E premte, 19.04.2024, 07:19 AM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Pse huazohen, vidhen dhe përkthehen këngët e huaja?

E hene, 27.10.2008, 04:10 PM


Demir Krasniqi
PSE HUAZOHEN, VIDHEN  DHE PËRKTHEHEN KËNGËT E HUAJA?

Nga Demir KRASNIQI

 Lidhur me problematikën aktuale në estradën dhe tregun tonë muzikor gjithandej nënqiellit shqiptar , ku pa u penguar nga askush – huazohen , vidhen dhe përkthehen këngët e huaja , është shkruar , kritikuar e debatuar me qindra herë , por që të gjitha ato shkrime , kritika dhe debate kanë përfunduar gjithmonë në kontejnerët e mbeturinave shurdhmemece të shoqërisë sonë !
 Fenomeni i huazimeve, stërkeqjeve , vjedhjeve , përkthimeve dhe adaptimeve të këngëve të huaja , në shkrimet dhe debatet shterpa , në vazhdimësi vetëm janë kritikuar , por asnjëherë nuk janë marrë me pasojat dhe shkaqet e këtyre dukurive të shëmtuara të jetës sonë muzikore !
 Shkaqet të cilat shpien drejt huazimeve, nëpërkëmbjeve , vjedhjes së veprës së autorit , përkthimeve dhe adaptimeve të këngëve të huaja , janë të shumta , ndërsa pasojat dhe frytet e kësaj piraterie , janë shumë të hidhura dhe me përmasa katastrofale si për konsumatorët e këtij tregu, aq më tepër për gjeneratat e reja që vijnë pas nesh e që rrita e tyre helmohet me ahengjet e tymosura me vlera të tilla muzikore !
 Njëra prej shkaqeve që i shpie në këtë rrugë të errët interpretuesit e këngës popullore, pa dyshim është mungesa e kompozitorëve të specializuar për krijimin dhe kompozimin e këngëve të bazuara fuqishëm mbi themelet e traditës dhe të kulturës sonë tradicionale kombëtare!
 Ç’ është e vërteta , ne kemi një numër simbolik të kompozitorëve të këtij  zhanri muzikor, të cilët mund të numërohen në gishtërinj , por që të tillët nuk  e gëzojnë përkrahjen , mbrojtjen , as stimulimin institucional për të ushtruar veprimtarinë dhe punën e tyre profesionale.
 Po të gëzonin mbrojtjen dhe mbikëqyrjen  institucionale, po të stimuloheshin ata për punën e tyre, sigurisht se nuk do të iu linin kanale të hapura hajnive, piraterive, adaptimeve, përkthimeve të këngëve të huaja, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët me gjenet e gjakut dhe të kulturës sonë kombëtare!
 Në vendet demokratike, ku sundon ligji e shteti – arti dhe kultura vihen nën kontroll të rreptë ligjor, mbrohen krijuesit dhe veprat e tyre, por edhe stimulohen fuqishëm nga buxheti shtetëror.
 Për të mbrojtur, stimuluar dhe avancuar krijimtaritë e ndryshme artistike, çdo shtet e ka Ligjin mbi Mbrojtjen dhe të Drejtat e Autorëve, ku në rastet e keqpërdorimeve dhe vjedhjeve të këtyre veprave, do të pasonin dënime dhe gjoba të pa para dhe autorëve të tyre do të iu kompensohej dëmi i shkaktuar !
 Ky Ligj, si duket , në analet e gjyqësisë dhe drejtësisë shqiptare, as që ekziston, por edhe nëse ekziston, ai nuk funksionon kurrë ?!
 Krahas mungesës së ligjit dhe mosfunksionimit të tij, na mungon organizimi dhe mbikëqyrja profesionale institucionale e kultivimit dhe ruajtjes së vlerave kombëtare, përmes të cilave do t’ i shpallej luftë e hapur antivlerave dhe keqpërdorimeve të vlerave.
 Mungesa e mbikëqyrjes institucionale ka krijuar kaos të paparë edhe në tregun muzikor, kur sot kujt t’i teket mund të ushtrojë detyrën e prodhuesit dhe shitësit të prodhimeve muzikore, pa u verifikua, pa u vlerësua dhe pa u pengua prej askujt !
 Deri tek devijimet dhe skandalet në jetën tonë muzikore, njëri  ndër  viruset që  i nxitë interpretuesit e këngës popullore për tu zhytur në ato ujëra të turbullta dhe të ndyta, padyshim se është papunësia dhe varfëria e paskajshme .Andaj, interpretuesit e kësaj kategorie, ndoshta pa dëshirën e tyre,  do të futen në këto lojëra , me të vetmin qëllim që ta sigurojnë kafshatën e bukës dhe ekzistencën e tyre !
 Në anën tjetër, nuk janë të rralla rastet kur disa talent  të rinj i rreken profesionit të këndimit publik, të nxitur nga lakmia dhe iluzionet se po qe se do të bëhej këngëtar, shumë shpejt do të bëhej milioner?!
 Këtë lakmi tek talentet e rinj, e kanë mbjell propagandat dhe reklamimet e rrejshme të disa interpretuesve të vjetër, të cilët vazhdimisht e kanë lavdëruar veten para opinionit publik, se gjoja ata kanë fitua miliona e miliona duke kënduar nëpër dasma, koncerte, festivale, diskoteka, audio-kaseta, video – kaseta, video – spote etj.
 Një kategori tjetër e këngëtarëve të estradës, të cilët merren në vazhdimësi me këto keqpërdorime dhe devijime, janë ata të cilët i nxitë lakmia për t’i  ngritur vetit karrierë artistike në skenat koncertale , festivale të ndryshme muzikore, diskoteka, shou emisione televizive, spektakle, mediume të ndryshme, ku për të depërtuar deri tek këto skena , ata jo që fitojnë para, por janë në gjendje të shesin edhe tokën e babait pëllëmbë për pëllëmbë dhe t’ i paguajnë organizatorët, shoumenët, t’ i paguajnë vetë madje edhe “Shpërblimet e para”, vetëm e vetëm që para opinionit të promovohet si “këngëtar shumë i madh” dhe “shumë i kërkuar!”
 Duke e nuhatur këtë mentalitet dhe këtë epsh kaq të madh, sidomos tek talentet e rinj, shumë shpejt iu kanë rënë në gjurmë dhe në gjah disa të ashtuquajtur “kompozitor satelitor”, të cilët veten e promovojnë si “kompozitor dhe tekstshkrues “ të këngëve të reja popullore!
 Kompozitorët satelitor, kujdestarojnë gjatë tërë natës, duke i përcjellë kanalet televizive satelitore, duke i incizuar ato programe, duke i përkthyer dhe adaptuar meloditë e atyre këngëve dhe pastaj do të nisen për në gjah dhe mashtrime të talenteve të rinj, për t’ ua shitur ato këngë e tekste, gjoja si kompozitor dhe autorë të dyfishtë ! Për këtë punë të “mundimshme krijuese”, ata iu marrinë para të mëdha interpretuesve të rinj  të këngës popullore !
 Kështu, matrapazët e këtillë të biznesit muzikor, duke e promovuar veten si kompozitor, tekstshkrues dhe garantues të sukseseve, i mashtrojnë talentet e rinj (kryesisht të pa arsimuar) dhe i fusin nëpër ujëra të turbullta me bastardime, vjedhje, amoralitete, banalitete  deri tek pornografia !
Mungesa e mbikëqyrjes profesionale dhe institucionale, matrapazëve të këtillë dhe mashtruesve të tregut muzikor, ua lë dyert e hapura dhe duart e  lira, që ata vet të luajnë edhe rolin e regjisorëve, nëpër projektet e ndryshme filmime, e në veçanti në xhirimet e video – spoteve me këngëtarë e këngëtare të reja, të cilëve në emër të “regjisë” dhe “artit modern”, ua imponojnë lloj-lloj skenash amoraliteti dhe pornografi të çmendura ! Dhe e tërë kjo  “regji” bëhet në llogari të përfitimeve materiale të menaxherit, apo producentit, i cili ato prodhime do t’ shet në tregun muzikor, vetëm në saje të pornografisë dhe banaliteteve!
 Mungesa e kritereve profesionale ka bërë që  “prodhimet e këtilla artistike” , pa u penguar nga askush, të na i vërshojnë edhe ekranet tona televizive dhe të na i bombardojnë familjet me pornografi! Kjo flet më së miri se matrapazët e tregut “modern” muzikor, ashtu siç dinë t’ i mashtrojnë talentet e rinj dhe t’ i viktimizojnë ata për interesa të veta materiale , dinë që t’ i korruptojnë edhe kanalet televizive, qofshin ato të pavarura, apo publike !
Koha ecën përpara dhe ligjet e saj ndryshojnë. Ndryshojnë  stilet, veshmbathjet,  teknika, instrumentet, shijet e njerëzve. Por këto ndryshime do të duhej që të na shpien përpara në progresivitet, e jo të na kthejnë prapa deri në kohën e gurit, kur njerëzit ende nuk kishin veshmbathje dhe mbuloheshin me lëkura të shtazëve të egra!
Edhe kënga popullore mund të modernizohet e të stilizohet në mënyra të ndryshme, por jo me banalitet, amoralitet dhe pornografi!
Autoktoni ishte dikur edhe punimi i tokës në bujqësi me shati, parmenda, drapër, kosë... Pastaj bluarja e drithërave me mokra , në mullinj me ujë e me erë! Por sot ato nuk mund të përdorën në emër të ruajtjes së vlerave dhe autoktonisë tradicionale!
Edhe kënga e muzika sot kanë  ndryshuar nga e kaluara në mënyrë radikale. Dikur këndoheshin këngë legjendare, epike, historike me qindra vargje, me melodi të thjeshta e me përcjellje të instrumenteve primitive, por sot ato këngë nuk mund t’ i dëgjoj më askush, nga se ato marrin shumë kohë dhe tani jemi në kohën e internetit e të kompjuterit...
Le të modernizohet kënga, le të modernizohen instrumentet, le të modernizohen interpretuesit e saj, por le të ruhet bazamenti i shëndosh kombëtar, morali i fortë, besa, dashuria e sinqertë, bujaria, krenaria dhe të gjitha virtytet e shëndosha të cilat e kanë karakterizua kombin shqiptar, e jo të modernizohemi me banalitete, vullgaritete, amoralitete dhe pornografi çmendurie !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora