E premte, 29.03.2024, 12:32 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Drama e fundit në Teatrin Kombëtar të Tiranës

E diele, 17.05.2020, 08:23 PM


Drama e fundit në Teatrin Kombëtar të Tiranës

Për tri vite rradhazi Shqipëria politike e kulturore ka qenë e përfshirë në një debat hamletian mbi çështjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Tiranës. Të prishet a të mos prishet Teatri? – kjo ishte çështja!

Shkruan: Blerim Latifi

Kjo dilemë u zgjidh në mëngjesin e hershëm të 17 Majit 2020, kur ekskavatorët e rëndë të Bashkisë së Tiranës, nën sigurinë e forcave të policisë së shtetit, filluan të rrënojnë ndërtesën e Teatrit, e ndërtuar tetëdhjetë e ca vite më parë, mbi bazën e një projekti të ideuar nga një arkitekt italian. Stili arkitekturor i kësaj ndërtese është stili i futurizmit italian, i cili kishte lulëzuar gjatë epokës së Musolinit, diktatorit fashist që kishte sunduar Italinë me dorë hekurt nga viti 1922 deri në vitin 1943.

Struktura e jashtme  e ndërtesës paraqet shprehje aktitekturore të koncepteve futuriste, në të cilat glorifikohet progresi industrial e teknologjik i epokës moderne. Kjo strukturë i ngjan një lokomotive, e cila është duke marshuar në drejtim të Perëndimit, që në këtë rast nënkupton Italinë fashiste. Thënë ndryshe: ndërtesa simbolizon Shqipërinë që ka hedhur shikimin e saj plot admirim mbi fqinjin e saj perëndimor.

I vetëdijshëm për mundësitë e një kundërshtimi të ashpër praktik, kryeministri Rama, zgjodhi ditën e fundit të masave të gjëndjes së jashtëzakonshme, që të zbatonte planin e tij të kahershëm për rrënimin e ndërtesës në fjalë. Rama duket të ketë menduar : Në kushtet e këtyre masave presioni i kundërshtarëve të prishjes do të jetë më i vogël!

Llogaria e tij doli të jetë e saktë. Rezistenca e atyre që ishin kundër prishjes ishte e dobët. Ajo nuk ia doli të ndalojë ekskavatorët e urdhëruar nga kryebashkiaku Veliaj. Ata që ishin më aktiv gjatë rezistencës përfunduan në komisariatet e policisë. Opozita e dënoi fuqishëm operacionin e rrënimit, por nuk ndërmorri ndonjë veprim serioz për ndalimin e tij. Pala që gjatë këtyre viteve ka kundërshtuar prishjen e ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar, asnjëherë nuk ka qenë homogjene në qëndrimet e saj.

Brenda rezistencës së saj mund të dallojmë së paku tri qëndrime të ndryshme: qëndrimin nostalgjik, qëndrimin antikuarist dhe qëndrimin partiak. Qëndrimi nostalgjik është qëndrimi i artistëve, kryesisht aktorë e regjisorë, të cilët dolën kundër rrënimit të ndërtesës së vjetër të Teatrit Kombëtar, për shkak se ajo lidhej me karrierën e tyre jetësore artistike. Secili ndihet keq kur e sheh duke u zhdukur një shenjë e identitetit të tij, një objekt i cili thotë shumë për jetën e tij.

Aktorët që kishin kaluar dekada të tëra në objektin e Teatrit që po i vihej kazma, nuk do të mund të bënin përjashtim nga kjo ndjesi e natyrshme. Ata, në fillim, pothuajse të gjithë ishin njëzëri kundër planeve të rrënimit, por më vonë debati me qeverinë e prishi homogjenitetin e tyre. Qëndrimin tjetër, atë antikuarist e përfaqësonin ata që e shihnin çështjen nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore. Për ta, çdo gjë e vjetër është vlerë në vete dhe si e tillë duhet të konservohet me patjetër.

Akuza e tyre për Ramën ishte se ai po bënte një krim mbi trashëgiminë kulturore të Tiranës. Në mesin e akuzave ishin edhe ato në të cilat qëndrimi i Ramës rreth ndërtesës së Teatrit krahasohej me politikën e Enver Hoxhës për rrënimin e objekteve të kulteve fetare gjatë vitit 1967. Ndërkaq, qëndrimin i tretë rezistent përfaqësohej nga partitë opozitare, të cilat debatin mbi ndërtesën e teatrit synonin ta kthehin në kauzë të tyre opozitare kundër pushtetit të Ramës.

Të tri qëndrimet rezistente, përkundër dallimeve në motivet e tyre, kanë një element të përbashkët: dyshimin se prapa planit të Ramës për prishjen e ndërtesës së vjetër të teatrit qëndrojnë interesa oligarkike të lidhura me pushtetin e Ramës. Rama akuzohet se qëllimi i tij është të heq qafesh këtë ndërtesë, për t’i bërë vend investimit kapitalist në ndonjë kullë të tjetër të madhe, si ato që tanimë janë ngritur në lindje dhe perëndim të sheshit kryesor të Tiranës.

Këtyre akuzave Rama u është përgjigjur duke nxjerrë planin për ndërtimin e teatrit të ri. Projekti i këtij teatri është bërë nga një arkitekt danez, Bjarke Ingles, i njohur për vepra arkitekturore që i përkasin asaj që njihet si “arkitektura metamoderniste”, një stil ky që kombinon elementet e modernizmit me ato të postmodernizmit. Maketi që është publikuar paraqet një godinë mbresëlënëse, e cila, nëse jetësohet, sigurisht që do t’i shtoj një dimension të ri estetikës publike bashkëkohore të Tiranës.

Çështja është se a mund të realizohej projekti i Ingles, pa u shkatërruar teatri i vjetër. Rama këmbëngulte se kjo nuk ishte e mundur, prandaj i vuri kazmën. Në muajt në vazhdim do të shohim nëse qëllimi i Ramës lidhet vetëm me interesin për ta bërë Tiranën me një Teatër Kombëtar Bashkëkohor, apo ky interes përfshin edhe motive të tjera jopublike, për të cilat dyshojnë mbrojtësit e teatrit të vjetër dhe opozita.

Nga dita e sotme fillon koha e boshllëkut në çështjen e teatrit: teatri i vjetër është zhdukur, i riu ende është vetëm projekt në letër. Me çfarë do të mbushet ky boshllëk? Sigurisht me atë që e kanë të bollshme shqiptarët: përplasjet politike! Për ata që deshën ta ruajnë dhe nuk mundën, nga sot marrim kuptim të plotë fjalët “nostalgji për teatrin e vjetër”: dhimbje për kthimin e pamundur të tij.

Ndërkaq, opozita që ka paralajmëruar protesta popullore në shkallë vendi, me gjasë, me kalimin e ditëve, do ta harroj kauzën e teatrit të vjetër dhe do të kërkoj t’i hapë plagë të tjera pushtetit të Ramës, në funksion të qëllimit për ta mundur në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në vitin tjetër. Rama ka një vit kohë për të dëshmuar se kundërshtarët e tij e kishin gabim për punën e teatrit. Deri atëherë mbase e kupton se një pjesë e gabimit qëndron edhe tek veprimi i tij dhe ky gabim ka të bëjë me faktin se ai nuk arriti dot të gjente formulën që mundëson modernizimin pa shkatërruar vlerat e të shkuarës, qofshin ato edhe në formën e një objekti artistik jofunksional.

Babai i konservatorizmit britanik, Edmund Burke thotë se “madhështia e një lideri qëndron në aftësinë për të kombinuar nevojën e ruajtjes së vlerave me nevojën për përmirësimin e gjërave”.

Marrë nga gazetaexpress.com



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora