E shtune, 20.04.2024, 09:56 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Greku i gjakut

E marte, 12.05.2020, 12:07 PM


Greku i gjakut

Nga Edison Ypi

Dy lezhjanë me xhepat bosh ardhur në Athinë më këmbë.

Një matjan sykaltër leshverdh i bindur se ishte gjerman dhe duhej të shkonte të jetonte ku i përkiste, në Gjermani, ku me siguri do kishte sukses të madh, nje ditë e kapi fshesa e hodhi në Kakavijë.

Një minoritar gjysëm i çmendur që qan; Atje më shanin “grekofon”, këtu më përbuzin “arvanos”.

Të tilla mesele dëgjoja pasditeve në Sheshin Omonia kur punova ca muaj në Athinë.

Muzg i ngrohtë fundshtatori. Katër durrsakë të uritur. Kokërr leku në xhep. Mes durrsakve një grek jepte e merrte tu bënte të ditur durrsakëve diçka që durrsakët meazallah se e kuptonin. Çfar’ thotë ky ? pyet njëri nga durrsakët. E pyeta grekun anglisht. Greku tha; Nëse njëri nga këta të katër do pranojë të më japë gjysëm litër gjak për xhaxhanë e sëmurë, do ta marr me taksi, do t’i jap një drekë të bollshme si ta dojë, do t’i marr gjakun, do t’i jap në dorë 25 mijë Dhrahmi, do ta kthej me taksi këtu ku e mora.

Ua thashë durrsakëve të uritur propozimin e përgjakur të grekut.

Katër durrsakët njëripastjetrit;

-Jam Çam. Gjak çam në trup të grekut ?! Kurrë !

-Unë ja jap gjakun grekut. Edhe po të isha çam do ja jepja që me anë të gjakut ta bëja grekun sadopak shqiptar. Por greku i poshtër kushedi se çfarë hile ka në mendje, prandaj grekut gjak nuk i jap.

-Edhe unë mund t’i jap pa problem gjak grekut. Por nuk jam i sigurtë a punon zemra e grekut me gjak shqiptari.

-Jemi popuj miq, jemi popuj vëllezër, do iki unë t’i jap grekut gjak shqiptari. Se na duhen pare për të blerë për të ngrënë.

E mori greku shqiptarin që kombinoi gjakun me vllazërimin e popujve dhe urinë, e futi në një taksi, dhe u zhdukën.

Kaluan disa javë.

Episodi me durrsak, grek, gjak, refuzim, pranim, më mbeti në mendje disa ditë, pastaj, të tjera tmerre shqiptareske që dëgjoja tek Omonia, ma nxorrën nga mendja.

Kur nje dite tjetër i pashë përsëri katër durrsakët. E kishin marrë veten.

Pyeta atë që i shiti grekut gjakun,

-Si vajti ajo meseleja me ate grekun që ta bleu gjakun ?

-Më çoi në një shtëpi në Pire, tha durrsaku. Më dha një drekë të bollshme. Prita të vinte ndonjë infermiere të ma ngulte shiringën të ma thithte gjakun. Hiç. Erdhi greku. Më dha 25 mije Dhrahmi. Më solli me taksi ku më mori. Bleva ca gjëra për të ngrënë. Sot e ksaj dite nuk e di pse greku paret m’i dha por gjakun nuk ma thithi.

-Kam unë një spjegim, u hodh miku i tij. Grekët janë shumë të poshtër. E gjitha kjo është një kurth i ngritur nga ndonjë grek i pasur që do ketë vënë ndonjë bast për të provuar sa pak vlerë ka gjaku shqiptar.

-Përkundrazi, tha durrsaku tjetër. Greku e ka thurur këtë mesele për të dëshmuar miqësinë shekullore mes popujve ballkanikë, të cilët për njeri-tjetrin japin edhe gjakun, madje me çmim qesharak, përmes shembullit bindës të një shqiptari të uritur i cili e shet gjakun sa për të mbushur një herë barkun, çka do të thotë se po të ishte i ngopur, gjakun shqiptar grekut do ja falte.

-E pamundur, tha durrsaku që foli i fundit. Po të ishte e vërtetë se një shqiptar ja shet aq lirë gjakun një greku, do ishte e vërtetë edhe e kundërta, që po aq lirë një grek ja shet gjakun një shqiptari, çka nuk ka ndodhur kurrë, dhe kurrë nuk do ndodhi.

Tashmë ngjarjen me gjak, grek i sëmurë, shqiptar i uritur, nuk mund ta harroja.

Kaluan nja dy a tre javë.

Një tjetër pasdite, në një tjetër qoshe të Omonias, pashë përsëri grekun e gjakut.

E pyeta çfarë ndodhi ate dite me gjakun e shqiptarit.

-Kur arritëm në Pire me atë djalin, tha greku duke qeshur, i thashë xhaxhait që po jepte shpirt se i gjeta gjak shqiptar. Xhaxhai në shtratin e vdekjes, tha; Gjak shqiptar në dejet e mia ?! Kurrën e kurrës. Më mirë vdes që këtë çast. Dhe vdiq.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora