E premte, 19.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Zeusi i plakur

E diele, 10.05.2020, 05:18 PM


ZEUSI I PLAKUR

…ose historia e një libri poetik në vend të një prezantimi…

Nga Timo Mërkuri

Pjesa I.

Leximi i rastësishëm i poezisë “MPLAKJA E ZEUSIT” të poetit Sabit Rrustemi më krijoi një dridhje në gjithë trupin e më gozhdoi mbi vargjet e saj. Simbolizmi i fuqishëm i përdorur në ‘të, të krijonte  vizionin e një të “çarturi” në buzë të greminës që i qeshet erës dhe  tallet me humnerën ku mund të rrëzohet, pa qenë i paisur me asnjë mjet mbrojtës në një rënie të sigurtë. Për këtë arsye u interesova për historinë e krijimit të kësaj poezie dhe atë që mësova po e ndaj me ju…

Imagjinojeni një djalosh të ri, student  në Fakultetin Filozofik, dega  Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë, në vitet ’80, shekulli I kaluar,  tek ecën rrugëve të qytetit me një tundje të lehtë supesh, thua se e bezdiste ngushtësia që i bënin hapësirës pallatet në dy anët e rrugës. Sytë që ndrinin nga zjarri rinor i lëviznin vrullshëm  qepallat, thua se me  ‘to donte të fshinte nga rrugët e qytetit policët serbë që lëviznin të vrenjtur. Mosha e nxiste të rendtte aty ku pranvera çelte lulet e vajzat buzëqeshjet por grija e qytetit dhe koha gri  i brazduan  rrudha të parakohëshme mbi ballë. Vetëm qielli ishte i kaltër dhe drejt tij synoi ai.

Ky djalosh ishte Sabit Rrustemi  dhe porsa kishte nisur të projektonte një libër poetik. Realisht këtë libër  kishte nisur ta shkruante qysh në pranverën e vitit 1977, kur revista rinore “Zëri i Rinisë” botoi një nga  poezitë e para të poetit, me titull “Letër nga Vjena”. I entusiazmuar nga ky sukses, bashkëpunon me të përditëshmen “RILINDJA” , ku redaktori I saj I cultures at?7 kohë, shkrimtari Ibrahim Kadriu, i mirëpriste me dashamirësi dhe i publikonte pothuaj pa i “ngacmuar fare” shkrimet e tij.

Ndodhi që në vitin 1979 revista prestigjioze “JETA E RE”, ku aspironte ajka e letërsisë shqipe e kohës organizon një konkurs letrar dhe djaloshi ynë njëzet vjeçar merr pjesë me  poezinë  “SËMUNDJA E DHËMBIT”. Imagjinojeni befasinë dhe entusiazmin e tij kur në përfundim  të konkursit e sheh vehten në mesin e fituesve ( vendi i dytë ). Kjo fitore i shtoi besimin se mund të fluturonte në qiellin e poezisë si shqiponjë,.Të sodiste, të klithte këngë nga lart për të gjithë ata që ishin aty poshtë që do e shihnin dhe dëgjonin.

Në të njëjtin vit ( 1979 )  edhe në Shkup, në një konkurs të shpalllur nga gazeta e përditshme “Flaka e Vëllazërimit”, zuri vendin e dytë, a çmimi për vendin  parë fare nuk ish dhënë.

Kështu gjatë vitit 1980  ja nisi punës për formësimin e librit paralelisht me studimet dhe punën si gazetar i revistës studentore “BOTA E RE”, një revistë me emër të madh në kohën e saj. Këtë vit djaloshi ynë e ndjeu veten të “forcuar” e të formuar poetikisht prandaj vendosi të marrë pjesë në konkursin letrar të revistës “JETA E RE” me tri poezi, “MPLAKJA E ZEUSIT”, “DOKUMENTI I GRISUR” dhe “SYRI I VERDHË”.Interesant ishte fakti se ndërsa asnjera nga poezitë nuk u shpërblye, të tria ato u morën për botim “në një moment tjetër”.

Po në të njëjtin vit, triumfon me dy tregime në konkursin letrar të revistës “Zëri i rinisë”, në Prishtinë. Dhe, triumfet nëpër konkurse anonime letrare, do të vazhdojnë …

Duke lexuar poezinë “MPLAKJA E ZEUSIT” dhe duke patur parasysh faktin se poezia “SYRI I VERDHË” që simbolizonte UDB jugosllave (sinonim i Sigurimit të Shtetit),  poezia“DOKUMENTI I GRISUR” i përkushtohej tribunit popullor Ramë Bllacës, i cili në vitin 1937, hapur kishte kundërshtuar shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi, midis Beogradit dhe ate në cilësinë e deputetit, dhe kuptojeni pse nuk u shpërblyen me çmime asnjëra nga këto tri poezi, ndonëse tërhoqën vëmëndjen e jurisë.

Çfarë simbolizon poezia “MPLAKJA E ZEUSIT” mjafton të lexoni poezinë e mëposhtme dhe ta kuptoni, por le të dëgjojmë Sabit Rrustemin se çfarë thotë për këto kohë:

- Unë..vetëm i doja që Zeusi ta lironte  Fronin në atë maje Olimpi... se u ba boll kohë.... dhe si duket, Ai, (Zeusi) më dëgjoi. Vjersha ime u shkrua diku gjatë shkurtit e marsit të vitit 1980.... ndërsa vdekja  Zeusin e poezisë sime e largoi nga froni me 4 Maj 1980 ....

Një ditë  mesprilli të 1980 tës, diku mes Institutin Albanologjik dhe Fakultetit Filozofik (kështu quhej atë kohë) Sabiti përballet me  Prof. Hasan Mekulin, kryeredaktor i  revistës letrare “JETA E RE”.. i cili me një ton të qetë e pyet  si me humor:- "Ai Zeusi mos ishte i yti" ? të pyes sepse tani  e dime që ti i ke ca shprehje të shkurtëra, të nyjta dhe  godet si me cunga ...pooor ne, nuk guxuam të ta shpërblejmë sepse do të binte shumë në sy".

Sabiti qeshi se e kuptoi që realisht e kanë mbrojtur nga kthetrat e pushtetit të asaj kohe.

Po të ishte publikuar ajo poezi, le të mos e mendojmë se çfarë do t’i ndodhte poetit.

Në fillim të majit, të po atij viti ( 1980 ), poeti ynë përballet me një ngjarje tjetër sa komike aq dhe e besdisëshme. Me qënë se  Sabit Rrustemi shkruante reportazhe të bukura  për revistën  “BOTA E RE”, nga Redaksia i jepet detyrë të bëjë një reportazh për të portretizuar rrugët e Prishtinës gjatë momentit të ceremonisë të varrimit të Titos.

Zyrtarisht nuk mund ta refuzonte, se kjo kushtonte shumë dhe s’dihej si do t’i vente filli më tejë ndonjë refuzimi eventual, por sikleti më i madh i tij ishte se si mund të shmangte tash përmendjen e emrit të Titos në shkrim, emër që nuk e kishte përmendur thuaja fare në shkrimet e tij, sepse …”si do t’ju dilja para atyre që më njihnin si antikomunist “…më thotë Sabiti në mesenxher.

Doli rrugëve të Prishtinës, shetiti e shetit i vetëm ....i kënaqur që s'ishte i detyruar ta ndiqte ceremoninë përmes televizionit…, po si t’ja bënte për shkrimin e reportazhit, si të motivohej për të shkruar  kur zemra i pulsonte sikletshëm prej një shqetësimi të brendshëm?  Në një çast, mendja i shkon te Enver Hoxha. –“Hajt se po e llogaris kinse ka vdekur Enver Hoxha dhe po meditoj si ndihen në atë moment këto rrugë tërësisht të boshatisura ”!

Tani që gjeti çelësin magjik,  nuk e kishte problem që ta shkruante.reportazhin...

Ditën e  nesërme ia dorëzon redaktorit të revistës katër faqe reportazh në formatin A4.

" Po ti paske ba namin" i tha redaktori duke ia rahur supet… “Të lumtë, të lumtë”!

-Hajt lexoje njëherë pastaj flasim i thotë Sabiti dhe del për.të pinte një çaj të një zyrë

Tjetër, kur e therasin me urgjencë te redaktori. I njëjti që i tha pak më pare, "të lumtë", tash po habitej para tij: “Pash Zotin, si munde me i shkrue gjithë këto faqe pa ia përmendur askund emrin?.

Ç’t’i thoshte Sabit Rustemi,  të vërtetën?Ishte punë që s’bëhej.

Atëherë pozicionohet në një kënd të vdekur mendor dhe e provon të “sqarohet”... "Po kjo është krejt e nënkuptueshme;  "Ai " dihet cili është, nga faqja e parë e këndej e ke kudo ... dhe, lexuesit e kuptojnë fare lehtë për kë mbajnë zi rrugët e Prishtinës... në këtë ditë pranvere.

Nejse, ne e morëm vesh më në fund se kush ja “ndolli” vdekjen Enverit, ndaj mos pyesni të tjerë…

Kur doli numri ekskluziv i revistes "BOTA E RE", me reportazhin e Sabit Rrustemit  "Pranverë e përlotur".... në mbledhjen e redaksisë, mori lëvdata, ndaj të cilave nuk u entuziazmua fare, shkaku i “pikëllimit” që ishte shtrirë gjerë e gjatë syve të tij.

Vetkuptohet që këtë “hile” autori e ruajti për veten e vetë por megjithatë, për t’ju hequr merakun po ju tregoj se kur ndodhi  vdekja e Enver Hoxhës më 11 Prill 1985, Sabit Rrustemi niset me kast nga Zhegra për në Prishtinë, megjithëse ishte "i mbrojtur në liri" (një lloj kufizimi në lëvizje)  derisa të sanksionohej përfundimisht dënimi, dhe shkon në redaksinë e revistës “BOTA E RE” Pasi takon redaktorin (bashkëvendasin e tij  Behxhet Haliti ...tani zyrtar për informim nê Gjykatën Kushtetues) ,  i thotë : A po e riboton tash përnjëmend atë reportazh, sepse personi të cilit iu ka dedikuar para pesë vitesh, dje ka vdekur....

Redaktori I mbetur pa fjalë, pas një qeshjeje të lehtë  i kthehet: “Bash krejt kot nuk të kanë burgosur këta,   o Sabit !...

Po, le të rikthehemi përsëri te libri i parë poetik.

I nxitur prej shkrimtarëve të mirënjohur si Ibrahim Kadriu, Beqir Musliu, Mirko Gashi, Ali Podrimja, Shaip Beqiri, Agim Mala, Hasan Hasani, Ali Aliu, Ramiz Kelmendi e sidomos Hasan Mekuli, të cilin e kishte dhe profesor në fakultet dhe i ndihmuar nga miqtë bashkë - moshatarë  si: Behxhet Haliti, Faruk Tasholli, Xheladin Rexhepi ... e plot të tjerë, yje në plejadën e shkrimtarëve dhe poetëve në Kosovë, në fund të vitit 1980, dorëzon për botim në Redaksinë e botimeve të "RILINDJA", përmbledhjen në dorëshkrim, “KORZO E LIRË”.

Këtu fati ishte me poetin sepse në mes të   janrit 1981 e kontaktoi redaktori i botimeve njëkohësisht dhe redaktori i  librit të tij të parë, poeti Ali Podrimja, i cili pas një bisede shumë të ngrohtë siç i bënte të gjitha bisedat Aliu, i sygjeroi që ta rishikonte dhe njëherë librin në dorëshkrim  dhe t’ja   rikthente  pa vonesë sepse sipas tij, dorëshkrimi i përmbushte të gjitha kriteret për botim. Kështu ndodhi që nga fundi i shkurtit e  njofton personalisht  Ali Podrimja dhe i thotë se  libri kishte marrë dritën jeshile për tu botuar.

Ndërkohë  edhe një përmbledhje  me tregime “MË FLISTE NJË ZË” kishte marrë dritën jeshile për t'u botuar dhe ishte vlerësuar maksimalisht nga recensentët Anton Pashku e Ali Aliu si dhe redaktori i librit në revistën "ZËRI I RINISË" Shaip Beqiri.

Por fati të punon edhe rengje të papritura, veçse këtë herë “fati i keq” u paraqit zyrtarisht në formën e një gjykate.

Ndërsa priste  që viti 1981 të ishte viti i hyrjes triumfuese në letërsi, demonstratat e  mars-prill 1981 si dhe një tregim i tij i botuar në numrin 7 të revistës për kulturë, art e letërsi “FJALA”( me Kryeredaktor Sabedin Haliti)  pikërisht në 1 prill 1981,  me titull "Nën maskën e mysafirëve" ndryshuan gjithçka në jetën  e tij krijuese e besa edhe jetësore.

Sabiti arestohet dhe burgoset,  në fillim të majit 1981, ndaj të cilit filloi një proces i rrëndë gjyqësor i zvarritur me vite të tëra, plot shtatë vite, me dy rigjykime dhe një epilog final nga 4 vite burg- sipas gjykimit të parë, në 1 vit e gjysmë burg- në gjykimin e dytë dhe në 10 muaj burg në gjykimin e tretë (1987), Gjykata Supreme e Kosovës lë  një dënim prej pesë muajsh burg dhe kjo sigurisht që nënkuptonte edhe heqjen e të drejtës së botimit. Realisht heqja e të drejtës së botimit ishte vënë në fuqi qysh  nga maji i vitit 1981 me një vendim politik, që “ u shfuqizua” nga rrethanat e vitit 1990. Kjo ndodhi pas asnjë akt juridik ... por me një situatë të re politike, me premisa plurale e demokratike.

Ndërkohë që Sabit Rustemi pas përplasjeve sa në një gjykim, sa në tjetrin gjykim, po e kryente shërbimin e detyruar ushtarak ( 1989/1990 ),  poeti i mirënjohur Ali Podrimja, si një dashamirës i madh i poezisë së Sabitit, jo vetëm e kishte ruajtur dorëshkrimin në sirtarët e botimeve të "RILINDJA" por me shfaqjen e momentit të ri politik e kishte futur librin në botim, duke ia ndryshuar vetëm titullin, nga “KORZO E LIRË”,  në titullin që e ka edhe sot,  “KU I LA LISAT ERA” duke bërë një qasje me vargun e De Radës “Fryu era e maleve/Dhe rëzoi hijen e lisit”.  Botimi i librit, ndonëse 9 vjet me vonesë,  e gëzoi Sabit Rrustemin si një  fëmijë. Në fakt ky libër,  me një lexim të kujdesshëm dhe sidmos po të merret në konsideratë konteksti kohor kur ishte  shkruar dhe kur ishin publikuar nëpër shtypin e kohës këto poezi, duhet  të cilësohen si paraprijëse dhe paralajmëruese të ndryshimeve  të reja politikke e shoqërore që realisht u krijuan,  e për të cilat kishte dhënë kontributin e tij edhe  Sabit Rrustemit  nëpërmjet vargjeve e tregimeve.

Libri u prit mirë fillimisht, po më pas mbeti nën hijen e zhvillimeve të reja e të vrullshme dhe dramatike për Kosovën dhe kjo ishte e kuptueshme.

Kjo e shpjegon edhe arsyen se pse në Shqipëri nuk njihen shumë botime të autorëve kosovarë, ndonëse vlerat e tyre janë unikale Megjithatë udha u çel për Sabit Rrustemin ... dhe librat pasuan njëra  tjetrën duke na dhënë portretin e qartë të një poeti dhe shkrimtari të rrafshit të epërm të letërsisë.

. . .

Po ju paraqes poezinë “MPLAKJA E ZEUSIT” të poetit Sabit Rrustemi botuar në librin e tij të parë poetik “KU I LA LISAT  ERA” , botim i Ndërmarrja Botuese “RILINDJA” Prishtinë 1990.

MPLAKJA E ZEUSIT

1. (Tatëpjetë Olimpit)

Duke përbiruar botën

Nëpër vrimë gjilpëre

Drita të harroi

As afër as larg nuk sheh

Sy-verbër sy-shtrembër

Prej të rënave qorre

Të plasen timpanet

As afër as larg nuk ndien

Vesh i shurdhër

Paudhësitë të shpunë

Nga s’kthen më

Tatëpjetë Olimpit të zbehur

Malit pa zot

Me gishtat që dridhen

S’futet peri në vrimë gjilpëre

Bota e vjell bukën që ia dhe

2. (Kohët me vel të ri)

Si i çmendur

Shikon kohët që vijnë

-kohë çudirat

Si i çartur i pret

Kohët me vel të ri

Një dreq në di

ç’bluan për të ç’thur

Në vete çirresh e grihesh

Pa zhurmë

Heshtjen e ke modë

3.(Fashët e reve)

Ato re tymi fashë-fashë

Diellit ia mbyllin këndet

Nga niset për në tokë

Ftohtësia zë vend

Rreth neve botës

Zjarrin e ruan gjetkë

Me zili i sheh promethetë

Memec i shekullit

Vetveten sëpari ngrin

Vetveten sëpari djeg

4. (Kujtesë e harruar)

Po plakesh

Tash asgjë nuk të kujtohet

As lëngu i ançarit

Humbe lumit të madh i vockël

As zot

As yrnek

Kot bëhesh servil

Fëmijë reprize

Ushtron cacitjen

Me shkopin mashtrues

Prej ballit kodër

Vëngër vështron

Presat e vdekjeve kah ndërrojmë

Tinëzaket qorre

5. (Vjeshta në kokë)

Dhe flokët po të bien

Vjeshta të rri në kokë

Vetmitari cullak

Dikur ti luaje me to

Tash ato lojën po ta kthejnë

Me spektatorët

Në amfiteatrin e hapur

Sheh ftohtësinë nëndhese

E bindesh pa dashje

Nuk ka bar shërues për mplakje

Kjo fotografi e Sabit Rrustemit  është e vitit 1984, kur  protestonte heshtazi me një mjekërr të lëshuar, nga të paktët atë kohë në Kosovë që performonin me mjekrra, të cilën ja hoqën në burgun e Gjilanit, më tetor 1988 kur vuajti dhe 1 muaj e gjysmë burg, pas atij të vitit 1981 në Prishtinë, që pat zgjatur 3 muaj e gjysmë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora