E premte, 29.03.2024, 02:53 PM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García

E hene, 18.05.2020, 06:26 PM


Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García

Nga Elvi Sidheri

José Manuel Puertas García, është një gazetar i njohur sportiv dhe shkrimtar spanjoll nga qyteti i hijshëm i Granadës, i pranishëm në mediat vizive dhe shtypin sportiv të Spanjës si gazetar e komentator sportiv, me të cilin kam pasur fatin të bashkëpunoj disa herë në promovimin e futbollit shqiptar në shtypin spanjoll dhe të lidhjeve mes vendeve dhe kulturave tona. Sot, ai na flet për epideminë Covid 19 në Spanjë, ndër vendet më të goditura prej tij, përvojat e tij personale gjatë këtyre muajve, por edhe për mbresat e tij dhe jehonën në shtypin spanjoll të sportit shqiptar.

Para se të flasim për situatën në Spanjë me Covid 19, si e ke jetuar ti këtë periudhë? Duke qenë gazetar sportiv, i mësuar me ritmin e vrullshëm të sportit, me lajmet pafund, ndeshjet dhe gjithë agonizmin sportiv, si ka ndikuar kjo kohë kaq e trishtë dhe pasive në gjendjen tënde shpirtërore?

Sigurisht që nuk është aspak e lehtë. Në radhë të parë, si qytetar, sepse janë kohë të vështira për Spanjën. Njeriu përfytyron shumë skenare të vështira, por realisht do ta kisha imagjinuar se do të rrinim dy muaj pa dalë nga shtëpia, përveçse për të blerë ushqime, pa mundur të takohem dot me prindërit e mi, që jetojnë 15 minuta në këmbë nga shtëpia ime, por kjo është gjëja më e përgjegjshme, sepse shumëkush po vuan dhe nevojitet të mbrojmë njëri-tjetrin. Në nivel profesional sigurisht që kam pasiguri, ngaqë po kaloja një periudhë të mbrothët në punë me bashkëpunime me disa media, si komentator i ndeshjeve të Euroligës në basketboll në televizion në nivel kombëtar për Spanjën... Ndërsa tani është e vështirë të parashikohet çfarë do të ndodhë. Kur dhe si do të kthehen kampionatet, çfarë do të ndodhë me sponsorizimet dhe financimin. E sigurisht të gjitha këto prekin edhe gazetarinë. Do të jenë kohë të vështira.

A mund të na tregosh diçka më konkretisht për situatën në Spanjë gjatë këtyre muajve me Covid 19, cilat qenë masat e miratuara nga autoritetet, si reagoi popullata?

Më 14 mars qeveria spanjolle miratoi Gjendjen e Alarmit që parashikohet në kushtetutë dhe lejon kufizimin e një të drejte kaq thelbësore si lëvizja e njerëzve. Për më tepër, ndaluan tërë veprimtaritë profesionale, duke vijuar aktive vetëm më të pazëvendësueshmet syresh. Që nga ky vendim, gjithkush duhej të rrinte në shtëpi, mund të dilej vetëm për të blerë ushqime, ose, për shembull, për të shëtitur qenin, asgjë tjetër, përveç punëve të pazëvendësueshme, kuptohet. Synimi ishte, si thuajse në tërë botën, të ndaleshin kontaktet. Përgjithësisht populli reagoi mirë, duke qëndruar në shtëpi dhe iu bindur rregullave, por Spanja gjithnjë ka qenë vend i mendjelehtësisë, dhe ndokush u përpoq t’ua hidhte rregullave. Dikush pati nxjerrë për të shëtitur edhe një dhi, diçka padyshim e ndaluar. Tashmë, pas dy muajsh, jemi në periudhën e zbutjes (në Spanjë quhet “Desescalada”). Janë përcaktuar katër faza dhe tani shumica e vendit gjendet në Fazën 1, ndërsa disa veprimtari tregtare janë aktive, por, për shembull, në Madrid dhe Barcelonë, vatrat kryesore të virusit, vijon Faza 0, si në fillim të pandemisë. Sigurisht që situata sanitare është përmirësuar, ndonëse akoma ka shumë vdekje. Të dielën 17 maj, ishte dita e parë që qeveria informoi për më pak se 100 të vdekur në ditë! Që janë sidoqoftë 100 njerëz, 100 persona dhe jetët e tyre që shuhen në mënyrë shumë të trishtueshme, aq më tepër fillikat të vetëm, pa u takuar dot për herë të fundit me familjarët. Është një dramë e vërtetë. Dashtë Zoti (“Ojalá” në spanjisht, kujtesë e periudhës arabe) gjërat nisin të përmirësohen, por i druhemi kthimit. Në nivel politik, më trishton që thuajse të gjithë orvaten të fitojnë vota nga kjo situatë. Me pak përjashtime, shumica në qeveri dhe në opozitë, po luajnë në kurriz të të vdekurve dhe situatës për një grusht votash. Të vret në shpirt.

A mendon se Spanja ka paguar çmim më të hidhur, në jetë njerëzore, se vendet e tjera për shkak të Covid 19, dhe cilat janë gjërat që do të kujtosh më shumë nga kjo periudhë karantine? Gjestet më të paharrueshme, reagimet më mallëngjyese të njerëzve ndaj situatës në Spanjë?

Ka qenë shumë emocionuese të shihje çdo ditë në orën tetë të mbrëmjes si njerëzit dilnin në ballkone për të duartrokitur dhe për të falënderuar mjekët, policët, ata që vijonin punën për sigurinë e përgjithshme. Ishte diçka vërtet prekëse që vazhdoi dy muaj. Gjithashtu, Spanja është një vend shumë solidar dhe pati plot gjeste mirëfilli të bukura gjatë kësaj kohe. Nga ndihma mes fqinjëve deri te sipërmarrjet e mëdha që ia kushtuan punën e tyre ndihmës për sistemin shëndetësor. Më pas përmenda karakterin trazovaç e mendjelehtësinë e ndokujt, gjë kjo e vërtetë, por në Spanjë ka gjithaq shumë solidaritet, sidomos në kohë të liga si kjo.

Si ishte karantina jote,  dhe çfarë përshtypje të jep zbrazëtia nëpër rrugë, shëtitore e sheshet kryesore të qyteteve të mëdhaja si Madridi, Barcelona, qyteti yt dhe qendra të tjera urbane të Spanjës dhe gjithë botës?

Është tronditëse. Asnjëherë nuk do ta kisha përfytyruar se do të jetoja diçka të tillë, vërtet. Gjë që dëshmon sa e vogël mund të jetë qenia njerëzore, sado të pandehim të kundërtën. Imazhet nga tërë bota janë shpesh frymëzuese, por shpesh ndiejmë shtrëngim në zemër, duke qenë të ndërgjegjshëm për momentin historik që po jetojmë. Padyshim që çfarë po ndodh tani, do të studiohet më vonë në librat e historisë. Personalisht jam përpjekur të jem i rreptë në karantinë, të dilja veç kur ishte nevoja, të përdorja maskën, të ruaja largësinë e sigurisë dhe të përdorja skajshmërisht masat higjienike. Ky është kontributi im ndaj së mirës së përbashkët. Si gazetar, përballur me rënien e veprimtarisë, prapë jam orvatur të kontribuoj me kokrrizën time të rërës. Kam bërë intervista drejtpërdrejtë në Instagram me lojtarë të basketbollit në Spanjë dhe paralelisht kemi organizuar në fushatë bamirësie. Basketbollistët dhuronin fanella, ose këpucë sportive dhe njerëzit paguajnë sa munden në yomecorono.com, një grup që po punon shumë fort në përpjekjen për të zbuluar mjekim apo vaksinën kundër virusit. Kjo nismë u prit shumë mirë dhe shpejt mbaron fushata pasi mblodhëm mijëra euro në përpjekjen për zgjidhjen e këtij problemi madhor dhe do të hedhim short për tërë veshjet sportive të mbledhura. Ky ka qenë kryesisht kontributi im si gazetar sportiv. E ndieja shtysën për të kontribuar edhe unë me kokrrizën time të rërës.

A mendon se më në fund ka njëfarë përmirësimi dhe si e sheh të ardhmen, të afërt e të largët?

Me pasiguri. Nuk jam në gjendje të parashikoj çfarë do të ndodhë. Dëshiroj që mos kthehet sërish, diçka e tmerrshme për njerëzit dhe ekonominë spanjolle. Shpresoj që pak nga pak t’i kthehemi jetës tonë të mëparshme, ndonëse nuk do të jetë e lehtë. Besoj se maska do të bëhet pjesë e jetës së përditshme dhe për mendësinë spanjolle nuk do të jetë aspak e lehtë. Jemi popull që e duam afrinë, jemi miqësorë, na pëlqen të përqafohemi, të puthemi, na pëlqen kontakti fizik. Këto gjëra do nevojitet t’i shmangim për ca kohë. Shoqëri të tjera, si veriu i Europës, ose shoqëritë aziatike, janë më shumë të mësuara me largësinë sociale, por kjo nuk ndodh në Spanjë. Do të jetë një ndryshim i rëndësishëm. Nga ana tjetër, në nivelin sportiv, besoj se sezoni tjetër do të fillojë pritshëm me dyer të mbyllura. Nuk pres që në tetor të ketë stadiume apo pallate sporti të mbushura me tifozë, gjë kjo fort problematike për financat e klubeve. Dashtë Zoti të gjehet shpejt zgjidhja e kjo mos të ndodhë, por nuk jam shumë optimist.

Tani të flasim pak lidhur me përvoja e tua me Shqipërinë dhe sportin shqiptar. A ka lojtarë shqiptarë, ose me origjinë shqiptare, sidomos futbollistë, të njohur në Spanjë?

Sigurisht. Mund të të përmend disa emra që kam parasysh, si Shaqiri, Xhaka, Mustafi, që pati luajtur te Valencia, gjithashtu me origjinë shqiptare. Edhe Valdet Rama pati luajtur në Spanjë, me Valladolid. Sidoqoftë nuk ka pasur lojtarë të mëdhenj shqiptarë që kanë luajtur në Spanjë, ndaj nuk janë ndër më të njohurit, por kam bindjen se në Spanjë vlerësojmë së tepërmi përparimin e sportit në Shqipëri. Mbi të gjitha pjesëmarrja në EURO 2016, ku kombëtarja shqiptare u bë shembull për gjithë botën sportive. Kam edhe një tjetër emër në mendje, lidhur me basketbollin, Ermal Kuqo, që pati një karrierë të gjatë shumëvjeçare në Europë dhe ndër të tjera, luajti edhe te Valencia.

Si është pritur nga publiku, nga gazetat dhe nga analistët sportivë, pjesëmarrja e Shqipërisë në EURO 2016, por edhe pjesëmarrja e suksesshme e Kosovës në eliminatoret e EURO 2020?

Siç pohova më parë, u prit me shumë vëmendje. Thjesht nga kualifikimi, u fol shumë për Shqipërinë. Pati reportazhe në televizione dhe shtyp. Edhe unë vetë pata shkruar për këtë në LibertadDigital.com, njëra nga mediat ku punoj. Ishte diçka fort e rëndësishme, meqë Shqipëria kurrë nuk kish luajtur rol madhor në panoramën e futbollit ndërkombëtar dhe kam bindjen se të gjithë u emocionuan nga ky hap madhor që hodhi ekipi shqiptar. Edhe për Kosovën kishte pritshmëri të mëdha, duke qenë një përfaqësuese e re në panoramën e sportit ndërkombëtar. Unë vetë, për shembull, tregova vëmendje të veçantë ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në kualifikimet për Kupën e Botës në basketboll, si ndeshjet ndaj një ekipi të fuqishëm si Lituania. Por padyshim, momenti kulmor, kur më tepër do të flitej për Shqipërinë, pati qenë pjesëmarrja në Kampionatin Europian.

Je gjithashtu shkrimtar, bashkë me Vicente Azpitarte, patët sukses të madh me librin për Luka Modri?, me titull “Luka Modri?: El hijo de la guerra” (Luka Modriç: Biri i luftës), që do të përkthehej në disa gjuhë, dhe do të botohej gjer në Japoni. Si ishte përvoja jote me këtë libër, dhe përse shkruajtët një libër për Lukën dhe jetën e tij?

Ishte një përvojë shumë interesante. Ishte përvoja ime e parë në botën letrare, dhe më shijoi së tepërmi. Gjithçka lindi nga një propozim i një shtëpia botuese për kolegun tim Vicente, dhe ai deshi t’ia niste kësaj sipërmarrje bashkë me mua. Zgjati një vit e gjysmë dhe vërtet, duke gjykuar frytet dhe çfarë thonë lexuesit, libri u pëlqye. Historia e Luka Modri?, një refugjat lufte në Kroaci që shndërrohet në futbollistin më të mirë në botë, është padyshim frymëzuese. Historia e tij vetëm priste të tregohej me tërë respektin e nevojshëm për një situatë kaq e vështirë për t’u jetuar, por kaq e bukur për t’u treguar më pas. Luka ka meritë të madhe për rrugëtimin e tij jetësor, duke më bërë të lumtur kur bashkëpunoi me ne në rrëfimin e saj. Dhe fakti që libri është botuar në Kroaci, përveç Spanjës, e deri në Japoni, është një nder i madh.

A planifikon të shkruash libër tjetër, mbase duke shfrytëzuar këtë periudhë karantine?

Prej disa kohësh kam një projekt të ri, gjithashtu sportiv, por kësaj radhe jo për futbollin, për basketbollin që është pasioni im i madh. Lejomë që të mos përmend hollësi, por dua të mendoj se shpejt do të bëhet e ditur. Është duke qenë gjithaq një histori e këndshme për t’u treguar dhe padyshim që karantina më ka mundësuar t’i kushtoj më tepër kohë. Fundja, çdo e keqe ka një të mirë, dhe, në këtë rast, kalimi i kaq kohe në shtëpi dhe pakësimi i veprimtarisë profesionale ka bërë të mundur t’i kushtoj më shumë kohë këtij libri. Kam përparuar mjaft dhe ndihem shumë më pranë përfundimit të tij. Dashtë Zoti pas disa muajsh do flasim për botimin e tij.

A ke një përshëndetje të veçantë për lexuesit shqiptarë?

Për mua është nder i veçantë interesi yt për këtë intervistë me mua. Shqipëria ka qenë përherë një vend që më ka ngjallur interes, qysh nga përballjet në vitet 1990 mes Spanjës dhe Shqipërisë në futboll. Për më tepër, do të të tregoj një ngjarje tërheqëse që e kujtoj me shumë përzemërsi. Në vitin 1992,njëri nga turnetë për kualifikimet në basketboll në Lojërat Olimpike të Barcelonës, u zhvillua në Granada, qytetin tim. Aty luajti edhe Shqipëria! Merrnin pjesë Franca, Italia, Izraeli, tre fuqi të basketbollit, dhe Letonia e sapo ndarë nga BRSS, gjithashtu me shumë traditë. Pastaj Zvicra dhe Shqipëria. Pata shikuar tërë ndeshjet e turneut dhe mbaj mend si Shqipëria mposhti Zvicrën, duke vënë në vështirësi një ekip të madh si Italinë. Ishte një ekip me shumë guxim. Sigurisht ishin larg profesionizmit të ekipeve të tjera të mëdhaja, por luajtën me shumë krenari dhe dinjitet. Nuk e di nëse është rasti, por kisha dëshirë ta tregoja. Pati qenë përvoja ime e parë e afërt me sportin shqiptar, që më bëri ta respektoja fort vendin tuaj qysh atëherë. Nuk kam qenë asnjëherë, por dashtë Zoti shpejt do të vij ta vizitoj Shqipërinë, kur të kenë kaluar këto probleme. Përqafime të ngrohta nga Spanja dhe ruajeni veten.



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora