E premte, 29.03.2024, 11:18 AM (GMT)

Kulturë

Cikël me poezi nga Agron Tufa

E enjte, 14.05.2020, 07:20 PM


Agron Tufa

KAFSHA APO FANTAZMA?

âsht pjesa ime e kafshës që më mban njeri.

nuk rrojmë si hije këtij dheu

ndonëse hije kthehemi. herëdokur...

prej së tanës nuk vdes vetëm pjesa,

ai substrat fluid që shumëzohet me spore

n'eterin hakërryes të një kujtese përndjekëse.

kështu do t'i bartim në amëshim,

në disqe fluturuese,

fantazmat ngashënjyese të pengjeve.

djaloshi që ka nisë me u bâ engjull

s'âsht pos mitra e një vorri të ardhshëm ajror

me një ushtri fantazmash kryengritëse.

herët a vonë, ato do shpërthejnë,

ato do mësyjnë

me babëzinë dhe untinë

për hajet e harlisuna tokësore.

mua më mban njeri pjesa ime e kafshës.

i vetëm jam, me untinë e kafshës përbrenda,

rrethuem prej erinive përndjekëse të moralit,

që kërcënon. nganjëherë më aviten miqësisht.

hera-herë ia dal me e ngî kafshën.

po kafsha zgjohet prore me unti të re.

therëse.

pickuese.

kërkon të veproj.

ia zá frymën,

gojën e çapëlyeme,

shkep mish prej vetes -

tan’ pemën e dijes e rrëzoj përtokë...

po kur mor Zot do të lodhet, gjer n’alivani,

në ditët e saj të mbrame

kafsha,

e tok me të dhe unë?

o, deri atëherë,

gjallë kanë me ma ngranë zotin dyshimet...

po sikur të vdes dhe kafsha të jetojë -

kush ka me e ngî kafshën e gjorë?

po sikur të vdesë kafsha, qysh atëherë

kam me e ngî lukuninë me fantazma?

kur mendon kaq gjatë, pështillen të tana

dhe gjallë s'e merr vesh: kush të mban njeri -

kafsha a fantazma?

qershor 2013

Nga libri "Kafsha apo fantazma", Onufri, 2016

NË KËTË BOTË...

në këtë botë të Zotit askush s’është i qetë;

përditë vret ngapak, ngapak vritesh përditë:

si të marrësh frymë, pa e lënduar tjetrin?

si ta durosh fyerjen që t’i errka sytë?

në këtë botë të Zotit edhe dashuria

e çarti xhelozie kainin e gjorë.

si t’ia bëjmë me dashurinë që vret?

si ta dimë që vret? si të heqim dorë?

në këtë botë të Zotit ngremë shtylla turpi.

mëkati na heq udhë për tek zemra tjetër.

nuk dua t’jem i fajshëm, as i përfshirë,

as shkak, as pasojë në zinxhirin e vjetër.

mes vdekjesh e lindjesh në këtë botë të Zotit

të vetmet përtëritje - pendesa dhe mëkati.

natyra i shpërfill dramat e përjetshme -

rolet që shkëmbejnë viktima dhe xhelati.

2011

"Fragmentet e Gjësë", OM, Prishtinë, 2013

TRIPTIK PËR NËNËN

1

Nënë - lavjerrës i turpshëm

mes frymës dhe pendimit!

Nuk guxoj të vij pranë teje,

ndërsa koha kalon

duke shkrirë togje plumbi në tru.

Shirat e para u mundën

dhe gjëma e re ia mbërriti në paqe.

Të vdekurit e tu prapë s'e arrijnë gardhin,

as portën e brerë që parandjen dëborëra.

Ah, bujtës të trishtë!

Ndikoni dhembshurisht,

paqtoni ankimet, diferencat, mërzinë

pa cytur, lënduar kujtesën, vetminë...

2.

O ti rrufe që kridhesh ëmbël

në gjakun tim të pikëlluar,

nën shirat gri

dhe kupën e kripur të verës!

Keqardhje bari i butë vjeshtak

dhe loti - kujtim.

Unë nuk kthehem më...

E di ç'do me thënë i mundur.

Në këtë orë të sinqertë me mure lakuriq

beh ajri gjithë pezm dhe fundi avitet...

Të peshuara janë çastet, të zhveshura

nga barëra e flatra, nga hëna e yjtë.

E qëruar - veç klithma e pastër e erës.

Në këtë orë të sinqertë

qaj pafajësinë tënde -

besimin që t'u tradhëtua në mua

si në një tokë të dobët.

3

Frymët tona qofshin

pengje të brera kozmike

për mëkate të rënda

që kurrë nuk i bëmë.

Tash neveria e sjell kokën

mbi mishin tim

dhe një rrymë bezdie fryn

mbi ujëra e drunj: janë kot!

Isha një foshnje

më shumë e hutuar

se e lumtur.

Hapësirat që ëndërroja -

të gjitha u tkurrën

një nga një, si iriqë fanatikë.

Por ai imcak që ti e shihje

me sy të picërruar -

ambicie të madhe

kish patur në kocka...

Kot!

Se babëzia e rrugës ia shqeu

kurmin e dobët dhe leckat në trup.

E sheh si pas xhamash treti,

si rrokjet e dobësuara të një kënge

mbi këtë planet të lodhur

me besim e pendesë.

1993

Nga vëllimi "Aty te portat Skeé", Onufri, 1996

ELEGJI

vend nuk mundem me zanë e me pritë

në bujarinë pakufi të kësaj parajse urbane

përderisa ti, premtue s'më ke kësoane -

kohën e duhun,

arsyen e duhun,

kambënguljen e duhun

me komplotue me vetjet tona në zgrip t'provokimit;

përsa ti ende premtue s'më ke,

se kuraja ka me na u rritë ma shumë

se floknaja extension e shelgjeve vajtues,

se shpërthimet shurdhuese të rrufeve

që rrokullisen e gremisen abyseve

tue shkërrmoqë qymyrin e shkrumbit qiellor

ku asht djegë saora filmi ynë në shirit -

mësymja fatale që i bajmë lakuriq njeni-tjetrit

në betejën imagjinare, natë për natë,

dhambë për dhambë...

...por as nuk mund me ikë kështu,

pa njohun saktësinë që i duhet lulediellit

me e krye rrotullimin e plotë në terr -

instinktin e orientimit të saj

midis zhaurimës së lumenjve nëntokësorë,

që çajnë të dehun Erebin

nga ringjallja në ringjallje.

Nga "Fragmentet e Gjësë', OM, Prishtinë, 2012



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora