| E diele, 17.05.2020, 03:00 PM |
KUR HISTORIA NUK KUPTOHET
(Mbi
tri paradigma të ndryshimeve historike për interesin nacional: Evropë, Serbi,
Greqi e Kosovë, ose nga historia si mësuese e jetës të lëvizjeve "e majtë
- e djathtë)
Nga
Prend BUZHALA
Lufta
e Dytë Botërore pati pasojat e ndryshimeve të thella edhe ideologjike, edhe
nacionale. Se si gjenden kombet e si rreshtohen, si ndryshojnë ato në
rreshtimet e rirreshtimet historike, kur ndodh një luftë, këtë e pamë jo vetëm
gjatë e pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe herën e fundit, në vitet
1998-1999 gjatë Luftës në Kosovë.
1.
Kështu,
një Gjermani naziste, menjëherë pas luftës, ndryshoi dhe u shndërrua në një
Gjermani demokratike, madje, shkallë pas shkalle, për të arritur në një shtet
që arrin majat e zhvillimit botëror. Evropa e pas Luftës së dytë Botërore
ndryshon, nuk është më ajo e para luftës: bëhet Bashkimi Evropian, krijohet
Aleanca Atlantike, NATO etj dhe sot kjo hapësirë prin në proceset botërore.
Evropa lindore i bashkohet Stalinit (si bllok "antifashist”) dhe pas
luftës përqafon totalitarizmin, duke mos marrë mësim nga një Gjermani.
Komunizmi, pas një gjysmëshekulli, ra si kështjellë prej letre, pa ndërhyrë
askush nga jashtë.
2.
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore janë dy shembuj tipikë (Greqia e Serbia) ndryshimesh
radikale, për të mbrojtur interesat e tyre sunduese mbi hapësirat shqiptare.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Greqia ishte antifashiste dhe aty janë zhvilluar
beteja epike kundër Gjermanisë. ishin "krahu i majtë" revolucionar që
e drejtoi atë luftë. Por në përfundim të Luftës ndodhi diçka tjetër:
revolucionarët i lënë mënjanë interesat e tyre "ideologjike" dhe
përparësinë ia lënë KRAHUT TË DJATHTË: ushtria i besohet gjeneral Zervos
(arvanitas grek), kur Çamëria përjeton njërën ndër tragjeditë më të mëdha të
Evropës. Nga një popullsi prej 35000 vetash që ishte para luftës, mbetën vetëm
disa dhjetëra familje. Mbi 100 mijë çamë shpërndahen në qytetet e Shqipërisë.
Greqia mbetet "e tërë", Çamëria pothuajse gati zhbëhet, shuhet.
Po
me Serbinë, ç ‘ndodh?
Edhe
Serbia qe rreshtuar në dy krahë; të majtët në krahun antifashist (komunistët,
revolucionarët) dhe të djathtët - fashist (çetnikët). Çetnikët ishin shumicë.
Mirëpo, meqë humb krahu "fashist", çetnikët i shpërbëjnë radhët e
veta, për hir të interesit “nacional serb” dhe çetnikët heqin kokardat e i vunë
në ballë yjet partizanë: e lënë mënjanë ideologjinë e tyre të “djathtë"
dhe përnjëherësh bëhen “të majtë”! Ia mësyjnë Kosovës, dhe Kosova ripushtohet,
nga brigadat partizane-çetnike (të majta e të djathta). Kosova ripushtohet.
Natyrisht, me simbolet partizane, ndryshe nga Greqia, që u vesh me ideologji të
djathtë, mbasi “nga skena” tërhiqen forcat “e majta”.
3.
E
Kosova?
Kosova
ka qenë mendjemprehtë. Fillimisht, me ardhjen e ushtrive të Hitlerit,
shqiptarët e Kosovës nuk e morën si pushtim, meqë mbi kokë e kishin një
pushtues shumëfish më të egër, siç ishte Serbia monarkiste që kreu gjenocide
mbi shqiptarë. Nuk mund t'i kthehej pushka një të ardhuri që t'i lejoi shkollat
shqipe, historinë shqiptare, që hoqi kufirin në mes etj etj. Dhe shqiptarët (e
Kosovës) qenë futur në ushtritë shqiptare-gjermane. Pas vitit 1943, përsëri
shqiptarët e Kosovës dinë të ndërrojnë: bëjnë një veprim historik të mençur,
rreshtohen në krahun “antifashist”, braktisin ushtrinë gjermane-naziste, dhe
futen në ushtritë partizane shqiptare, me besimin që Kosova do të bashkohet me
Shqipërinë.
A
u kuptua ky ndryshim qëndrimesh "ideologjike"?
Jo,
nuk u kuptua, se te forcat "partizane" shqiptare e kosovare
mbizotëroi ideologjikja e jo nacionalja. Më 1944, kur brigadat partizane të
Shqipërisë erdhën në Kosovë (kur më nuk kishte gjermanë), shqiptarët e Kosovës
masivisht futen në brigadat partizane (njëso siç qenë futur çetnikët në ato
serbo-partizane). Po ndodhte LOJA E RE E HISTORISË me rirreshtime e rreshtime
edhe pas luftës. Të tjerët e kuptuan këtë hile, shqiptarët, si komb, jo, nuk e
kuptuan, por populli (i tradhtuar) i Kosovës e kuptoi! Populli !”analfabet” që
kishte shqisë të jashtëzakonshme për t’i nuhatur proceset e lëvizjet pro e
kundër tyre!
Le
ta marrim si shembull unikat historik, atë të LUFTËS SË DRENICËS (1944-1945).
Ishin
dy figura kryesore të kësaj lufte që gjendeshin në krahë të kundërt: Mehmet
GRADICA ishte ushtarak në ushtrinë naziste gjatë Luftës së dytë Botërore (pra,
i djathtë). Ai braktis ushtrinë gjermane për t'u bashkuar me Shaban POLLUZHËN,
një tjetër figurë e atdhe e luftës, i cili ishte me USHTRINË ANTIFASHSITE
NACIONALÇLIRIMATRE (krahu i majtë, revolucionar), të cilin edhe ky e braktis,
sepse ky krah po tradhtonte interesat e Kosovës.
A
u kuptua kjo luftë e Drenicës dhe bashkimi luftarak e nacional i këtyre dy
figurave?
Jo,
nuk u kuptua, se Serbia ishte shumë më efikase me mashtrimet e saj. Krahu
luftarak partizan i Kosovës e i Shqipërisë, iu bashkuan partizanëve serbë
kundër Kosovës e kundër Drenicës! Shqipëria (Enver Hoxha) tek më 1981 e pranon
gabimin: Luftën e Drenicës, pas 35 vjetësh, e quan luftë kundër një nazizmi të
ri që po lindte në Jugosllavi! Tepër vonë kjo!
Beteja
gjatë vitit 1944-45 u zhvilluan edhe nëpër anë tjera të Kosovës (dihen figurat
nacional-demokrate të asaj kohe, me heronj epikë të asaj, që nga Gjilani,
Ferizaj e deri në Dukagjin e Rugovë). Kosova ripushtohet, sepse rirreshtimet e
reja ballkanike shqiptarët i gjeti të papërgatitur. Ndodhën masakrat e Tivarit
e gjithandej kah Gjilani e Tetova. Janë rreth 43 mijë shqiptarë që vriten në
Luftën e Dytë Botërore në Kosovë e përreth saj. Plus edhe 50 vjet të tjera
pushtim... me shpërngulje për në Shipëri, varsje e burgosje në masë.
4.
E
sot?
Le
të mendojmë pak më esëll: këndej ka ndodhur historia, me kryqëzimet
gjeopolitike romake e greke dikur, bizantine e sllave më pas, osmane e
evuroperëndimore më vonë, kryqëzime mes krishterimit autokton e islamizimit më
pastaj, komunizmit e demokracisë, europerëndimorizmit e orientalizmit. Kurse
problematika, si e tillë, kërkon qasje bashkëkohore kundruall qasjeve raciste,
armiqësisë ndaj të huajve apo paragjykimeve që lindën e u riaktualizuan prej
viteve '90 e këndej në gjithë Evropën.
Më
kujtohet, Instituti Albanologjik i Prishtinës, pikërisht në një moment kyç
historik, mbajti tribunën shkencore "Shqiptarët dhe Evropa dje e
sot", ku u dhanë përgjigje dhe u orientua drejt Kosova kah perëndimi. Dhe
ndihma erdhi më 1999, me gjithë sakrificat tona. Kosova u çlirua, kur për herë
të parë ditëm se kah të rreshtohemi.
Ndodhi
për herë të parë një rreshtim unik e i drejtë historik.
Ku
jemi sot?
Çka
ndodhi me ne pas Luftës?
Dhe
ç ‘duam tash e tutje?
Ç
‘duhet të bëjmë?
Duket
sikur koha përsëri ka ngecur diku.
Përgjigjen
e duhur, intelektualët e kanë dhënë edhe për këto 20 vjet, por ato kanë rënë në
veshin e shurdhër...
Por
te shurdhësia ka një shans të mirë, po qe se je i ndërgjegjshëm për shurdhësinë
e mendimit intelektual: po qe se ti je i ndërgjegjshëm se nuk po i dëgjon mirë
të tjerët, atëherë mund ta mprehësh shqisën tënde si komb, për të parë se çka
duhet.
Atëherë
shurdhësinë e zëvendëson me fuqinë e mendjes.
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 17 maj 2020)