E premte, 19.04.2024, 12:23 AM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Hasan Hasani – Princesha e Shalës

E premte, 15.05.2020, 07:36 PM


(Rilexim i qëllimshëm)

LIBRI “PRINCESHA E SHALËS”

DHURATË E KËNDSHME PËR FËMIJËT

Shkruan: Mr. Skënder R. Hoxha

Shkrimtari Hasan Hasani, autor i mbi shtatëdhjetë veprave zhanresh të ndryshme, përveç të tjerash, me sukses lëron edhe poezinë për fëmijë. Kur themi poezi për fëmijë, menjëherë kuptojmë destinimin dhe natyrën e kësaj pjese të letërsisë.

Në opusin e gjerë letrar, Hasani deri më tash botoi këta libra poetikë për fëmijë: 1. “Ajkuna e Rugovës”, Rilindja, Prishtinë, 1978; 2. “Mici e topi”, Rilindja, Prishtinë, 1980; 3. “Tali i Budalinës”, Rilindja, Prishtinë, 1986; 4. “Vallja e shkrimtarëve”, Pionieri, Prishtinë, 1993; 5. “Ezopi e breshka”, Pionieri, Prishtinë, 1995; 6. “Ylberi i shkronjave”, NGB Druekart, Prishtinë, 2000; 7. “Shqipet e Shqiponjës”, Vatra, Prishtinë, 2000; 8. “Abetarja e UÇK-së”, Vatra, Prishtinë, 2005;  dhe 9. “Princesha e Shalës” , Faik Konica, Prishtinë, 2010.

Në vijim të këtij shkrimi do të merrem me shqyrtimin epërmbledhjes poetike për fëmijë “Princesha e Shalës”.

“PRINCESHA E SHALËS”,  (Shtëpia Botuese Faik Konica, Prishtinë, 2010).

Princesha e Shalës, prej nga vjen edhe titulli i këtij libri me poezi për fëmijë, është Erjona, është mbesa e poetit Hasan i cili, që nga lindja e saj në Shalë, do të preokupohet me inspirim dhe do ta përcjellë me vargje poetike derisa ajo fillon të shkojë në shkollë. Kryepersonazhi i të gjitha poezive të e këtij libri është Erjona.

Kjo përmbledhje ka një lidhmëri motivesh e temash që nga poezia e parë deri në atë të fundit, ndaj edhe mund të quhet poemë, poemë për Erjonën, apo poemë për gjyshin dhe Erjonën. Poema nis me poezinë “Princesha e vogël”. Princeshën e vogël, në Shalën kreshnike, dalin ta presin gjyshja dhe hallat:

Në Shalën kreshnike

Një ditë shtatori

U gëzua një vatër

Gjëmoi  dhe oborri.”, (f. 7).

Atje rritej Erjona: “Këtu nisi rritën/ Stërmbesa e Malës/Me hënë e yll në gji -/Princesha e Shalës.”, (f. 8). Ndërsa, kur Erjona erdhi te dajët në Prishtinë, aty e priste  gjyshi në balkon,e poeti vargëzon për mbesën e vet: “Në balkon shikoi/ Gjyshin duke e pritur,/ Ëmbël e përshëndeti/ Dorën duke e ngritur.” Ardhja e Erjonës krijoi atmosferë gjallërie dhe gëzim të madh: “U gjallërua pallati/ Që erdhi Erjona,/ Gëzimi hyri n’shtëpi/ Gjer në orët e vona.”, (f. 10). Gjatë kësaj kohe ajo ishte zhgrehur në vaj, mbase ka pasur ndonjë dhimtë që e shtrëngonte, me çka shqetësoi gjyshin dhe të tjerët: “I madh e i vogël heshtin/ Mërziten sa s’ka ma, Erjona ende nuk flet/ Të tregojë se ç’ka!”, (f. 12).

Pastaj Erjona kthehet në Shalë, ku rritej me shoqet: “Princesha u kthye n’Shalë/ Një ditë marsi me diell,/ Atje rritej me shoqet/ Dhe zogjtë lart në qiell.”, si dhe me të mirat e asaj natyre: : “Kështu rritet çupëza/ Princesha e Shalës,/ Me mollë, dardhë, qershi Me shkathtësinë e njalës.” , (f. 13).

Kështu rritej Princesha e Shalës e gjyshi fillon ta thirrasë edhe me celular. Ajo, kur i bën 7 muaj e përqafon gjyshin: “Erjona ka shtatë muaj/ Duket shumë e gëzuar,/ M’përqafon dhe qesh/ Dhe më gërrith me duar.”, (f. 14), tregon gjyshi i Erjonës, poeti Hasan Hasani.

Në vazhdën e këtyre telefonatave, një befasi e këndshme ishte ajo kur Erjona nga Shala i tregon gjyshit që do të vinte në Prishtinë,: “Cingërron telefoni/ Aty afër n’tavolinë/ - Gjyshi im i mirë/ Nesër vij n’Prishtinë.”, (Poezia: “Gjysh, nesër vij në Prishtinë”, f. 15). Kur vjen mbesa Erjonë në Prishtinë: “Saherë vjen Erjona/ Ne këtu përtërihemi,”. Erjona shpeshherë bisedon me  gjyshin, përmes celularit:

“Erjona në Shalë

Gjyshi në Prishtinë,

Bisedojnë së bashku

Të heshtur kur rrinë.” (f. 18). E, kur gjyshin e merr malli për Erjonën, përshkruhet me vargjet: “Eja Erjonë, eja/ Gjyshin e ka marrë malli,/ N’ëndërr t’ka pa mbrëmë/ Dhe e rroku zavalli.”. Po ashtu, mallin për Erjonën ndonjëherë gjyshi e shpreh edhe duke iu drejtuar fotografisë së saj, shih në poezinë “Dil nga fotografia, dil”, f. 25: ”Dil nga fotografia, dil/Ç’më shikon buzagaz,(...), si dhe: “Eja t’dalim bashkë/Në Kodër të Diellit,/ T’lozim tok me fëmijët/ Si zogjtë e qiellit.”, (po aty). Poezitë: “Torta e ditëlindjes”, “Alo Erjonë, alo”, “Erjona në ëmbëltore”, e ndonjë tjetër, janë poezi krejtësisht të lidhura me shëtitjet dhe dialogimet e Erjonës me gjyshin e anasjelltas, ku jamë poetizuar mënyra e rrëfimit dhe bashkëbisedimet. Të gjithë titujt dhe përmbajtja e tyre janë në korrespondim me pritshmëritë e lexuesve të vegjël të cilëve u dedikohet dhe në një mënyrë a në një tjetër e gjejnë edhe veten aty.

Më rastin e botimit të librit “Princesha e Shalës” të Hasn Hasanit (2010), nga kritika letrare janë shfaqur mendime të ndryshme, shikuar nga kënde të ndryshme. Kështu, shkrimtari e kritiku Xheladin Mjeku kishte shkruar “Reflektimi i dashurisë së gjyshit ndaj mbesës, shqetësimet e tij, pastaj telefonatat me celular, kur gjyshi e thërret Erjonën dhe anasjelltas Erjona flet me gjyshin e saj, etj. vijnë si rrjedhojë e vargjeve të preferuara për fëmijë, që përkojnë realitetin kohor që tashmë po jetojmë.” 1)

Me përveçësi kujtoj se ia vlen të theksoj se poema “Erjona e gjyshi nëpër Kosovë”, poemë brenda librit – poemë, që vlerësohet e cilësohet si nje realizim interesant poetik për fëmijë. Është kjo poemë që mund të përgatitet si recital, mund të përgatitet si shfaqje e pëlqyeshme dhe e ëmbël për fëmijë dhe jo vetëm. Këtë poemë poeti Hasani e ka organizuar me një kor fëmijësh, me në krye Erjonën: Erjona, Deni, Olta, Dafina, Eri, të cilët ishin ulur në një lëndinë dhe bashkëbisedon për vizitën që kishin bërë Gjyshi Can (poeti Hasan) dhe Erjona nëpër disa fshatra të Kosovës ku ishin zhvilluar luftime gjatë viteve 1998 dhe 1999 ku edhe kishin rënë dëshmorë nga radhët e ushtarëve të UÇK-së dhe civilë shqiptarë. Për të gjitha këto Erjona fillon t’iu tregojë me radhë vogëlushëve, që nga nisja me makinën e gjyshit Can:

Dielli i kuq zjarr

Na fali freskinë,

Tok me gjyshin Can

U gjendëm n’kabinë.”, (f.35).

E, pikërisht për këtë poemë, kritiku e publicisti Riza Greiçevci tha: “Marrja e rolit të një mësuesi historian prej gjyshi, sikur është metoda parësore e poetit për të pasur mundësi të sintetizojë, sistemojë dhe vijëzojë më lehtë dhe më fuqishëm arritjen e qëllimit edukativo-arsimor të poemës.” 2) Erjona vazhdonte rrëfimin, për heronjtë e jasharajve të Prekazit, Shabanin, Hamzën, Ademin: “Aty seç na priti/ Baca Shaban i pari/ Hamza si vigan/ Shqiponja Adem Jashari.”, (f. 36), pastaj për Xhevën e Fehmiun, e vende të tjera nëpër Drenicë, e në një çast Deni i thotë: “Ndal, ndal, mos u ngut/ E dashura Erjonë,/ Na trego n’hollësi/ Pse kaq shjumë nxiton?”, (f. 37), kurse Erjona lehtas ia kthen: “Den, i dashuri Den/Çdo gjë do t’rrëfej,/ Rrugës se çka pamë/ N’Drenicë e më tej.”, (po aty). Ndërkaq, kur kishin arritur në Dukagjin, kishin bërë vizitë Izbicës, Qyshkut, Lybeniqit dhe ishin ndalur në Gllogjan: “Diku para dreke/ Arritëm në Gllogjan,/ Kulla katërkatëshe/ Frymën gjallë e mban.”. Aty kishin parë shumë varre dëshmorësh: “Varre e varre e varre/ Secili më krenar,/ Luani, Shkëlzeni, Enveri/ N’ballë t’atdheut ushtar.” (f.39). E, për të komletuar rrëfimin, nga gojë e vogëlushëve përmenden Kosharja e Juniku, Agim Ramadani e Sali Çeku, trima e dëshmorë të kombit. Por, kur e merr fjalën Dafina, thotë: “Na kënaqe me rrëfime,/ pusho pak moj Erjonë,/ Mos e harro Shqiponjën / Vendlindjen e nënës sonë?”, ndërsa Erjona vazhdon :(...) “Kur arritëm n’Dushkajë/ Te lisat mijëvjeçarë,/Aty n’Zabel t’Gojanit/ Preheshin shum’ legjendarë.”, (f. 43), e, aty, në Shqiponjë, kishin gjetur edhe: “Aty gjetëm Përkolajt/ Shtëpi, livadhe dhe ara,/ Ku lindi gjyshi ynë/ Ku shkroi vargjet e para.” . Erjona rrëfen se gjatë atij udhëtimi me gjysin Can (poetin Hasan Hasani), duke i rënë rrotull Kosovës, kishin kaluar edhe nëpër Krushën martire, Landovicën ,Kleçkën, e vizitojnë edhe Reçakun, për të përfunduar Erjona rrëfimin me:

Seç ofshani Erjona

Mes fëmijëve n’ledinë,

- Këtu mbaron rrëfimi

U kthyem në Prishtinë.”, (f. 47). Në këtë poemë mund të personalizohen detajet figurative  dhe karakteret brenda personazheve si shkrirje e tablove të natyrës së bashkëbisedimeve.

Një poezi ku shprehen ndjenjat e dhimbshme të poetit që ia kushton një vajze 7- vjeçare të cilën e kishte rrëmbyër një dorë krimineli. Ajo quhej Elonë dhe ishte gjetur e vdekur në malin e fshatit 19 ditë më vonë. Për atë njeri – kriminel që e mashtroi Elonën e vogël, poeti shpreh atë dhembje me vargje patetike: “Po nga mali zbret një bishë/ Bishë e egër, bishë – njeri,/ Faqemollën n’lajka grishë/ Njeriu bishë, bisha – njeri!”, (poezia “Elonë, moj Elonë”, f. 53. Poeti edhe mallkon: “Njeriu – bishë, bisha njeri/ Që t’i ngopë epshet me gjak,/ Mizorisht e vret atë fëmi’/ Gur mallkimi raftë n’atë prak!”, (po aty). Nga kjo ngjarje e trishtuar dhe tragjike, poeti, në strofën e fundit të kësaj poezie këshillon për kujdes mbesën e tij: “Andaj moj mbesa ime n’Shalë/ Dëgjoi porositë e gjyshit:/ - Mos i beso t’huajit n’fjalë/ Po vetëm prindërve dhe mësuesit.”, (f. 54).

Me vargje këshilluese poeti edhe e përfundon këtë përmbledhje poetike me poezinë “Këshillat e gjyshit”, f. 61, poezi edukative, me këshilla prindore që t’iu shmangen rreziqeve të mundshme:

Vale... dhe ti Erjona

Dëgjoni gjyshin ç’u thotë,

Bashkë shkoni në shkollë

Rrugës mos u ndani dot!”,

sepse: “E dini Ç’e gjet Elonën

Atë rreze dielli t’bardhë,

E mashtroi monstrumi

Nga shkolla duke ardhë!”, (f. 61). Hasani,duke hyrë në botën psikologjike të fëmijëve, me vargje, ua bën edhe fëmijërinë të bukur. Pra, fund e krye, është kjo poezi për fëmijërinë.

________________

1) Xheladin Mjeku, “Ninullat e lirisë”, shih: Skënder R. Hoxha, Muza e Dushkajës (Qasje nga autorë shqiptarë krijimtarisë letrare pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), Faik Konica, Prishtinë, 2017, , f.363.

2) Riza Grejçevci, “Princesha Erjonë e Shalës Dodonë”, shih: Skënder R. Hoxha, Muza e Dushkajës (Qasje nga autorë shqiptarë krijimtarisë letrare pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), Faik Konica, Prishtinë, 2017, shkrimi i, f. 356.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora