeve kah ndërrojmë..

Një portretizim sa real (te vargjet..po plakesh…) aq dhe ironik te vargjet vijuese, sa që harron se bëhet fjalë për Zeusin “perëndi” për të aritur te vargjet tronditëse ku Zeusi shikon vëngër presjet e vdekjes, dhe pjesëza “kah ndërrojmë” e vargut e cila tregon rolin e poetit në këtë fund plakjeje të Zeusit. Pas këtij vargu lexuesi pyet veten se si ka mundur të shpëtojë poeti pa u goditur nga ndonjë rrufe “zeusiane”.Ja që poeti ka lindur me fat dhe arsyeja e këtij “fati” shpëtimtar është se:

1)- Poetët shqiptarë të Kosovës për të shpëtuar nga “rrufetë zeusiane” përsosën deri në kufijtë e skajshëm artin poetik. Metafora dhe simbolika e tyre ishte më se e përsosur, sa që edhe ne lexuesit shqiptarë të  saj na duhej të mendonim shumë mbi vargjet e poezive të tyre për të zbërthyer mesazhin, i cili na trondiste me forcën e tij, kur e lexonim në kontekst të kohës dhe vendit. Metaforizimi i poezive dhe simbolika e tyre ishin një mburojë e fortë për poezinë dhe poetin nga strukturat  policore të kohës, të cilat më së shumti mendonin se kishin të bënin me një “poezi hermetike”, moderniste që folka për Zeusër, Kartagjenat, lisat etj gjëra larg politikës aktuale.

2)-Gjithashtu, ndihmesë të madhe ka patur edhe fakti se poetët më në zë kosovarë, të cilët kishin “fituar” një farë statusi public, ishin gjithmonë në mbrojtje të poetëve më të rinj, që në vrullin e moshës guxonin të qëllonin me vargje Zeusin dhe Olimpin.

Kështu i ndodhi poetit Sabit Rrustemi psh me poezinë “KARTAGJENA” ( nga vëllimi poetic BESOJ NË NJË DIELL, 1992 ), të cilën miku i tij, poeti Faruk Tasholli e botoi me pseudonim[2]..ose për poezitë “MPLAKJA E ZEUSIT” që ishte paraparë  të botohej te “JETA E RE”, si pjesë e një konkursi anonim letrar ( 1980 ) dhe ishte renditur e faqosur, por u hoq nga botimi menjëherë për shkak se Sabit Rrustemi u arrestua ( 8 maj 1981 ) dhe kjo poezi mund t’i shkaktonte telashe penale, jo vetëm autorit të saj po edhe stafit drejtues të vetë revistës.

Me këtë qëllim  janë hequr edhe dhjetë poezi të  tija ( pjesë e vëllimit të parë poetik, KU I LA LISAT  ERA, e përgatitur për botim, shkurt 1981)  të cilat ishin përzgjedhur për ANTOLOGJINË E POEZISË SË RE NË KOSOVË, "LULET NË BALLKON"  nga dr. IBRAHIM RUGOVA dhe që  ishin renditur per botim, por për shkak se mund të përdoreshin si shkas për ndalimin e librit ( siç ndodhi më pas, shkaku I përfshirjes së poezive të Mustafë Xhemajlit) po edhe s provë gjyqësore në atë kohë të porsa arestimit kundër Sabit Rrustemit.

Në këtë drejtim, shumë poetë dhe shkrimtarë shqiptarë të cilëve u ka munguar “solidarizimi” real me sivëllezërit e tyre të goditur nga diktatura qëndrojnë kokëulur e të heshtur përpara poetëve e shkrimtarëve kosovarë.

Ruajtja e identitetit kombëtar përmes artit letrar

Në një shikim retrospektiv për kohën e shkrimeve të Sabit Rrustemit nga fundi i viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, shohim se ka qenë koha e një kundërvënie në rritje kundër sistemit monist (zeusian) në ish Jugosllavi dhe sidomos në Kroaci, Kosovë etj. Kjo kundërvënie është pasqyruar  në letërsi nga Rexhep Elmazi, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Ymer Shkreli, Jusuf Gërvalla etj emra simbol të botës letrare kosovare. Pikërisht fundi i viteve shtatëdhjetë nxori dhe një plejadë të re  krijuesish të cilët përmes artit letrar ishin oponencë e fortë e atij pushteti, i cili në Kosovë llogaritej me të drejtë edhe si pushtues.

Pjesë e këtij  brezi kundërshtarësh ishte edhe Sabit Rrustemi, ndonëse nuk i përkiste asnjë formacioni ilegal politik, pos formacionit letrar që (jo rastësisht) ecte në hap me kërkesat e shqiptarëve të Kosovës. Kjo është arsyeja që poezia e Sabit Rrustemit  bart dhe është pjesë e kësaj fryme opozitare aktive me mision kundërshtimin e shkombëtarizimit të popullit dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.

Qysh në poezinë e parë “NATYRË E GJALLË” të librit të tij të parë poetik “KU I LA LISAT ERA”( i cili u botua me nëntë vite vonesë, 1990 ), Sabit Rrustemi pasqyron pozicionin e tij si poet kur shkruan:… Furtuna m’i gëlltiti gjethet/Acari m’i dogji degët/Mbeta trung cubak/Natyrë e gjallë në rrënjë/../Ruaj dheun nga vërshimatduke e simbolizuar Kosovën me një lis degëdjegur por që rrënjët e thella rruajnë dheun (amë) nga  “erozioni” sllav.

Sa poetik aq dhe real shkencërisht është ky varg, por përtej kësaj mua më kujtojnë edhe  arbëreshët te “ETJA E GURËZUAR” e Anton Nik Berishës të cilët …mbillnin dheun e sjellur nga Arbëria që  të shtohej, sepse duhej t’u hidhnin nga dheu amë të vdekurve, ndryshe nuk treteshin… apo vargun famoz të  Homerit që … pellazgët janë të mbirë nga dheu…, domethënia e të cilit qaset te vargu i Sabitit.

Për kohën kur janë shkruar dhe publikuar (1977 - 1981 ), këto poezi u mirëpreitën ngrohtësisht si në rrethet letrare, në mesin e lexuesve po edhe në pjesën  “ilegale” shqiptare që vepronte në Kosovë e jashtë saj sepse kjo frymë poetike përputhej me orientimin kombëtar,  me synimet liridashëse të kësaj pjese të kombit.

Sabit Rrustemi  nuk ishte emër i panjohur edhe për politikën serbe e kjo u duk hapur më 1981

kur një tregim i tij u cilësua si armiqësor dhe kjo i solli  autorit një sërë  problemesh gjyqësore, për të cilat folëm më sipër..  Prandaj po mendoj se sikur të ishte botuar në Pranverën e vitit 1981 libri i parë me poezi “KU I LA LISAT ERA”, jo vetëm që secila poezi por edhe libri në tërësi do denoncohej nga pushteti si “armiqësor dhe  rrënues” ndaj sistemit dhe odiseja e gjyqeve do ishte më e shkurtër dhe dënimi më i ashpër e më i gjatë. Sepse te ky libër vërtet që autori është “fshehur” nëpërmjet metaforizimit dhe simbolikës, por fshehja ka qënë e tillë që e “ndillte shikimin dhe vëmëndjen më tepër” përmbi vargje dhe domethënien e tyre, si teRoja e malit  që vigjëlon mbi këtë dhe te vargjet…Sa herë të bënë rrafsh me tokën /Sa herë /Rrënjët e indeve tona /Nuk t’i shkulin /Rrënjët t’i ruajtën /E ti u rrite u rrite /Sall për ne /Qiellin ta puthësh me maja…Do mjaftonte dhe një koment gjimazisti që të zbërthente metaforën e poezisë dhe vargjet të shndërroheshin në pranga në duart e poetit..

( Mund të themi se  edhe libri i dytë “BESOJ NË NJË DIELL” ( 1992 ),  shkruar në periudhën kohore 1979 – 1991, i përekt gjithashtu kësaj fryme poetike, së cilës i printe Ali Podrimja, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Beqir Musliu, Teki Dervishi, Rexhep Elmazi Jusuf Gërvalla etj, por për këtë do flasim më vonë ).

Kështu pra, në kohën kur e çoi librin për botim (fund viti 1980) Sabit Rrustemi ishte  një poet

i njohur[3] në Kosovë dhe kjo e aritur vetëm nga poezitë e tij të botuara në organet e shtypit periodik. Stili i tij i veçantë i të shkruarit me strofa  dy-tri vargëshe, poezitë e shkurtëra dhe vargjet metaforike ishin vijëzimet e portretit të tij poetik që njiheshin e diskutoheshin nëpër grupet e të rinjve por dhe mes poetëve të afirmuar. Rasti i njohjes së autorësisë së poezisë së tij “KARTAGJENA” nga Mirko Gashi flet shumë në drejtim të njohjes  së poetit Sabit Rrustemi në botën letrare nëpërmjet stilit të tij të të shkruarit dhe ideve që përçonte mes vargjeve..

Poezi në lëvizje

Sabit Rrustemi ka vërtet një stil të vetin të të shkruarit, me vargje të shkurtëra, shpesh me gjysëmvargje por me një dëndësi revolte të mbrujtur brenda tyre sa që dhe gjatë leximit, brenda vargjeve dëgjohet ritmika e një vrapi ushtarësh mbi urë. Edhe kur “heshtin”  vargjet e tij, vetë heshtja mbart jehonën e një trumpete që fton për zgjim dhe për sulm. Në çfardo këndvështrimi ta shohësh poezinë e tij, ajo është një poezi e revoltuar, në lëvizje,  me vargje që ngjajnë si një grup demostruesish që sulen për tu përplasur fizikisht me policinë apo ushtrinë që u del përpara… Kafshoj buzët/Shtrëngoj grushtat /Flakë kallem/Vetveten ha /Si s’te njoh…madje duke lëshuar dhe kushtrimin…I hedhim anash /Të shkuarat të harruarat/Si kjo e jona /…/Male pipthash të rinj /Ngrisin kokë/…/Zgjohu të më fusësh brenda

Pavarësisht nga titulli që propozoi autori apo ai që i vendosi redaktori ALI PODRIMJA, duket se Sabit Rrustemi nuk e paska mbyllur llogarinë me Zeusin e tij plak e të gërmuqur vetëm me poezinë “MPLAKJA E ZEUSIT”, ndaj shkon nga shkon dhe e “cingris” nga pak edhe kur ka tema të tjera…Kështu psh te poezia “ZOTI YNË I PËRGJUMUR” ai shkruan…Strukesh trukesh ngurresh/Kokekëmbë bëhesh/Iriq i mbështjellë në gjemba/Mes nesh fushash malesh/ Rri e përgjon i heshtur/…/ As nuk zgjohesh sytë t’i hapësh/ Kot pret dita kapet për fyti/E jo për bishti or derëmbyllur/…/Hape atë të uruar/Zoti ynë i përgjumur/Shih kë ke përjshta… Ne na çelet një buzëqeshje kur e lexojmë tani këtë poezi për Zotin e përgjumur por mendojmë “hutimin” entusiast të redaktorit kur e ka lexuar së pari. Me siguri që ka dashur ta vendosë titull libri por pastaj ka hezituar  se në atë çast matanë dritares ka parë patrullën e policisë serbe që po vrojtonte rrugët.

Le të lexojmë bashkë edhe poezinë “PORTA PA ÇELËS” dhe të sodisim brenda saj nga dritarja e metaforësPorta mbyllur rri/Kush s’hyn as del/…/Në xhepin e kujt/Fshehet çelësi/…/ Brenda hahen muret/Gurët i le durimi/…/Shtëpinë e vetme/E rrëmih heshtja/…/Po çelësi mungon/ Së prapthi shkundni xhepat/…/Portë e re duhet hapur/Këtë vetmi për ta trandur/.../Zoti ynë i përgjumur/Midis sheshit për çelës i varur… E pas leximit të mësipërm i them publikisht poetit (sipas botkuptimit tim ortodoks) :-Dëgjo o Sabit Rrustemi, do keshë patur me vete ndonjë copë dru nga kryqi i Krishtit  që paske shpëtuar paq pas këtyre vargjeve!

Unë mund të vazhdoj citimet e poezive, madje të të gjithë poezive, sepse është i pari libër që has, gjatë analizës të së cilit të vjen keq të lëshë ndonjë varg a poezi pa cituar, aq më tepër që secila prej tyre ka një “biografi” krijimi. Veçse nuk është zgjidhje citimi prej meje, as komenti apo analiza që mund t’i bëj, ca më tepër që në Shëqipëri ky libër është pak ose aspak i njohur dhe ndër poetët, le më ndër lexuesit e dashamirësit e poezisë. Unë mund t’ju them se në çdo varg a strofë të këtij libri shoh shpirtin e një populli të revoltuar, që vlon si llavë vullkani gati në shpërthim. Vargjet nga “sipër” ngjajnë si gurë mali, hirtësuar nga erërat e shekujve por po të vesh dorën përmbi ‘to, ndjen dridhjen dhe nxehtësinë vullkanore të pragshpërthimit.

Dhe të mendosh që këtë libër e ka shkruar një djalosh njëzetvjeçar, filiz nga mosha, vetiu të lind mendimi se ky poet është bekuar me talent nga zoti (jo Zeusi) dhe ka shumë për të thënë. Seria e botimeve poetike të Sabit Rrustemit sikur na jep “të drejtë” për mendimin që shprehëm.

Është koha që ky libër të ribotohet, të shpërndahet e paraqitet për t’u njohur me vlerat dhe historinë e tij lexuesit tone, sepse poezia shijohet duke e lexuar në libër dhe jo duke dëgjuar të flitet për të. Është njësoj si me dashurinë që e jeton kur loz me vajzën që do dhe jo kur dëgjon të flitet për atë.

Sarandë, më 18 Maj 2020



[1]Për herë të parë konceptin e mosplakjes së Zeusit e ka goditur Hollivudi me nje film të viteve të fundit ku tregon luftën e Tezeut (djali illegal i Zeusit) me Hadin. Aty Zeusi jo vetëm që ishte plak i pafuqishëm, por pas triumfit të Tezeut, Zeusi së bashku  Poseidonin,vdesin të dy (pa vuajtje) duke u thërmuar si rërë

[2] Sabit Rrustemi tregon në fb për këtë poezi... Ishte pranverë e vitit 1984.Data s'më kujtohet. Banoja tek FONTANA në Prishtinë, në një kompleks banesash, me poetin Faruk Tasholli, i cili ishte atë kohë redaktor kulture në "Bota e re".E kisha shkruar këtë poezi dhe i a kisha lënë mbi tavolinë.E isha nisur për në shtëpi. Ishin ditët e vikendit......kur ish kthyer pasdite dikur vonë, Faruku kish parë poezinë, e kish lexuar dhe pa lejen time, natyrisht, kish vendosur për ta botuar nën emrin e dajës  Isa Ajeti, të cilin dhe ai e njihte, meqë mua nuk më lejohej atë kohë të botoja në asnjë gazetë... A, unë s' dija gjë...Me të dalë "Bota e re", Mirko Gashi, një lexues i pasionuar i saj, merr gazetën dhe se si ndalet tek kjo poezi.E intrigon si duket dhe titulli "KARTAGJENA". Dhe pa një pa dy me gazetën nën sjetull, shkon në redaksinë e "Botës..." ku e kërkon Farukun."Më thuaj pa rrena, a është kjo poezi e Sabitit"?
Faruku  hamendet."Baca Mirk, po e ka emrin, shihet e kujt është"!
Ai nuk lëshon pe..."Unë e lexova emrin dhe mbiemrin...e lexova edhe poezinë...po, më trego drejt, a është e Sabitit"?
Faruku më s'ka se si t' i jap lak..."Po, baca Mirk, po...
"E di unë, e di...po e njoha që ish e tij"...

[3]Te Libri i dytë, i  shkruar, rishkruar e përpunuar gjatë kohës që nuk kishte të drejtë botimi ( maj 1981 - maj 1990), është e njëjta fshikullimë kundër pushtetit të kohës, ku, një pjesë e këtyre poezive, si “DIKU MË PRET NJË LULE”, “RIZGJIM I DJAJËVE”, “PIKLA MËRGIMI” etj., ishin botuar mes viteve 1977-1981...po, pas këtij viti, vetëm me shifër si rasti i poezive fituese në konkurset anonime letrare, “PYLLI I BRINJËS” ( 1984 ) dhe “KËPUCËT NË MENOPAUZË”, po edhe me pseudonym ( 1984 – 1988 ).



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora