E premte, 29.03.2024, 06:25 AM (GMT)

Kulturë

Agron Tufa: Bubulina

E shtune, 16.05.2020, 02:32 PM


BUBULINA

Nga Agron Tufa

Janë dy ditë fundjave. Dy ditë pushimi. Dy vajzat enden nëpër dhoma; vrapojnë, pengohen, bien, qeshin, prapë vrapojnë e gjithmonë diç rrëzohet me potere, por harbimi vazhdon: piskama gjithandej dhe të qarat e së voglës. E qara e saj është gjithmonë në zgrip, gati të shpërthejë. Në shtëpi ka një javë që ka ardhë banori më i ri: i porsalinduri. Vëmendja është përqendruar tek ai, ndërkaq që të mëdhenjtë ndjekin gjakngrirë dy vogëlushet, drejt të cilave lëshohen pasthirma të forta paralajmëruese: "Kujdeeees!", "Moooos!", "Mjaft!", "Mos e prek!".

Por vajzat kanë marrë imunitetin e duhur me kohë prej këtyre paralajmërimeve, andaj vazhdojnë katrahurën. E vogla, Bubulina 2 vjeç e gjysëm, përpiqet të spikasë para të mëdhenjve, duke recituar "Pujet Lola sa çudi/ ç'u bë bola, pse u shkli...?" (ajo nuk e shqipton dot zanoren 'y'), por e ndjen veten krejt të eklipsuar nga e motra, Vesa katërvjeçare, e cila ia rrëmben dhunshëm motivin, duke dalë para e duke e vazhduar vetë. Bubulina sfumohet nën protagonizmin e së motrës që pisket me një zë therës pikërisht vargjet, që deshi t'i recitonte vetë. Pasi sheh që e motra s'ka ndërmend të ndalet, Bubulina bën gjestin e zakonshëm të dëshpërimit: ngre të dyja duart sipër kokës dhe shfryn me psherëtimë: "O Zot i madhe-e!".

Askush nuk ndërhyn. Bubulina kalon në studio: i kërkon babit fletë të bardha dhe lapsa. I merr dhe nis të vizatojë. Vija të drejta, të shtrembëra, gjysmërrathë, pastaj trajta shtrembaluqe. Por edhe aty, si një tren i furrishëm hyn Vesa, ia rrëmben lapsat dhe nis të zhgarravisë vetë.

Në vend që të protestojë, Bubulina qan, shkul me inat kaçurelat e zeza. Koka e saj si manaferrë pikëllohet. E ndjen veten të flakur jashtë rradhe, jashtë fushëpamjes. Askush nuk e ka mendjen tek ajo. Atëherë Bubulina ngre duart lart dhe prapë psherëtin: "O Zot i madhe-e!".

Në shtëpi ka ardhur një beb dhe të gjithë po luajnë fiqirit pas tij. Bubulina e kundron gjatë, kërkon të kuptojë: "çdo ky qullash, që vetëm fle", por zgjedh si mënyrë kumunikimi me të, vetëm njërën: i flak një tufë çelësash në fytyrë... pastaj me dorën e majtë kap të djathtën, me të cilën sapo goditi në drejtim të bebit dhe ngrin e hutuar, duke kundruar turbull efektin e këtij gjesti tek të rriturit. Ata i flasin. Disa me të mirë, disa i tundin gishtin kërcënueshëm. Mami i flet me durim, gjatë e qortueshëm. Bubulina dëgjon e trishtuar dhe dikur hap krahët e vegjël dhe i thotë së ëmës:

"Po unë jam e vogël moj, nuk kuptoj! Lelmë!"

- O Zot, kur do të vijë më në fund e hëna! - fshan pafuqishëm e ëma, duke nënkuptuar kopshtin dhe çerdhen.

Shpresat për t'i nxjerrë të voglat jashtë ende nuk duken: përtej xhamave qyteti qullet në një shi të dendur e të heshtur. Më në fund, pasi ka dëgjuar fshamjen e pashpresë të së ëmës, del nga studioja babi. E merr në krahë të voglën dhe përpiqet t'i pëshpërisë diç ngushëlluese, por përfundon me një klishe pa fantazi, të cilën Bubulina e ka dëgjuar me qindra herë: "O Bubu, o Bubu/ ç'po na vjen një kalë me dru".

- Po mjaft, o Ba-bi! S'e dua!

Babi as që e ka mendjen dhe vazhdon të pëshpërisë të njëjtat vargje bajate.

- O Zot i madhe-e! - proteston gati në të qarë Bubulina dhe me pëllëmbën e vockël pëpiqet t'ia mbyllë gojën babit. I ati e lëshon. Vërdalliset nëpër dhomë dhe së mbrami nxiton në studio, duke mbyllur derën pas vetes.

Edhe Bubulina është zhdukur në dhomën e fëmijëve, por duket se edhe andej nuk e lë rehat e motra. Sepse që andej, ani pse dobët, prapë dëgjohet: "O Zot i madhe-e!" Dhe Bubulina del. Të mëdhenjtë po lajnë bebin në një govatë. Pasthirma ledhatare adhurimi. Asnjë nuk e ka mendjen tek Bubulina. As ajo nuk di me çfarë t'ua tërheqë vëmendjen. Ja dhe bebin e lanë, e veshën dhe mami po i jep të pijë. Vesa vazhdon të bëjë rrëmujë nga dhoma tjetër. Dëgjohet periodikisht zhurma e mbytur e diçkaje që shembet. Sende, lodra, rroba, libra...

-Çfarë po bën ti andej moj, Shkatërrime Tufa!

Përgjigje nuk ka. Bubulina shfrytëzon mungesën e së motrës dhe heshtjen e të mëdhenjve: del para kontrabufesë, merr pozicion duke hapur këmbët paksa për pikëmbështetje sa më të fortë, thotë disa herë me zë të lartë titullin e vjershës, deri sa t'i kujtohen vargjet: "Qu-ka-pik!", mandej nis:

"Quuu-ka-pik, o qu-ka-pik, /të kam shok e të kam mik...!"

Por, ajme! Ndjehet pabesisht e ndërprerë. Vesa ka marrë turr që nga dhoma tjetër; i del para së motrës dhe më një zë tejpërshkues ngre lart një flaut fëmijësh, duke i fryrë si për kushtrim, mandej shpall: "SuperVesaaa!".

- O Zot i madhe-e! Plapë kjo...! Po hiqu moj!

Vesa është si tank, nuk mund ta lëvizësh nga vendi, andaj Bubuja e gjorë tërhiqet duke pëshpëritur e pakënaque: "Ehu...ehu!". Por kësaj radhe tërhiqet krejtësisht. Hap derën e jashtme dhe del në sheshin e shkallëve. Përjashta dëgjohet brerima e shiut që derdhet me rrëshekë dhe pikërrimat karakteristike që rrahin tubat e qyngjeve. Aty, në sheshin e shkallëve, nuk e ngacmon askush të bëjë çfarë të dojë. Dhe Bubuja vendos të japë një koncert për vete. Provon të recitojë vjershën që ia ndërprenë. Larg të tjerëve. Për vete. Por ia nis keq:

"Quuu-ka-pik! Të kam mik... Të kam shok..." dhe më tej nuk i kujtohet. Dhe qan. Provon prapë, kësaj radhe duke numëruar ngadalë me gishta të gjitha atributet e qukapikut: "Quuu-ka-pik! të kam mik, të kam shok..." dhe ngec prapë këtu. Si duket harresa e rimës i sjell harresën e rendit të fjalëve. Qan nga inati. Provon prapë, por qan, se nuk i kujtohet. Pastaj vetëm qan. Ajo nuk e di se një kokë pas dere që po e ndjek fshehtas. Me dhimbje. Me kërshëri. Me buzë në gaz. Por Bubulina pushon së qari. Përtej mureve me tulla të vrimëzuara shiu dendësohet bashkë me rropamat monotone dhe pikërrimën në tubat e qyngjeve. Një vrundull ere beh në shkallare, përshkon tullat e vrimëzuara, përmbys dy-tre bidona të zbrazur plastikë dhe ngre në ajër një tufë letra.

- Kush fryn kështu? - pyet Bubulina dikë të papërcaktuar. Mandej vetë fryn bulçitë e vogla për të imituar shfryrjen e erës. Kapet pas parmakëve të shkallëve, sheh poshtë dhe pëshpërin me vete: "qu-ka-pik, qu-ka-pik, qukapik... pik-pik-pik... Mbushet me frymë, hap paksa këmbët dhe, duke kapur një nga një gishtat e dorës, thotë me bindje e siguri versionin e saj të ri të vjershës:

"Quuu-ka-pik! Të kam mik. Të kam shoook. Të kam... dhi!". Merr frymë thellë dhe thotë: "Po, unë të kam edhe dhi! Ja, kështu: me-e-e-e!", imiton ajo blegërimën e dhive. Me këtë sajesë, duket se Bubulina është krejt e kënaqur.

Hyn brenda dhe shpall para të gjithëve, me ngutin se mos e ndërpret Vesa:

"Quuu-kapik!

Të kam mik!

Të kam shoook!

Të kam dhi!"

2010

Nga "Thembra e Akcilit", MB, 2014



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora