E premte, 19.04.2024, 07:43 AM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Letra e Laurës

E premte, 15.05.2020, 12:12 PM


LETRA  E  LAURES

NGA FRITZ RADOVANI

Lexova lajmin e vdekjes së parakohëshme të Laures… Po, botoj një leter të Saj:

Letra asht kopjue nga origjinali që më ka dërgue Zonja Laura Keçi pa ndryshime. Janë hjekë ato pjesë që kanë karakter përsonal, si përshëndetjet apo opinjonet e Zonjës Laura etj. Kam kopjue me kujdes ligjëratat e drejta dhe fjalët e Martirit për të cilat e falnderoj Zonjën Laura, që i ka rikujtue me saktësi në këtë kohë, kur shumica e bashkëvuejtësve të këtyne Heronjve nuk kujtohën ma për ta, ose ma keq, i kanë harrue...

Laura, nuk më shkruen asnjë rresht për vuejtjet e saja. Na që kujtojmë kohën e arrëstimit të Laurës, duhët të jemi ma të kujdesëshëm në shkrimet tona mbasi edhe 16 vjeçaria Laura, zën vend në vargun e vajzave të nderueme shkodrane që janë masakrue nga sigurimi i komunizmit gjakatar. Gjyqi i kësaj vajze trandi Shkodrën!

Me këtë rasë edhe e falnderoj Zonjën që me letrën e sajë, më ka nderue tue pranue botimin e sajë prej meje dhe, njëkohësisht i kërkoj të falun që ndër ato 17 faqe letër të shkrueme me dorën e sajë, e kam ba me rikujtue atë kohë të mjerueshme që Ajo, ka kalue në birucat e Sigurimit komunist në Shkodër, kur Ajo ishte pa mbushë 16 vjet...

***

“Kur isha ende pa u arrestue kisha ndigjue se një prift i rinj predikon pa frikë për Jezu Krishtin dhe ban shërbime fetare, edhe pse Feja ishte ndalue me ligj. Kur u zhvillue gjyqi ai u dënue për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për propagandë fetare, tue vue gojë në vëprimet e shëmtueme të Enver Hoxhës kundër Fesë.

Këta “faje” komunistët kërkonin me i la me gjakun e tij prandej edhe e dënuan me vdekje. Populli i Shkodrës u trondit shumë nga ky vëndim kundrejt një njeriu të pafajshëm që me qëndrimin e tij burrnor, ringjalli në opinionin publik edhë njëherë kujtimin e Martirëve të Fesë.

Isha 16 vjeç kur u arrëstova dhe shprehja e parë që ndigjova porsa më futën në hetuesi ishte: “Ç’ti bësh, po të ishte pak më e madhe në moshë do ta pushkatoja pamëshirë me priftin që sonte... dhe, më futën në një birucë aty afër tij.”

Dua të tregoj si e torturonin njeriun e Zotit: Komandanti Basri Temja nga Lushnja i sillte gjellën Don Mikelit, që ishte i lidhun kambësh e duersh me sigjir në birucën e tij, ku priste vëndimin e Tiranës për pushkatim. Gjella si dukët ishte shumë e ngrohët mbasi nga djegëja e sajë ndigjohej virrma e Priftit që nuk mund të kapërdihej. Kur mbyllte gojën dëgjohej krizma e tasit të aluminit që rrokullisej nëpër çimento mbasi ia hidhte fëtyrës “supën” përvluese. Kjo ishte një torturë që përsëritej gati çdo ditë ose edhe dy herë në ditë. Një polic i birucave me emnin Shefik, vinte me çizmët e tija të randa, hapte birucën e Don Mikelit, veç, kur ndigjohej krizma e kockave të kupave të gjunjëve nga shqelmat që i binte të shkretit Prift. Goditjet ishin aq të forta sa që, betohëm, se kam ndigjue me veshët e mij kockat e Don Mikelit tue u thye...

Njëditë, përsonaliteti dhe vëndosmënia e tij e friksoi antikatolikun Shyqyri Qoku, i cili shfreu dufin e tij patologjik prej sadisti tue e torturue aq shumë fizikisht Don Mikelin, sa, kur, më mori mue fillë mbas tij në zyrën e hetuesisë, u tmerova dhe gati nxora zorrë e mushkni nga goja, kur pashë një bluzë të bardhë me të cilën na mbështillnin gjatë torturës, të lame me gjakun e pastër të Martirit dhe me njolla ngjyrë jeshile të bame nga vjelljet, prej shqelmave të tyne... E mbajta vedin, u kapërdiva dy-tre herë për mos me kënaqë xhelatin e përbashkët të tonin dhe komandantin që ishte aty me te. Kur i pashë fëtyrat e tyne të zverdhuna si fëtyra të vdekuni që zbulonte ndërgjegjën e tyne të randueme me krime e që, shpesh edhe i kalonte në bisha të pavetëdijshme, m’u duk sikur, po analizonin pafajsinë e Don Mikelit dhe peshën e randë të “fajeve” të mija, që nuk isha aspak ma shumë se 16 vjeçe... Mora zemër nga qëndrimi i mpimë i këtyne dy kafshëve të tërbueme e, u thashë: Shihni vehtën në pasqyrë!... Shihni si jeni ba!... Moralisht jeni të dy të mposhtun nga Don Mikeli, ju jeni si të vdekun para tij, Ai ka fitue mbi ju edhe pse fizikisht ndoshta, Ai asht i shkatrruem, ju jeni të shpartalluem në ndërgjegjën tuej mbasi nuk dini se për çka e torturoni. Kjo asht dëshmia ma e kjartë e fitorës së Jezu Krishtit përmes dyshepullit të tij Don Mikelit, i cili, ju ban ju, me pa me sy praninë e Jezusit në tokë, kenjën e fuqisë së Zotit këtu, që na jep ne forcë për me përballue torturat tueja...

Përgjegja e tyne kje vetëm kjo: Prandej asht tue ju ndihmue...

Kur pashë gjunjëzimin e tyne mora edhe njëherë zemër dhe ju thashë: Pse, ndihmë e vogël ju dukët ju lutja e tij, ju e torturoni e Ai lutët për shpirtin tuej të kacafytun me djallin. Ai i lutët Nanës së Jezusit për shpëtimin tuej nëpërmjet të Birit të saj dhe ju e gjakosni, ju i bini me shqelma e, Ai, vazhdon me ju tregue ju, se keni kohë me u pendue për çka jeni tue ba... Pse, a ndihmë e vogël ju duket ju që unë një vajzë e re nuk frigohëm aspak para jush?... Hë... pse nuk keni forcë me na mposhtë?

Ku asht forca e atij kryexhelatit tuej?.,Veç, një virrëm qeni ndigjova: Dil jashtë... jashtë!... Aq shumë ishte torollosë sa kishte harrue se unë nuk kisha si me lëvizë, se isha e lidhun për karrigë. Kur u kujtue komandanti më zgjidhi, urdhnoi policin që ishte mbas dere me më çue në birucë. U shtrina përtokë si zakonisht por e kënaqun.., fjeta pak...

Mbas pak kohe më doli gjumi nga zani i fuqishëm i predikonjësit të Ungjillit. Don Mikeli ishte zgjue para meje dhe po bante lutjen e përditëshme për shpëtimin e shpirtit të torturuesve të tij: Mos torturoni vëllaun tuej... Jam tue u lutë për shpëtimin tuej edhe pse ju më torturoni mue, kërkoni falje Jezusit, se Ai asht aq i mëshirëshëm sa ka me i falë gjynahet tueja... Pendohuni! ...Lypni falje!... Keni humbë logjikën, mos humbni shpirtin! Ai ka mëshirue kryqëzuesit e vet, Ai do të ju falin edhe ju!...

Tregoni edhe Hoxhës e Shehut, se edhe ata që nuk kanë lanë gja pa ba mbi kristjanët dhe besimtarët e Zotit.

Tregoni atyne që me krimet që kanë ba kanë shkretnue familjet shqiptare dhe kanë vorfnue edhe kombin tonë... Hiqni dorë nga vrasjet e djelmëve, vëllazënve tuej, mos veshni  zi nanat, motrat e gratë shqiptare që tash sa vjet nuk i kanë hjekë rrobat e zisë...

I thoni damave të tyne mos u kënaqni me vrasjët  e gjakun e bijve e bijave të Shqipnisë! Keni harrue se jeni tue vra shqiptarë! Shkatrruet Atdheun!

Ndigjova se u hap biruca numur 3, ku ishin dy përsona për çështje ordinere dhe u futën në birucën ku ishte tue predikue Don Mikeli. Filluan me i ra me shqelma mbasi torturat që i banin ata Priftit, ishin mjet lehtësues për vuejtjen e tyne. Shpesh ata i çonin në dhomën e tij për me e zgjue nga dremitja e agonia e vuejtjes së vazhdueshme.

Këta predikime filluan me kenë një mjet forcimi për të gjithë ne që ishim ndër ato biruca ku vuejtja ishte e përgjithëshme. Erdhi një kohë që zani i tij ndigjohej ma rrallë, filluen me i ba gjylpana për me e vue në gjum. Tashti e kuptoj se i banin gjylpana se, kur fillonte me ikë efekti, ndigjohëshin gjamët e dhimbjeve e si nëpërgjum fliste: Ah, moj nanë... nuk kam kockë të pathyeme...Ah, sa janë kah më dhambin eshtnat!

Mbas pak minutash që zgjohej hynin xhelatët e torturonin dhe prap nuk ndigjohej ma zani i Tij. Kishin kalue disa muej që Ai vuante pandërpremje e bashkë me te edhe unë, që ndigjojshe me veshë dhe, shpesh, nga një vrimë e vogël e derës e shihja tue e marrë rrëshqanë për me e çue në tortura, ose tue e këthye nga zyrat e tmerëshme të hetuesisë ku, vuejtjet ishin ma të mëdha se ata të fundit të ferrit.

Asnjëherë nuk e pashë atë njeri tue u këthye me kambët e veta në birucë...por gjithmonë zharg...Përballë birucës numur 1 ku isha unë, në ditët e caktueme vinte bërberi që shërbente në degë të mbrendshme.

Vërejta njëditë një burrë me trup mesatar, pak zeshkan, me sy të zezë, i parruem prej shumë kohe dhe me një ngjyrë të bardhë të fëtyrës së papame nga dielli. E shikova pak me kurreshtje mbasi bërberi që ishte një spiju i ndytë i Sigurimit, në fund i tha: Tashti, Prift, të kam ba gati për dhandërr! U sigurova se po shihja me sy Martirin e Fesë...

I ngula sytë në atë vrimë të vogël të derës sime, që nuk kisha si me e ba ma të madhe e, me kapë e me e pré në fyt me briskun e tij atë bërber, që për dy pare të ndyta po tallej me një Predikonjës të pafajshëm, vetëm se ishte Prift.

Mbas pak ditësh, nuk mora vesh sësi isha zhytë në një gjum deke. Po shihja andrra të llahtarëshme, vuejtje, tortura, gjak, një tmer i vërtetë më kishte pushtue, u dridhësha si thupra në ujë nga frika, një frikë që nuk e kuptoja nga vjen. Isha mbushë me vajë, vajë frike apo dëshprimi nuk e kuptoja, një tmer i vërtetë....isha e lame në djersë... Disi u skapullova kur pashë se jam në birucë por, sidukët, ndër andrra kisha lëshue ndonjë thirrje, veç kur pashë sportelin e hapun të derës prej ku, shihej fëtyra e kriminelit Alush Bakalli, që me gisht vërtikal para gojës lëshoi një sh sh sh...t!!, shenjë me të cilin urdhnonte heshtje... Një lëvizje rojesh jo e zakonëshme në atë orë. Nuk dija çka ka ndodhë... Edhe zhurma që më zgjoj ndryshonte, mujta me dallue zanin e katilit Shyqyri Qoku, që i vërriste Don Mikelit: Pusho... pusho, po të tham... Këtë herë dallohej se nuk ishte vetëm. Në atë lamsh mendimësh përzi me zhurmën e vargojve ndigjova zanin e Don Mikelit, e zemra m’u mbush me vajë.

Ishte mjedis kafshëve të egra që donin ta shkynin, e thërriste: “O Jezu Krisht! Zoti em, më jep forcën e fundit, o Shenjtja Mari, Nana e eme e përjetëshme për të fundit herë po të kërkoj, fali vëllaznit e mijë, kij mëshirë për ta se nuk dinë shka bajnë! Fali o Krisht! O Zot ndihmoje Shqipninë me shpëtue nga këta kriminelë komunistë. Zoja e Bekueme, Nana e Krishtit dhe e gjithë Botës, lutju Birit tand Zotit tonë Jezu Krishtit, që të më pranojnë në Mbretninë Qiellore, në duert Tueja të Bekueme ardhët Shpirti em!...Rrnoftë Shqipnia, Rrnoftë Krishti!” Zani i tij sa vinte e fikej derisa nuk u ndigjue ma... U mbyllën edhe shulat e dyerve...edhe dryjtë. Isha me sy nga dritaria tue vështrue nëse ndigjohet prap zani i tij por, kuptova ma vonë se isha ngritë kot për një kohë të gjatë, derisa, u kujtova se iku! Ai iku në Mbretni të Qiellës...

Jam kenë interesue se çka u ba me Don Mikelin, mbasi e morën atë natë, nga një roje që ndryshonte pak nga të tjerët me emnin Ndue. Ai më pat tregue se janë nisë për Tiranë dhe rrugës i kanë ba një ingjeksion dhe ka vdekë. E kanë çue të vdekun në Ministrinë e Mbrendshme dhe prej aty e kanë futë në një kasetë frigoriferike me nr. 7 (shtatë). Mendonte se ai asht coptue nga mjekët e besueshëm qeveritarë për studim, nga studentët e fakultetit të mjeksisë së Universitetit të Tiranës.

Atëherë, dhe sot, që ka kalue një çerek shekulli nga kjo ngjarje, i drejtoja dy pyetje vehtës për këtë njeri që torturohej aq mizorisht nga kriminelët komunistë: 1. Pse e torturonin ndryshej nga të tjerët dhe, 2. Ku i merrte forcat Don Mikeli për me përballue ato tmere vuejtjesh? - Gjithmonë e njajta përgjegje: E para, vetëm pse ishte Prift Katolik dhe e dyta, Ai fliste me Jezu Krishtin çdo çast që goditej nga kriminelët...

Vetëm Ai e forconte Até dhe mue...

Gjithmonë kam besue se Don Mikeli asht Shenjt i pashpallun në Mbretninë e Qiellit! Ai asht i përjetëshëm në kujtimet dhe lutjet  e mija!

Shkodër, 15 shtator 2000       Bashkëvuejtësja e Tij,  Laura  Keçi  d.v.

Shenim nga FR: Letra e Laura Keçit asht botue në librin tim “Një Monument nën dhe”.

Melbourne, 14 Maji 2020.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora