E premte, 19.04.2024, 04:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Mikel Kalemi: Tragjeditë, vepra të pasioneve të mëdha

E shtune, 30.06.2007, 05:55 PM


Si e pritët çmimin si regjisori më i mirë i vitit 2006 tek Çmimet Kult?
Të them që nuk e prisja do gënjeja. Mendoja që mund të mos e merrja, prapë do gënjeja. E kam marrë vesh lajmin e çmimit në kufi. Më dërguar një mesazh stafi organizativ, kur sapo i kishin zgjedhur fituesit. Ishte surprizë për mua. Pastaj filluan telefonatat, në momentin që po ndahej çmimi. Të them të drejtën, unë nuk e kam shijuar shumë si çmim, përderisa nuk isha atje. Ishim të lodhur, rrugës në udhëtim. Ishte njësoj sikur të më telefononin dhe të thoshin “Lindi djalë!”, një gëzim i largët, sikur nuk të përket.

Ju erdhi keq që nuk ishit aty?
Kujt nuk i vjen keq? Megjithatë, mendoj se kjo vepër e ka treguar veten, për atë që ajo përfaqëson, jo vetëm për pjesëmarrjen për herë të parë në Festivalin e Athinës, por edhe në shumë festivale të tjera. Është një superproduksion, në fakt. Një vepër e tillë është shumë e vështirë të vihet në skenë dhe aq më tepër të lëvizësh me të. Me sa duket, ajo vërtet paska vlera, që po e kërkojnë nëpër festivale të tilla prestigjioze. Prandaj mendoj se çmimi i vërtetë është ky. Vlerësimi i vërtetë për mua dhe për gjithë stafin janë këto festivale.

Si shkoi pjesëmarrja në festivalin e Athinës dhe si e përjetuan vetë artistët tanë këtë, duke qenë se Greqia është vendi i origjinës së “Medeas”?
Shumë mirë në çdo gjë. Ata kanë një kulturë për artin dhe sidomos për veprat e tyre. Kjo tregon një traditë, një respekt shumë të madh, që është për të ardhur keq që në Shqipëri mungon. Për këtë vepër ne nuk kemi patur asnjë mbështetje shtetërore, përveç Teatrit Kombëtar me aktorët e tij, të cilët merrnin pjesë. S’ka dashur t’ia dijë askush për këtë vepër e cila vihej për herë të parë, me një përkthim për herë të parë nga Spiro Papakristo. Krahasoni me pritjen që iu bë në një vend të huaj. Sigurisht, është një vepër që e ka prejardhjen nga ai vend dhe prandaj e respektojnë aq shumë. Ishte një pritje shumë e mirë, që nga ana teknike, profesionale, respekti që tregonin si për herë të parë nga Shqipëria. Jemi ndjerë më mirë sesa këtu.

Pjesëmarrja juaj është vlerësuar shumë nga kritika greke dhe artistët pjesëmarrës në këtë festival. Vetë ju, si e patë nivelin e trupës suaj krahas të tjerave?
Ai është një festival ku zor se mund të jesh pjesë dhe fakti që Shqipëria nuk ka marrë dot pjesë gjithë këto vjet, ka treguar nivelin jo të pëlqyeshëm sa për të qenë pjesë. Ndoshta kjo është edhe një lloj dashurie që ata kanë për veprat e tyre, sigurisht. Por shfaqjet pjesëmarrëse kanë një kastë nga 50 aktorë e sipër në këto vepra, janë shumë serioze. Sidomos kur është fjala për të tilla vepra, që i përkasin jo vetëm atyre por edhe gjithë botës. Kjo është pëlqyer shumë edhe për faktin se Shqipëria merrte pjesë për herë të parë, por mund të jetë edhe pjesë e modestisë sime. Aty ka qenë një kritikë e jashtëzakonshme, sugjerime të veçanta, gjëra që ne nuk i dinim, nuk e kemi imagjinuar se mund të përcillnim ato gjëra përmes veprës. Ndoshta duke qenë se janë shumë të kultivuar edhe si artistë, edhe si publik, gjykuesi më i mirë i shfaqjes është pikërisht kritika pozitive.  Ndoshta sepse vepra ka elemente helene, kjo sepse në mënyrë e vënies në skenë kam ruajtur elementet e tragjedisë, që nga kori etj. Ata e respektojnë shumë të qenit konseguent në elementet e tragjedisë. Mosshkatërrimi i tragjedisë, sepse këto tipare dalluese e ndajnë atë nga të gjitha llojet e tjera të teatrit. Kam marrë edhe gjykime që nuk e kisha menduar që mund të përftoheshin përmes atyre elementeve, gjykime që ne nuk i kemi marrë këtu. Ndoshta edhe publiku ynë nuk ka shumë njohuri në këtë zhanër. Kur është shfaqur natën e tretë, publiku e duartrokiste shfaqjen dhe nuk i linte aktorët të dilnin nga skena. Edhe mua më thirrën në skenë dhe dola me pantallona të shkurtra. Atyre u ka bërë shumë përshtypje fakti që isha kaq i ri. Ka qenë një natë shumë e suksesshme. Publiku i huaj nuk të duartroket kot.

Njiheni për dashurinë tuaj për tragjedinë greke. Nga lind kjo?
Nuk e di. Çdo regjisor ka zhanrin e tij të preferuar. Dikujt i pëlqen absurdi, dikujt realizmi, dikujt Çehovi, një tjetri Shekspiri... Mua më pëlqen tragjedia greke. Kam jetuar çdo verë në Greqi gjatë kohës së studimeve, ku punoja për të siguruar studimet e mia. Para vitit 2002 pashë një tragjedi greke të vënë në skenë dhe u mahnita. Që atëherë nuk iu ndava më dhe vendosa që këtë duhet ta studioj mirë. Fakti që ne nuk e kemi lëvruar si zhanër, përbënte një gjë negative për realitetin e teatrit shqiptar, por pozitive për mua dhe të gjithë aktorët që përpiqemi ta sjellim në skenë. Tragjeditë janë vepra të pasioneve të mëdha. Është vetë ekzistenca dhe shpirti njerëzor i pasqyruar tek to. Është shumë i qartë ky proces. Duke ndjerë një shqetësim dhe superdetyrë regjisoriale dhënies sadopak të dritës njerëzve dhe publikut, mendoj se kjo është mënyra më e mirë për ta bërë këtë.

Nga tragjedianët grekë, keni ndonjë të preferuar?
Ata vetëm tre janë: Euripidi, Sofokliu dhe Eskili. Në fakt, të preferuar kam Sofokliun. Është më poetiku, shumë i fuqishëm. Sigurisht, të tre kanë tragjedi shumë të bukura, por Sofokliu më pëlqen për mënyrë sesi e ndërton frazën. 

Keni dëgjuar t’ju thonë shpesh sa i ri dhe regjisor i suksesshëm?
Sa të duash! Në fund të një interviste me një gazetare greke, më pyeti sa vjeç jam dhe unë i thashë “26 vjeç, po mos ia thuaj njeriu”. “Ky është titulli i artikullit!” mu përgjigj dhe ashtu e vuri. Kjo është një punë që ne e bëjmë të gjithë, si një ansambël: skenografia, kostumografia, muzika. Këtu nuk ndodh siç ndodh rëndom në vepra të tjera në Shqipëri, ku regjisori bën katër-pesë punë. Tek “Medea” secili ka punën e vet sigurisht, udhëhiqet prej regjisorit, merr idetë e tij, por punon vetë dhe kjo të lehtëson shumë. Dhe në fund del një punë e mirë. Megjithatë, fakti tjetër është se janë më të rinjtë dhe më të talentuarit ata që përbëjnë stafin tonë: është Genc Shkodrani me skenografinë, Gjergj Pervazi me kostumet, Endri Sina me muzikën, për të kaluar tek aktorët Ema, Vasjani, Roza, etj të brezit të vjetër të aktorëve, deri tek Juliana Pasha që këndon.

Mendoni se suksesi i një regjisori është çështje fati apo vullneti?
(qesh) unë mendoj se suksesi im është çështje besimi, por jo tek forcat e mia siç e kishte shkruar një gazetë. Unë besoj në Zot, ai ka bërë mrekullia në jetën time dhe një prej këtyre është kjo, hapja e dyerve kaq e papritur për mua dhe kaq e ëndërruar për shumë të tjerë kolegë të mi, është dora e tij.  

Veprat e vëna në skenë nga ju kanë në qendër heroina: nga “Antigona:, tek “Medea”... tani kush e ka radhën?
Ato janë përgjithësisht heroina në të gjitha veprat greke. Janë mespërmes si ndarje, e cila ekzistonte në jetën gjinore, por jo atë sociale të grekëve. Tragjedianët grekë kanë qenë pararojë e lirisë së femrës në atë kohë. Fakti që ata kanë shkruar për këto heroina, tregon pikërisht këtë gjë.

Sjellja në kohët moderne e tragjedive greke, përbën akoma një aktualitet për vendin tonë?
Si jo! “Medea” është shkruar në vitin 431 para Krishtit. Mendoni, kanë kaluar 2438 vjet dhe ajo i ka rezistuar kohës sikurse edhe tragjeditë e tjera greke. Kjo tregon për problemet që ka pasur dhe ka njeriu. E kam thënë dhe e besoj këtë gjë, se  njeriu ka qenë dhe mbetet ai që është: dikur ka patur një karrocë- sot ka një makinë, nga të bërtiturat- sot ka një celular, por në shpirtin e tij nuk ka ndryshuar absolutisht asgjë. Është po i njëjti njeri i pasioneve, i të njëjtave dashuri, urrejtje. Në 2500 vjet njeriu duhet të kishte lëvizur pak, por vepra të tilla vepra tregojnë se është i njëjti si atëherë edhe sot.

Merrni pjesë së shpejti në “Festivalin e Butrintit”, ku jeni përballë një trupe angleze po me “Medean”. Si ju duket konkurrenca?
Po ne jemi përballë tre trupave të Ballkanit në Selanik, ku të treja interpretojnë “Medean” dhe ne po ashtu, në Festivalin e Selanikut ku ne shkojmë së shpejti. S’ka asgjë të keqe, madje është shumë mirë, sepse edhe publiku shikon sesa të bukura janë, sesa shumë mund të japësh me to. Anglezët kanë një lloj të vetin të teatrit, ne kemi llojin tonë me patosin ballkanik.

Një Festival në Selanik pas atij në Athinë... na zbuloni diçka më tej për pjesëmarrjen?
Ne nisemi në 4 korrik për Greqi, ku në 5 do të interpretojmë në një bashki që quhet Krevena, rreth një orë e gjysmë larg Korçës. Pastaj, marrim pjesë në Selanik, ku do të mbahet Festivali i Teatrove të Europës Juglindore, që organizohet vetëm për tragjedinë dhe komedinë antike dhe mbahet çdo vit. Është një bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe ne përfaqësojmë Shqipërinë. Shfaqjen e kemi në datë 9 në një teatër 400 vendesh. Ndërsa në 11 jemi në Tavala, në kuadër të po këtij festivali, në amfiteatrin e Filipëve. Unë i kam parë nga afër ato teatro dhe mendoj se do jetë një emocion i jashtëzakonshëm. Të marrësh pjesë në vende ku ti mendon se këto vepra janë luajtur për herë të parë asokohe, është një magji. Është një gjë shumë e mirë për Shqipërinë, si një ambasador i një vendi që përmes artit ka mundësi të bëjë atë që politika nuk e bën dot. Apo për ato duartrokitje që aktorët shqiptarë kanë marrë dhe do të marrin atje, tregon se arti mund t’i sjellë shumë pranë njerëzit. Nuk kemi nevojë për atë që politika bën, ose prish në fakt.

Ju vjen keq që publiku shqiptar nuk do ketë njohje më të gjerë me veprën tuaj, por këtë shans e ka Greqia?
Jemi një vend i varfër dhe kjo kërkon shumë investim, qoftë edhe për të lëvizur si shfaqje. Kushtet ata t’i krijojnë dhe ti atje do të shkosh. Me dy shfaqje e realizon në Teatrin Kombëtar, e jo më të vazhdosh me të tjera në rrethe. Është shumë e vështirë. Biletat janë shumë të ulëta në krahasim me atë që duhet tu japësh aktorëve. Këto janë mundësitë shqiptare, por do të vijë një kohë që arti do të vlerësohet.

Do ta vazhdoni rrugën si regjisor në Shqipëri?
Këtu, këtu. Nuk largohem. Besoj se ka nevojë Shqipëria për njerëz dhe për të bërë gjëra të mirë, për ta përfaqësuar më pas këtë vend shumë pak të respektuar, të dhunuar shumë, jashtë. Kjo është një gjë që ia vlen të përpiqesh.

Në syrin e një regjisori të ri, si e shihni zhvillimin e teatrit shqiptar vitet e fundit?
Këtu është shumë e vështirë të bësh vepra të tilla si “Medea”. Kur nuk i vendos Teatri Kombëtar, institucionet që financohen nga shteti për të prodhuar art, do të thotë që ka një lloj krize. Nuk ka mundësi financiare. Kjo shfaqje kërkon 20 aktorë. Këtu s’ka skena. Vetëm Athina ka 184 teatro, ndërsa ne në raport me popullsinë që kemi duhet të kishim të paktën 45 teatro. Ne nuk kemi as 4 skena ku mund të bëhet teatër! Kemi një skenë jo të mirë të TK dhe skenën e Akademisë së Arteve. Skena që të mund të menaxhohen nga Bashkia apo Ministria e Kulturës, nuk ka. Bëhen pafund qendra tregtare dhe aty s;ka absolutisht asgjë për artin. Siç duket, shqiptarët nuk i kanë plotësuar ende nevojat e tyre imediate. Ku t’i plotësojnë, atëherë ndoshta do të drejtohen drejt artit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora