E premte, 29.03.2024, 03:41 PM (GMT)

Kulturë

Ramadan Musliu: Ne botën e ndjenjave sublime

E hene, 27.10.2008, 02:45 PM


Vitrina e librave

 

RECENSION

 

Nga Ramadan Musliu, prof

 

 

      NË BOTËN E NDJENJAVE SUBLIME

 

Lirisht mund të thuhet se në shpirtin e  çdo njeriu  fle talenti latent i poetit dhe se në  rrethanat e caktuara objektive apo edhe subjektive, domethënë gjendjës së subjektit, mund të veprojë një agjens apo një stimuls i jashtem për ta zgjuar ate latenten kreative të artit, që pas kësaj të shpërthejnë impulset e brendshme, të aktivizohet imagjinata dhe aq më parë kërshëria për ta zotëruar një botë matanë pervojës senzorale. Ajo shqisa e fshehur e krijuesit e nxitë subjektin nga idealiteti, nga persosmëria, nga prirja për zotërimin e mjeteve shprehëse, nga perfeksionimi i teknikave. Ka shumë poetë me talent që  nuk e kanë “dhuntinë e kerkimit” per të hulumtuar teknika, për ta persosur metedologjine e shfaqjes poetike aq sa krijimi i tyre mbetet në nivelin e një “bruto poezie”, poezi që ka emocion, që ka ide, që është aktive imagjinativisht dhe emocionalisht, e që operon me mjete klasike. Ky tip i poezisë nuk mëton lartësitë, nuk imponon klishetë, mirëpo është një këngëtim i veçuar, këngëtim për hirë të prirjes së poetit që të mendojë përmes vargjeve dhe figurave poetike, që  mendimin poetik dhe emocionin e ngjizur me  plot trazime ta shfaqë me një ritem specifik, me një tingull që e ka ngjyren e shpirtit të poetit.  Këta poetë nuk i kushtojnë ndonjë rëndësi të veçantë asaj se si do t’i pranojë mjedisi letrar, por më shumë brengosen për nivelin e sinqeritetit, për  nivelin e vizionit personal të shprehur përmes vargjeve. Prandaj këto poezi shquhen për një përjetim të sinqertë, për shprehjen e drejtëpërdrejtë, pothuajse kolokviale, sikurse edhe për përafrimet që i kanë me modelet orale poetike.

Pikërisht të gjitha këto tipare i ndeshim tek permbledhja poetike “Krenaria dhe pikëllimi” të Adem Berishës, krijimet poetike te të cilit përmbajnë edhe agjensin që e ka nxitur krijuesin potencial të jetë aktiv në gjenerimin  e gjendjeve  poetike, kurse imagjinaten e tij qe të merret me përpunimin artistik të motiveve nga trivialiteti i përditshmërisë, sikurse edhe paradigmat poetike formale që janë përafrime me modelet e poezisë orale.

Së pari, cili është aiagjensi që ka ardhur nga realiteti i përditshëm dhe ka trazuar shpirtin poetik, i cili ka filluar të derdhë magmen poetike?

Agjensi që e ka nxitur të derdhë vrushkujt poetik në  vargje është momenti historik, çasti fatlum i historisë që po e sendërton ëndrren e tij personale dhe ëndrren e shqiptarëve si kolektivitet, ardhjen e lirisë dhe arrtitjen e pavarësisë, si një ideal jo vetëm politik, por edhe etik i poetit por edhe veshtrimi kritik  i disa vetive njerëzore dhe fenomeneve e dukurive të papelqyeshme shoqërore duke mos lënë anash edhe krenarinë që ndien me të mirat e atdheut të tij dhe vlerat tjera pozitive nder të cilat rradhitë edhe fëmijt si engjuj.

Po qe se ndalemi tek referencialiteti dhe kuptimet që burojnë nga kjo kategori poezishë, do të shohim atë mrekullinë e imperativit kategorik kantian, madheshtinë e ndjenjave të brendshme dhe njejtësimin e tyre me ligjet kozmike,  njejtësim që kësaj poezie i jep një hapësirë të gjerë kuptimi.

“Kur zoti bëri boten

me plot mrekulli,

i fali kësaj të veçanten

që quhej Iliri.

                                             I fali tokë e det

dhe shumë begati,

i fali edhe një kalá

që sot e quajnë Shqipëri.”

          (. . .)(“Kur zoti bëri boten”)

 

 

Poeti në ekstazë nuk gjen kohë për të zgjedhë metafora, për të zgjedhë figura e trope që do rrezatojnë referenca të largëta apo të afërta, nuanca ngjyrash dhe ndjeshmëri të stërholluar, por gjenë shprehjen e drejtëpërdretjtë që do  ta konkretizojë idenë dhe idealin e tij të gjakuar. Po qe se do të bëhej fjalë për diçka ireale, diçka që parandjehet në vizionin autorial, atëherë kuptimi dhe ideja do të fshiheshin në figura, në mjegullen emocionale, në lojën e imagjinatës, në zikzaket gjuhësore dhe tingëllimin e bukur. Autori qëllimisht insiston në një “bruto poezi”, poezi që shqipton ngazëllimin e brendshem për idealin e prekshëm:

“Fëmijtë e vendit tim

janë fytyrëqeshur e të dlirë,

në gjithë rruzullin tokësor

nuk ka fëmijë më të mirë.

 

Janë plot shend e verë

me faqet kuq si molla,

janë të shenjtë si engjuj

bukuri nga ta merr shkolla.

 

Bukuri ka edhe rruga

kur këta e pershkojnë,

këta s'dijnë të urrejnë

por vetëm të dashurojnë.”

 

                                                   ( “FËMIJËT E VENDIT TIM” )

 

Duke gjakuar një shprehje të drejtpërdrejtë autori sikur na thotë se për synim ka të komunikojë me lexuesin, të dialogojë me te, të  ndertojë një vizion kongruent me  lexuesit, sepse i njejti ideal, e njejta përepjekje duhet të ketë edhe gjuhen e njejtë. I dhënë pas këtij lloji të komunikativitetit të shprehjës poetike, gjithnjë duke i qendruar besnik modelit të poezisë orale, autori sikur i përafrohet poezisë korrensponduese me atë për gjeneratat më të vogla, por duke mos harruar se

poezia e tij e gjendjeve ekstatike është një lloj kënge, një lloj tingulli që buron nga zemra.

Nuk është e habitshme pse poezia “Dasma e lirisë” mund të konsiderohet

se është thjeshtë një këngë epiko-lirike, një këngë që për nga thekset e saj himnike, por edhe me nuancime të herë pas hershme melankolike, sikur na e kujton poezinë e Pashko Vasës “O moj Shqipni”

 

                        “Eu sa leu dielli o mbi at kodër

                        u hap lajmi-o n’Shkup e n’Shkodër

                        nga Evropa e n’Amerikë,

                        nga Azia në Afrikë,

                        prej andej  n’Australi

                        se n’Kosovë ka një risi

                        i madh e i vogel o janë bë një

                        eu kanë nisë luften o për Liri.

 

                        Eu n’Dukagjin t’Binak Alisë,

                        u lidh Besa e shqiptarisë,

                        me ia këthye  pushken Serbisë,

                        për t’a mbrojtë pragun e sh’pisë

                       

           

                        si luaj djemtë e Lirisë

                        të betuar n’besë të Zotit

                        si në kohen e Kastriotit

                        si ç’vepruan të parët e motit”

                                               (. . .Dasma e lirisë )

Modelet orale të selitura brenda vargjeve të këtij autori me shumë përgjasime me idetë rilindase sikur na kujtojnë një vazhdimësi, një përpjekje që trashëgëmia jonë dhe ideali jonë të ketë rrënjë historike dhe si i tillë të na obligojë për një pikëpamje etike që duhet të jetë orinetuese në jetën e mëtejme në pushtimin e hapësirave të lirisë konkrete.

Duke kaluar nga shkalla e idealitetit dhe realizimit të idealit, do të thosha edhe politik, autori zbret  në tokë, zbret në realitet. Mirëpo, në një mal dëshprimi gjithnjë del diçka që i jep kuptim vazhdimsisë së jetës dhe autori vazhdimisht e mban gjallë atë zjarrin promethean, vleren e sakrificës, të cilen herë e gjen tek dëshmorët, tek heroinat duke zënë në gojë Shotë Galicen, Xhevë Lladrofcin etj, herë tek mantelbardhat, herë tek gjeneratat e reja që duhet ta marrin mbi  vete barren e historisë.

Mirëpo në këtë cikël, krahas glorifikimit të veprave të vyera, siç është sakrifiimi i femrës shqiptare gjatë historisë dhe në aktualitet, poeti ndesh edhe gjërat e shemtuara, të cilave përpiqet t’ua heqë masken, t’ua çjerrë lustren shkëlqyese të gënjeshtrës:

 

“E thjeshtë e primitive,

pikëpamjet arkaike,

e tëra është destruktive,

këtë kurr s’mund ta bësh mike.

 

Të miren nuk e njeh si të mirë

dhe nuk di ta vlerësojë,

ate e këthen me të keqe,

ç’dreq kështu e mësoi ?!

 

Gjuhen e ka gjarpër

e turirin si derr,

diten nuk e njeh si ditë

e drita i duket terr.”

 

(...LEDHATIA E DJALLIT)

 

Është i njohur fakti se dhëmbja e madhe shpesh arrin të nxjerrë poezi të bukur, sikurse që është rasti me librin “Lum Lumi” të Ali Podrimjes. Diçka e ngjashme ndodh edhe me autorin e këtyre poezive. Ai arrin të ngrihet mbi dhëmbjen përmes krijimit poetik, duke derdhur dhëmbjen në një sublimat lirik.

Dhe në fund fare, pas një ekskursi nëpër vargjet e librit të Adem Berishës, mund të themi se lexuesi ndahet me mbresa të nduarnduarta, por më e fuqishmja është ajo se i bëhët që ka shëtitur nëpër një botë në radhë të parë emocionesh. Për këtë poezi, duke bërë analogji me “pyllin e simboleve” të poezive të Bodlerit,  mund të themi se këtu kemi të bëjmë me një “pyll ndjenjash”, ku më e fuqishmja është ekstaza për lirinë dhe pavarësinë e vendit të tij, Kosovës martire.

------------------------

 

                                                  

Adem Berisha

(Nga pëmbledhja në dorëshkrim)

GJAKU QË NUK THAHET

 

Çka s’ka ndodhur n histori

asnjëherë tek popujt tjerë,

kishte ndodhë në Jugosllavi

në dyzetepestën në pranverë.

 

Mijëra burra e djem të rinj

kishin marrë rugën e tmerrit,

për të shkuar në Mal të Zi

që të përjetojnë vuajtjet e ferrit.

 

Si në Tivar e Dubrovnik,

në Dallmaci e në Trogir,

përballë kishin një armik

si fatzinj po edhe martirë.

 

Pesëmijë shqiptarë u vranë

faqe e zezë i ra Malit të Zi,

ujëvare gjaku tanaet u bënë

e dyshemetë liqej prej tij.

 

Kur jua prenin duar e këmbë

djemve të rinj pa i ra brisk fytyrës,

si kasapër kur presin gjanaë

gjaku rridhte si lumë këlcyrës[1]

 

Vrasje , therje e helmime

e shumëçka që kurrë s’shtë parë,

mbi këtë popull u bënë shumë krime

për të vemin faj pse janë shqiptarë.

 

Kush këto fakte i shtrëmbëron,

e në mulli të hasmit do të çojë ujë,

tragjeditë kush minimizon

prej tij o zot të gjithëve na ruaj.

 

Do pirraka e do spirraka

historianë vetes i thonë,

veprave të tyre iu daltë flaka

dreqi e dittë se për kë punojn.

Por gjaku ujë kurrë nuk bëhet

as nuk humbët për jetë e mot,

është një gjak që kurrë nuk thahet

i këtij populli që s’shtë pa zot.

 

 

I KAM LAKMI

/Azem Hajdinit-Xani, në

ditëlindjen e 84-të: 15.07.2008/

 

Njeriu jeton sa vepra e tij

e kujtimi për të nuk zhbëhet kurrë,

kur lë gjurmë në histori,

lind si engjëll e vdes si burrë.

 

Të vish nga çerdhja e shqipeve të malit,

nga Drenica jonë kreshnike,

të luftosh përkrah Sabanit

është një vepër heroike.

 

Një Tivar famëkeq të mposhtësh

që për shumëkë ishte fat i zi,

përballë bishave të mos gjhnjëzohesh

e të mbiejtosh është mrekulli.

 

Kush shumë sfida i tejkalon

faqebardhë mbtesh përhera,

gjithë shoqëria të admiron

si njeri që ka shumëvlera.

 

Burri i burrave Azem Xani

lind e rritë në polacin trim,

një mrekulli atdheut i fali

thellë ka hy në shpirtin tim.

 

Vepra e tij është e përmotshme

brezat këtë do ta ruajnë përhera,

si feniks do të ripëtrihesh

që të ju prijë në vlera tjera.

 

Udhërrëfyes është për rininë

qe atdheun më shumë të dojë,

sa më shumë të çmojë lirinë,

kurrë asgjë të mos e sfidojë.

 

Në këto pak vargje të radhitura

shumëçka mbeti e thënë,

por, shumë më shumë flasin veprat

vetë Azemi që na ka dhënë.

 

 

MLLEFI I SHKËLQËSISË

 

 

Pse qanë toka pash besën e zotit

a ka dikush për të më treguar?

pse i vie erë e flakës barotit

kush në tokë të djegur e kish shëndrruar?!

 

Qe prej shekujsh të historisë

kurr ky vend dritë nuk ka parë,

si rrjedhojë e pafytyrësisë

në gjashtë shtete e kishin ndarë.

 

Pse u desh kaq kohë të kalonte

e prapë këto troje të mos bashkohen,

kush është ai që nuk do të thoshte:

padrejtësitë gjithë nuk durohen.

 

Kush e ndau këtë tokë shqiptare

borxh të pa shlyer i ka përendisë,

le të shpëlajë disi këtë marre

le t’i këthej të veten shqiptarisë!

 

Edhe At Gjergji kish protestuar

për këtë krim të panjerëzisë,

kur Evropës iu kish drejtuar

me këto fjalë të vetë shkelqësisë:

 

Uh ! Europë, ti kurva e motit,

qi i rae mohit besës e Zotit,

po, a ky â sheji i qytetnisë :

me dá tokën e Shqipnisë

për me mbajtë këlyshët e Rusisë ?”.

 

 

 NDARJE QË SHËMTON

 

Atëherë, Zoti nuk të fali të gjymtuar

por të stolisi si një krijesë hyjnore

që i tëri të jetosh i bashkuar

shpinë për shpine e kapur dorë për dore. 

 

Por, diçka e trishtë shpirtrat trazon e

si ëndërr e keqe, diç të mirë nuk thotë,

forcërisht  në gjoks zemrat  shtrëngon

e fytyrat engjëllore don të lajë në lotë.

 

Të kishin larguar nga logu i kuvendit

e për  ty, së prapmi pa ty flitej,

të bënë  edhe tabu të kohës e vendit

e flamurin të ndaluan të valëvitej.

 

Të vranë, të dogjën, të sakatuan...

kushdo që zgjohej më i pari,

si bishat pamëshirshëm të copëtuan

vetëm pse kishe mish e gjak shqiptari.

  

Ndalem, mendoj dhe pyes vetën

mbase , nuk jam duke kuptuar ?!

si të tjerët pse të mos e kesh jetën

vallë, edhe  me këtë duhet pajtuar?!

 

Jo, jo! shëmtimin nuk ke për të duruar

e përbindësha nuk do të lejosh këtupari,

si vëllezër e motra keni për të bashkëjetuar

Ti, Ibri, Buna dhe Vjosa e Vardari.

 

Dhe, ky vend prapë do të bëhet ILIRI

e me ty më kurrë nuk do të abuzohet,

do të jetosh me dinjitet e krenari

në trojet e tuaja ku lirshëm do të frymohet.

 

Të jetosh i denjë si e gjithë njerëzia

këtu ku me shekuj ke varret e të parëve,

për çka e di qartë edhe parahistoria

ç’ prej se këtu nuk vinte erë e barbarëve.

 

Në këtë tokë që Zoti e kishte krijuar

e për Zot të sajë vetëm ty të caktoi,

këtë tokë të shenjtë e të bekuar

që ndër shekuj me ty bashkëjetoi.

   

Kush misionin e shenjtë nuk ndihmon

që penën e pushkën tok  t’i bashkojë

e At-Mëmëdheut veten nuk i kushton

përjetësisht kjo tokë do të  mallkojë.

 

 

A KA?-A KA ZOT?!

 

Të dalësh në qytet për të hequr pak mërzi

askush nuk të flet, sikur të gjithë mbajnë zi.

Fytyra të zymta sheh të sillen verdallë,

shpirtërat qetësi nuk kanë, përse vallë?!

 

Një zë të bëhet se dëgjon disi si pa pritë:

nuk don për të parë, a të janë verbuar sytë?

a nuk sheh qytetin si duket i shkretë?!

thua se njeri i gjallë në te nuk ka mbetë!

 

Tmerri të kaplon, me zë ke për të kja

kur sheh shkolla e spitale të rëna nën shkja,

profi sharraxhi e mjeku të bëhet hamall

kjo më nuk durohet, zemrës flaka do t’i dalë.

 

Disa fytyra të zeza me mustaqe të mëdha

rrugëve patrullojnë, njeriut pa i përngja.

Nuk mund t’i kuptosh, flasin një gjuhë tjetër

vetes do t’i  thoshe: u këthye kohë e vjetër?!

 

A thua? qenka këthyer koha e barbarëve

gjakun që iu kishin pirë prindërve e të parëve,

edhe tokën në zjarr që e kishin shkrumbuar

mushkëri e zemra nënash, që kishin pervëluar.

 

Oooo zot! edhe unë bertita me sa kisha fuqi

këthe derrat nga kanë ardhur, atje në Serbi.

Jo, por, Serbia dikur ka qenë Iliri

këthe bishat e Karpateve, atje në Rusi.



[1] Këlcyrës- grykës së malit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora