E marte, 19.03.2024, 10:56 AM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: A e di kush se çka po ndodhë në Shkup me shtëpinë e Nënë Terezës

E marte, 12.05.2020, 07:20 PM


A DI KUSH SE ÇKA PO NDODHË NË SHKUP ME SHTËPINË E NËNË TEREZËS?

Nga Frank Shkreli

Disa portale shqiptare, përfshirë edhe agjencinë INA në Shkup, njoftuan të martën për reagimin e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, (ITSHKSH-së) ndaj asaj që thuhet se është, “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës”, nobelistes shqiptare, në sheshin e Shkupit.

Në një deklaratë për mediat vendore në Shkup, Shefi i ITSHKSH-së -- një ent zyrtar ky i akredituar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut -- Z. Skender Asani, shpreh indinjatën e thellë për këtë veprim të papërgjegjëshëm duke e cilësuar atë si “një sulm ndaj figurës së Nënës Terezë, ndaj veprës së saj të njohur dhe të pranuar ndërkombëtarisht, por edhe ndaj admiruesve të saj gjithandej nëpër botë”.  Tani për tani, nuk e kam të ekzaktërisht të qartë, nga burimet e deritanishme, se vërtetë çka po ndodhë me shtëpinë e Nënë Terezës në Shkup, por duke u bazuar në deklaratën e Z. Asani për mediat – deklaratën e të cilit nuk kemi ndonjë arsye që ta dyshojmë -- duket se zhdukja e gjurmëve të shtëpisë së Nënë Terezës në Shkup, është një punë e kryer, megjithse nuk dihet se kush e mori vendimin dhe kur, ose pse, ka thënë Z. Skender Asani:  “Jemi sot këtu, në sheshin e Kryeqytetit, për të tërhequr vërejtjen për një veprim që është ndërmarrë nga Qyteti i Shkupit dhe që na ka shqetësuar jo vetëm neve si studiues e si shkupjanë, por edhe shumë dashamirë të qytetit tonë, që i kanë sytë kah ne.  Siç e shihni, në këtë vend tashmë nuk ekzistojnë gjurmët e shtëpisë së Nënës Terezë dhe pos kësaj, është bllokuar edhe rruga për të vendosur lule në pllakën përkujtimore të kësaj shtëpie.  Pavarësisht thashethemeve, të gjitha faktet flasin se këtu ka qenë shtëpia ku ajo ka lindur, andaj ky vend tashmë disa vjet konsiderohej si shenjë e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë dhe ishte shëndërruar në një pikë pelegrinazhi për admiruesit e personalitetit të saj. Por, ja që tash, me një vendim që nuk dimë si është marrë, kur është marrë dhe nga kush është marrë, ky park i ka mbuluar shenjat e shtëpisë së Nënës Terezë dhe, përveç kësaj, ka pamundësuar vendosjen e luleve në pllakën përkujtimore të saj.”, ka deklaruar të martën për mediat, Shefi i ITSHKSH-së, Z. Skender Asani.

Z. Asani dhe enti që ai kryeson, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, njëkohësisht, përgjegjës edhe për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, ka bërë tani protesta me anë letrash duke kërkuar -- shpjegime për këtë akt të papërgjegjëshëm dhe sulm ndaj Bijës më të madhe shqiptare në botë -- nga udhëheqsit dhe entet më të larta të shtetit dhe të qeverisë së Maqedonisë Veriut, përfshirë Kryetarin e qytetit të Shkupit i cili është përgjegjësi kryesor për sheshin në fjalë  -- që të rishqyrtojnë këtë vendim të papërgjegjëshëm.  Z.Asani tha për median vendore se do presë edhe disa ditë për të parë se si do përgjigjen instancat më të larta maqedonase ndaj ketij akti, por shtoi se në mungesë të një zgjidhjejev të kënaqshme të këtij problemi, ai ka në plan të ndërmarrë një fushatë ndërkombëtare për të kërkuar ndihmë dhe mbështetje nga miqtë e Nënë Terezës, anë e mbanë botës, raporton agjencia INA.

Pasi Zoti Skender Asani është shef i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, përgjegjës edhe për studimin dhe mbrojtjen e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë  -- si do të reagojnë për ketë akt kundër trashëgimisë shqiptare në Shkupin, dikur shqiptar dy shtetet shqiptare – Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës?  Nëqoftse bazohemi në përvojën e së kaluarës, mos pritni asgjë, asnjë reagim, asnjë protestë.  Se pse këta jo vetëm që nuk kanë mbrojtur deri tani trashëgiminë kulturore e historike shqiptare në trojet shqiptare jashtë kufijve të tyre, por kjo klasë politike ka mbylllur sytë dhe gojën ndaj përdhosjes së trojeve shqiptare me ngritjen e monumenteve turke, greke e sllave gjatë viteve, në tokat e shenjta shqiptare.  Kësaj klase politike, nuk i intereson as shtëpia e Nënë Terezës në Shkup as trashëgimia kulturore mijëvjeçare e Kombit shqiptar në trojet shekullore të tij, në përgjithësi.  Mbarë trojet shqiptare, sipas tyre, do të jenë pjesë e të ashtuquajturit minishengen ballkanik, por jo më parë se të fshihen të gjitha gjurmët e historisë, kulturës dhe identitetit të shqiptarve në ato troje.  Edhe në këtë rast, nuk presim gjë nga Tirana dhe Prishtina zyrtare, po nga komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjë presion qeverisë së Maqedonisë së Veriut, që të ndryshojë vendimin e papërgjegjëshëm të sllavo-maqedonasve.

Ndoshta ia vlenë pak histori – për shtëpinë përkujtimore të Nënë Terezes në Shkup, që siç duket nuk ekziston më, por që ndoshta hedh pakëz dritë për arsyet se pse pikërish tani u mor ky vendim.  Ndoshta nuk është e rastit që “Shlyerja e çdo gjurme të shtëpisë së Nënë Terezës” në Shkup po ndodh pikërisht në 1-vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Shkup (me 7 Maj, 2019). Me atë rast Radio Vatikani shkruante kështu Shtëpinë e Nënë Terezës, që nuk është më: “Kujtojmë se Shtëpia përkujtimore është ndërtuar aty ku ngrihet kisha e Zemrës së Krishtit, shkatërruar nga tërmeti i vitit 1963. Pikërisht në atë kishë, që ishte famullia e saj, themeluesja e ardhshme e Motrave të Dashurisë mori pagëzimin, një ditë pas lindjes. Guri i parë u vendos më 9 maj 2008, ndërsa përurimi u bë më 30 janar të vitit të mëpasëm. Ndërtesa, me një stil të veçantë evropian e indian, ka një bazament në gur me të cilin ndërthuren elementë të ndryshëm arkitektonikë, ku spikat një kullë xhami, në faqet e së cilës mbizotëron një kryq i madh, punim në filigranë. Kati i parë është një muze, ku ekspozohen fotografi e objekte të Nënë Terezës si edhe disa relike të saj; në katin e dytë, krejtësisht prej xhami, ndodhet kapela. Shtëpia përkujtimore vizitohet nga rreth 100 mijë vetë në vit”, ka shënuar Radio Vatikani me rastin e vizitës së Papa Françeskut në Shtëpinë Pëkujtimore të Nënë Terezës në Shkup, me 7 Maj të vitit që kaloi.

Radio Vatikani ka njoftuar me atë rast gjithashtu se në atë vend, Papa Françesku u prit nga eprorja dhe nga 3 motra të Nënë Terezës. Një fëmijë i dha një tufë me lule, të cilën Ati i Shenjtë e vendosi në shtatoren e shenjtores shqiptare. Papa shkoi më pas në kapelë, ku ishin mbledhur krerët e bashkësive fetare të vendit si edhe disa kushërinj të Nënë Terezës.  Në altar ishin vendosur relikja e shenjtes, disa objekte personale dhe pesë qirinj, që përfaqësonin 5 bashkësitë fetare të Maqedonisë së Veriut. Këtu, Papa shqiptoi lutjen e falenderimit drejtuar Zotit, që i dhuroi botës Nënë Terezën si dhuratë dhe lutjen drejtuar vetë shenjtes, që të ndërhyjë për të varfërit e për popullin.

  vizitën e parë historike të një Pape në Maqedoninë e Veriut, në Shkup (7 maj 2019), dikur selia e Ipeshkvisë shqiptare Shkup-Prizren, ishte një vizitë e qëllimshme për të thekësuar jetën dhe veprat e Nënë Terezës, aty në trollin që e lindi atë dhe për të nenvijuar rolin e saj për të gjithë besimtarët por edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë kudo në botë.  Me të arritur në aerportin e Shkupit, ekzakt një vit më parë, Papa Françesku ka folur për qëllimin e vizitës së tij në vendlindjen e Nënë Terezës.  “Dua të nderoj në m?nyr? të veçantë bashkëqytetaren tuaj të shquar e cila, dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj të tjerëve e bëri ligj më të lartë, duke fituar admirimin në mbarë botën. I referohem në mënyrë të qartë asaj që universalisht njihet si Nëna Tereze e Kalkutës .Ajo lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910, me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e t? plotë t? vetvetes, në Indi, dhe përmes motrave të saj mbërrini n? kufijtë më të skajshëm gjeografik dhe ekzistencial t? njerëzimit”.

“Jam i lumtur q? pas pak do t? mund t? shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit, Kishë kjo në të cilën u pagëzua N?na Tereze. Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë Grua të madhe. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me angazhim, përkushtim dhe shpresë, që bijtë dhe bijat e kësaj toke t? mund, sipas shembullit t? saj, të zbulojnë, të arrijnë dhe të rrisin e përforcojnë thirrjen që Zoti ka ëndërruar për ta. Nëna Tereze diti t’u bënte mirë më të varfërve”.

Fatkeqësisht, bijtë dhe bijat e asaj toke, të cilëve iu drejtua Papa Françesku në vizitën e tij Shkupit një vit më parë, jo vetëm që nuk po ndjekin shembullin e saj, por po ia zhdukin edhe gjurmët fizike Nënë Terezës, pikërisht aty ku ka lindur ajo.  Por kot e kanë se sado që të mundohen, nuk mund ta fshijnë atë nga zemërat e qindra miliona njerzëve anë e mbanë botës, përfshir edhe shumë shqiptarë vullnet mirë, pa dallim feje a krahine.

Papa Françesku në Shkup, 7 Maj, 2019



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora