E enjte, 18.04.2024, 03:07 PM (GMT+1)

Mendime

Prend Buzhala: Kastrioti, Shëngjergji, Frojdi dhe Agani

E enjte, 14.05.2020, 01:56 PM


TRIPTIK MAJI

(Kundrime: Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe Shëngjergji, Sigmund Frojdi dhe Fehmi Agani)

Nga Prend BUZHALA

Secila ditë është një kujtesë, një kujtesë historike e një ngjarjeje, një feste, një tragjedie, lindjes a vdekjes së një njeriu të shquar. Një zbulimi shkencor a një ditë e shënuar ndërkombëtare.

Lumi i ngjarjeve, më saktësisht, ky oqean ngjarjes e personalitetesh, ngjet çdo ditë: Ato na sjellin dritë nga përvojat e thesari njerëzor. Secili brez njerëzor ka vulën e vet, ka ngjarjet dhe personalitetet e veta. Historia jonë nuk është vetëm histori luftërash, por edhe kremtesh, histori kulture, dijeje e arsimimi që na radhit ndër kombet moderne. Por të paktë janë personalitetet e ngjarjet historike që e shtrijnë rrezen e tyre të ndikimit në kohë e nëpër kohë. Kjo do ta ketë shtyrë një emër që aq shpesh citohet për mendimin e urtë, Ralph Waldo Emerson, kur shprehet: "Shpirtrat e mëdhenj dërgojnë përpara forcat e fshehta që tërheqin vazhdimisht ngjarje të mëdha".

1.

Kësisoj dita e sotme, 6 maj shënon lindjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, lindjen e themeluesit të paikanalizës, neurologut Sigmund Frojd, 6 maj 1994 përurohet tuneli i la Manch-it, 6 maj 2001 – Papa Gjon Pali II shkoi në Xhaminë Umajade apo Xhaminë e Madhe të Damaskut gjatë vizitës së tij në Siri duke u bërë edhe lideri katolik i parë që hyn në një xhami përgjatë historisë islame 1.400-vjeçare. 6 maj 2008 – Cikloni “Nargis”, i konsideruar një shakullinë jashtëzakonisht e fortë, goditi Mianmar-in (Burma), duke shkaktuar të paktën 22.000 të vdekur, rreth 30.000 të zhdukur dhe dëme materiale me vlerë miliarda dollarë. Sot është Dita e Shën Gjergjit, apo Shëngjergji (sipas kalendarit

Më 6 maj lindën: 1405 – Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, hero kombëtar shqiptar

1856 – Sigmund Freud, babai i Psikoanalizës

1915 – Orson Welles, regjisor, aktor dhe autor amerikan

1953 – Tony Blair, politikan britanez

1960 – Haqif Mulliqi, regjisor teatri shqiptar

etj. Vdiqën më 6 maj:

1949 – Maurice Maeterlinck, shkrimtar belg, nobelist

U vra më 6 maj1999 Fehmi Agani,filozof, sociolog dhe politikan i doktoruar, akademik, gazetar dhe Hero shqiptar i Kosovës.

Kësaj radhe, po veçoj tri ngjarje që ndërlidhen me ne e me historinë botërore: Skënderbeun me Ditën e Shën Gjergjit, Frojdin dhe Fehmi Aganin.

2.

Kujtesa popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, si simbol harmonie, uniteti dhe guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë. Prandaj janë krijuar nga kjo kujtesë popullore edhe gojëdhëna, tregime e këngë popullore, pa dallim feje. Madje, figura e tij, pa dallim feje, është trajtuar nga shkrimtarët e të gjitha trojeve, e jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë.

Mendohet se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar. Vetë Konstandini i Madh e kishte këtë flamur, për të cilin thoshte se e kishte trashëguar nga Pirroja. Shqipja dykrenore, është simbol antik, pra simbol i lashtësisë dhe i trashëguar nga arbrit (Flamuri i përdorur nga Pirroja). Mjafton të lexohet Fjalimi i Skënderbeut kur arrit në Krujë (nga Barleti, nga Noli e nga gjithë historianët), ku nuk mban një Fjalim Fetar (sikur të kishte qenë ashtu, atëherë Barleti prift do ta kishte shënuar me devotshmëri). Por, në përfundim të Fjalimit përmendet së pari fjala FLAMUR e mandej vjen fjala Perëndi: "Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndihmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!" (Përkthimi i Nolit). Këtë flamur e trashëgoi Skënderbeu prej ilirëve. As në kohën e Konstandinit nuk ka pasur Bizant, sepse Konstandini i Madh e ka konsideruar veten perandor romak, sado që Konstandini e formoi Konstandinopojën si qendër të veten (emrin e tij e ruan Stambolli i sotëm, se fjala Stamboll nuk është fjalë turke dhe sepse Stambolli kurrë nuk ka qenë qytet otoman e turk, i cili u pushtua pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë).

Skënderbeu, me një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet fetare. Vetë Perandoria otomane kishte përbërje fetare të ndryshme (vasalët e krishterë bizantinë e sllavë në kuadër të Perandorisë otomane, që luftonin kundër Skënderbeut).

Prandaj, për shkak të vizionit të tij UNIK HSITORIK, ai mbetet figura më përfaqësuese shqiptare... para të cilës përkulen kombet, shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale etj.

Iskander (Aleksandër I Madh), ishte titulli më i lartë ushtarak e luftarak që u përjetësua nga vetë Perandoria otomane, ashtu sikundër Roma e përjetësoi si Atleta Cristi. Koncepti për heroin, në CIVILIZIMIN EVROPIAN, ka traditën e vet të përdorimit (ndryshe se ç’e trajtojnë këtë koncept vendet e Lindjes që qëndron krejtësisht i ndryshëm e që krijon moskuptime). Feja nuk ka nevojë për heronj dhe nuk shpall heronj. Në frymën e konceptit antik, evropian, kombëtar dhe modern, Skënderbeu është hero kombëtar.

3.

Dita e Shëngjergjit ndër shqiptarë ka traditë të lashtë. Shë Gjergji (i lindur në Nikomedi rajon në Turqinë e sotme, ka jetuar në shekullin III pas Krishtit ndërmjet viteve 275 – 303 nga prindër të krishterë, babai nga Kapadokia (Cappadocia) kurse nëna nga Palestina. Edhe ai ishte një ushtar Romak, jetoi në Palestinë. Por kishte natyrë kryengritëse, prandaj haptas doli kundër dhunës shfarose që u bëhej të krishterëve nga Perandoria romake. Protestoi kundër persekutimit të krishterëve nga ana e Romës pagane. Duke përjetuar tortura, ai sakrifikoi jetën e tij në mbrojtje të besimit krishterë. Mirëpo, emri i tij u ndërlidh me mirin e njohur të kohës pagane, të fitores së dragoit (simbol i së mirës) mbi kuçedrën 9simbol i së keqes). Kësisoj, në artin ikonografik Shëngjergji paraqitet si kalorës që mund kuçedrën. N[ Mesjetë ishte Pajtor i kalorësve. Te traditat shqiptare ndërlidhet me festat e ardhjes së pranverës, ringjalljes së natyrës, me traditën e hershme të varjes së degëve të vogla (gemave) nëpër dyer të oborrit e nëpër pjesë të tjera të shtëpisë. Ndër shqiptarë ka mjaft kisha që kanë emrin e tij. Në këto tradita hyjnë edhe organizimi i vrapimit të kuajve, mundja e demave, garat e mundjes.

Këtë festë e shënojnë e kremtojnë shqiptarët e të gjitha besimeve, pa ia pasur nevojën tempujve fetarë “në organizim a celebrim.”

Porse populli ynë e lidh edhe me emrin e madh të Gjergj Kastriotit, që mund lubinë otomane, si dukur atë romake.

Edhe kujtesa popullore legjendare e rapsodike, ka dhënë njërin ndër krijimet më antologjike të letërsisë sonë gojore, që ndërlidhet me emrin legjendar të Gjergj Elez Alisë...

4.

Dhe ja tani emri i Sigmund Frojdit (Sigmund Freud 6 Maj 1856 – 23 shtator 1939), këtij psikologu austriak që krijoi Epokën e Psikanalizës, ishte një fiziolog, doktor i mjekësisë, psikolog dhe mendimtar me ndikim i fillimit të shekullit XX. Ai ka përpunuar teorinë se mendja është një sistem kompleks, hetimi strukturor i të cilit është fusha e duhur e psikologjisë. Ai artikuloi dhe përmirësoi konceptet e seksualitetit të pandërgjegjshëm, infantil dhe shtypjes.

Teoria e tij e psikanalizës parashtron mendimin se njeriu është një qenie e pavetëdijshme, pa mundësinë e vendimmarrjes së lirë, ai nuk mund të marrë vendime racionale dhe as të sundojë vetë” e që ishte në kundërshtim me kuptimin dhe interpretimin tradicional të qenies njerëzore.

Është njohur topografia që ai ia bën personalitetit të njeriut: dmth mendja njerëzore ka tri nivele: të pavetëdijshmen, të vetëdijshme dhe të paravetëdijshmen. Apo për strukturën e personalitetit (Id, Ego, Superego), sidomos interpretimi i ëndrrave.

Studimet e tij hapën shtigje edhe në letërsinë moderne, sidomos më gërmimet letrare në botën psikolgojike të njeriut. Kësisoj, janë të njohura romanet e Xhojsit (romanet e rrjedhës së nënvetëdijes a ndërdijes).

Kur kishte themeluar më 1902, së bashku me studentët e tij (Ferdern, Ranka, Adler), fillimisnt u mor me çështjen e babait, konceptet e nxitjeve të jetës (erosit) dhe instinktet e vdekjes (thanatos), parimet e realitetit dhe parimet e kënaqësisë. Më 1913 ai botoi tekstin “Totem dhe Tabu” ku diskutoi fenomenin kulturor dhe historik të ndalimit të incestit, më 1915 ai botoi tre eksperimente metapsikologjike mbi instinktet e fatit, shtypjen dhe të pandërgjegjshmen, dhe më 1916, Trishtimin dhe Melankolinë. Në shënimet për të përmenden kontributet e tij kërkimore përfshijnë zbulimin e karakteristikave të reja të qelizave nervore në peshkun e artë . Pastaj konstatimi më i rëndësishëm i tij është se kokaina mund të përdoret për të trajtuar shumë sëmundje. Nazistët pushtuan Austrinë dhe i dogjën publikisht librat e Frojdit në Berlin. Ai u largua nga Austria dhe shkoi në Angli, ku ai trajtoi pacientët e tij deri sa vdiq.

5.

Fehmi Agani (1932 në Gjakovë - 6 maj 1999), ky hero i heshtur i mendimit e kulturës politike, politikëkrijuese e politikëbërëse ndër ne, mbahet mend në plejadën e papërsëritshme të kohës. Le t’i kujtojmë, shpejt e shpejt, tri figura që janë personifikim i njeriut që nuk urrejnë tjetrin, personifikime të urtisë e të sjelljes së dinjitetshme të njeriut: Ibrahim Rugovës, Anton Çettës e Fehmi Aganit. Për një dekadë të tërë (1990 -1999) te këta tre burra nuk keni mund të veçoni intrigën politike, por përbashkimin e forcave të mendjes e të organizimit; nuk mund të shihni te ata arrogancën, polemikën, apo protagonistë që do ta luanin rolin e përplasjeve e të prodhimit të kundërthënieve.

Kjo ishte pamja jonë që aso kohe ia përcillnim Evropës dhe SHBA-ve, fytyrën e civilizimit, të mendimit e të urtisë moderne shqiptare: të keqes e dhunës i janë përgjigjur me rezistencën e jodhunshme, e cila u shtri gjithandej, dhe mori mbështetje e zë në qarqet botërore me ndikim progresiv. Është ajo lëvizje që krijoi miq, që i dha emër të mirë Kosovës në botë. Jo vetëm mendimi i tij politik, sociologjik apo akademik, por sidomos ai i mendimit veprues, ishte, pa dyshim, shpirti i lëvizjes politike të Kosovës gjatë viteve ’90, i mendimit të matur diplomatik, i mendimit veprues që heq peshë në ato kohë të rënda. Gjatë viteve ’70 ai ndihmoi në shumë drejtime; për t’i gjetur rrugët frytdhënëse të avancimit të statusit të Kosovës; sa qe profesor, ai dha kontribut në ngritjen e arsimit në nivel universitar; në ndihmesën e themelimit të institucioneve, si i Institut Albanologjik (ishte drejtor i këtij Instituti më 1967); ndihmoi në vënien e komunikimit me Shqipërinë. Nuk ishte e rastit pse pas demonstratave të vitit 1981 ai përjashtohet nga Universiteti e nga organet tjera shtetërore. Rikthehet në fillim të viteve ’90, në krye të lëvizjes së madhe politike të kohës në krye me I. Rugovën (në kreun e LDK-së). Në atë dekadë mbahet mend që ka hartuar dokumentet kryesore politike me peshë nacionale e ndërkombëtare, si Deklarata e Pavarësisë, Referendumi për Pavarësi Kushtetuta e Kosovës etj, ngjarje që i dhanë vulë e shtysë të madhe përpara, dhe aty është emri i Fehmi Aganit tonë, pikërisht në kohën kur po shpërbëhej Jugosllavia, kur shpërthyen luftëra anembanë kësaj hapësire... dhe nuk ishte e rastit që u vra pas përfundimit të Konferencës së Rambujesë, ku ishte ndër pjesëmarrësit e saj, dha pas ndërhyrjes së bombardimeve të NATO-s.

Aty, te ky 6 maj, krahas emrit të Gjergjit të madh, le të jetë edhe ky emër i heroit të heshtur, Fehmi Aganit.

(Prend N. Buzhala, 6 maj 2020)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora