E merkure, 24.04.2024, 04:25 PM (GMT+1)

Editorial

Tragjedia Çame

E diele, 10.04.2005, 10:31 PM


TRAGJEDIA ÇAME DO TË THOTË:
GENOCID, SPASTRIM ETNIK, LUFTË FETARE, SHKELJE E TË DREJTAVE NJERZORE
Isuf B. Bajrami

Çështja çame lindi si problem i mrehtë në marrëdhëniet midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë, qysh në Kongresin e Berlinit më 1878 dhe u përligj mbas vendimeve të Konferencës se Ambasadorëve në Londer më 1913, ku Çamëria dhe viset e tjera të Shqipërisë iu shkëputën me pa të drejtë, duke i kënaqur me aneksimin e tyre, shtetet fqinje.

Qe nga viti 1913 Çameria konsiderohet nga ne, tokë e pushtuar me dhunë nga Greqia.

Çështja Çame është një trgjedi kombëtare jo vetëm në njerëz por edhe në territore.Marrja e Krahines së Çamerisë kësaj bariere për Greqinë i hapi dyert pretendimeve absurde të shovenizmit grek për të marrë hapësira të tjera shqiptare.

Tragjedia Çame një padrejtësi që kërkon zgjidhje

Në skajin më Jugor të Shqipërisë së sotme fillon krahina shqiptare e Çamerisë ose siç quhet sot nga administrata greke Thesproti.

Ajo përbën pjesën më jugore të trevave etnike të Epirit të Jugut të banuara prej shqiptarëve që nga antikiteti (nga kohërat Pollazgo-Ilire) e deri më sot.

Një popull e një vazhdimësi territori etnik. Këtë e dëshmojnë autorët e lashtësisë greke dhe gjithashtu Enciklopedia e madhe greke si dhe shumë autoritete shkencore botërore. Këtë e vërteton prezenca e gjallë, faktori njeri, shqiptar ne gjuhë, kulturë dhe tradita.

Popullsia e Çamerisë ka qenë homogjene shqiptare 99% në qytetet, 100% në fshatra.Historikisht përkatësia fetare e krahines së Çamerisë,ka kaluar në një proces të gjatë ndryshimesh të diktuara nga rrethana të caktuara historike.Nga paganizmi,ne lashtesi,ne katolicizem në shekujt e parë pas eres së re deri në shekullin trembëdhjetë-katërmbëdhjetë.Prezencen e besimit katolik në Çamëri e dëshmojnë emrat e shqiptarëve në ato kohë,sidomos e princave të saj si Pjeter Losha,Gjin Bue Shpata,etj,(prania në masë e emrave Gjin,Gjon,Mark,Lek,Pal etj..). Në këto periudha (shekulli 13-14) si rezultat i dyndjeve bizantine në krahinën e Epirit (invazionet greko-serbe),kjo krahinë kaloi në ortodoksizëm.Deri në fillim të shekullit 18,popullsia e kësaj krahine ishte e besimit ortodoks.Mbas kësaj periudhe fillon procesi i islamizmit në mes të shqiptarëve.Si rezultat i këtij procesi sipas të dhënave statistikore të administratës turke,50% e popullsisë shqiptare u kthyen në besimin islam dhe 50% ruajtën besimin ortodoks.Rreth këtyre shifrave në dëm të etnis shqiptare është spekuluar deri më sot.Regjistrimi i vitit 1910 i administrates së Turqve të rinjë dëshmon se në këtë krahinë jetojnë 83.898 shqiptarë mysliman dhe ortodoks.Ndërsa vjetari statistikor i qeverisë greke i vitit 1936 shenon se në Çamëri banojnë vetëm 26.000 shqiptarë duke mos përmendur shqiptarët ortodoksë të cilët qeveria greke i konsideron si grekë.

Si rezultat i spastrimit etnik (genocidit) që u bë në 1944-1945 në krahinën e Çamërisë u dëbuan me dhunë 30.000 shqiptarë mysliman të cilët gjetën streh në Republiken e Shqipërisë ku jetojnë edhe sot.

Kjo popullatë sot kap shifren mbi 150,000 vet,shifren e cila shpjegohet me natalitetin e lartë të kësaj popullate mbas genocidit.

Ndërkohë që në Çameri-Thespasi (Greqi) Komuniteti autokton i shqiptarëve të besimit ortodoks kap shifren 250-300,000.Ky komunitet sot nuk guxon të vetdeklaroj identitetin e vet si rezultat i politikes mohuese e asimoluese qe ndjekin qarqet qeveritare greke ndaj prezences se etnive në territorin grek.

Deshmi e pakontestueshme për prezencën e shqiptarëve ortodokse sot në Çameri (Greqi)është edhe gjaku e lidhjet e hershme fisnore që kanë me ta Çamët myslimane,sa do të përpiqen e ta mohojnë këtë prezencë qarqet greke.

Me vendim të Konferencës së Ambasadorëve në Londër më 1913 kjo Krahinë ju shkëput trungut amë dhe ju aneskua shtetit Grek.Megjithë rezistencën dhe kundershtit e veta historike,popullata autoktone e Çamërisë,ju nënshtrua fatit tragjik të saj,duke e konsideruar si minoritet etnik shqiptar nën Greqi.

Fati i minoritetit shqiptar të Çamërisë përbën një tragjedi kombëtare shqiptare jo vetëm në territore,por edhe në njerëz.

Politika dhe qëndrimi zyrtar grek ndaj minoritetit etnik shqiptar në Çamëri

Mbas aneksimit të Çamërisë më 1913 deri më sot popullsia e saj gjatë tërë viteve nën shtetin Grek nuk ka gëzuar asnjë të drejtë njerëzore e kombëtare që i takon.

Qarqet zyrtare greke mbështetur në Konceptin absurd të mohimit të ekzistencës së grupeve etnike në teritorin e saj,kanë ndjekur një politike shovene të drejtuar në dy drejtime.
1. Ndaj shqiptarëve të besimit ortodoks,politikën e asimilimit,duke i privuar nga çdo e drejte etnie,;kulture,apo gjuhësore,duke i konsideruar grek,pra ngaterronin me qëllim fenë dhe kombësinë,veprim që e bëjnë edhe sot ndaj shqiptarëve duke pretenduar se të gjithë ortodoksët janë grek.
2.Ndaj shqiptarëve të besimit islam aplikuan politiken e gjenocidit dhe shfarosjen duke mohuar gjithashtu etnin.Në shumë raste me qëllim i kanë konsideruar turko-çam dhe jo shqiptaro-çame.

Kjo tragjedi e projektuar afro 1 shekulli më parë,nga Greqia ju arrit qëllimit në fund të Luftës së Dytë Botërore më 1944-1945 kur banda kriminale të Gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva realizuan pastrimin etnik të shqiptarëve mysliman të Çamërisë.

Genocidi (Spastrimi etnik)i vazhdueshëm i shqiptarëve në Çameri

Për të realizuar synimet e veta grabitqare qarqet zyrtare greke asnjëherë nuk e respektuan popullaten shqiptare të Çamërisë duke u treguar mosmirënjohëse ndaj ndihmeses së vyer historike,qe ky popull dhe kjo krahinë kanë dhënë historikisht në shekuj për popullin grek.
1.Fill mbas aneksimit ajo ka nënshtruar me dhunë popullatën e pafajshme shqiptare,duke vrarë me pabesi 72 burra nga paria e kësaj krahine më 1913 në vendin e quajtur Selan Paramithia (Ajdonat),te cilët kishin shkuar për bisedime me palen greke,si dhe dhjetra e dhjetra njerëzve të tjerë të pafajshëm.
Për të dalur persekutimet e qeverisë greke kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë,më 8 qeshor 1913,patriotët çam kanë protestuar pranë qarqeve Evropine.

2.Ajo që tmerroi Çamët si veprim vdekjeprurës për Çamërinë ishin përpjekjet satanike të qeverisë greke më 1923-1924 për t’u përfshirë edhe çamët myslimanë midis Turqve myslimanë që banonin në Greqi,të cilët sipas marrëveshjes së Lozanes,Janar 1923,midis Turqisë dhe Greqis,do të shkëmbeheshin me Grekët e Anadollit.(1)
Qeveria greke duke e shkelur në mënyrë flagrante këtë marrëveshje nuk ju përmbajt deklaratës të përfaqsuesit të saj në Lozan Kalamanos,më 19 janar 1923 ku deklaroj se qeveria e tij nuk kishte aspak ndërmend ti fuste në shkëmbim “myslimanët me origjinë shqiptare”,për të cilët ai vetë kishte propozuar se “banojnë me një krahinë të përcaktuat fare e qartë – Epirin”dhe se”ndërsa janë bashkëfetarë me Turqit,nuk janë aspak bashkëatdhetarë të tyre”.(2)
Komisioni mikst greko-turk ( në mars 1924)(3),vendosi që kundrejt popullsisë shqiptare të Çamërisë,një realitet etnik dhe historik që njihej edhe nga pala greke,të mos zbatoheshin kurrfarë procedurash apo formalitetesh në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke.
Në kundërshtim me realitetin historik dhe marrëveshjeve të arritura,qarqet zyrtare greke e detyruan me forcë këmbimin (si skllavërit zezak në mesjetë) të çamëve që arrijnë disa dhjetëra mijëra vetë,duke realizuar në atë kohë një pjesë të planit të harruar për një spastrim etnik të “minoritetit”etnik autokton në trojet e veta.

3.Me ardhjen në fuqi të qeverisë fashiste të Joani Metaksanit më 1936,gjendja e popullsisë shqiptare të Çamërisë u rëndua më shumë.
Kjo qeveri zbatoi një politik diskriminimi të paparë.Vazhdoi konolizimi me grekë me qëllim ndryshimin e raporteve të popullsisë.Ndërrimi i emrave shqip të vendbanimeve të shqiptarëve me emrat grek.
Aplikoi një gjenocid të vërtetë,arrestime,internime,konfiskime të pasurisë.Ky program thellohej hap pas hapi duke e bërë jetën e shqiptarëve të padurueshme.

4.Gjendja në Çamëri u bë më e trubullt dhe më e rëndë sidomos në prag të Luftës së Dytë Botërore.Në prag të pushtimit të Greqisë nga Italia fashiste, Qeveria Greke bëri mobilizimin e përgjithshëm të popullatës për luftë.Shqiptarët e Çamërisë si nënshtrues të këti shteti i kërkuan qeverisë së atëhershme greke që t’i mobilizonte edhe ata nën armë për ta luftuar armikun e përbashkët.
E “prekur” thellë nga ky gjest liridashës i çamëve,qeveria greke i falemnderoi ata dhe i mobilizoi,por në vend të armëve u dhanë kazma e lopata duke i çuar në prapavijë për të bërë punime të dorës së dytë.
Qeveria Greke me këtë veprim mosbesimi të demostruar hapur e fyen rëndë gatishmërinë e çamëve dhe i distancoi prej saj me qëllim të paramenduar, për të akuzuar më vonë çamët myslimanë si bashkëpunëtorë me pushtuesin.

5. Me pushtimin e Greqisë nga Italia autoritetet greke nga frika dhe për çka kishin bërë ndaj popullatës të pambrojtur çame,urdhëruan internimin me forcë të meshkujve nga 14 vjeç e lartë në kampet e përqëndrimit në ishujt e detit Egje,Hio,Medilin,Korinthe,etj.
Gjatë rrugës për në internim qarqet zyrtare greke përpunuan psikozen se ata ishin robër lufte që u kishin vrarë djemtë popullit grek,duke nxitur urrejtjen dhe njëkohësisht për të maskuar të vërtetën,si të pafajshëm të marrë me forcë nga shtëpitë e tyre dhe jo nga fronti i luftës.
Gjatë internimit në kampe të tipit Mathauzen,çamët u keqtrajtuan deri në një zhdukje fizike gradualet të tyre.
Ndërkoh në Krahinën e Çamërisë kishin mbetur gra,pleq e fëmijë të pambrojtur duke u bërë pre e vrasjeve,grabitjeve,përdhunimeve nga banda kriminale greke.
Kur u kthyen nga internimi çamët me shpirtin e tyre të durueshëm për të mos acaruar e thelluar menxyren që po ju kanosej nuk ndermorën asnjë veprim të hakmarjes por filluan vetmbrojtjen e tyre duke zgjedhur rrugën e pajtimit. Këtë e dëshmojnë vetë historianët grekë serioz e të ndershëm,dhe qytetarët e tjerë të kësaj krahine.

Genocidi i pashembull dhe zbim i shqiptarëve etnik (mysliman) nga vendbanimet e tyre historike

Më 27 qeshor të vitit 1944 në krahinën e Çamërisë, ndaj popullatës shqiptare myslimane filloi akti i fundit i gjenocidit që çoj në spastrim etnik të kësaj popullate martire.

Banda kriminale e shovinizmit grek derdhen mbi këtë krahinë mizorit më të pashembullta të njerzimit.

Barbarizmat që ndodhen në kurrizin e kësaj popullate të pafajshme kalojnë çdo cak njerëzor.Vrasje,përdhunime,groposje për së gjalli.Prerje të organeve të ndryshme trupore,hund,vesh,etj.Gra me gjinjë të prera e të masakruara,fëmijë të djegur në furrë,gra shtatëzëna me barkë të çarë.

Në qytetin e Paramithisë ditën e martë të 27 Qeshorit 1944 që është dita e“Shën Bartolemeut”për gjithë Çamërinë brenda 24 orëve u vranë mbi 600 burra,gra e fëmijë.
Në Filat gjatë periudhës qeshor 1944-mars 1945 u masakruan dhe u vranë 1286 persona.
Në Gumenicë u vranë 192.
Në Margelliq e Pargë 626 persona, etj.
Ka me qindra të tjerë të paidentifikuar e të zhdukur pa lënë gjurmë.

Janë grabitur të gjitha llojet e oriendive shtëpiake në masë ( fshatrat e Çamërisë kanë qenë të përmendura për pajisjet e shtëpive)etj.
-U shkatëruan 68 fshatra;
-U dogjën dhe u rrënuan 5800 shtëpi;
-U shkatërruan të gjitha objektet e kultit si dhe u grabitën pasurit,prona të këtyre kulteve (mbi 80 xhami).

Kjo është pasqyra e barbarizmave shoviniste greke.

PASQYRË MASAKRASH GRABITJESH DHE DHUNUMESH TË KRYERA NGA SHOVINISTËT GREKË TEK POPULLSIA SHQIPTARE E ÇAMËRISË GJATË VITEVE 1944-1945

Banorë të masakruar , gra
Të moshuar e të rinjë, 2900
Gra, 214
Fëmijë, 96, nën 3 vjeç 32
Gra të dhunuara, 745
Gra të grabitura, 76

GRABITJE PASURIE
Vaj ulliri 8475200 kg
Drithëra 6743400 kv
Kafshë pune 4453
Bagëti të imta 46 435, të trasha 5 137

Terrori ishte i përmasave të tilla deri sa detyrohej popullsia shqiptare myslimane të braktisë për shkak të dhunës,trojet e të parëve të tyre mijëvjeçare duke gjetur strehë në Republikën e Shqipërisë mbas marsit të vitit 1945.

Mbi përmasat e kësaj tragjedie dhe qëllimin e saj e dëshmojnë qartë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe misionet anglo-amerikane që vepronin në këtë kohë në Greqi dhe në Shqipëri.

Përpjekjet për të ndërkombëtarizuar çështjen Çame

Mbas dëbimit të dhunshëm, emigrantët çamë që rezoltonin me nënshtetësi greke e nënkombësi shqiptare,u organizuan në Shqipëri menjëherë gjatë vitit 1945 dhe nën drejtimin e Komitetit Antifashist Çam sensibilizuan organizmat e ndryshme ndërkombëtare si dhe shtetin amë lidhur me tragjedinë e tyre dhe kërkesat e tyre të ligjshme.

Qeveria e re shqiptare e pas luftës iu drejtua konferencës së Paqes në Paris dhe Konferencës së Ministrave të Jashtëm të Fuqive Aleate jo vetëm duke përkrahur gjendjen rënqethëse të çamëve,por edhe duke kërkuar riatdhesimin e ripronësimin e tyre.Dhe kjo ishte e drejta e tyre e ligjshme që mbrohej edhe nga vendimet e atëhershme ndërkombëtare për të drejtat e pakicave kombëtare.

Tablloja e mjerimit të çamëve dhe kërkesat e tyre u parashtruan edhe në Konferencën e Parisit (1946) prej Ministrit të Jashtëm Shqiptar.

Megjithatë, përpjekjet më të mëdha për ta ndërkombëtarizuar problemin dhe për ta tërhequr përkrahjen e fuqive Aleate i bëri Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar Çam,si përfaqsuesi më i drejtëpërdrejtë i popullatës çame.

Janë të shumta Memorandumet dhe telegramet e protestës,që u ka dërguar Fuqive Aleate dhe forumeve përkatëse si Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër e New-York, Kryesisë së Ministrave të Jashtëm Aleate në Londër e Mosk, Konferencës së San Françiskos, Qeverisë së Angisë, Amerikës, Bashkimit Sovjetik, Dhomës së Deputetëve në Uashington, Londër e Moskë, Shtabit të Përghithshëm të Mesdheut, etj.
 
M E M O R A N D U M
I KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË NË SHQIPËRI
KOMISIONIT HETIMOR TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË U.N.O.
RRETH TRAJTIMIT DHE MASAKRAVE NË MINORITETIN SHQIPTAR ÇAM NË GREQI
Ne Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të U.N.O.-s, n’emër të emigrantëve Çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistat Grekë për të shfarosur Minoritetin Shqiptar në Greqi. Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:

Klika shoviniste dhe reaksionare greke prej 32 vjetëve me rradhe duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor dhe duke mos përfillur as pak traktet Ndërkombëtare kanë përdorur kundër minoritetit Shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje. Qysh me pushtimin grek në Çamëri më 23 shkurt 1913, banda e Deli Janaqit e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vëndit masakroi pa më të voglën arsye 72 burra të krahinës Paramithisë në pruan e Selamit. Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit Shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika greke kundrejt popullatës sonë.

Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet në pretekstin e çarmatimit gjatë vjetëve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitaxhinjve, provakacioni më 1921 i Gjeneral Bairas, të gjitha këto e tregojnë realitetin e mjerrimeve në të cilat u vu popullata e jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopsi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Margëllëçi, Arpica, Grykohori, etj, janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrejtë këtë terror. Më 1922-1923, qeveritarët e Greqisë vendosën të zbatonin shpërnguljen e elementit mosleman të Çamërisë (duke i gjykuar si turq) në shkëmbim me grekërit e Azisë së vogël (duke i gjykuar sipas fesë). Ky akt i turpshëm i qeveritarëve te Athinës u has në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke njohur kombesine Shqiptare të popullatës sonë hodhi poshtë vendimin e qeverisë Grek.

Por megjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria Greke në Lozanë më 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të çfarrosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit Shqiptar, çpronsuan qindra familje në 6000 ha tokë pa më të voglin shpërblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar, etj. Qeveria e Athinës vendosi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekër dhe të krijojë mundësin e emigrimit të popullatës autoktone Shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovci, Shëndëllinja u braktisën krejt nga banorët Shqipëtarë. Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnji të drejtë nacionale dhe na pengoheshin akoma edhe Gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës kombetare dhe të përparimit, përkrahet fanatizmi dhe injoranca, në vënd të shkollave hapeshin dhe ndihmoheshin klubet fetare në gjuhën arabe, nderkohe qe 95 % të popullatës sonë qëndrojnë akoma analfabet. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhinjëve, akaparatorve si Koqoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa, etj., që varfëruan dhe skllavërruan gjithë vendin.

Në luftën kundër fashizmit dhe tamam në përfundim të saj forcat reaksionare Monarko-Fashiste të Llakës së Sulit të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim te pushtuesit, nën Komandën e Gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët Shqiptarë moslemanë të Çamërisë. Në këtë kohë kur trupat e ELAS-it dhe tonat ishin në luftime kundër Gjermanëve, komanda e EOEA në kompromis me Gjermanët operonte për të fituar pozita për luftën vllavrasëse; dhe kur forcat tonat besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasertës (Sarafis-Zerva) Gusht 1924, zbatonin urdhërat e Komandës së përbashkët në ndjekje të Gjermanëve, Gjeneral Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezistencës ne Epir (ELAS - EOEA), urdhëronte njikohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës të pafajshme të Çamërisë.

Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe nje mospërfillje e turpëshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkpunimit dhe marrëveshjeve me Gjermanët, të cilët në tërheqje u lanë vendin forcave Zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave Zerviste dhe të atyre Gjermane: Komandanti Zervist Theodhor Vito, i forcave të krahinës së Filatit, nje ditë para hyrjes së forcave Zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944 në katundin Fanaromen, 3 km larg Filiatit, u takua me Komandantin e forcave Gjermane në tërheqje. Mbas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat Gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një bashkpunim i tillë u siguroj forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjërë në të gjitha krahinat e Çamërisë. Forcat e divizionit X te EOEA nën komandën e Kolonel Vasil Kamarës dhe pikërisht ato të regjimentit XIV të këtij Divizjoni të udhëhequr nga Kranja, me ndihmësa Lefter Strugarit, avokat Stavropullosit, Ballumit, Zotos, kriminelët me damkë Pantazejt, etj., më 27 Qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjenta të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pa mbrojtur qenë objektivi i Monarko-Fashistëve Grekë. Numri i të masakruarve në Qytetin e Paramithis dhe rrethe arrinë në 600 veta. Më 28 korik 1944 forcat e regjimentit 40 nën Komandën e Agores hynë në Parg ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.

Forcat e EOEA nën komandën e Theodhor Vitos, Ilia Kaços, Hristo Mavrudhit, Hristo Kaços, Hari Dhiamantit ,etj., mbasi rrethuan qytetin e Filiatit më 23 Shtator 1944, ditën e Shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar, plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë ç’ka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë 24 Shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë; me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin grumbulluar nga katundet të tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej kriminelëve të Zervës. Pak ditë më vonë monarko-fashistat grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e Gjyqit fallco, Koqinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm u masakruan. Në Granicë të Filiatit janë mbuluar kufomat e 46 vetave dhe të therrura me thika dhe 45 të tjerë në fushë të Filatit tek ara e Xhelo Metos.

Familje të tëra janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnjë në djep. Gratë dhe vajzat u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpëtuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura nga ata del qarte kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të monarkofashistëve në Çamëri. Ja disa shembuj: Sanije Bollati në Paramithi është djegur me benzinë mbasi iu prenë sisët dhe iu nxerrën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe e bënë copa-copa në Paramithi. Në shtëpinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra dhe Çili Popova nga Popova i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brenda, muarrën gratë dhe vajzat më të bukura dhe filluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër. Ulurima e vajzave e të grave arrrinin kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare, etj. ishin objekt i këtyre poshtërsive. Hilmi Beqirin nga Filati mbasi e plagosën para familjes së tij, e lanë dhe ikën. Familja për ta siguruar e strehon tek dentisti Mavrudhiu, ai e mban për disa orë, por më vonë lajmëron ta marrin dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vetë largohet për tek Shuaip Metja ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marin, më parë i nxjerrin dhëmbët e floririt me darë dhe mbasandej e vranë.

Malo Muhon plak 80 vjeçar i sëmurë prej katër vjetësh vritet me sopatë para së shoqes. Trutë i kërcyen në prehër të së shoqes e cila pasi ia mblodhi e mbuloi me jorgan dhe iku. Në Spatar Abdul Nurçe merret e çohet në Filat zbathur, zvarriset nëpër rrugë të qytetit dhe më në fund vritet para shtëpisë së Nidh Tafeqit. Familja e Lile Rustemit nga Shulashi e përbërë prej 16 vetash në shumicë fëmijë, zhduken krejtësisht pa shpëtuar as edhe një. Xhelal Minit nga Paramithija ia prenë kokën me bajoneta mbi trupin e Myfti Hasan Abdullaut. Sali Muhdinit, Abedin Bakos, Muhamet Pronjes dhe Malo Sejdiut iu prenë gishtrat, hundët, gjuhën dhe këmbët dhe kur këta ulurinin nga dhëmbjet e mëdha, andartët Zervist këndonin këngët e komandantit të tyre dhe gëzoheshin kur shikonin këto tmerre. Më në fund i vranë në çengelat e kasapëve.

Eshtref Himi qytetar nga Paramithija deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi: Të martë më 27 Qeshor 1944 n’ora 7 të mëngjesit hyjnë në Paramithi monarko-fashistat grekë të komanduar nga Kolonel Kamara, Major Krasnja, Kapiten avokat Kristo Stavropulli, Kapiten avokat Lefter Strugari, N/Toger Nikolla Çenos, etj. Porsa hyjnë në qytet u dha urdhëri që kërkush të mos lëvizte nga vendi sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin n’asnjë mënyrë. Në mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër fillon vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë. Pasi më mbajtën 4 ditë në burg më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur Kisha e Aj Jorgjit munda të njoh 5 nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të pesë viktimat e njohura prej meje janë: Met Qere, Sami, Asim, Mahmut Kupi, Adem Beqiri e Haki Mile. Pas dy ditësh më shpien pas “Galatajt” në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku ishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh pasi ishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtuna Sanije Bollati, pasi pësoi tortura të frikshme e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vënd të mërkurën dhe të premtën në mëngjes, trupi i saj u transportua i mbuluar në një batanije nga e ëma e saj e dy bashkëqytetarët të cilët e vendosën në një qilar me urdhër të monarko-fashistave që s’linin asnjë ta shikonin. Atje kjo grua e mjerë vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e sajë ishte plot me krymba. Gjithçka deklaroj i kam parë me syte e mij. Në fillim u msheha për pesë ditë rresht në një tavan kur monarko-fashistat më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt i cili pas pytjeve të shkurtëra urdhëroi burgimin tim. Në burg gjeta 380 persona ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urije. 4 persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe m’andej na përrcuallën për në Prevezë prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të papërshkruara. Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave t’EAM-it ne u liruam.

Dërvish Sulo nga katundi Spatar i Filiatit i përshkruan në këtë mënyrë në Spatar: Në mëngjezin e një të Shtune të Shtatorit 1944 gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit Spatar. Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani 50 vjeçare uçnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj n’afërsi të grurit të Miços. Në shtëpinë t’onë ishte vendosur familja e Sako Banushit nga Skopjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë të cilave iu shpuan gjirët me thika, të gjithë u masakruan. Në shtëpi të Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë. Në shtëpi të Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër. Në shtëpinë e Dul Sherifit iu pre koka plakut 80 vjeçar Sulejman Dhrimicës dhe së shoqes së tijë. Në shtëpine e Mete Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra. Kije Nurqi 76 vjeçare u therr me thikë. Në vreshtin e Zulës dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 30 persona të masakruar. Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderuan vajzat e Haxhi Culanit kurse në banesën e Mejdi Metës u çnderua Hava Ajshe dhe Nazo Arapi mandej kjo e fundit u masakrua.

Viktimat dhe humbjet simbas statistikave të deritanishme gjatë masakrave të 1944 dhe 1945 në kurriz të Shqiptareve në Greqi arrin numrin 2877, të ndarë si vijon: Filati dhe rrethi 1286, Gumenica dhe rrethi 192, Paramithi dhe rrethi 673 dhe Mërgëlliçi dhe Parga 620. Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamërija me përjashtim të disa pak grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi në Prag, Spatar dhe Filat. Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare t’organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri. Kjo kasaphëne që u frymëzua prej ndjenjave më të ulta të urrejtjes shovene dhe fetare përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 28000 Çamëve që erdhën dhe u strehuan në Shqipëri me kondidat më të vajtueshme.

68 katunde me 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën. Nga llogaritja e dëmeve rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21000 kv bereqet dhe 80000 kv vaj, gjithashtu dhe produkti i vjetit 1944-45 që arrin në 11000000 kg bereqet dhe 3000000 kg vaj. Gjatë emigracionit 110000 kokë bagëti e hollë dhe 2400 bagëti e trashë ngordhën dhe humbën.

Nga gjithë kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoj popullata jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit. Çamëria në luftën e madhe antifashiste dha materialisht dhe moralisht. Popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër pushtuesit dhe formoi batalionin IV të regjimentit XV-të të ELAS-it. Nga popullsia e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan vendosmërisht kundër pushtuesve nazifashistë dhe tradhëtarëve zervistë. Gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezai, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli, etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafat e Qeramicës, dëshmojnë konkretisht këtë fakt. Në përfundim të luftës dhe në çlirimin e vendit nga pushtuesi trupat e komanduara nga Gjenerali Napoleon Zervos operonin në krahinat dhe fshatrat tona jo si çlirimtarë, por si xhelate dhe armiq të betuar të elementit Shqiptar në Çamëri.

Në marrëveshjen e Casertas (Zarafi-Zervas) Gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkëta kundër ushtrise naziste, nën një komandë të përbashkët dhe në zona të caktuara operative. Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri. Trupat Zerviste ranë në kompromis me Gjermanët dhe duke qëlluar forcat tona penguan veprimtarinë e Batalionit IV-të Regj. XV-të në zonën e caktuar të Filatit. Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dha janë në kundërshtim të hapët me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosura në Caserta. Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë, Koska, një nga baza e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacional Çlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u doq si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë. Një komision i Këshillit Antifashist Çam u dërgua më 30-X-1944 n’Athinë pranë qeverisë greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht frenimin e tyre. Qeveria e Papandreut nuk deshi të mirrte asnjë masë dhe angazhim për sa iu parashtrua.

Mbas operacioneve të Dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga pushtuesi zervist, një pjesë e popullatës sonë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit. Më 12 Mars 19445 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit duke e shkelur marrëveshjen e Varkizës ne Shkurt 1945 organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanrës (Filatit), të cilat nxorrën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjës të qeverisë greke në lidhje me çfarosjen e popullatës Shqiptare të Çamërisë. Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Washingtonit për akordinim në favor të emigrantëve 1450000 dollarë si ndihmë e menjehershme ndaj gjëndjes sonë të vështirë. Edhe në këto kondita emigrantët Çamër vazhduan të kontribuojnë gjithnjë më tepër për Frontin. Në konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të Shtatorit 1944 zëri i Çamëve n’emigrim u ngrit më i fortë për bashkëpunim kundër pushtuesit dhe padrejtësive të monarkofashistëve Grekë. Më 23 Shtator 1945 në Kongresin e Vlorës delegatët Çamër që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve Çam në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ta dhe kërkuan me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjakderdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi. Kongresi përfundoi me një rrezolutë ku përmblidhen të gjithë punimet e tij.

Gjatë emigracionit për shumë herë ne i jemi drejtuar botës për të drejtat t’ona të mohuara dhe kemi kërkuar riatdhesimin. Më 30 Tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i dërgonte një votim proteste Qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të Përgjithshëm të Mesdheut, Qeverive Aleate, Komitetit Qendror t’EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve Grek në Çamëri. Më 9 Maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake Aleate kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës San Franciskos mbi të drejtat e Çamëve në bazë të kartës s’Atlantikut. Më 27 Qeshor 1945 telegrame proteste kundra masakrave në Çamëri jane drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franceze, Çekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve t’Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë. Promemorja drejtuar z. Hutxhinson deputet Laburist i Britanisesë Madhe ë 26-XI-1945. Telegram drejtuar Drejtorise së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945) ku kërkohen ndihma. Memorandum drejtuar kryesis së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleat në Londër nga Delegatet e Kongresit Çam me 3-4-9-1945. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuar në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 Janar 1946 ku rivlersohen masakrat dhe kërkohen të drejtat. Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në New-York nga Komiteti Antifashist Çam më 25 Tetor 1946, etj.

Ne jemi viktimë e rregjimit monarkist që sot sundon në Greqi. Së bashku me popullin vëlla grek ne vuajmë pasojat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjith Greqinë. Pë dy vjet e gjysmë ne po vërvitemi Shqipëris në mizerje larg Atdheut ndërsa vendet tona të pasura shfrytzohen pa të drejte nga agjentët e Monarko-Fashistave në Çamëri. Vuajtjet tona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë pa kufi. Me mijra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar. Megjithatë protestat e bëra dhe të drejta që na përkasin ne vazhdojmë të qëndrojmë akoma n’emigracion ndërsa Qeverija Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë t’onë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin tonë. N’emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjithë këto ne i parashtrojmë Komisionit Hetimor të Këshillit të Sigurimit t’UNO-s tragjedin e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim çfarosje të popullatës sonë. Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejt të problemit Çam dhe kemi bindje se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:
1. Marrja e masave i imediate për pengimin e vendosjes së elementeve të hua në vatrat tona.
2. Riatdhesimi i të gjithë çamëve.
3. Kthimin e pasurise, shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të lujtëshme dhe të palujtëshme.
4. Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë.
5. Sigurimin dhe garancin që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimi i të drejtave civile, politike, kulturale dhe sigurimi personal.
6. Gjykimi dhe dënimi i të gjith përgjegjësave të krimeve të kryera.

Duke ju shprehur konsideracjone tona më të shquara,
Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë
Taho Sejho, Kasem Demi, Rexhep Çami, Tahir Demi, Vehip Demi, Dervish Dojaka, Hilmi Seiti. T i r a n ë 1947

Këto mbeten kërkesa dhe protesta pa përkrahje e pa përgjigje.Përgjigje dhe përkrahje nuk i dhanë as përfaqsuesit e misionit angleze,amerikane,ruse dhe jugosllave që morrën pjesë në Kongresin e Dytë Çam që u mbajt në Vlorë (Shqipëri më 1945) dhe që e panë me sy Katastrofën e kësaj popullate.

Në vitin 1946-1947 Komisioni Ndërkombëtar Hetimor i OKB-së gjatë verifikimit të kësaj tragjedie në të dyja anët e kufirit shtetëror konkludoi me fakte dhe dëshmi të gjalla mbi përmasat dhe realitetin e masakrave dhe të kësaj tragjedie të dhimbshme.

Mbas kësaj, vetë Forumi Ndërkombëtar i UNRRA-së duke e kategorizuar popullatën çame të dëbuar si emigrante, dhe një ndihme ekonomike mbi 1.2 milion dollarë USA dhe ndihma të tjera materiale për mijëra refugjatë të pa bukë dhe të pastrehë çam.

Ndërkoh që çamët shpresonin për një zgjidhje të të drejtave legjitime,përpjekjet e tyre u pasuan me një hashtje të patolerueshme.

Kjo periudhë ( 1947-1990)është një nga aktet më të rënda të kësaj tragjedie.Një heshtje e tillë me shkaqe dhe pasoja të thella ende është enigmë.

Qendrimi zyrtar grek mbas dëbimit të myslimanëve nga Çamëria
1.Ndaluan me dhunë çdo përpjekje për ta ruajtur identitetin e origjinës së popullatës shqiptare të besimit ortodoks të cilët banojnë sot e kësaj dite në Çamëri (Thesporoti).Ndalej përdorimi i gjuhës amtare shqipe të flitej në mjediset urbane dhe një sërë masash të tjerat asimiluese me qëllim që të humbasin vetëdijen e origjinës së tyre kombëtare.
Si rezultat i kësaj politike asimiluese shtypëse e diskriminimi ,popullsia shqiptare e besimit ortodoks nuk guxon sot të vetëdeklarohet në Çamëri.
2.Mbas vitit 1945 filloi edhe aksioni për ndryshimin e strukturave demografike të Çamërisë,kolonizimi me grek,arumun,rom,etj. i vendbanimeve të çamëve të përndjekurit.Qëllimi që krahina e Çamërisë të ndryshoj fizionominë,por edhe për faktin tjetër se qarqet zyrtare greke nuk kishin besim që kjo krahinë të mbetej nën duart e çamëve ortodoks.
3.Pronat dhe pasuritë e çamëve të dëbuar pjesën më të madhe të tyre qeveria greke jua ka dhënë në përdorim këtyre kolonëve por pa të drejtë tapie.
4. Qeveria e sotme greke ndjek një politikë diskriminimi ndaj çamëve në Shqipëri duke i penguar për ti parë vatrat e tyre.
Ajo i frigohet të vërtetës, ringjallies tradicionale të vëllamerisë,midis çamëve ortodoks dhe myslimanë.
5.Ndryshoi përfundimisht toponomastikën shqipe me grekë në vendbanimet e shqiptarëve në Çamëri.

Demokratizimi në Shqipëri dhe trajtimi i problemit

Si rezultat i pluralizmit në Shqipëri,në janar 1991 u krijua Shoqëria Politike Atdhetare “Çamëria”si vazhduese e përpjekjeve dhe aspiratave të popullatës martire të Çamërisë.

Problemi i Çamërisë është në programin e shumicës së partive politike në Shqipëri të cilat po bëjnë përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi në përputhje me frymën e standardet e dokumentave ndërkombëtare të OKB-së,KSBE-së,e Këshillit të Evropës mbi të drejtat e njeriut.

Qeveria greke dhe personalitetet e larta të saj deri tani kanë mbajtur një qëndrim mohues.

Sipas qëndrimit zyrtar grek,çamët myslimanë nuk do të lejohen të kthehen në Greqi,”sepse kanë bashkëpunuar me okupatorët italo-gjermanë në Luftën e Dytë Botërore dhe si të tillë ata janë kriminel Lufte dhe janë dënuar sipas ligjeve greke”.(K.Micotaqis,Tiranë,maj 1992).

Kjo është një “hipotezë” sa e pa vërtetë aq edhe e falsifikuar.
Të konsiderohesh çamët “kriminel”në një kohë kur ata kanë derdhur gjakun,bashkë me grekër,për çlirimin e përbashkët,është krim i inskenuar politiko-diplomatik.
Sepse:çamët nuk kanë bashkëpunuar me okupatorët të çfaredolloji
qofshin por janë viktima të tyre.
-Në qoftë se në Çanëri ka patur disa dhjetra “Kolaboracionalistë” (fenomen që është vërtetuar për të gjitha shtetet që janë pushtuar nga nazifashizmi,gjatë Luftës së Dytë Botërore)në Greqi si të tillë kanë qenë 30.000 veta me gjeneral Ralisin në Krye.

Askush ata sot nuk i akuzon në Greqi,përkundrazi janë rehabilituar me amnistin e përgjithshme që ka bërë ky shtet.
-Është fakt historik se çamët janë rreshtuar ndër të parët në rezistencën greke kundër pushtuesit të përbashkët (në radhët e ELAS-it dhe EAM-it).
-Ekzistojnë dokumenta e dëshmi të pakundërshtueshme mbi të vërtetën e tragjedisë çame.
-Ekzistojnë dokumenta të RAJH-ut gjerman që dëshmojnë se Napoleon Zerva një nga përgjegjësit kryesore të gjenocidit ndaj çamëve ka qenë bashkëpunëtor i Gestapos Gjermane.
-Nuk mund të fajsohet një popullatë prej 30.000 vetë sepse ,sipas gjyqeve speciale politike të inskenuara e në mungesë të çamëve të dëbuar se janë dënuar sipas ligjeve greke 1930 vete.

Ky çëndrim zyrtar grek nuk është aspak në nderin e Qeverisë “Demokratike” Greke,e cila ka firmosur të gjitha konventat ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe nuk e akuzojnë sot si fajtore për këto tragjedi,por nuk është aspak humane që të bëhesh bashkëfajtor me autorët e një tragjedie nga më të rëndat e pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë duke përdorur akuza falëse e të fshehësh qëllimin e vërtetë.Kjo tragjedi për sa kohë do të çëndroj pezull ajo edhe më shumë do të rëndoj ndërgjegjën e popullit grek.

Problem që pret zgjidhje.

Popullsia shqiptare e martirizuar e Çamërisë sot në Evropën e dimenzionit humane kërkon përpara të gjitha forumeve ndërkombëtare. Përpara të gjitha qarqeve shtetërore, politike-diplomatike Evropiane. SHBA-së e më gjerë, i drejtohet Qeverisë dhe Popullit Grek për përkrahje dhe zgjidhjen e drejtë të kërkesave të saja legjitime e njerëzore:
1. Kërkojmë që Shteti dhe Qeveria Greke si anëtare e Komunitetit Evropian, anëtare e 12-shes Evropiane ,si shtet që ka firmosur të gjitha Aktet Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe rrespektimin e pakicave kombëtare, të njohin të drejtat tona të mohuara.
2. Kërkojmë që Shteti dhe Qeveria Greke të pranojnë realitetin historik të “Çështjes Çame”.
3. Të njihen të drejtat juridike e civile të çamëve të dëbuar më 1944-1945 nga vatrat e tyre autoktone, të drejtën mbi pasuritë dhe pronat e ligjshme të tyre.
4. Kërkojmë që Shteti dhe Qeveria Greke të lejojë dhe mundosjë Qarkullimin e lirë të kësaj popullate për të parë vatrat e të parëve.

Gjilan, Prill 2005


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora