E marte, 16.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: A ka Bota Kishë Katolike që ka kalue sa Kisha e Lezhës?

E enjte, 14.05.2020, 02:31 PM


Kujtoj…Sot, mbas sa vjetësh:

A ka Bota Kishë Katolike që ka kalue.., sa Kisha e Lezhës?

Nga Fritz RADOVANI

1464 Ishte koha e lavdishme e Heroit kombtar Gjergj Kastrioti kur del në fletët e historisë Kuvendi Françeskan i Lezhës.

500 vite ma vonë në një letër At Gjergj Fishta, kërkoi per me e restaurue ate.Letra asht te numri i fundit i “Hyllit të Dritës”.  At Gjergj Fishta jetonte në një dhomë në Kuvendin Françeskan të Lezhës, brij Kishës për të cilën kërkonte restaurimin.

At Fishta aty, ka pas shkrue një pjesë së “Lahutës së Malcis”. Aty asht edhe sot dhoma e Tij. Revista “Hylli i Dritës” ka kenë konceptue prej At Fishtës në vitin 1913 me mendimin: “Hylli qi, mbas nji robnije të gjatë, duhet me e drejtue popullin Shqiptar në qytetninë e ngritun mbi bazat e lirisë e të drejtave individuale e shoqnore”, ndonse, lufta kunder Revistës ishte e vazhdueshme. E kjo luftë vazhdoi ashtu si kunder Krijuesit saj.

Kisha Françeskane në Lezhë asht ndërtue në 1240, gja që shihet edhe nga mbishkrimi latin mbi derë, në ballë të saj.

Në Shqipni, simbas traditës mendohet se Shën Françesku i Asizit asht themeluesi i kësaj Kishe. Në Kishë, në mes të tjerave, ruhej nji kryq argjendi, vepër veneciane e shek. XV, kushtue nga Princi Pal Dukagjini. Për ma tepër, tek Elteri i madh  kryesor, ishte nji pikturë e madhe, e cila vlerësohej me shumën 100.000 lit. ar. Në atë Kuvend, gjatë Luftës së Parë Botnore, austro-hungarezët patën vendosë seksionin e Kryqit të Kuq Ushtarak. Në shtator 1918, ditën që ushtarët braktisën Kuvendin, Kisha dhe Kuvendi u shkatërruen prej zjarmit. Në 1928 Kuvendi u rindërtue, ndërsa Kisha vetëm sa u mbulue. Kjo Kishë konsiderohet si djep i Françeskanve në Shqipni e, Fretnit, kanë pasë dëshirë të flakët ta restaurojnë, për faktin se asht monument kombtar, falë lashtësisë së saj.

At Fishta, shkruen se themelimi i Kishës së Zojës Nunciatë dhe i Kuvendit Françeskan bashkangjitun me te, asht shënue nga disa tradita, që flasin për një kalim të Shën Françeskut gjatë kthimit prej Tokës së Shenjtë në vitin 1219-20, si thohet edhe nga Françeskanët tjerë t’asaj kohë. Me këte rast Ai, përdori një rrem pishe, që kishte skicue planimetrinë e Kishës direkt mbi terren në kodrën përballë Lezhës së atëhershme.

Ndërtimi i saj vazhdoi prej një meshtari lezhjan Don Lleshi, që shpjegon emnin popullor “Kisha e Dom Lleshit”.

1240 asht datë e një pranie të Françeskanëve në Lezhë, që verteton edhe mbishkrimi i vonshëm i gdhenun mbi derën kryesore të Kishës. Mendohet se kjo datë i referohet një Kishe tjetër të shek.XII, e ndërtueme po në të njajtin vend.

Në mungesë të dokumentave të sigurta, mund të mendojmë që Fretnit Françeskan të kenë themelue kuvendin e tyne mbas vitit 1393, pra, kur qyteti i Lezhës kaloi nga duert e Princave Dukagjini nën sundimin e Republikës së Venedikut. Edhe stili i arkitekturës së saj flet se Kisha ka kenë ndërtue në fund të shek.XIV ose në fillim të shek. XV. Sidokjoftë, vlera e madhe historike e Asaj Kishë në Lezhë asht e padiskutueshme...

Me 29 Nandor 1944, ashtu si gjithë Shqipnia edhe ajo Kishë do të zaptohej nga sllavokomunistët e drejtuem nga Enver Hoxha. Me 11 maj 1947, dora kriminale e atij regjimi prangoi edhe At Serafin Kodën famullitari i Lezhës, e masakrimi barbar mbas tetë muejsh tortura mizore e zhduku këso bote Martirin trim.

Mbas vendosjes së ateizmit të shtetit më 6 shkurt 1967, e para ndër vendet e kultit katolik, Kisha e Zojës Nunciatë u vendos të jetë vend strehimi per kafshë dhe u ba stallë bagtishë...

Ma vonë ofiçinë mekanike dhe kovaçeri. Kumbonaria shumë shpejt u rrëzua e hymja u ndryshue, për me kalue kamionat. Edhe varrezat e vjetra që rrethonin Kishën dhe që ruenin monumente të rëndësishme mesjetare u hoqën prej aty, per me i lirue vend ndërtesave të kooperativës komuniste.

Mbas vitit 1991 aty shkoi me sherbye At Konrrad Gjolaj, i cili jo vetem e rindertoi, por i dha pamjen e plotë të kohës, kur Ajo u kujtonte si Kishë, prakun e së ciles e ka puthë Gjergji i Madh i Popullit Shqiptar, dhe Gjergji dijetar i zhgunit Françeskan...

Ajo ishte dikur... Po, asht edhe sot, nder Kishat ma të njohuna të Françeskanve të Shqipnisë, që u salvue si Themeluesit e Saj per një gjysë shekulli, tue shkrue me Gjakun e Martirve të Saj, Historinë e lavdishme të Kishës Katolike Shqiptare...

Mos harroni se edhe Ajo ishte një prej Kishave ku lutej Heroi Gjergj Kastrioti para çdo beteje kunder turqve!

Melbourne, 14 Maji 2020.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora