E shtune, 20.04.2024, 09:48 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Dibrani: 70-vjetori i lindjes së poetit Sabri Hamiti

E hene, 11.05.2020, 10:00 AM


ME RASTIN E 70 – VJETORIT TË LINDJES SE POETIT SABRI HAMITI

Nga Shefqet Dibrani

Poezia “Silueta me kasketë të Leninit“, është shkruar pas atentatit ndaj tij më 24 shtator 1998, dhe është përfshirë në librin “MELANKOLIA”, Prishtinë 1999. Sot, po shkëpus një fragment, nga një kritikë më e gjatë, për vlerësimin tim rreth kësaj poezie. Po ashtu po e sjell edhe poezinë time “VEGIMET E POETIT”, kushtuar poetit dhe kritikut letrar Sabri Hamiti, atij i urojë 70-vjetorin e lindjes! (Sh.D.)

Fragment nga një kritikë më e gjatë:

TRISHTIMI ETNIK OSE PROTESTA MELANKOLIKE E NJË POETI

Sabri Hamiti, “MELANKOLIA“, poezi, botoi Sh. B. “FAIK KONICA”, Prishtinë 1999, faqe 86.

Poezia “Silueta me kasketë të Leninit“, (faqe 39). Ngjarje kjo e përshkruar brenda 77 vargjeve të kësaj poezie e cila t’i ngath mishrat nga përjetimi sa trishtues po aq tragjik i një veprimi inkriminues. Në përgjithësi poezia e Sabri Hamitit është një kategori e formësuar e cila zhvillohet pandërprerë në kërkim të qetësisë shpirtërore brenda individualitetit të tij krijues.

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare

Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur

Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë

Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time

Unë lëviza shpejt nga e djathta

Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë

Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba

Në shenjë triumfi e u humb në natë...

Poezia e cituar, faqe 39.

Poezia „Silueta me kasketë të Leninit“, do trajtim të veçantë dhe të gjerësishëm, por një gjë që provokon këtu është ajo e dhëna që del nga këto vargje që cituam: poetin nuk e ka qëlluar njeriu me „kasketë Lenini“, por e ka qëlluar „Silueta me kasketë të Leninit“, çka do të thotë se mbi te ka shtënë „ideologjia komuniste“, kobi i zi, pra pushkatari e kishte pikërisht kasketën e Leninit, në kohën kur terri „nxin“ korridorin „pa dritare“... „Nxin dhe pa dritare“ janë dy figuracione të tjera që sinonim kanë të keqën, krimin madje robërinë, qoftë kjo mendore, kurse Kosovës së çliruar i sillet si korb i zi, si futa në këtë nën qiell pakëz të gëzuar.

Nga libri im me venerime letrare “LIBRA DHE MBRESA”, St. Gallen 2005, faqe 543-548.

SABRI HAMITI:

SILUETA ME KASKETË TË LENINIT

Në kohën kur terri nxin korridorin pa dritare
Mes katit të parë e të dytë duke u ngjitur
Më doli para silueta me kasketë të Leninit në kokë
Shtiu silueta duke marrë në shenjë kokën e zemrën time
Unë lëviza shpejt nga e djathta
Plumbat zunë mushkërinë dhe dorën e majtë
Silueta me kasketë të Leninit zbrazi edhe disa plumba
Në shenjë triumfi e u humb në natë.

Unë e mund dhembjen me bërtimën e madhe
Që pushon vetëm kur e ndiej me veshët e mi.
Kush mund ta dijë sa zgjatet koha
Derisa ngjitem këmbadoras në katin e tretë?
(Duhet të dukem sa më i natyrshëm para gruas
Më vërtitet nëpër mendje të turbulluar
Derisa jam në kokërr të shpinës në katin e dytë)

Atëherë kalon aty pranë një hije e gjatë
Të cilit i lutem: më ndihmo zotëri!
Po zotëriu vetëm më kalon përmbi
Duke u mbrojtur si i zëni në faj:
Si të të ndihmoj kur nuk e di kush je?

“Grua i vrarë jam dhe thirri miqtë” i them
Duke u munduar të fsheh gjakun në duar.
Ajo heshtet duke e ditur se të vrarit s’i flitet
E i vrari nuk duhet të flasë…

Tevona vëllezërit miqtë mjekët më kanë shtrirë
Kur biri i madh më vjen te veshi
“Qëndro babë”!
Hap sytë për t’ia dhënë besën time
Se do të jetoj për mallë të tij.

Fotot gjejnë vendet e plumbave
Të gjithë janë në trup mbrenda
Ndërsa mjeku i damarëve ngushëllohet:
Shyqyr që i ka shpëtuar dora e djathtë,
Me çka do të shkruante?

Në shok-dhomë ma shpojnë rishtas gjoksin
Duart venat thikat e pykat janë në trupin tim
Dhe trupi mund të zgjedhë jetën a vdekjen
Se shpirti niset diku në qiej
Nis të varet nëpër yje duke u munduar
T’i bëjë dy yje bashkë që do të digjen
Duke rënë në tokë.

Aty jam vetëm me milicët e armatosur
Që ndërrojnë pamjet nga ora në orë
Gra të veshura bardh më njohin terrorist
Në vesh më kanë vënë ndëgjojset
Ku ndihet gjëma e vëllait vaji i gruas
Dhe pëshpërimat e fëmijëve.
Ata duan të më tregojnë para vdekjes
Se i dinë të gjitha deri në minutën e fundit.

Atëherë kur trupi e zgjedh jetën
E dy yjet bien lidhur përtoke
Gruaja më rri pranë te shtrati
Ma lan gjakun nga trupi me alkool
Me pambuk të butë secilën qelizë secilën fije.

I lidhur për shtrati me sy të hapur
Shoh për dritareje si lind e si vdes dielli
Si lëkunden e vdesin gjethet e fundit
Duke e lënë cullak degën e plepit.
“Ai që e do jetën u hyp këmbëve të veta
E nuk lidhet për shtrati” flet Burbuqja.

Me gruan përbri u hypi këmbëve të mia
Dal në korridor dhe nëpër katrorin e dritares
Shoh një degë peme që ngjitet në qiell
Pamja më e bukur e gjithë jetës sime
Derisa tri gra plaka rrahin duart
Nga habia me mrekullinë time.

E unë i lidhur për shtrati e di më mirë se kurrë:
Për të shkruar nuk mjafton vetëm ëndrra
Nuk mjafton as vetëm dora e djathtë
Për të shkruar duhet kurrizi e duhet bytha
Duhet guximi për të shkruar që dhembja fizike
Është më e madhe se dhembja shpirtërore,
Jo vetëm fantazitë e dora e djathtë
Si thoshte mjeku më i madh i damarëve
Të prerë në Ballkan!

Le të dëshmojë më së miri Burbuqja!
A nuk është kështu zonjusha Burbuqe?

Shefqet Dibrani

VEGIMET E POETIT

Poetit dhe kritikut letrar Sabri Hamiti[1]

Në Prishtinë kur bie terri e kur acari shtrëngon

hëna vezullon mbi akullin dimëror

vertikal ec poeti në vegime për ardhmërinë

është "Trungu Ilir" që ndër kohëra si ylli shkreptin

e flakërimën s'ia humbi as barbaria as tutoria

kurse proletarët me leninka në kokë

si hija mbrapa gjithnjë i shkonin

Vertikal shëtit rrugëve të Prishtinës

rrëzëllimë e rrezes mbrëmjeve mbi bulevard

shpresë për gjeneratën që po gjallëron

Hijet përgjëruese vazhdimisht i shkojnë pas

kur hëna ndrit qytetin lemeritëse bëhen

të trishtuara duken edhe nën dritat e neonit

Në shenjë proteste

vargu i poezisë pezmin lëshonte uturimë

A thua janë hijet e krimit që përcjellin poetin

a thua, ardhmëria po na gënjen dhe

robëria po na gatuhet me njerëzit tanë

me yllin e leninkat mbi sy

Kur flluska e borës mbi faqen e zbehur të poetit shkrihet

rrëshqet sikurse nga pullazi

poetit kjo flluskë kujtimet ia kthen te e ëma atje buzë kufirit

atje ku është rritur fëmija nën tehun e kosës

atëherë kur barbarët kositnin livadhet tona

Ajo i kishte thënë: "Mos u shqetëso engjëll-bir"

se kalimthi janë në këtë tokë

e ti do të rritesh qetësisht me gjeneratën në vegim

Rrugëve të Prishtinës vazhdimisht shëtit poeti

fytyrëvrarë më errët se nata pa hënë, thuaja më terr se robëria,

më rëndë se çizmja barbare

ashtu shkretërisht siç duket qielli pa yje

Atij i del ofshama nga shpirti dhembja i buron nga balli i tij

Poeti është sinonim i gjeneratës në vegim

me hallet e tyre me vrullin që kanë

tamam sikurse pranvera me sythe të bulëzuara

hija e tij simbiozë e qëndresës

pranë bizantizmit komunist vertikal rrinte

për t'u parë tradhtia si në pasqyrë e pastaj

të gjitha pështirosjet mbi të thyhen

edhe drejtimet e erërave që fryjnë

Smirëzinjtë nga urrejtja terrin kafshojnë

poeti ka kaluar edhe tej terrin kurse ata nuk e dinë

Ai është zgjatur gjer në agimin e bardhë

shtat-hedhur endet bulevardeve të Prishtinës

e koka prek majat e plepave të gjatë

Vetëm pse ka pikturuar jetën pas e ndjekin hijet

një uturimë përbindëshi përplaset mbi poetin

ashtu siç përplaset era mbi lisat e malit dhe shkëmbinjtë lakuriqë

Mëllenjat sipër plepave të Prishtinës shpupuriten qetësisht

e këmba e poetit pengohet nëpër rrugë vazhdimisht

ashtu siç u pengua Liria nëpër Fushat e Mëllenjave

nga glasa e barbarëve që zbritën nga Malet

dhembjet rëndojnë gjithnjë gjer në ditën e amshuar


Nata mban shpatën mbi kokë e njerëzit ngujohen në dhomë

Prishtina shkretohet deri në agun e ri tani bulevardeve

ka vetëm qen e policë dhe një pjellë prej shtrëngate

kurse integralistët me patkonj tashmë dalin edhe

rrugëve të Prishtinës si karnavale çmendurake

Yjet tremben nga harbutët

po zemra e poetit vazhdimisht troket

ashtu siç ka tronditur vargu i poezisë Mbretërinë e Hadit

Ai me sy ka parë edhe vdekjen e Hënës te koka i ka qëndruar

ballin ia ka mëkuar me dorën e butë dhe një varg

nga libri i përjetësisë në vend të psalmeve ia ka lexuar

Poeti vegimtar është udhëtar i ardhmërisë

dhe vargu i tij ka arritur përjetësinë

"Trungu Ilir" qëndrueshëm nëpër mote

ia preku dhembjet atdheut mbi pranverat

si Shën Valentini i dashurive dhe kompromiseve

Ai vazhdimisht mbetet enigmë e territ që kaplon

POET që fytyra e ATDHEUT me të ngjason

Nga libri “STREHËT E GJAKUT”, Prishtinë 2000.



[1] Mbi poetin dhe intelektualin Sabri Hamiti është bërë atentat dhe është plagosur më 24 shtator 1998,  duke qëlluar me plumba mbi të.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora