| E hene, 18.05.2020, 03:59 PM |
RA TEATRI, POR JO AKTI I PASHEMBULLT I REZISTENCËS SË ARTISTËVE
Nga
Agron Tufa
Teatri
i shembur nga barbarët, më saktë, vendi ku ishte godina, do të kujtohet
pandaraz me Rezistencën shembullore 27-mujore të Artistëve. Pati gjithmonë një
grusht intelektualësh që qëndruan me artistët protestues. Por duhet theksuar,
se ishte Qëndresa dhe Protesta më e gjatë në historinë e kauzave tona publike.
Plehërat
që kanë nisur ta ironizojnë nëpër rrjete këtë Rezistencë të pashoqe, janë
skuthët e mirëpaguar nga propaganda e Diktaturës. Diktatura mëton, që tok me
Teatrin të likuidojë dhe historinë qytetare e dramatike të mbrojtjes së tij.
Nëse
ka ndonjë gjë të turpshme në gjithë këtë kauzë fisnike të mbrojtjes së vlerave
qytetare
të artit dhe trashëgimisë, atëherë turpi i turpit e lulja e marres janë:
1.
Firmëtatët e shkatërrimit, që janë bash sivëllezërit e tyre kainianë. Ata
zgjodhën në vend të artistit me ndërgjegje, të jenë bufonë të qeverisë
(lolo/palaço). Për ata le të mbeten buka e turpi, parja e marrja!
2.
Autoritetet morale të shoqërisë, shkrimtarë, politikanë, klerikë, etj., nuk u
dëgjuan asnjëherë. Dmth, autoritete u përmbajtën aq shumë, që të mos flisnin,
sa humbën çdo potencë mashkullore.
3.
Opozita duhej të kishte vijuar mbështetjen e kësaj kauze, pa ua zbehur
apolitizmin e tyre, por duke e mbajtur konkretisht betimin patetik, thuajse
proverbial: "Vetëm mbi trupat tanë!"
4.Mbështetja
e qytetarëve të mos mbetej sporadike dhe tejet e vakët. Tipike kjo për natyrën
e ngordhur të reagimeve qytetare, qëkurse Diktatura e etërve u prishi tempujt
(1967) dhe tash njëlloj, kur Diktatura e bijve dhe nipave u prish tempujt e
artit.
5.
Studentët duhet t'i bashkangjiteshin kësaj kauze, por edhe këtu ata dëshmuan se
janë një stihi e papjekur dhe e paorganizuar për protesta të vendosura.
6.
Ambasadat e vendeve kryesore - të SHBA/BE, me peshë në jetën e opinionin
publik, janë diskretituar gjatë gjithë këtyre viteve, duke folur si zëdhënësa
të Diktaturës. Heshtën për Teatrin.
Teatri
ra. Ra dhe një kauzë parimore publike, e pambështetur. Godina s'është më! Por
të gjithë do ta dinë e duhet ta dinë, se ky tempull arti ra pas 27 muajsh
qëndresë permanente të Artistëve të vërtetë qytetarë. Mbrojtësit e Trojës janë
më të lavdishëm se rënia e saj.
Më
tej, Diktatura e Re e Bijve dhe Nipave,
do
të ketë dorë të lirë, për ta bërë këtë popull të panerv, skllav e dordolec të
tekave të veta.