E enjte, 13.08.2020, 01:16 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!

E hene, 11.05.2020, 05:49 PM


14

Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!

Veprat më të bukura të njerëzimit janë tmerrësisht të dhembshme - André Gide.

Nga Fotaq Andrea

Ky shkrim merr shkas nga disa mesazhe përgëzimi që morëm pas botimit që i bëmë para disa ditësh tek forumet “Fjala e lirë” dhe “Zemra shqiptare” të poezisë sonë “Vrasje e dëlirësisë foshnjore”, duke rikujtuar karantinën shqiptare të vitit të zi ’97 në këto ditë të pazakonta ngujimi botëror si pasojë e pandemisë së kovid19. Prej një kohe të gjatë ime shoqe dhe unë kemi ngulmuar për të hulumtuar, mbledhur e arkivuar mori fotosh e veprash artistike dhe historike me tematike tepër të gjerë e të veçantë: “Fëmijë të Shqipërisë ndër vite” në përgatitje të një Ekspozite të mundshme a të një albumi me mbi 500 imazhe dhe me bosht qendror brezin e ri historik të kombit tonë si aktorë aktivë të jetës së përditshme shoqërore në krejt aspektet e veta. (fig. 1)

Edhe pse me shtrirje të gjerë kronologjike që daton nga fillimi i shekullit XIX, vërehen në mori kësi fotosh e skenash pikëtakime rrënqethëse  të së djeshmes me të sotmen, që shfaqin tragjikisht trishtim, dhembje, mjerim, nga njëra anë, por edhe shfrytëzim, keqtrajtim, traumatizim, etj. nga ana tjetër, në atë  botë të dëlirë e të pafajshme të fëmijës shqiptar, tipizuar e simbolizuar historikisht tek i përjetshmi migjean “Luli i vocërr”, hallëmadhi hallëplotë e i pafatë, engjëll viktimë i përvuajtur, shpesh me vështrim të fikur, të frikur, të fishkur që na tromaks e trondit. Ndodh kësisoj tek një pikturë e diteve të sotme të belgjianit Angelo Brenez titulluar “Fëmijë nga Shqipëria”, së cilës poeti i njohur portugez José Aghostino Baptista i ka kushtuar këto vargje: “Ti  gjallove / Në vendin e fëmijëve të trishtë / Dhe në djepet e zbrazur / Pe të bjerë vesimi, / Pasandaj lagështimi, pasandaj kalbëzimi. / Ti ishe i pafajshëm në atë kohë, para krimeve / Para fytyrave mbushulluar me bukuri / A mallkueshmëri.” (fig. 2)

Në fakt, nuk kanë munguar aspak komentet për këtë tablo plot trisht e mallëngjim, që të elektrizon krejt trupin,  që gati-gati të frik e të ligështon njëkohësisht, të mban egër në ethe e të mornicon mishtë, me ato vështrime shpuese e gjëmuese si rrufe sa të nënës, aq edhe fëmijës bërë një trup i vetëm nënë e bir, në kërkim të një përkrahjeje a ndihme hyjnore që të këput shpirtin. Shfaqet kësisoj në tërë këtë skenë e poezi me ngjyrën e blertë të shpresës e të natyrës së paqtë krejt atmosfera tragjike e vitit të zi ’97 në Shqipëri, që nuk do të vononte të pasohej nga lufta e Kosovës ’99 dhe nga shpërnguljet masive të popullsisë, kur në epiqendër do vihej tashmë fotoja ikonë “Nëna me foshnjen në gji”, të cilin ajo e dinte të vdekur. (fig.3) Janë foto tronditëse që flasin vetë, ku poezi e pikturë shkrihen në një, për t’i lënë vend një lloj muzikaliteti sensual me tingëllesë të përzishme. E të vinë ndër mend këtu, me po këtë përmbajte edhe te fotot e A. Degrand që ilustrojnë  librin e tij “Kujtime nga Shqipëria e Epërme”, Paris, 1901, ku përsëri figura e nënës shfaqet me foshnjen në gji (fig.4), dhe përherë në lëvizje, shtegtim, apo fotoja aq e veçantë nga eksodi çam, (fig.5)  pa harruar këtu marubianen adoleshente “Endacakja lypsare” (fig.6)

Shtegtimi. Mëkimi i foshnjës në lëvizje e sipër. Është një ritual  i përjetshëm mitik, parahomerik, i shqiptares historike me fat sizifian në mbijetesën e saj të paepur, kur që nga Pukëvili i fillim-shekullit XIX (fig. 7) shohim të ilustruar shtegtim shqiptarësh fshtaçe e me priftin në krye, po me bosht qendror gruan amazonë shoqëruar nga qen i saj molos, duke mbajtur historikisht për dore fëmijën e vet apo duke mbajtur madje edhe djepin mbi kurriz lidhur fort para gjoksit me ushkurë të egër (fig.8) apo, pse jo, edhe djepin mbi krye (fig. 9), si ato shtambat e ujit jetësor që kërkohej gurrave të largta të kreshnikëve e zanave, mu siç thotë shprehja e bukur shqipe “e mbaj, e vë majë kokës” diçka a dikë të vyer, të shenjtë, hynore, si vetë foshnja engjëll, përfaqësuese e brezit të ri, e së ardhmes, e përjetësisë.

Po ashtu, shohim po aq trishtim e nevojë për ngrohtësi njerëzore edhe në tablonë e ditëve tona të spanjollit Carlos de las Heras titulluar “Albanian girl” (fig. 10), fëmijë që na shfaqet me vështrim të dëlirë, plot pafajshmëri. Apo edhe një tjetër tablo po aq domethënëse e publicistit dhe piktorit atdhetar Asllan Dibrani titulluar “Pikë loti për shkollën shqipe” (fig. 11). Gjithçka të prek deri në përvuajtje, në kërkim të një “pseje ?” të ethshme fatzezë, shfaqur aq ftohtë e ngrirazi. “– Pse kështu?”  “– ?!” Pyetje pa përgjigje, apo përgjigje rrëqethëse pa fjalë, si fotoja “Tre fëmijë shqiptarë para ushtarësh okupatorë” (1944) (fig.13), tre engjëj të varfër shqiptarë, foto që i la aq, aq mbresa të thella mikut tim piktorit mjeshtër Anastas Kostandini, për të cilën ai do të më shkruante në shkurt 2017: “Me albumin fotografik që më dërgove, u kënaqa pa masë, veçmas me disa fotografi ku dalloja edhe tharmin e pikturës në strukturat e fotove, në bardhezinë si dhe në të vërtetën dramatike të kohës përmes fëmijeve shqiptarë . Është një gjetje vërtet prekëse të rrëfesh ato epoka përmes tyre... Mos t’ju vijë keq nëse do të shikoni se si do bëj diçka duke u nisur prej tyre. Psh, tre fëmijët e varfër përpara ushtarëve dhe fotografuar prej tyre me kanë tronditur sikur të ndodhesha përpara pikturave të Louis le Nein në Louvre”. Por nuk ka vetëm lot të nxehtë të dala nga shpirti i përvuajtur fëmijëror si tek pikturat e italianit Giovani Bradelin (fig.12), po kaq ka edhe lot të ftohtë akull në fytyra të mpira drithërueshëm, me nota tragjike edhe më shpuese e tmerruese, si tek fotot e baroneshës gjermane De Godin gjatë vizitës së saj në Shqipëri në vitet 1905 (fig. 14), apo të fotografit italian Bruno Castiglione (më 1939 – fig. 15), pa folur për veprën e mrekulleshme në akuarel të Edit Durhamit “Fëmija shqiptar”(që nuk arritëm ta blejmë dot në ankand), kur vetë vepra flet shumë, që me ngjyrën e saj të kafenjtë e leshrat kaçuborë, që me tejdukshmërinë kristalore që mbart e shfaq shpirtin fëmijëror shqiptar të pafat e të pafajshëm (fig. 16).

Po ka edhe më: Ja “fëmijët e rrugës” gati në çdo qytet të Shqipërisë së paraçlirimit, (fig.17),  ja më tej, fëmijët çamarrokë që orvaten të përngjasojnë botën e të rriturve duke këmbyer e pirë cigare (fig. 18), ja më përtej fëmijët e detyruar të punojnë në punë të rënda, gati si skllevër, me pagesën më të ulët, si tek piktura “Fëmija punëtor” i Nexhmedin Zajmit (1940) apo më në fund, fëmijët çamarrokë e të harbuar në gji të Natyrës-Nënë (fig. 19), për të mbërritur te ajo foto bizarroide, si adoleshenti i gjorë leckaman, “ku as qeni s’ka ku e kapë”, e që, megjithatë, përshendet denjësisht me dorën në gjoks à la Zogu-Mbret (fig. 20).

Krejt arsenali dhe seriali historik, fotografik e artistik, orientuar e aksuar tek fëmija tragjik shqiptar, një “engjëll i mallkuar pa faj”, që të hap barkun, shpaloset si një fizarmonikë me nota të dhembshme që sëmbojnë zemrën, grisin vetë shpirtin, kur sjell ndër mend edhe sot e kësaj dite në kohët moderne “Fëmijët e mjerimit”, “Fëmijët e semaforëve, të prostitucionit”, “Fëmijët e ngujuar”, “Fëmijët e kromit”, “Fëmijët e Gërdecit”, “Fëmijët e trotuareve të Athinës, viktima trafiku”, “të bulevardeve të Tiranës, ku lypin e pastrojnë rrezikshëm xhamat e veturave”, “Fëmijët luleshitës të varrezave që morën përmasa të papara”, ashtu si vetë analfabetizmi i rishfaqur në radhët e tyre dhe puna shfrytëzuese e skllavëruese e të miturve (fig. 21, 22, 23).Veçse, një e vërtetë e madhe, një tregues absolut i zhvillimit shoqëror me parametra europianë të lartë  është se kohët moderne dhe qytetërimi perëndimor janë e do të jenë përherë tepër të ndjeshëm ndaj trajtimit të të miturve, e ardhmja e çdo vendi drejt progresit. Dhe për aq kohë sa do vazhdojë “tranzicioni demokratik”, në vijim të atij “tranzicionit diktatorial alla socialist shqiptar” – për të cilin miku dhe profesori im Jusuf Vrioni do të më pohonte se “nuk kishte asgjë socialiste, nuk kishte asgjë shqiptare”  – për aq kohë pra, sa do të vijojë  ky “tranzicion demokratik”, që polli një klasë politike të pasurish, do vijojë domosdo edhe një lloj “tranzinkuizicioni mesjetar” me shfaqje të tillë të egër të botës së plagosur të fëmijës shqiptar, në kërkim të ethshëm e të përhershëm të Dritës, Lirisë, Dinjitetit, Progresit, që i garantojnë vetëm Shteti i përparuar Ligjor, Shteti i së Drejtës (fig.24).

Keqtrajtimi i fëmijës është turpi i shoqërisë, atentat i rëndë ndaj së ardhmes së një kombi; mirëtrajtimi i fëmijës është vepër sublime e shoqërisë, sepse fëmija është engjëll i panjollë, lindur i pafaj e i paqtë, hyjnizuar e shenjtëruar aq bukur te kryevepra e Artan Shabanit “Nënë Tereza” (fig. 25), që mban në gjoks një “krisht” fëmijë karthi, vepër e çmuar artistike, që i bën nder Vatikanit tek e ka në fondin e vet, si dhe kombit shqiptar, që i dha botës dy njerëzit e tij më të lartë e më të shtrenjtë, shenjtoren “Nënë Tereza”  dhe “Atletin e Krishtit”, Gjergj Kastriotin.

1-2

3

4-5

6-7

8-9

10

11-12

13

15

16

17-18

19

20

21-23

24

25



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora