E premte, 19.04.2024, 06:30 PM (GMT+1)

Mendime

Xhemaledin Salihu: Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës...

E hene, 11.05.2020, 05:44 PM


Çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kërkesat për bashkim me Kosovën, në raport me bisedimet Kosovë-Serbi

/Me këtë punim u paraqita në Kuvendin Mbarëkombëtar për gjuhësi, histori dhe etnokulturë, në Tiranë, më 9-12 maj 2019 dhe në Konferencën shkencore në Mitrovicë, më 2019/

Shkruan : Xhemaledin SALIHU, profesor

Hyrje

Lugina e Preshevës, Kosova Lindore, banohet me shumicë shqiptare dhe aktualisht shtrihet në jug të Serbisë dhe qysh në Antikë ka bërë pjesë në territorin e Dardanisë, e cila  kryesisht shtrihet përgjatë lumit Moravë dhe Vardar.

Luginën e Preshevës e përbëjnë komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës (këto tri komuna paraqesin tërësi politike, por jo edhe territoriale dhe gjeografike). Rajoni i Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kap një hapësirë prej 1.249 km katrorë me rreth 100.000 banorë. Prej tyre shumica absolute e popullatës është shqiptare: 58% (në Preshevë rreth 95%, në Bujanoc rreth 65% dhe në Medvegjë mbi 35%), ndërsa popullata tjetër është serbe dhe rome.

Një pjesë e mirë e popullatës serbe është e ardhur në këto zona përmes kolonizimit pas shpërnguljeve me dhunë të Shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit, për në Turqi (1912-13),

Reformave agrare më 1924 e tutje, periudha e Rankoviqit (1953-1966).

Pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, Maqedoni e Luginë të Preshevës, Lugina u zbraz, sidomos u shpërngul popullata shqiptare nga Medvegja, pastaj u shpërngul popullata e Malësisë së Bujanocit dhe Preshevës, duke mos i përballuar trysnive dhe diskriminimit të pushtetit serb. Në Medvegjë kishte 5.000 banorë shqiptarë, më vitin 1981, ndërsa tashti kanë mbetur më pak se 500 banorë shqiptarë.

Lugina e Preshevës, së bashku me Luginën e Shkupit, paraqesin rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe gjeopolitike në Ballkan. Studiuesit serbë dhe qeveritë serbe e kanë bërë pjesë të programit nacional, për krijimin e shtetit serb. Lugina e Preshevës lidh Detin e Zi me Detin Egje. Autostrada dhe Hekurudha Ndërkombëtare përgjatë lumit Moravë dhe Vardar, pra Korridori 10, të cilat kalojnë nëpër Preshevë, lidhin jo vetëm shumë shtete, por edhe kontinente, Evropën me Azinë.

Lugina e Preshevës para Luftës së Dytë Botërore

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, me kohë e lidhën fatin e tyre me Kosovën dhe morën pjesë aktive në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe më vonë në të gjitha Lëvizjet patriotike dhe politike të Shqiptarëvë të ish-Jugosllavisë për të drejta dhe çlirim e bashkim kombëtar.

Patrioti preshevar, Ibrahim Kelmendi thotë: “Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë”, ndërsa historiani nga Nasalca, Dr. Shukri Rahimi thotë:”Historia e popullit shqiptar është e pa ndarë, prandaj edhe, këto treva i konsiderojë si të tilla, të ndara artificialisht.

Shqiptarët e Preshevës dhe të viseve përreth, siç është treva e Bujanocit dhe e Kumanovës, apo të Krahinës Verilindore të Karadakut, sikundër viset tjera shqiptare , jo vetëm i bënë ballë asimilimit, gjatë robërisë së huaj shekullore, por me pjesëmarrje aktive në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të historisë sonë të përvuajtur, por krenare dhanë kontributin e tyre të çmueshëm për liri dhe mëvetësi kombëtare. Kontributi i tyre është i çmueshëm sidomos gjatë periudhës së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që nga vitet e 30-ta të shek XIX, përfundimisht me organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme Antiosmane, që u kurrorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kësaj ngjarjeje më të rëndësishme në historinë tone.”

Lugina e Preshevës qysh në Antikë i takonte Dardanisë, fisit Ilir që kryesisht shtrihej përgjatë lumit Moravë dhe Vardar. Shqiptarët e Luginës së Preshevës me Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë paraqesin etnikum më të vjetër në rajon. Shqiptarët e Luginës morën pjesë në të gjitha luftërat që i bëri Mbretëria e Dardanisë kundër pushtuesve të ndryshëm.

Edhe pse pas viteve 1454 e 1455, Lugina e Preshevës ra nën sundimin e Perandorisë osmane, ajo asnjëherë nuk u pajtua me gjendjen e vështirë nën sundimin turk otoman, andaj Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë viteve 1841-1845 u hodhën në kryengritje kundër Tanzimatit. Sheh Hyseni dhe Sheh Salihu, patrioti Sylejman Toli i Mëhallës së Tolëve nga Tërnoci, e shumë patriotë të Luginës ngritën zërin kundër zbatimit të Tanzimatit në Luginë, sepse popullata e këtij rajoni nuk deshti t’i paguajë tatime të mëdha pushtetit otoman turk.

Kjo kryengritje e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nën udhëheqjen e Dervish Carës, më vitin 1844, ishte kryengritje për Shqipëri Etnike, e cila kryengritje çoi në këmbë për liri gjithë popullatën shqiptare të këtij rajoni dhe përfshiu tërë territorinë e Dardanisë.

Më 10 qershor 1878, në Prizren, në Kuvendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit morën pjesë edhe delegatët e Kazasë së Preshevës: Sheh Maksut Efendiu, Osman Çaushi, Mehmet Muhaxhiri, Kamber Aga dhe Haxhi Abazi.Sheh Maksut Efendiu u zgjodh kryetar I Degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit pë Kazanë e Preshevës.

Pas Kongresit të Berlinit, më vitin 1878, Kazaja e Preshevës i takonte Sanxhakut të Prishtinës, Vilajetit të Kosovës. Kazaja përfshinte nahinë e Bujanocit dhe Tërgovishtes deri më vitin 1912. Më vitin 1918, me themelimin e Mbretërisë Serbe, Kroate, Sllovene, rrethi i Preshevës mbeti në Banovinën e Vardarit me qendër në Shkup, Qarku i Kumanovës. Kështu vazhdoi deri më vitin 1945.

Kryengritja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës kundër Perandorisë Otomane me në krye të Madhin Idriz Seferi.Të përmendim Hasan Kadriun-Plakun e Preshevës, Kurtë Tërrnavën, Mulla Sinan Maxheren e të tjerë.

Durmish Presheva i Rahovicës ishte pjesëmarrës në Kryengritjet e viteve 1910-1912, për çlirimin e Shqiprisë, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit kombëtar  dhe më 2012, në 100-vjetorin e Pavarsisë së Shqipërisë u nderua me statusin “ Dëshmorit të Atdheut” nga Ministri shqiptar i Mbrojtjes së Shqipërisë, Z. Arben Imami.

Në prill të vitit 1941, në Shkup u themelua Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, me shumë patriotë: Shaban Efendinë nga Kumanova, i lindur në Preshevë, Abdulla Saqipin, kryetarin e Shoqatës “Besa” në Beograd, me Shaip Mustafën, i cili konsiderohet më kontribuesi i vuarjes së Flamurit shqiptar në Urën e Gurit në Shkup, më 1941, me Abdulla Haxhi Veliun e Preshevës, i cili ishte tregtar dhe përfaqësonte për atë kohë borgjezinë e re. Ai me kontributin e tij të madh dha shembull humanisti dhe si duhet të ndihmohet edhe çështja shqiptare, por edhe popullata shqiptare, sidomos ajo e Malësisë së Preshevës. Për te Ibrahim Meçaj nga Gjakova më 1977 më tha: Edhe tregtar edhe i ndershëm,vetëm ai ishte, me Hfz Lutfi Ahmetin nga Presheva, Shaban Bugarinën,Nijazi Kurbalinë e të tjerë.

Lëvizja Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar kërkoi që Shkupi, Kumanova, Gjilani dhe Presheva, të bashkohen me Shqipërinë Etnike.Një delegacion i Lëvizjes shkoi në Shqipëri, për ta njoftuar qeverinë shqiptare mbi kërkesat e saja.

Lufta e Dytë Botërore ndodhi edhe në Luginë të Preshevës, në këtë luftë antifashiste morën pjesë Abdullah Krashnica, Selim Selimi, Xheladin Kurbalia, Selami e Shenasi Hallaçi, Qemal Shehu, Muharrem Kadriu, Mustafë Selimi, Qani Ramadani, e të tjerë.

Selami Hallaçi, sëbashku me nëntë shokët u varr në Prizren, më 29 gusht 1944 nga Gestapoja gjermane.

Abdullah Krashnica-Presheva u dekorua me “Urdhërin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Z.Atifete Jahjaga.

Në Luginë të Preshevës ndodhi Rezistenca e armatosur e Shqiptarëve të Kosovës Lindore përgjatë Hekurudhës Bujanoc-Preshevë-Kumanovë, nën udhëheqjen e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit, me komandant Mulla Idris Gjilanin. Në Preshevë ndodhi “Kohë e Shipnisë”, kur në Preshevë për herë të parë, kryetar u zgjodh Adem Kamberi, i quajtur nga populli edhe Kamber Aga, të cilin më vonë e zëvëndësoi Skënder Kadriu, patrioti Ibrahim Kelmendi, Limon Staneci, Sylejman Ashkiu, pionerë të gazetarisë shqiptare në Luginë, Ali Syla Staneci , Ajet Rainca, Lam Breznica e të tjerë.

Ibrahim Kelmendi u dekorua me “Urdhrin e Lirisë”, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga.

Lugina e Preshevës pas Luftës së Dytë Botërore

Pas Luftës së Dytë Botërore, pas viteve 1948  të përmendim mësuesin dhe patriotin e NDSH-së Mark Gashin, pastaj patriotët: Ali Aliu, Shenasi Hallaçi, e të tjerë.

Shinasi Hallaçi, mësues në Preshevë, një desident i kohës, sidomos gjatë Inforbyrosë kritikonte ashpër PK Jugosllave, dënonte ashpër Turqinë dhe shpërnguljen e Shqiptarëve për Turqi, ndërsa lavdëronte Shqipërinë.Shenasi Hallaçi ishte ndër të vetmit shqiptar, i cili në çfarëdo situate politike i ndejti besnik idealeve dhe atdhedashurisë.

Më 1948, pas shpalljes së Rezolutës së Burosë Informative u shtua represioni. Disa personalitete u rradhitën me Informbyronë, duke shpresuar në floskulën e Stalinit dhe Rusisë se Krahina e Preshevës, me Kosovën do t’i bashkangjitet Shqipërisë.

Kështu, në këtë kohë, në Preshevë u shtrua kërkesa gjithëpopullore dhe me nënshkrime, qytetarët shqiptarë shprehën kërkesën e tyre për bashkim me Kosovën dhe Shqipërinë, në kuadër të Lëvizjes për Bashkim të Trojeve Shqiptare.

Edhe në Preshevë ndodhi Aksioni famëkeqe i mbledhjes së armëve, kur u keqtrajtuan Shqiptarët e kësaj krahine, gjatë viteve 1955-56.

Poashtu gjatë këtyre viteve ndodhi edhe Aksioni i Heqjes së Ferexhesë, kur Demirali Ramadani-Hoxha, i pari për shembull i hoqi ferexhenë vajzës së vet, Kadrije Ramadanit-Qerimi.

Pas vitit 1966, pas Plenumit të IV, të përmendim  themelimin e Klubit të Studentëve “Haki Limani” në Preshevë, të cilin e udhëhoqën Rexhep Ismajli, Riza Halimi, Sabedin Hetemi, Xhemaledin Salihu.

Klubi i Studentëve në Preshevë u themelua pas vitit 1968, atëherë kur Evropën Perëndimore, po edhe Preshevën e kaploi një Lëvizje e re, e fuqishme studentore, Lëvizja e Studentëve të Preshevës që do të shpërndante ndikim të madh shoqëror në të gjitha shtresat shoqërore në atë kohë.Klubi i Studenteve u themelua në sallën e Komitetit komunal të Preshevës, në prani të studentëve preshevarë, të cilët zgjodhën udhëheqësinë e Klubit dhe ia vuan emrin e patriotit Haki Limani, të mbytur në Prishtinë, siç thuhet nga UDB-a. Klubi i Studentëve menjëherë filloi të propagandoj barazi nacionale, kërkesa për të drejta të arsimimit të të rinjve shqiptarë, sidomos të Preshevës e Bujanocit, përdorimin e lirë të Flamurit Kombëtar, barazinë e gjuhës shqipe, kërkesa për punësimin e të Rinjve shqiptarë sipas strukturës nacionale të popullatës, të cilën edhe e praktikoi kryetari i atëhershëm, patrioti Mehmet Jusufi.

Në demonstratat e vitit 1968, të përmendim Shenasi Veliun,student i juridikut,që udhëtoi në ditën e 28 nëntorit 1968, me autobusin e “Jug-Turistit”, duke bartur në dritare Flamurin Kombëtar nëpër vendbanimet e Kosovës, nëpër Bujanoc e deri në Preshevë. Disa herë provuan policia t’ia marrin Flamurin, Shinasit, mirëpo ai nuk lejoi dhe e mbrojti deri në Preshevë, kur edhe e burgosin. Tentimi i marrjes së Flamurit u bë në Ferizaj dhe Bujanoc.

Demonstratat e vitit 1981 dhe kontributin e madh në to të Hamdi Ajdinit nga Rahovica.

Aspiratat kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit 1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë në te, me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta, me insistimin e udhëheqësve partiakë serbë dhe disa shqiptarë u deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.

Fatin e Luginës së Preshevës e vendosi Bllagoje Neshkoviqi

Pra, ky ishte ai “plebishiti gjithëpopullor” i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë dhe të Serbisë u vendos fati i Preshevës,që të mbetet nën Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit.

Pra, Bllagoje Neshkoviqi, kryetar i KQ të LK të Serbisë dhe Llazar Kolishevski, kryetar i KQ të LK të Maqedonisë vendosën për fatin e Preshevës dhe Bujanocit të mbeten në Serbi”.

Kështu Presheva, në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.

Edhepse popullata serbe e disa fshatrave të Kumanoves dhe Kriva Pallankës në Maqedoni kërkuan që t’i bashkangjiten Republikës së Serbisë, por nuk iu plotësua dëshira dhe vullneti i tyre, dhe mbeten banorë të Maqedonisë, deri më sot, duke i ndërruar mbiemrat nga viq në ski.

Në qershor të vitit 1957, në fshatin Rogoçicë u formua organizata ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”, ku pati edhe preshevarë.

Më vonë, më 1968 e 1981, shqiptarët e Luginës me demonstrata të përbashkëta në Kosovë i përsëritën kërkesat e tyre kombëtare: bashkim me Kosovën, bashkësi territoriale-politike, e cila më së miri do t’i siguronte të drejtat politike e kombëtare, zhvillimin ekonomik, të drejtat kulturore, arsimore, gjuhësore.

Në dekadën e fundit të shekullit 20 filloi përhapja e pluralizmit demokratik në shtetet europiane, në Ballkan, në ish-Jugosllavi, kështu që edhe Shqiptarët e Luginës i kapi kjo valë e pluralizmit demokratik, u organizuan politikisht, formuan partitë e tyre politike, për ta organizuar popullin politikisht dhe nëpërmjet të programeve dhe qëllimeve partiake e politike të kërkojnë të drejta individuale dhe kolektive kombëtare.

Refrendumet e Shqiptarëve në hapsirën e ish-Jugosllavisë

Europën dhe ish-Jugosllavinë e kapi vala e pluralizmit politik, andaj edhe Shqiptarët në Kosovë, në  Maqedoni, por edhe në Luginë të Kosovës formuan partitë e tyre politike shqiptare. Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi, në vitin 1991 kishin themeluar Këshillin Koordinues të Partive Politike Shqiptare në ish_Jugosllavi, me në krye me dr.Ibahim Rugovën.  Këshilli Koordinues vendosi që Shqiptarët, për të vendosur për fatin e tyre, duhet të organizojnë referendumet  e tyre . Kështu, Kosova e organizoi referendumin e saj në pjesën e dytë të shtatorit të vitit 1991 dhe populli i Kosovës në referendum, me shumicë absolute u deklaua për Republikën e Kosovës. Shqiptarët në Maqedoni, në shkurt të vitit 1992  u deklaruan për Republikën e Iliridës.

Në shkurt të vitit 1992, dy partitë shqiptare, Partia për Veprim Demokratik dhe Partia Demokratike Shqiptare nënshkruan dhe aprovuan një Deklaratë Politike mbi themelimin e Kuvendit për Shpalljen e referendumit.

Ndërsapoashtu në shkurt të vitit 1992 u themelua Kuvendi për shpalljen e Referendumit dhe u zgjodh Kryesia e Kuvendit

Kuvendi i Referendumit përbëhej nga Këshilltarët e Kuvendeve lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe nga Shoqatat joqeveritare: Forumi i Intelektualëve Shqiptarë /FISH/, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë/ LASH dhe Shoqata Nënë Tereza. Kuvendi  kishte 96 delegatë, me kryetar Ibrahim Kadriun.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk ndejtën këmbëkryq, të prirë nga partitë politike në Luginë dhe Kuvendi I Referendumit, më 1 dhe 2 mars 1992 organizuan Referendumin Gjithëpopullor në Luginën e Preshevës, me të vetmin qëllim politik e kombëtar, përmirsimi i statusit të tij politik dhe shprehja e lirë e vullnetit politik për të ardhmenë e tyre. Shqiptarët e Luginës dolën në mënyrë masive në votim dhe me 99, 94% popullata shqiptare u deklarua :

PËR AUTONOMI TERRITORIALE POLITIKE TË SHQIPTARËVE NË PRESHEVË, BUJANOC DHE MEDVEGJË, ME TË DREJTË BASHKIMI ME KOSOVËN.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përkrahur dokumentet e Konferencës së Hagës, Brukselit dhe dokumenteve të tjera aktuale, në formë më demokratike e shprehën kërkesën dhe disponimin e tyre politik lidhur me çështjen e Autonomisë, duke e kuptuar atë si formën kaluese më të përshtatshme demokratike në drejtim të bashkimit me Kosovën. Duke i pasur parasysh rrethanat e atëhershme aktuale politike në Europë, në botë si dhe në Ballkan e Serbi ishte e kuptueshme që të kërkohet edhe forma e Autonomisë.

Autonomia politike-territoriale, për Luginën e Preshevës do t’ishte Autonomi brenda Serbisë, e cila do të mundësonte dhe lehtësonte pavarsimin dhe kërkesën me të drejtë bashkimi me Kosovën.

Më vitin 1992, në Konferencën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Gjenevë, Grupi I Shqiptarëve të Luginës së Preshevës kërkoi edhe status special, si sinonim I Autonomis politike-territoriale. Po strukturat politike të Luginës së Preshevës nuk u pajtuan me këtë ecje, kështu edhe dështoi realizimi i Autonomisë politike-tërritoriale, si dhe statusi special në Luginën e Preshevës.Edhe pse, në Tribunën politike, në Preshevë, në shkurt të vitit 1993, ku morën pjesë përfaqsues të viseve shqiptare u tha se Referendumet ishin mjet I fuqishëm politik I Lëvizjes politike shqiptare.

Tashti rrethanat politike ndryshuan, ndodhi Lufta e UÇPMB-së në Luginë, u shpall Pavarësia e Kosovës. Pra, Shqiptarëve të kësaj krahine i mbeti forma e vetme demokratike, të kërkohet ribashkimi me Kosovën, çfarë ishin gjithmonë edhe aspiratat dhe kërkesat e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Marrëveshja e Konçulit, me nënshkrimin e palës shqiptare dhe qeverisë jugosllave e serbe shtroi kërkesa konkrete për të dy palët. Derisa pala shqiptare i përmbushi detyrimet, u bë demobilizimi i ushtarëve të UÇPMB-së e tjera, pala tjetër, pos policisë multietnike asgjë tjetër nuk përmbushi nga Marrëveshja.Ajo që nuk u realizua nga pala serbe ishte edhe mos integrimi i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet dhe organet shtetërore, sepse organet dhe institucionet shtetërore punësojnë serbë nga Bujanoci, Vranja e më gjërë, e nuk punësojnë shqiptarë. Kështu psh: në Shërbimin e Pagesave të Autoudhës në Preshevës nga 60 të punësuar, vetëm 5-6 janë shqiptarë.

Shqiptarët e Preshevës me vite e qeverisin pushtetin lokal, në Bujanoc për herë të parë shqiptarët më 2002 e morën pushtetin lokal.

Për themelimin e Këshillit Nacional Shqiptar me seli në Bujanoc pati debate të ashpra, për e kundër.Themelimi i Këshillit ishte kërkesë e qeverisë serbe dhe i sanksionuar me ligje të Serbisë. Çështja e pazgjidhur e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk qëndron dhe nuk duhet të mbështetet në dëshirën dhe vullnetin e politikanëve dhe qeverive serbe, por në Kushtetutë dhe ligje të vecanta, në një status të qëndrueshëm politik, të pranuar nga palët, nga Shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Qeveria serbe dhe me garantimin e faktorit ndërkombëtar. Pra, edhe njëherë dështuam në unifikimin e kërkesave kombëtare dhe atyre politike, edhepse me Këshillin po tentohet të zgjidhen disa probleme jetësore të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sidomos në gjuhë, simbolet, kulturë, arsim dhe informim, por jo edhe statusi i Shqiptarëve.

Rrethanat politike në Luginë të Preshevës e detyruan klasën politike që më 2006, të themelojë Kuvendin e Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës që luajti një rol pozitiv në rrethanat e përmendura aktuale politike në Luginë, u bë njëfarë unifikimi i kërkesavë dhe i shpresave politike të Shqiptarëve të Luginës.

Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës, mbajtur më 14 korrik 2018 në Bujanoc, aprovuan një Deklaratë politike, në të cilën thuhet:

“Për realizimin e plotë të të drejtave kolektive të Shqiptarëve, konform standardeve më të larta të parapara me dokumentet përkatëse të OKB-së, Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës si dhe praktikave përkatëse (Ishujt Olland, Tiroli Jugor dhe në Kosovë), kërkojmë: Nga të gjitha palët pjesëmarrëse, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun e Brukselit, të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe zgjidhja të kërkohet me aplikimin e parimit të RECIPROCITETIT, me të drejtat e Serbëve në veri të Republikës së Kosovës.”

Mirëpo, më vonë ndryshuan rrethanat  e situatës politike dhe idea e Presidentit të Kosovës për Bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën e motivoi gjithë klasën politke të Luginës së Preshevës dhe Shqiptarët e këtij rajoni, që me shumicë të përcaktohen për këtë ide që në fillim.

Proceset dhe ngjarjet politike në Serbi, në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës zhvillohen shumë shpejtë, andaj edhe Shqiptarët    Luginë të Preshevës, të ngazllyar nga idea dhe dëshira e vullneti I kahmotshëm shekullor I tyre, e përkrahën idenë e Bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, në mbështetje të Refrendumit të 1 e 2 marsit 1992.

Mirëpo, më vonë, mospajtimet e klasës politike në Kosovë, politikanëve kosovarë, reagimet e opozitës në Kosovë, reagimet e arsyeshme të Akademikëve preshevarë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, të shumë analistëve të jashtëm e të brendshëm, njohës të mire të çështjes së Kosovës, negativisht u shprehën ndaj idesë së Presidentit Thaçi, deklaratat jo konsukuente të Presidentit në Konferencat për shtyp dhe se Kosova po copëtohet me “korigjimin e kufijve”, e hamendën popullatën shqiptare për këtë ide. Pastaj, duke I pasur parasysh bisedimet në Bruksel, marrëveshjet e nënshkruara Kosovë-Serbi të parealizuara, mospërfshirja e çështjes së Shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këto bisedime, megjithë kërkesat e klasës politike dhe popullatës shqiptare të kësaj krahine që edhe përfaqsues të saj, të marrin pjesë apo ajo të përfaqsohet në këto bisedime, nuk u përfillën, deri në publikimin e idesë së Presidentit të Kosovës, sikur e shtuan dyshimin në sinqeritetin e kësaj ideje.

Shqiptarët e Luginës sëPreshevës mbeten në idenë e Referendumit të 1 e 2 marsit 1992 dhe nuk do të heqin kurrë dorë nga ideali i bashkimit të saj me Kosovën. Në anën tjetër, të themi se hedhja e idesë së Presidentit të Kosovës, për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, shumë e aktualizoi dhe ndërkombëtarizoi  Çështjen e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Edhepse, çështja e Luginës së Preshevës aq shumë u ndërkombëtarizua dhe hyri në të gjitha institucionet dhe organet relevante të Europës dhe të Kombeve të Bashkuara, aktualisht pakica shqiptare në Serbi mbeti më e diskriminuara në Europë.Andaj çështja e Shqiptarëve të Luginës së Preshevës do zgjidhje të ngutshme dhe të qëndrueshme, duke I nderuar kërkesat e Shqiptarëve për barazi dhe të drejta individuale dhe kolektive. Idenë e përmendur duhet ta mbajmë pezull, ta aktualizojmë në qarqet ndërkombëtare dhe te dy qeveritë shqiptare, deri në realizimin e saj.

Për këtë ide, besoj duhet të mendojë dhe planifikoj zgjidhje fatlume edhe Serbia, e cila ka marrë obligime për demokratizimin e shoqërisë së saj, para anëtarsimit të saj në BE, në realitet ajo në të ardhmenë e saj duhet të ballafaqohet me Shqiptarët e kësaj krahine dhe duke pasur parasysh se disa qarqe serbe I shikojnë Shqiptarët element i huaj për Serbinë, atëherë ata mund të rebelohen dhe të kerkojnë të drejtën e saj: Bashkim me Kosovën.

Tekefundit, bashkimi i Shqiptarëve të Luginës së Prshevës me Kosovën do t’ishte  e drejte e pamohueshme e sanksionuar me të drejtën ndërkombëtare, por edhe lirimi i Republikës së Serbisë nga Shqiptarët do t’ishte Çlirimi I plotë i saj

Bashkimi i Luginës së Preshevës me Kosovën, nuk është treni i fundit sipas mendimit tim, sepse ky tren ka filluar ka herë të ecë në favor të realizimit të aspiratave shqiptare të kësaj krahine.

Me bashkimin e Luginës së Preshevës, çfarë mund të humb Kosova nga integriteti e sovraniteti territorial i saj është brengosje dhe shqetësim edhe i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Ndërsa, çfarë mund të përfitoj me Bashkimin e kësaj krahine me Kosovën, në këtë krahinë mbretëron ideja se Kosova me bashkimin e Luginës përfiton:

-tokë shumë pjellore përgjatë Moravës Jugore,

-popullatë shumë vitale shqiptare, me vullnet të fortë pune, intelektuale e shkencore,

-korridorin 10, në realitet Autodhën dhe Hekurudhën Ndërkombëtare që sjellë shumë përfitime të mëdha.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë një porosi për klasën politike të Kosovës që në bisedimet Prishtinë-Beograd, në Bruksel dhe në çfarëdo marrëveshjeje të arritur ta kenë parasysh Referendumin e 1 e 2 marsit të vitit 1992 dhe të nderojnë tërësinë territoriale të Luginës së Preshevës. Përndryshe, copëtimi i saj sjell dhe nxit edhe më tej shpërnguljen e popullatës shqiptare nga vendbanimet e kësaj krahine që eventualisht do të mbeten jashtë këtij bashkimi me Kosovën, po kjo shpërngulje do të ndodh edhe nga vendbanimet e Luginës që bashkohen me Kosovë, sepse edhe atyre vendbanimeve nuk i mbeten kushte për jetesë dhe ekzistencë normale.

Mesazhi im do t’ishte: së pari, ta arrijmë bashkimin kombëtar shpirtëror, që idetë, njerëzit, mallrat e trojeve shqiptare, sidomos të Luginës të Preshevës të lëvizin pa pengesa, ndërsa lufta për bashkim kombëtar,bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën, me mjete demokratike, të vazhdojë edhe më tutje, ashtu sikur na porosit Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me moton: LIDHJA NA BASHKON.

LITERATURA

Abdyli , Ramiz, Presheva në Lëvizjen Nacionalçlirimtare 1941-1945, Preshevë, mars 1977

Administrativno-teritorijalne promene u NR Srbiji od 1834-1954.godine, Beograd, Zavod za statistiku, maj 1955. godine

Banovina Vardarska, opsti pregled, Skoplje, 1931

Cvijic, Jovan, Geografski polozaj i veze, Govori i clanci, Sabrana dela, tom 3, Geografske osnove makedonskog pitanja, str. 148

Fletorja zyrtare RPS, nr. 17/1947

Fletorja zyrtare RP të Serbisë, nr.56, e datës 20.VII 1955

Fletorja zyrtare e RPS, nr.14/1963

Fletorja zyrtare RSS, nr. 33/ 1975

Glisic, Venceslav, Dosije o Blagoju Neskovicu, Prilozi za biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011

Hadzi-Vasiljevic, Jovan, Juzna Stara Srbija, Presevska oblast, knj. II, Beograd, 1913

Hadzi-Vasiljevic, Jovan, Arbanska liga, Arnautska Kongra i Srpski narod u Turskom Carstvu/1878-1882/Beograd, 1909

Islami, Akademik Hivzi, Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha ditore, më 21.12.2011/

Jiricek, K., Istorija Srba, I, Beograd, 1922

Kelmendi, Fehmi, Kush janë Shqiptarët, Tetor 1990

Kelmendi, Ibrahim, Një shtyllë e Kosovës quhet Preshevë, Preshevë, 2006

Kncov, Vasil,  Izbrani proizvedenia, tom 2, Sofia, Nauka i iskustvo, 1970

Latifi, Skënder, Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006

Murati-Staneci, Dr. Jahi, Si iu shkëput Karadaku Kosovës?, Bujku, 22 prill 1996

Papazoglu, Fanula, Srednjobalkanska plemena u predrimsko doba : Tribal, Autarijati, Dardanci,Skordisci i Mezi, Beograd, Equilibrium, 2007

Papazoglu, Fanula, Iz istorije antickog Balkana, Beograd, Equilibrium, 2007

Petrov, Gj., Materiali za izucavaneto na Makedonia /Materiale për studim në Maqedoni/ , Sofia, 1896,

Petrovic, Tomislav, Svetislav, Presevo, Istorija i sudbina, Jagodina, 2009

Pirraku, Muhamet, Mulla Idris Gjilani dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore 1941-1945, Prishtinë, 1995

Rahimi, Shukri Vilajeti i Kosoves me 1878-1912, Prishtine, 1969

Rexha Dr.Iljaz, Lidhja e Prizrenit në dokumente osmane/1878-1881/Prishtinë, Arkivi i Kosovës,1978

Rizaj dr.Skender, Kaza Presova 1896/97. godine, Vranjski glasnik, IV, Vranje, 1968

Salihu, Xhemaledin, Presheva në Lëvizjen Kombëtare për Çlirim dhe Bashkim/LKpÇK/ dhe kërkesat për Bashkim me Shqipërinë Etnike, në librin: Lugina e Preshevës në Lëvizjen Shqiptare gjatë historisë, Preshevë, 2013

Shaipi, Feti, Funksionimi i Bashkësisë Ndërkomunale Regjionale e Moravës Jugore, Panorama, nr. 2, Preshevë, 1980,

Stojanovski, Aleksandar, Vranjski Kadiluk u XVI veku, Vranje, 1985

Trifunoski, Jovan F. , Presevo, Beograd, 1951

Vukanovic, Tatomir, Presevo, Vranje, 1966



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora