Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Atdhetarizmi i Ukshin Hotit buronte nga besnikëria e tij filozofike

| E shtune, 16.05.2020, 01:19 PM |


Blerim Latifi:

Me 16 Maj të Vitit 1999, i burgosuri më i madh politik në Europën e asaj kohe, Ukshin Hoti, do të nxirrej nga Burgu i Dubravës, për të mos u ditur kurrë më për fatin e tij. Natyrisht, Beogradi zyrtar e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur me filozofin shqiptar, por tash e sa vite vazhdon të mos flas për këtë krim. Kjo është një heshtje makabre. E njëjtë me atë të inkuizicionit mesjetar dhe atë të regjimeve staliniste. Në Mesjetë mendimtarët e lirë digjeshin në turra të druve, ndërsa Inkuizicioni nuk lejonte të kishte varre për ta. Në regjimet staliniste disidentët, pasi i dënonin me vdekje, i varrosnin në gropa të paidentifikuara. Regjimet diktatoriale, si dje dhe sot, ua kanë frikën mendimtarëve të lirë, edhe kur ata janë te vdekur, prandaj ua zhdukin edhe varret. Sot Ukshin Hoti bën pjesë në historinë botërore të intelektualëve që nuk kanë një varr. Bashkë me të tillë si Gjergj Fishta e Xhordano Bruno. Bashkë me mijëra të tjerë të cilët gjatë historisë guxuan që forcën e tyre të mendimit të lirë t'ia kundërvënë regjimeve shtypëse.

Unë nuk e kam pasur rastin ta njoh personalisht Ukshin Hotin. Kur pata filluar studimet në Departamentin e Filozofisë në UP, në vitin 1997, ai ishte duke vuajtur burgun e dytë. Kam lexuar tekstet e tij dhe kam dëgjuar rrëfime për të nga kolegët në fakultet. Një temperament i zjarrtë, polemist i pamëshirshëm në stilin e Faik Konicës, i dashuruar marrëzisht në botën e librit. Ashtu siç e kërkon vetë koncepti i filozofisë. Në Fakultetin Filozofik Ukshin Hoti mbante kursin e filozofisë politike, kurs të cilin sot e mbaj unë. Filozofia politike indentifikohet me studimin e dy koncepteve: me konceptin e drejtësisë dhe atë të lirisë. Kush i mëson të tjerët për këto dy koncepte, një ditë e ndjen nevojën që edhe të luftoj për to. Kështu do të vepronte edhe Ukshin Hoti. Atdhetarizmi i tij buronte nga besnikëria e tij filozofike. E besnikëria filozofike është parasegjithash besnikëri ndaj lirisë. Schellingu thotë se "liria është fillimi dhe fundi i filozofisë". Nëse një ditë do ta kemi një varr të Ukshin Hotit, në gurin e atij varri duhen shkruar pikërisht këto fjalë të Schellingut.