Mendime
Andi Bushati: Nuk rikthehet demokracia, pa burg për Edi Ramën
E diele, 17.05.2020, 10:37 PM
Nuk rikthehet demokracia, pa burg për Edi Ramën
(Teatri
si autopsia e një krimi perfekt)
Nga
Andi Bushati
Krimi
i ndodhur në ditën e fundit të gjendjes së jashtëzakonshme, ka vetëm një autor,
atë që si personazhet e romaneve më të çmendura të këtij zhanri e planifikoi
krimin e tij prej 22 vjetësh.
Pavarësisht
se në këtë histori kanë hyrë dhe kanë dalë shumë figura të njohura, nga Violeta
Manushi tek Pandi Majko, nga Robert Ndrenika te Maks Velo, nga Aurel Plasari
tek shërbyes të pështirë si Agron Hysenlliu e Erion Veliaj, autori dhe
projektuesi i masakrës mbetet vetëm një.
Por
sado perfid, i sofisttikuar dhe gjatë gjithë dy dekadave i veshur me mbrojtjen
e pushtetit, Edi Rama ka lënë gjurmë në krimin e tij. Sot mjafton një
enumeracion i tyre për të të kuptuar se ai është i pandehuri ekselent që nuk
mund ti shpëtojë dot prangave.
Historia
fillon në vitin 1998 kur ai u bë ministër kulture. Ndëkrohë që në publik mbante
aureolën e revolucionarit që shtirej sikur tallej me aktorët e socrealizmit, ai
nuk qe veçse zyrtari banal që firmoste kontrata të paligjshme.
Mes
shumë e shumë mëkateve që do të zbardheshin më pas, çdo prokuror i pavarur, që
do të bëjë drejtësi, mund të hapë sot kontratën e ministrit me çorape të kuqe
dhe çitjane me pronarët e Bingo Ylli.
Skandaloze.
Ndërsa
ministrit të kulturës ligji i lejonte të vendoste firmën vetëm për sipërfaqe që
nuk i kalonin 500 metrat, ai i dha bingos plot 570 metra të Teatrit Kombëtar.
Si
e bëri këtë?
Duke
fallcifikuar letrat dhe duke zvogëluar hapsirën.
Cili
është dëmi?
Nga
74 milionë lekë në vit që duhet të përfitonte teatri, kontrata e re i dha vetëm
4 milionë. Të tjerat shkuan në xhepat e përfituesve.
Nuk
dihet nëse ky krim fillestar ka determinuar të gjithë të tjerat. Nuk dihet as
nëse fshehja e tij, ka përcaktuar më pas “betejën estetike” për godinën që deri
sot Europa Nostra e konsideronte si një ndër 7 perlat më të rrezikuara të
kontinentit.
Eshtë
vështirë të thuhet nëse ankthit të grabitësit vitet i shtuan edhe patologjinë e
pa kuruar ndaj të gjithë atyre që për arsye krejt të ndryshme donin ta mbanin
në këmbë këtë monument kulture.
Ndoshta
të gjithë faktorët u bënë bashkë dhe sapo pati mundësinë kur u rikthye në
pushtet, Edi Rama e vuri në axhendën e tij shembjen e Teatrit.
Sipas
dëshmisë që ka dhënë vetë arkitetkti danez Bjarke Ingels, Rama e ka thirrur atë
diku nga mesi i vitit 2016- për ti kërkuar një projekt për teatrin e ri.
Natyrisht, për të arritur këtu, ai duhet të kryente më parë një veprim tinzar,
nxjerrjen nga harta e zonës së mbrojtur të kësaj godine.
Por,
manipulimet nuk mbarojnë këtu.
Publikut
iu shit, madje kështu është e shkruar edhe në dokumentet zyrtare, sikur ideja e
shembjes dhe gritjes së godinës së re ishte një ofertë e pakërkuar e kompanisë
Fusha. Pra mashtrimi tjetër me ligjin: Fusha që e ka dorëzuar kërkesën e tij në
shkurt 2018 po përdorej vetëm si koperturë për të gënjyer Këshillin Bashkiak
dhe parlamentin, pasi Rama i kishte nisur tratativat që në 2016.
Rastet
ku çdo prokuror mund të hetojë vazhdojnë.
Me
qenëse Fusha duhet të ndërtonte dhe kulla në një tokë shtetërore, projekti
ngecte. Për “dhurimin” e atij trualli duhet të votonte me dy të tretat,
Këshilli Bashkiak. Rilindja nuk e arrinte dot këtë numër votuesish, prandaj u
përdhos kushtetuta, iu rrëmbyen kompetencat pushtetit lokal, dhe u vendos që
rrëmbimi të bëhej me ligj special nga kuvendi(I njëjti ligj që u votua nga
socialistët dhe që Meta e çoi në Kushtetuesen e pangritur ende).
Edhe
ligji vetë, megjithëse sot i pavlerë, pati shkelje të mëdha për dhënien e një
prone shtetërore pa garë, e cila u fshikullua edhe nga Komisioni Europian.
Nëse
një prokuror do të hetojë atij nuk ka si mos i bëjë përshtypje se në krim u
përfshinë menjëherë gjithë strukturat shtetërore. Sapo Fusha dorëzoi
propozimin, ministria e Kulturës e shpalli atë të përkryer. Në të njëjtën kohë,
brenda dy javëve, instituti sharlatan i ndërtimit, prodhoi raportin se ndërtesa
mund të shembej me tërmetin më të parë (ranë dy të fortë që athere).
Po
të shikohet kontrata e Fushës me shtetin ajo përbën një subjekt më vete për
burg. Leja për kulla që iu dha atij, parashikonte një koificent shfrytëzimi të
jashtë ligjshëm për Tiranën, dhe një intensitet ndërtimi përtej atij që lejon
plani rregullues i miratuar nga vetë Veliaj.
Këtij
projekti i doli boja aq keq, sa edhe ata që e gatuan në kulisa u detyruan të
tërhiqen, por duke këmbëngulur sërish tek qëllimi final.
U
gjet sebepi sikur Fusha nuk kishte para, për kërkesat që pretendonin artistët
dhe u vendos që teatrin ta shembte-ndërtonte vetë bashkia. Megjithëse
mashtrimet se shtetiit i mungonin fondet, u rrëzuan, megjithëse, kjo nuk e
bënte më të detyrueshme ngritjen e godinë së re në tokën e të vjetrës, qëllimi
nuk ndryshoi.
Por,
pavarësisht formès sërish u zgjodh një
rrugë kriminale.
Veliaj,
i tredhur nga Rama organizoi një votim klandestin në këshillin bashkiak, pa
respektuar afatin 5 ditor, duke shmangur diskutimet dhe duke fallcifikuar
dokumentat. Si një lake i bindur ai vendosi ti çojë ruspat teatrit.
Natyrisht,
këto janë aspektet më ulërtitëse të këtij krimi që ngërthen brenda vetes edhe
dhjetra të tjerë më të vegjël. Por, mjafton situata kur ai u krye, në një natë
të shtune, nën gjendje të jashtëzakonshme, me një dhunë të paparë policore, pa
pyetur për dy çështje të depozituara në gjykatën e pa ngritur kushtetuese, për
ta bërë atë një krim të zi, perfekt.
Si
i tillë, ai është shumë më tepër se shembja e një godine historike për qëllime
korruptive. Ai përbën autopsinë e një demokracie të vdekur në çdo qelizë të
saj. Ai simbolizon njëkohësisht edhe pushtetin diktatorial të njëshit, edhe
servilizmin e pështirë të lolove të oborrit (aktorë, inxhinjerë, gazetarë),
edhe shtetin pa gjykata, edhe policinë e dhunshme dhe brutale, edhe sistemin e
lidhjes së shkurtër të autokratit me oligarkët, edhe rënien e çdo institucioni
demokratik që nga parlamenti deri tek Këshilli bashkiak. Pra kjo histori është
simboli më i mirë shtetit monist nën të cilin po vuajmë.
Në
këtë kuptim, ndëshkimi i këtij krimi me shumë gjurmë është një domosdoshmëri.
Opozita që ka dalë sot në rrugë dhe që bën thirrje në rënojat e teatrit për
mosbindje cilvile, duhet të betohet aty, jo për largimin e Edi Ramës, por për
ndëshkimin e tij. Sepse çdo ndryshim politik i pa shoqëruar pa dënimin e
autorëve të kësaj masakre do të ishte një farsë.
Ne
kurrë nuk do të bindemi se ka ndryshuar diçka, nëse ky krim harrohet.
Kjo
duhet bërë me çdo çmim, qoftë dhe duke shkelur mbi SPAK-un gjoja amerikan,
qoftë edhe me koston se, bashkë më të akuzuarin kryesor, mund të digjen si dëme
kolaterale, plot oborrtarë që i shkuan nga pas si lolo.
Kjo
duhet bërë sepse ky është krimi “par exellence”, i cili na jep mundësinë, që
duke ndëshkuar personin, të mbyllim hesapet edhe me sistemin 20 vjeçar që ai
ngriti.
Se
paku Edi Rama, me shembjen e teatrit, na e bëri këtë dhuratë, që me një proces
të vetëm të dënojmë së bashku me atë dhe gjithçka ai përfaqësoi. Tjetra është
në dorën tonë.
©Lapsi.al