E premte, 29.03.2024, 01:57 PM (GMT)

Editorial

Ndue Dedaj: Vendimet për qytetin i marrin qytetarët

E marte, 19.05.2020, 07:26 AM


VENDIMET PËR QYTETIN I MARRIN QYTETARËT

NGA NDUE DEDAJ

Ka një keqkuptim të madh në këtë vend, sikur politika qeverisëse ka një mandat të mbinatyrshëm, për të bërë ç’të dojë me qytetet, rrugët, sheshet, objektet dhe institucionet e tij. Shembulli i dominimit të pushtetarëve në punët e qytetit është Tirana. A thua se vetëm ata janë të interesuar për ndryshimin, kurse qytetarët jo! Qytetarët e Tiranës nuk janë pyetur dhe dëgjuar për asnjërin nga projektet e realizuara vitet e fundit. Përndryshe, Sheshi “Skënderbej” nuk do të ishte me aq shumë kurriz, parku i Liqenit nuk do të ishte me aq shumë beton etj. Teatri Kombëtar nuk do të ishte një histori dështimi, por suksesi. Brenda dhe jashtë kontekstit të Teatrit të saposhembur, qyteti është i qytetarëve dhe janë ata që vendosin se çfarë duhet ndërtuar dhe çfarë jo. Nuk është e drejta, as e Qeverisë dhe as e Bashkisë, të realizojë projekte pa vendimarrjen e qytetarëve. Por këtu tek ne ka një logjikë tjetër nga normalja. Qeveria bën të fortin, jep troje, lumenj, pyje, miniera, leje të palejueshme.

Jep konçsione ekonomike dhe merr “konçensione” politike, si të jetë ndonjë perëndi mbi tokë dhe jo një e mandatuar për të shërbyer qytetarët. Kryebashkiaku i Tiranës, ditën e shembjes së Teatrit, në mesditë, kërkoi mendimin e publikut, qytetarëve për projektin e ri. Të cilëve qytetarë? Të atyre që ua shembi godinën sy në sy, me forcën e Policisë, duke dhunuar veprimtarë, gazetarë, të rinj art- dhe kryeqytetdashës? Kjo më e pakta është hipokrizi. Dihet fort mirë se deri më sot, prej njëzet vitesh, vendimet për Tiranën i ka marrë vetëm një individ, ish - Kryebashkiaku Rama, prej shtatë vitesh Kryeministër. Dhe jo vetëm për kryeqytetin, por dhe për qendrat e tjera urbane të Shqipërisë. Nomeklaturat veçsa i kanë formalizuar vendimet e tij, për të qenë në rregull me Gazetën Zyrtare. Kjo është çështja. Konstruktorët, urbanistët dhe arkitektët nuk pyetën, thjeshtë konsiderohen zbatues të planeve të qeverisë dhe ky është një paradoks. Në këtë histori, opozita nuk ka bërë më të mirën, megjithatë ka qenë gjithnjë aty ku ka vendin, duke denoncuar aferat e pushtetarëve, të cilët e shohin pushtetin si të “trashëgueshëm”. Është kjo arsyeja që politika është gjithnjë e fshikulluar, nga i madh e i vogël.

Politika me fytyrë “djalli”

Sikur dhe vetëm një njeri të mendojë keq për politikën shqiptare, problemi qëndron. Lë që me të nuk janë të kënaqur as vetë “prodhuesit” e saj, ku politikanët e mirëfilltë numërohen me gishtat e dorës, ndërsa zaptuesit dhe shpërdoruesit e politikës janë ngritur… në sistem. “Kur imagjinoj djallin, ai më shfaqet më fytyrën e politikës shqiptare”, shkruante një adoleshente 13-vjeçare nga Tirana, në një ese të përhapur pardje në rrjetet sociale. Nuk mund ta përjetosh pa trishtim këtë frazë që përmban revoltën e një fëmijë për politikën. Një fëmijë si rregull është krejtësisht jashtë politikës, ai nuk ndikohet prej saj, nuk e kupton, nuk është pjesëmarrës në politikë, nuk voton etj.

Mjafton kaq që klasa politike të mbetet në klasë, që politikanëve t’iu vijë rëndë (për etikë e shmang gjithnjë fjalën turp) që kanë krijuar te fëmijët një përceptim të tillë. Ky padyshim është një alarm në fushën e edukimit. Po rrisim në 2020-n një brez që e sheh politikën si një gjë që bën keq. Vajza reagimin e saj e kishte nga prishja e Teatrit, të cilin e kishte vizituar me mësuesen e klasës së parë, ku, siç shkruan ajo, përrallat dhe ëndrrat e saj bëheshin realitet. Tani zhgënjimi i pamerituar.

Duam apo nuk duam, një shoqëri e politizuar rrit fëmijë të ngarkuar politikisht, çka do të thotë se dhe politikanët e dy a tre dhjetëvjeçarëve të ardhshëm të shekullit XXI do t’i kemi të politizuar. Ku vemi kështu? Çfarë do të të ndodhte nëse fëmijët dhe të rinjtë evropianë apo amerrikanë do të kishin një përceptim të tillë për klasën politike në vendet e tyre? A do t’ia lejonte vetes Kancelarja Merkel, që në sytë e fëmijëve gjermanë të ishte një “djall”? Po Makron, Trump, Jonson?...

Përgjigja atje nuk ka nevojë për fjalë.

Ka humbur besimi se politika mund të ndryshojë

E para, ngaqë shinat janë shtruar mbrapsht nga ustallaratët dhe “etërit” e djeshëm e sotëm të politikës së tranzicionit, që gjithë ditën i hakërrehen njëri - tjetrit “Ti po shkel Kushtetutën”, kur janë ata që në vitin 2008 bënë marrëveshjen e gllabërimit të politikës nga vetë ata, më fuqinë që iu dha kryetarëve të partive për të bërë listat e deputetëve etj. Kaq e thjeshtë është, pushteti i pakufizuar dërmon demokracinë dhe institucionet partiake dhe shtetërore.

E dyta, mund t’ia vësh emrin si të duash një kaste të pasuruarish përmes tenderave (për ta përdoret rëndom termi “oligarkët”), që kontrollon pushtetin dhe qeverisjen, pa të cilën nuk mund të vihet në pushtet. Ajo komandon zgjedhjet, hashashin, tenderat, koncesionet, hidrocentralet, mineralet, të gjallët dhe të vdekurit. Vetëm tërmetet, përmbytjet dhe pandeminë e Coronaviruesit jo. E lidhur ngushtë me pushtetin, ajo duhet thirrur me emrin që ka, mafia, ku e vetmja shpresë për luftimin e saj është një drejtësi e re e dalë nga Vetingu.

E treta, sjellja prej të fortësh e pushtetarëve, që vetëm diktojnë dhe asnjëherë nuk dëgjojnë, dëshmon rënien e demokracisë. U shkua deri aty sa u urdhërua prej tyre sajimi i një Parlamenti kukull, pa identitet politik dhe integritet moral. Mazhoranca, pa iu dridhur qërpiku, mori gjithë pushtetin vendor, një vit më parë, duke e quajtur këtë uzurpim si një gjë normale; për çudi, nën hijen dhe diellin e ndërkombëtarëve. Një pushtet që përvetëson institucionet e shtetit, nuk i ka problem muret, aq më tëper ato prej qerpiçi.

Ec, pastaj, e beso se politika mund të ndryshojë, me këtë klasë politike, diku thellësisht e korruptuar dhe diku tjetër pa dinamikën e nevojshme.

Por, gjithësesi, duke nxjerrë mësime nga gabimet e veta dhe të qeverisjes autokrate, opozita është e vetmja mundësi për ta ndryshuar përmes protestës qytetare “karuselin” e politikës shqiptare, duke mos harruar askush se busulla është Europa dhe nuk ka një rrugë tjetër veç saj.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora